Showing posts with label Kritika letrare. Show all posts
Showing posts with label Kritika letrare. Show all posts

Saturday, December 26, 2020

Leonard Veizi, tregimtar me forcë të madhe psikologjike


 
Shpendi Topollaj

Kanë kaluar gati pesëmbëdhjetë vjet qysh kur miku im Leonard Veizi, më pati dhënë një librin e tij me tregime. Qysh atëherë kuptova se ai i njihte mjaft mirë teknikat e të shkruarit dhe i dhashë të drejtë kritikut sqimatar Virgjil Muçi kur shprehej për të se “Me gjithë karrierën e gjatë si gazetar në shtypin e shkruar, ma do mendja që Leonard Veizi s`kish për ta krijuar dot një kuadër me ngjyra kaq të gjalla e kaq ekspresiv të realitetit sa ç`arrin ta krijojë me prozën e vet fikcionale dhe t`ia përcjellë lexuesit”.
Jo se s`kisha se ç`të lexoja, por duke ndierë një detyrim për këtë autor që bën kaq shumë për të promovuar krijimtarinë e të tjerëve, ju ktheva edhe një herë librit të tij, me synimin që të jap gjykimin tim modest, edhe pse e di se ai ndërkohë e ka shtuar së tepërmi kolanën e veprave të veta. Janë gjashtë tregime të gjata që ai i ka përmbledhur, por do të ndalem posaçërisht te njëri prej tyre, ai që ndofta ka qenë më i pëlqyeri edhe prej tij, po të nisemi nga fakti se me atë emër, ka titulluar edhe librin në fjalë, pra “I dënuar me vdekjen”.
Ai që e njeh nga afër Leonardin, pa tjetër që e ka fiksuar mirë urtësinë, modestinë, shikimin e ëmbël të syve të tij, edukatën dhe në tërësi mirësinë që rrezaton ajo fytyra e këndshme. Veç, kur kujton edhe kulturën e tij të gjerë, askush nuk çuditet kur vëren gjithë atë shpërthim psikologjik në tërë krijimtarinë e tij, ç`ka duket fare qartë edhe te tregimi i sapopërmendur. Ndodh shpesh që shkrimtari zgjedh tema që vetë as i ka parë dhe as i ka përjetuar. Dantja, Ferrin, Servantesi, Don Kishotin, Zh. Verni fundin e botës, Gogoli, shpirtrat e vdekur, dikush u mor me temën historike të shekujve më parë e dikush me yjet, ku e di mirë se nuk ka për të shkuar ndonjëherë. Por gjithsesi, të gjithë këta, talenti dhe aftësia e për të fantazuar, pra për të parë përtej njerëzve të zakonshëm, i bëri aq të lexueshëm, sa ua ngriti famën deri në përjetësi.
Edhe shkrimtari Leonard Veizi e ka vënë veten në rolin e një të dënuari me vdekje që pret ekzekutimin nga çasti në çast. Kuptohet, se kjo nuk është aq e lehtë. Ky mund të ishte një mundim për gjeninë e Stefan Cvajgut, sidomos po të kemi parasysh pragvdekjet e mbretëreshave në romanet e tij, gjendjen tepër të rënduar emocionale të tyre, kur prisnin xhelatin t`u hiqte kokën. Natyrisht që personazhi i vetës së parë të Leonard Veizit, nuk është i këtij rangu; ai mund të jetë si shumica, por dashuria për jetën edhe për të është po aq e çmuar sa ajo e mbretërve dhe mbretëreshave. Edhe për të vlejnë fjalët e Woodi Allen se “Nuk frikohem nga vdekja; vetëm nuk dua të jem aty kur të ndodhë”. Ma do mendja se edhe vetë Lukiani, iluministi greko – sirian i botës antike, kur shkroi atë traktatin e tij “Mbi pikëllimin”, ku e quante vdekjen shpëtim, për të mos thënë gëzim, nuk ka menduar ashtu kur ajo i erdhi te pragu. Ndaj mendoj se Leonardi kur ka vendosur të merret me atë që pret vdekjen, së pari, ka guxuar. Ka guxuar dhe ja ka dalë me sukses të plotë.
Ai nuk u referohet psikanalistëve apo sociologëve, por e përshkruan gjendjen e të dënuarit, nëpërmjet një rrëfimi, sikur të kishte qenë ai vetë në atë pozicion të vështirë. Të dënuar me vdekje gjatë shekujve ka pasur pafund. Madje ka edhe sot e kësaj dite, nga ata që me faj apo pa faj, presin litarin a plumbin. Për fat të keq edhe te ne ka pasur shumë të tillë. Por s`duhet harruar se sido që ta kenë pasur punën, cilido të ishte faji i tyre, i vërtetë apo i supozuar, ata ishin njerëz. Dhe si të tillë, u dhimbsej jeta dhe e kuptonin se do ndaheshin prej saj dhe të mirave e bukurive që ajo servirte, një herë e përgjithmonë. Ka pasur pa tjetër, nga ata që edhe u është falur jeta në çastet e fundit. Por atë që kaluan në pritje të marrjes së jetës, ndofta nuk e kanë pasur të gjithë aftësinë për ta rrëfyer, sidomos artistikisht. Ndaj këtu, hyn në rol, shkrimtari. Dhe sa më i zoti që të jetë ai, aq më i besueshëm është dhe tregimi i tij.
Po ta shohësh në pamje të parë, i dënuari me vdekje i Leonardit, nuk ka profil, as moshë, as kohë, as vend e për më tepër për dënimin e tij, nuk dimë nga ç`akuzë vjen. Këto janë pa tjetër të rëndësishme, por autori ka preferuar t`i anashkalojë. Dhe këtë e bën me qëllim, si një mjeshtër i narracionit, i cili nuk do ta shmangë lexuesin nga ideja kryesore. Ai ndalet te gjendja shpirtërore e të dënuarit, te ankthet e makthet që i vinë ndërmend. Ai edhe vetë, duket se ka harruar përse është dënuar aq rëndë. Njeriu kalon situata të kokolepsura kur është i lirë e jo më kur i mbyllur në qeli “ku – siç shkruan autori – hapësira e lirisë ishte më e ngushtë se vetë kuptimi i fjalës burg”, pret pas hekurave litarin, plumbin, gijotinën, injekcionin, ose… Oh sa shpikje për të vrarë. Kë do zgjidhte ai, sikur t`ja linin atij në dorë. Dhe i merr me radhë, por asnjëra nuk ishte e pranueshme, se fundja njësoj do të ishte.
Ai arsyeton; “Do të më vrasin. Vdekja ime s`kishte të bënte as me hakmarrjen dhe as me ndjenjën e gjaknxehtësisë. Aty hynin ligjet, nenet e pafundme të kodit penal dhe dikush tjetër krejt gjakftohtë, si të bënte gjënë më të zakonshme në botë, do të më vriste pa ju dridhur dora aspak”. Dhe pastaj “Gjaku im do të shpërthente si burim dhe do të spërkaste duart, rrobat, shpirtin e tij”.
Pra, të dikujt që as e njihte fare. Por që atë detyrë kishte; me të ushqente fëmijët. Hej! Si është ndërtuar kjo botë! Por, ndofta edhe mund ta plagosnin, se fundja ç`mund të kishin pushkatarët me të. Çfarë u kisha bërë unë? Do e mjekonin dhe do i falej jeta. Dhe aty për aty kthjellohet: “Idiot! Ku s`të shkon mendja”. Por mendja kështu e ka; plot dëshira e trille nga më të çuditshmet. Dhe prap, se nga del një rreze shprese. Kushedi… vjen dikush dhe i komunikon faljen e jetës, kthimin e dënimit me burgim të përjetshëm. Se ai do pranonte edhe me një dorë, edhe me një këmbë mangut, edhe gjysmë trupi, vetëm të jetonte, qoftë dhe gjithë jetën në burg. Ku nuk e shpie imagjinata. Dhe kujtohet se ndërsa gjykohej, përhumbej para bukurisë së gjyqtares.
Sugjestionohet nga ajo bukuri e mbuluar me togën e zezë, dhe beson se nuk ka mundësi që ajo ta dënojë me vdekje. Por ja që kjo ndodh dhe atij i duket e shëmtuar dhe për më tepër e quan kurvë. Kishte tjetër plan; kur të kryente dënimin do e thërriste për një darkë dhe kushedi, ndofta… Mundet dhe Presidenti të bëjë diçka. Por a do ta lënë punët e shumta e shkresurinat që të merret me kërkesën e tij. Sikur ta bënte, do t`i shtërngonte dorën. Por a do të ishte përsëri po ai President. Dhe a do të kujtohej për firmën që kish hedhur dikur për të. Sa pyetje të vështira e mundonin. Dhe përsëri largohej nga ëndrrat.
“Isha tepër i rrëmujshëm në ato që mendoja dhe që duhej të mendoja. Çdo minutë që ikte ishte ankth. Në jetën time të shkurtër kisha lënë pa bërë shumë gjëra, duke menduar se jetën e kisha përpara ndaj nuk duhej të ngutesha. Ndërsa tani më duhej të haja inat me veten, se përse kisha menduar ashtu”. Duhej ta priste me gjakftohtësi vdekjen.
Elioti diku ka thënë se “Vdekja ka qindra duar dhe ecën nëpër mijra rrugë”. Por, duket se Leonardit i dhimbset i dënuari pa emër dhe pa identitet. E le lexuesin vetë të abstragojë; duke i bërë veshët fatkeqit se po dëgjon hapa gardianësh. Ata ndofta po vinë për tjetër kumt, por atij atje i rri mendja, tek ekzekutimi. Atje i rri mendja edhe atij që e lexon këtë tregim të gjatë, ku pa asnjë invektivë (invectiva oratio), ashtu urtë e butë, dëshmohet e vërteta e madhe se shkrimtari me talent të spikatur, siç ngjet me Leonard Veizin, ka fuqinë t`i shndërrojë edhe ato që i servir imagjinata, në realitete tronditëse.


Sunday, October 4, 2020

“Depresioni Blu” në një parathënie nga LEONARD OLLI

Leonard Olli dhe Leonard Veizi gjatë promovimit të romanit "Lora"


    Të zbulosh rrënjët e tua, thelbin e komunitetit, me të cilin bashkëjeton e bashkëvepron është një mision i vështirë që kërkon jo vetëm njohuri shumë disiplinash, por edhe bashkëpunëtorë. Ende sot e kësaj ditë vijojnë debatet juridike, sociale e politike nëse kombi është “komunitet njerëzor i karakterizuar nga ndërgjegjja e identiteti historik e kulturor dhe shpesh prej unitetit të gjuhës dhe të fesë” (fjalori francez Hachette) apo “akti i dëshirës për të jetuar së bashku, vullnetit për të ndjekur trashëgiminë e vlerave shpirtërore” (Ernest Renan). I pa shqetësuar për sa më sipër, Leonard Veizi, sjell para nesh në këtë publicistikë kaq të spikatur, individin shqiptar, pjesë e një kombi, duke i dhënë mundësinë kujtdo të përzgjedhë definicionin e tij. 
    Sarkazma për ‘katandisjen’ e nivelit të politikës në vend ose bëmat e baballarëve të kombit, vijnë para lexuesit me humor të hollë, qesëndisje elegante, e të ndërthurur këndshëm, për aq sa duhet, me një fjalor “banal”, që i jep lezetin një gatimi mbresëlënës, ku shija “djegëse” është qershiza mbi tortë.... 
Gjuha e një skenari të përsosur e një Blac Comedy (komedi e zezë), e cila fshikullon pa mëshirë problematika sociale, paradokset absurdë qeverisës “zbutet” me elementë dialektizmi të gjetur e humorin fin. 
Po kaq befasues është vëzhgimi i tij i thellë në realitetin e përditshëm të shqiptareve, nga “tallavaja” e zgjedhjeve si dështimi më i suksesshëm i demokracisë tranzicionale shqiptare, politizimi i tejskajshëm i shqiptarëve që janë gati të bien theror për partinë e zemrës (xhepit), duke harruar veten dhe familjet e tyre, e deri te tavolina e famshme e ndërrimit të viteve. Udhëtimi i Veizit në jetën e shqiptarit është pa as më të voglin dyshim tre dimensionalësh, duke fshikulluar demagogjinë qeverisëse, apo elitën drejtuese, thelbin e mendësive tona e deri në transformimet urbane e bjerrjen e vlerave të trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore. Por, mos u frikësoni! Humori i hollë që do të ndeshni në çdo paragraf jo vetëm do ta “lehtësojë ndjeshëm dhimbjen” për çka vuajmë ne shqiptarët e rinj, sikundër na dallon autori, por dhe do t’ju bëjë ta “përtypni” më lehtë, duke qeshur, edhe fort në mjaft raste.... 
    Veizi si një “patolog” i kujdesshëm e shtrin “vizitën” edhe më tej, duke dëshmuar ekspertizë edhe në disiplina të tjera. Ai sjell para publikut, me një gjuhë të shkathët e trajtim plot ngjyra, realitete urbane, fizike e shpirtërorë, si bashkësi instilacionesh, duke na kujtuar se ne këtë mjedis të gjithë lemë gjurmët tona. 
    Autori në këtë zinxhir publicistikash nuk mbetet thjesht e vetëm në stadin e konstatimit, por mjeshtërisht parashtron vëzhguesin e vëmendshëm edhe në detaje që ndodhin para syve tanë, por që i anashkalojmë me apo pa ndërgjegje. 
Në ironinë therëse të Veizit nuk mungon as vëmendja ndaj rolit dhe peshës që i është dhënë fushës së edukimit e figurës së intelektualeve në fundshekullin e XX dhe fillimit të atij të XXI-të. 
    Lidhja e së tashmes me të shkuarën e diktaturës, nëpërmjet një retrospektive tejet interesante, dëshmon atë që sociologët pohojnë me forcë se, ndryshimi i mendësive qoftë të krijuara qoftë të imponuara kërkojnë kohë dhe mundim të ndryshojnë. Teksa lexon se çfarë kërkon shqiptari i ri, edhe pse në një lloj paralelizmi konceptual me poemën “kadareane” apo përkufizimet “koniciane”, gjithkush ka mundësinë të bashkudhëtoje me të, sa para e pas në kohë, në gjithë skutat e jetës praktike e shpirtërore të çdo njërit prej nesh. 
    Nuk është aspak qëllimi i Veizit të shpalosë dimensionin e tij si një njeri me njohuri komplekse e aftësi vëzhguese kaq të mprehta, as nuk dëshiron që udhëtimin e tij ta konsiderojë si të pacenueshëm. Ai është thjesht vetvetja, duke fiksuar çdo gjë, si një aparat digjital, me mijëra shkrepje në fraksione sekonde, për të sjellë po aq organikisht në vëmendjen tonë. Shoqëria jonë heziton të njohë vetën, ka frikë nga sarkazma e autosarkzmës, pasi ende nuk jemi të gatshëm të përballemi me të vërtetën apo të shohim veten tonë thellë në sy para pasqyrës.... Këtë e bën Veizi, sa thjesht aq edhe të detajuar, sa hidhur në pasqyrim, aq “ëmbël” në përshkrim plot humor e ironi, sa dhimbshëm aq edhe shërues, pasi e vërteta shëron! 
    Koha është gjykuesi më i mirë për gjithçka, por kam bindjen se shqiptari i së ardhmes do të kuptojë pa as më të voglin shqetësim se kush ishte shqiptari i ri i së tashmes sonë, ku “kërkesa e dytë, e rrëzon gjithmonë të parën.....” 



Monday, October 21, 2019

Mimoza Erebara: Njohja e vetvetes apo realiteti i munguar


Leonard Veizi, Mimoza Erebara dhe Mehmet Baci (piktor)

Rreth vëllimeve me tregime të autorit Leonard Veizi: 
“Grahma e shpirtit të mjegullt”, “Ngrehina e përhumbjes” dhe “Treni i fundit i metrosë”







Nga Mimoza Erebara

Kur u krijua vetëdija në trurin e njeriut, fillimisht në formën e paraqitjes qendrore të hapësirës, njeriu kishte mundësi të vepronte me imagjinatë në hapësirën e menduar. Hapësira ku sillet vepra e Leonard Veizit është proza. Ndoshta është nga të paktët shkrimtarë të rinj kaq shumë besnikë të gjinisë që ka zgjedhur, që janë prezantuar para lexuesit, përkitas nocioneve dhe ndjenjave që ai vetë ka.
Nga “Grahma e shpirtit të mjegullt”, tek “Ngrehina e përhumbjes” dhe nga kjo , tek “Treni i fundit i metrosë”, është një rrugë e gjatë e autorit që ndihet edhe në tekstet përkatëse.
Që të lexosh Leonard Veizin duhet të “përgatitesh mirë”. Duke zotëruar aftësinë e të treguarit, ai të mban pezull për të mësuar fatin e personazhit. Përgjithësisht në të gjithë vëllimet e këtij autori ku ka shumë personazhe. Rrëfimi bëhet në vetën e parë ose të tretë, si mënyra më e mirë për të qenë pranë lexuesit. Personazhet e tij janë njerëz më se të zakonshëm, që fare rastësisht gjenden brenda një ngjarjeje të caktuar dhe kështu marrin rolin e protagonistit. Personazhet e tij janë njerëz më se të zakonshëm, që fare rastësisht gjenden brenda një ngjarje të caktuar dhe kështu marrin rrolin e protagonistit. Vërtiten ata sa një tregim tek tjetri dhe e gjithë e përbashkëta e tyre, mesa duket qëndron në dy aspekte: E para, në atë vijë të thellë trishtimi që i ndjek si një fill i fortë dhe E dyta, huajësimi siç do të thoshte Bruno Fogelman.
Është një trishtim që nis që me tregimin e parë të vëllimit të parë të autorit, “Agonia”, ku na jepet një njeri që jeton mes jetës dhe vdekjes, ku koha dhe hapësira e kanë humbur nocionin e tyre fizik, por kanë një dimension tepër shpirtëror me të cilin autori e çon personazhin e tij larg, përtej ëndrrës dhe realitetit. Gruaja në jerm është plotësisht e nënshtruar ndaj natyrës, por në të njëjtën kohë, vetë shpirti i saj rebel pohon me forcë të kundërtën. Pikërisht në ato çaste ajo kërkon të njohë vetveten, si të thuash: “të vejë pikat mbi i” për jetën e vet. Ajo vazhdimisht eksploron brenda vetes, por ndërkohë dhe na jep të plotë atë ç’ka ka mbetur prej saj, pa e ditur as ajo vetë, as autori që merr për sipër të na e tregojë, dhe as lexuesi, sa e madhe është, sa më të paarritura, sa më të panjohura dhe sa kërcënuese dhe e huaj është në të vërtetë. Ky tregim është një eksplorim psikologjik i unit njerëzor. E në të njëjtën kohë, ky tregim përçon me forcë idenë e huajëzimit, që e thënë thjesht do të thoshte se njeriu nuk e njeh më vetveten dhe njerëzit e vet, punën e vet, jetën e vet, ashtu siç janë në të vërtetë.
Dhe ky koncept shpaloset tashmë i ndarë në dy personazhe tek tregimi tjetër i këtij vëllimi “Thyerja”. Edhe në momentin që mendon se e di kush është dhe çfarë kërkon, Jeta si më e fortë që është bën shakanë e përhershme, ta merr nga dora. Dhe duket se ajo, Jeta, të bërtet me fjalët e Mefistofelit tek Fausti: “Unë jam shpirti që mohon vazhdimisht. Dhe me të drejtë! Mbasi çdo gjë që krijohet duhet të zhduket, sepse unë jam një pjesë e asaj force, e cila gjithmonë ka për qëllim të keqen dhe gjithmonë krijon të mirën”. E mira e “Thyerjes” është vetëm dashuria pa kufij që shtrihet në kohë. Po ky çift del përsëri, por kësaj here pak më ndryshe tek “Pas shfaqjes” tek vëllimi i fundit “Treni i fundit i metrosë”. Ky tregim, pos atyre vetive që përmendëm për dy të tjerët ka dhe një veçori tjetër tepër të dukshme. Në një farë mënyre, ky mund të quhet edhe tregimi i ndryshimit. Në këtë tregim, shpirti i personazheve si dhe nocionet e tyre për botën që i rrethon janë në lëvizje të përhershme, me një shpejtësi që tillë që të tremb për fundin e pritshëm, për tragjizmin e thellë, që nuk është vetëm i atyre të dyve, por të krijohet ideja se vjen që nga thellësia e kohërave. Edhe në një lidhje në dukje as të qëndrueshme, me një strukturë gati-gati të ngurtë për nga qëllimet e sakta e të pastra që kanë mes tyre, ndryshimi ndodh. 
Panta rhei – Çdo gjë rrjedh, - thotë Herakliti. Po ky ndryshim ndihet edhe tek “Famullitari”, apo “Rrëfimi”, ku personazhet mes huajëzimit, dualizmit të vetvetes gjakojnë me forcë të mbijetojnë në botën që shfaqet armike për ta. Edhe atje, ku mosha duhet ta mundte këtë jetë armike, nuk mundet. Personazhet veprojnë në një kohë kur ndihet ankth në trup e zemër, ankth i luftës për ekzistencë, për mundësinë e zhdukjes ose së paku të vuajtjes së fatkeqësive të shumta. Kohën, ku çdo gjë, ku dhe dashuria gjëja më sublime e njeriut konvertohet lehtësisht në para, ku njeriu tjetërsohet dhe si gjarpri që ndërron lëkurët e tij dhe ai i ndërron dhe kurrë nuk i bën përshtypje, sepse çdo gjë të mirë që mund të kishte pasur më parë o e ka flakur për fare, o e ka platitur thellë në skutat më të thella të shpirtit të tij. Kjo është ajo, që të vret dhe të dëshpëron aq shumë kur lexon “Treni i fundit i metrosë”. Çdo gjë është e ndërlidhur, madje më e afërta dhe më e largëta. Kështu, çdo gjë vepron mbi çdo gjë dhe mbi këto rrethana gjendet baza e shkakësisë së ndërthurur. E pra, personazhe të ndryshme, jetë të ndryshme, mosha të ndryshme, kohë të ndryshme, por që të gjitha konvergojnë në një pikë, në atë parim dialektik që sapo përmendëm. Dashurisë i kushtohen disa nga tregimet e Veizit. Të bie në sy trajtimi seksual i tyre, është një sensualitet që vjen natyrshëm dhe real. Autori është munduar të futet thellë në skutat më të thella të shpirtit njerëzor dhe të shpjegojë të gjithë dridhjet e shpirtit dhe ato të zemrës, duke u përpjekur të na tregojë se ku është ai mekanizëm që e mban gjallë këtë ndjenjë. A është kjo ndjenjë promotori i zhvillimit të vetë qenies njerëzore, apo është vetëm një “sëmundje” kalimtare, a është e vazhdueshme apo është një ndjenjë fatale. Një ndjenjë që e çon personazhin, njeriun, në tragjizëm pa fund, një tragjizëm që është i thellë brenda vetë shpirtit njerëzor, po aq është jashtë tij, ai që dikton tek e fundit ngjarjen. Me gjithë ndonjë rezervë të narracionit, tregimi “Ema’, ndoshta është më i arriri.
Shoqëria njerëzore e kohëve moderne, pra dhe shoqëria shqiptare, pjesë e të cilës është dhe autori, fatkeqësisht e çimenton çdo ditë e më shumë indiferentizmin e saj ndaj ndryshimeve, ndaj kontradiktave që e rregullojnë dhe e shkatërrojnë jetën, ndërthurjes së shumanshme të sendeve dhe të ngjarjeve, deri në atë masë sa gjenden pastaj krejt të papërgatitur kur një dukuri a fenomen shoqëror, “pëlcet”, në formën e një lufte apo një krimi.
Tregimi i shkurtër është “Vrasësi” por rezonanca e tij është dridhëse, gati-gati e pabesueshme. Por për fat të keq është reale. Jo pa qëllim, po i përmend tani tregimet e vëllimit të dytë “Ngrehina e përhumbjes”, sepse edhe në arkitekturën e ndërtimit ky është një vëllim që dallon nga dy të tjerët. Në të, tregimet janë të shkurtra, bile ndonjëherë ke përshtypjen se janë vetëm bocete tregimesh të ardhshme.
Edhe pse jo në mënyrë të dukshme, do të thosha patetike, një shqetësim ndihet, një pyetje që autori në mënyrë indirekte e bën dhe e shtron në çdo tekst të tij: - Ç’është jeta? Njeriu do të dijë se cili është kuptimi i zhvillimit të jetës. Ai do të dijë se çfarë roli luan ai, njeriu, në këtë proces të saj, në këtë segment Kohor e Hapësinor. Që i ka rënë për pjesë për të jetuar, dhe ç’domethënie ka e gjitha kjo për të. Të gjithë personazhet e saporavijëzuar tek “Ngrehina e përhumbjes” e përcjellin këtë pyetje. Autori kërkon të dijë më tepër, do të dijë forcën e saj të thellë, shkakun e saj. Ai pretendon të dijë si është montuar mekanizmi i orës, në çfarë mënyre janë montuar të gjitha rrotat, cili plan është realizuar dhe për çfarë është bërë i gjithë ky mund i madh. Pyetje që nuk e shqetësojnë vetëm listën e personazheve dhe autorin, por çdo njeri që fillon të mendojë për Gjenezën e tij, për Zanafillën. Por autori, një gjë të tillë e pohon fuqishëm: Sado armike paraqitet ajo me të gjithë, në të jemi pjesë e saj dhe bashkëpunojmë për të formuar tërësinë e saj.
Sigurisht që nga të 34 tregimet, jo të gjithë janë të arrirë artistikisht. Diku mungon dialogu, diku është lënë në mes, diku gjuha nuk është në nivelin e duhur, fraza zgjatet pa kuptim, narracioni e dëmton ritmin e brendshëm që duhet ta ketë çdo vepër arti, apo fabulat nuk janë aq të gjetura sepse nuk premtojnë për të qenë me të vërtetë një vepër e mirëfilltë arti, por kjo nuk e dëmton aspak atë qëllim të parë të autorit që të jetë prezent tek lexuesi dhe që ai, pasi ta lexojë të meditojë për të. Dhe proza e Leonard Veizit e arrin këtë.