Shpendi Topollaj
Kanë kaluar gati
pesëmbëdhjetë vjet qysh kur miku im Leonard Veizi, më pati dhënë një librin e
tij me tregime. Qysh atëherë kuptova se ai i njihte mjaft mirë teknikat e të
shkruarit dhe i dhashë të drejtë kritikut sqimatar Virgjil Muçi kur shprehej
për të se “Me gjithë karrierën e gjatë si gazetar në shtypin e shkruar, ma do
mendja që Leonard Veizi s`kish për ta krijuar dot një kuadër me ngjyra kaq të
gjalla e kaq ekspresiv të realitetit sa ç`arrin ta krijojë me prozën e vet
fikcionale dhe t`ia përcjellë lexuesit”.
Jo se s`kisha se
ç`të lexoja, por duke ndierë një detyrim për këtë autor që bën kaq shumë për të
promovuar krijimtarinë e të tjerëve, ju ktheva edhe një herë librit të tij, me
synimin që të jap gjykimin tim modest, edhe pse e di se ai ndërkohë e ka shtuar
së tepërmi kolanën e veprave të veta. Janë gjashtë tregime të gjata që ai i ka
përmbledhur, por do të ndalem posaçërisht te njëri prej tyre, ai që ndofta ka
qenë më i pëlqyeri edhe prej tij, po të nisemi nga fakti se me atë emër, ka
titulluar edhe librin në fjalë, pra “I dënuar me vdekjen”.
Ai që e njeh nga
afër Leonardin, pa tjetër që e ka fiksuar mirë urtësinë, modestinë, shikimin e
ëmbël të syve të tij, edukatën dhe në tërësi mirësinë që rrezaton ajo fytyra e
këndshme. Veç, kur kujton edhe kulturën e tij të gjerë, askush nuk çuditet kur
vëren gjithë atë shpërthim psikologjik në tërë krijimtarinë e tij, ç`ka duket
fare qartë edhe te tregimi i sapopërmendur. Ndodh shpesh që shkrimtari zgjedh
tema që vetë as i ka parë dhe as i ka përjetuar. Dantja, Ferrin, Servantesi,
Don Kishotin, Zh. Verni fundin e botës, Gogoli, shpirtrat e vdekur, dikush u
mor me temën historike të shekujve më parë e dikush me yjet, ku e di mirë se
nuk ka për të shkuar ndonjëherë. Por gjithsesi, të gjithë këta, talenti dhe
aftësia e për të fantazuar, pra për të parë përtej njerëzve të zakonshëm, i
bëri aq të lexueshëm, sa ua ngriti famën deri në përjetësi.
Edhe shkrimtari
Leonard Veizi e ka vënë veten në rolin e një të dënuari me vdekje që pret
ekzekutimin nga çasti në çast. Kuptohet, se kjo nuk është aq e lehtë. Ky mund
të ishte një mundim për gjeninë e Stefan Cvajgut, sidomos po të kemi parasysh
pragvdekjet e mbretëreshave në romanet e tij, gjendjen tepër të rënduar
emocionale të tyre, kur prisnin xhelatin t`u hiqte kokën. Natyrisht që
personazhi i vetës së parë të Leonard Veizit, nuk është i këtij rangu; ai mund
të jetë si shumica, por dashuria për jetën edhe për të është po aq e çmuar sa
ajo e mbretërve dhe mbretëreshave. Edhe për të vlejnë fjalët e Woodi Allen se
“Nuk frikohem nga vdekja; vetëm nuk dua të jem aty kur të ndodhë”. Ma do mendja
se edhe vetë Lukiani, iluministi greko – sirian i botës antike, kur shkroi atë
traktatin e tij “Mbi pikëllimin”, ku e quante vdekjen shpëtim, për të mos thënë
gëzim, nuk ka menduar ashtu kur ajo i erdhi te pragu. Ndaj mendoj se Leonardi
kur ka vendosur të merret me atë që pret vdekjen, së pari, ka guxuar. Ka guxuar
dhe ja ka dalë me sukses të plotë.
Ai nuk u referohet
psikanalistëve apo sociologëve, por e përshkruan gjendjen e të dënuarit,
nëpërmjet një rrëfimi, sikur të kishte qenë ai vetë në atë pozicion të
vështirë. Të dënuar me vdekje gjatë shekujve ka pasur pafund. Madje ka edhe sot
e kësaj dite, nga ata që me faj apo pa faj, presin litarin a plumbin. Për fat
të keq edhe te ne ka pasur shumë të tillë. Por s`duhet harruar se sido që ta
kenë pasur punën, cilido të ishte faji i tyre, i vërtetë apo i supozuar, ata
ishin njerëz. Dhe si të tillë, u dhimbsej jeta dhe e kuptonin se do ndaheshin
prej saj dhe të mirave e bukurive që ajo servirte, një herë e përgjithmonë. Ka
pasur pa tjetër, nga ata që edhe u është falur jeta në çastet e fundit. Por atë
që kaluan në pritje të marrjes së jetës, ndofta nuk e kanë pasur të gjithë
aftësinë për ta rrëfyer, sidomos artistikisht. Ndaj këtu, hyn në rol,
shkrimtari. Dhe sa më i zoti që të jetë ai, aq më i besueshëm është dhe tregimi
i tij.
Po ta shohësh në
pamje të parë, i dënuari me vdekje i Leonardit, nuk ka profil, as moshë, as
kohë, as vend e për më tepër për dënimin e tij, nuk dimë nga ç`akuzë vjen. Këto
janë pa tjetër të rëndësishme, por autori ka preferuar t`i anashkalojë. Dhe
këtë e bën me qëllim, si një mjeshtër i narracionit, i cili nuk do ta shmangë
lexuesin nga ideja kryesore. Ai ndalet te gjendja shpirtërore e të dënuarit, te
ankthet e makthet që i vinë ndërmend. Ai edhe vetë, duket se ka harruar përse
është dënuar aq rëndë. Njeriu kalon situata të kokolepsura kur është i lirë e
jo më kur i mbyllur në qeli “ku – siç shkruan autori – hapësira e lirisë ishte
më e ngushtë se vetë kuptimi i fjalës burg”, pret pas hekurave litarin,
plumbin, gijotinën, injekcionin, ose… Oh sa shpikje për të vrarë. Kë do
zgjidhte ai, sikur t`ja linin atij në dorë. Dhe i merr me radhë, por asnjëra
nuk ishte e pranueshme, se fundja njësoj do të ishte.
Ai arsyeton; “Do
të më vrasin. Vdekja ime s`kishte të bënte as me hakmarrjen dhe as me ndjenjën
e gjaknxehtësisë. Aty hynin ligjet, nenet e pafundme të kodit penal dhe dikush
tjetër krejt gjakftohtë, si të bënte gjënë më të zakonshme në botë, do të më
vriste pa ju dridhur dora aspak”. Dhe pastaj “Gjaku im do të shpërthente si
burim dhe do të spërkaste duart, rrobat, shpirtin e tij”.
Pra, të dikujt që
as e njihte fare. Por që atë detyrë kishte; me të ushqente fëmijët. Hej! Si
është ndërtuar kjo botë! Por, ndofta edhe mund ta plagosnin, se fundja ç`mund
të kishin pushkatarët me të. Çfarë u kisha bërë unë? Do e mjekonin dhe do i
falej jeta. Dhe aty për aty kthjellohet: “Idiot! Ku s`të shkon mendja”. Por
mendja kështu e ka; plot dëshira e trille nga më të çuditshmet. Dhe prap, se
nga del një rreze shprese. Kushedi… vjen dikush dhe i komunikon faljen e jetës,
kthimin e dënimit me burgim të përjetshëm. Se ai do pranonte edhe me një dorë,
edhe me një këmbë mangut, edhe gjysmë trupi, vetëm të jetonte, qoftë dhe gjithë
jetën në burg. Ku nuk e shpie imagjinata. Dhe kujtohet se ndërsa gjykohej,
përhumbej para bukurisë së gjyqtares.
Sugjestionohet nga
ajo bukuri e mbuluar me togën e zezë, dhe beson se nuk ka mundësi që ajo ta
dënojë me vdekje. Por ja që kjo ndodh dhe atij i duket e shëmtuar dhe për më
tepër e quan kurvë. Kishte tjetër plan; kur të kryente dënimin do e thërriste
për një darkë dhe kushedi, ndofta… Mundet dhe Presidenti të bëjë diçka. Por a
do ta lënë punët e shumta e shkresurinat që të merret me kërkesën e tij. Sikur
ta bënte, do t`i shtërngonte dorën. Por a do të ishte përsëri po ai President.
Dhe a do të kujtohej për firmën që kish hedhur dikur për të. Sa pyetje të
vështira e mundonin. Dhe përsëri largohej nga ëndrrat.
“Isha tepër i
rrëmujshëm në ato që mendoja dhe që duhej të mendoja. Çdo minutë që ikte ishte
ankth. Në jetën time të shkurtër kisha lënë pa bërë shumë gjëra, duke menduar
se jetën e kisha përpara ndaj nuk duhej të ngutesha. Ndërsa tani më duhej të
haja inat me veten, se përse kisha menduar ashtu”. Duhej ta priste me
gjakftohtësi vdekjen.
Elioti diku ka
thënë se “Vdekja ka qindra duar dhe ecën nëpër mijra rrugë”. Por, duket se
Leonardit i dhimbset i dënuari pa emër dhe pa identitet. E le lexuesin vetë të
abstragojë; duke i bërë veshët fatkeqit se po dëgjon hapa gardianësh. Ata
ndofta po vinë për tjetër kumt, por atij atje i rri mendja, tek ekzekutimi.
Atje i rri mendja edhe atij që e lexon këtë tregim të gjatë, ku pa asnjë
invektivë (invectiva oratio), ashtu urtë e butë, dëshmohet e vërteta e madhe se
shkrimtari me talent të spikatur, siç ngjet me Leonard Veizin, ka fuqinë t`i
shndërrojë edhe ato që i servir imagjinata, në realitete tronditëse.
No comments:
Post a Comment