Friday, December 25, 2020

Për pak besim më shumë në fundvitin e festave të trishta


Nga Leonard Veizi
 
Atmosfera e festave të fundvitit si rrallëherë është tejet e vakët. Lëvizjet e njerëzve janë më të kursyera. Madje ndonjëherë të duken krejt “slow motion”, si në një film të vjetër ku nuancat janë zhbërë me kohë për t’u trajtësuar në të njëjtën ngjyrë, atë të një kafeje të zbehtë.
A është ky një pesimizëm i theksuar?
Varet se si kërkon ta shohësh gotën: bosh, për shkak të gjysmës bosh, ose plot, për shkak të gjysmës së mbushur.
Megjithatë ky fundviti nuk karakterizohet nga entuziazmi. Eufori të cilën nuk e humbëm as në vitin e mbrapshtë 1997, ku festat në mungesë të fishekzjarrëve i përshëndetëm me krisma armësh.
Sot, nëpër markata lagjesh nuk ka më blerje me shumicë e furnizim kuzhine me gjela të patherur si dhe asortimentet përbërës për një sallatë ruse masive. Dhe mbi të gjitha, ky është një fundvit pa ftesat bujare për ahengje padiava që stisnin qendrat e punës, ku kërciste dollia e rakisë me damixhanë për sukseset në realizimin e planit e zotimeve dhe ku kërcehej pogonishtja, vallja e Kukësit bashkë me...  Zorbën greke.
E megjithatë, qytetet janë zbukuruar me të njëjtin dekor si dhe një vit më parë. Ndërsa nëpër xhamat e vitrinave të lokaleve nuk mungojnë pankartat me urimet për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.
Por duket sikur pas shkëlqimit të dritave që rrethojnë pemët e bulevardeve dhe të atyre që ndriçojnë në bredhat e mbushur me pambuk, është shtrirë një vel trishtimi. Dhe kjo ka të bëjë me pasigurinë e së nesërmes.
Sepse fasada mbetet fasadë.
Njerëzit po humbasin besimin se gjithçka do të rregullohet e do të jetojmë si më parë. Pasi prej një viti na thuhet çdo ditë në vesh se pas kësaj, asgjë nuk do të jetë më si më parë. Që do të thotë se dhe kur nuk do ta besosh, fillon dhe e beson.
Prej kohësh nuk po marrim më lajme të mira. Ose dhe kur i marrim, nuk na le kush t’u gëzohemi. Pas lajmit të parë lehtësues që në botë u shfaq vaksina anti-Covid erdhi lajmi i dytë trishtues ku flitej se Shqipërisë nuk i dihej se kur do t’i vinte radha për furnizim, ndaj duhej bërë durim në bashkëjetesën e vështirë me virusin. Pas lajmit tjetër se Shqipëria ka bërë parapagimin dhe se vaksinat do të mbërrijnë nga janari i vitit të ri, vjen lajmi tjetër po aq zhgënjyes, që Covid ka pësuar një mutacion, i cili ka veti përhapëse më të shpejtë se ai me të cilin ishim miqësuar këto kohët e fundit.
Bëhuni gati për valën e tretë.
Pra, nuk arrijmë të gëzohemi dot. Sepse pas një lajmi të mirë, kemi një lajm tjetër po aq të keq. Megjithatë duhet besuar se një ditë gjithçka do të marrë fund dhe “virusi” si të mbarojë të gjitha ato që ka në axhendë, do të zhduket e do të na lërë të qetë.
Besimi është si një rreze dielli, sjell dritë në dritën e zbehtë të jetës, ndriçon gjithashtu me shkëlqimin e ëndrrave atje ku zakonisht urdhëron errësira e realitetit”, shkruante së fundi në esenë e tij shkrimtari italian Antonio Galdo, i cili është dhe gazetar gjithashtu. Dhe duke dashur të dekodifikoj këtë sentencë të thjeshtë në dukje, më duhet të pranoj me shumë dhimbje realitetin e errët. Pastaj, që besimi sjell atë pak dritë e cila arrin të çajë errësirën, është një tjetër temë, që ka të bëjë me euforinë e optimizmit.
Në fakt, na duhet të kemi më shumë besim. Dhe nëse na mungon, na duhet ta stimulojmë atë në vazhdimësi.
Po jetojmë ditën e një realiteti të errët. Sepse dhe jeta e natës ka marrë fund prej kohësh. Edhe nëse je më kokëfortë dhe do të thyesh rregullat, nuk ke ku të shkosh, pasi me vendim qeverie pas orës 08.30 të mbrëmjes nëpër rrugë mund të lëvizin makinat e policisë, autoambulancat si dhe ndonjë i vonuar që gjithsesi ka aplikuar në e-Albania për leje të posaçme.
Gjithçka është e mbyllur. Me terminologjinë e kohës tanimë cilësohet: lockdown.
Edhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore, njerëzit kishin më shumë besim se bataretë e armëve dhe bombardimi i qyteteve me avionë do të përfundonte një ditë. Ndërsa në kapërcyellin mes viteve ‘20 e ’21-të të mijëvjeçarit të ri po flitet për ekzistencën njerëzore. Padyshim që kjo është një marrëzi e madhe, por nuk është një temë tabu gjithashtu.
Viti 2020 na surprizoi në të keqen e saj. Por askush nuk është në gjendje të parashikojë se çfarë do të ndodhë në vitin e ardhshëm 2021, ku pretendimi i parë konspiracionist apo jo i tillë flitet që, sapo të kalojnë ditët e para të janarit do të futemi në një valë të tretë të sulmit që Coronavirusi, me të gjithë mutacionet e saj, do të sulmojë qenien njerëzore.
Na duhet më shumë besim në këto ditë të trishtuara, ku lajmet për Krishtlindje të gëzuara dhe ato për bllokimin e automjeteve të transportit të mallrave në kufirin mes Francës dhe Britanisë, na transmetohen në të njëjtën paketë me ambalazh shumëngjyrësh e të mbledhur me fjongon e kuqe të shtrënguar kryq.
Po jetojmë ditë të tilla “festive” ku edicionet e lajmeve nuk hapen më me darkat e bamirësisë së politikanëve shumëllojësh, por me numrin e të infektuarve me Covid-19 dhe atyre që ndahen nga jeta e të gjallëve. E për më tepër se kaq, panelet e emisioneve post lajme, janë të mbushur me mjekë infeksionit, epidemiologë dhe specialistë statistikash, që na informojnë në mënyrë të vazhdueshme rreth virusit mutand dhe barrierave që i duhen vënë për të frenuar përhapjen, nga lëvizja e lirë e njerëzve, mjeteve tokësore dhe atyre ajrorë, deri tek barriera që vendoset para hundës së secilit prej nesh e që në fjalorin e përditshëm quhet: maskë.
Një natë Krishtlindjesh mund të jetë një mënyrë e mirë për të rritur besimin te vetja dhe besimin tërësor njëkohësisht se e gjitha çfarë po ndodh, nuk është dhe aq problematike sa mundohen ta transmetojnë mediat dhe se hyrja në një vit me numër tek mund të jetë më optimist se ai që po lëmë pas me numër çift.
Tek e fundit, “shpresa vdes e fundit”!

No comments:

Post a Comment