Saturday, August 22, 2026

“Sindromi i Stokholmit”, kur viktima puth dorën e agresorit që e mbajti peng

 
 

Nga Leonard Veizi
 
Dashuria për dhunuesin, që dikur ishte urrejtje, është një nga paradokset më të errëta të psikikës njerëzore…
 
…Më 23 gusht 1973, dy grabitës u ngujuan në bankën “Kreditbanken” të Stokholmit me katër pengje. Pas gjashtë ditësh, kur policia ndërhyri, disa prej pengjeve kishin nisur t'i mbronin rrëmbyesit dhe të mos besonin te ata që kishin ardhur për t’i shpëtuar. Nga kjo ngjarje lindi shprehja “Sindromi i Stokholmit”.
Termi nuk është një diagnozë zyrtare psikiatrike dhe fenomeni është i rrallë. Por ai ka mbetur si një metaforë e fuqishme për një mekanizëm psikologjik më të gjerë: njeriu mund të lidhet emocionalisht me burimin e frikës kur është i varur prej tij për mbijetesë.
Kur liria zhduket, edhe një grimë mirësi merr përmasa të jashtëzakonshme.
Një gotë ujë nga ai që mund të të vrasë mund të duket si shpëtim. Një ditë pa dhunë mund të duket si mëshirë. Një privilegj i vogël, brenda një sistemi shtypës, mund të përjetohet si drejtësi. Këtu ndodh përmbysja tragjike: viktima nuk mat më të mirën me standardin e lirisë, por me shkallën e dhunës që i është kursyer. Dhe kjo nuk është vetëm çështje psikologjie individuale. Mund të bëhet edhe psikologji kolektive.
Shqipëria e njeh mirë këtë mekanizëm, edhe pse nuk duhet ngatërruar me diagnozën “Sindromi i Stokholmit”.
Për dekada, shteti komunist nuk ishte vetëm administratë, por autoriteti që përcaktonte kufijtë e jetës: punën, banesën, shkollimin, lëvizjen, fjalën, madje edhe fatin personal. Në një rend të tillë, ajo që duhej të ishte e drejtë mund të përjetohej si privilegj.
Dhe këtu lind një pyetje më e thellë: çfarë ndodh me psikikën e një shoqërie kur ajo mësohet për shumë kohë ta përjetojë pushtetin si burim të së mirës dhe të së keqes njëkohësisht?
Pushteti të kufizon, bet edhe të shpërblen. Të frikëson, por edhe të mbron. Të merr diçka, pastaj të kthen një pjesë dhe pret mirënjohje. Me kalimin e kohës, kufiri midis detyrimit dhe favorit fillon të zhduket. Kjo është ndoshta pasoja më e thellë e çdo sistemi paternalist: njeriu harron se ka të drejta dhe fillon të mendojë se ka mirësi që duhet t’i kërkojë.
Diktatura mund të rrëzohet brenda një dite. Reflekset psikologjike të krijuara prej saj kërkojnë shumë më tepër kohë.
Prandaj edhe në një demokraci mund të mbijetojë ideja se shteti të “ndihmon”, politikani të “zgjidh hallin”, pushtetari të “bën nder”.
Dhe kur e mira vjen si favor, lind borxhi. Kur lind borxhi, lind besnikëria. Kështu qytetari mund të fillojë të mbrojë jo institucionin që i garanton lirinë, por personin prej të cilit varet. Është një përmbysje filozofike e marrëdhënies mes individit dhe pushtetit. Në vend që pushteti t’i shërbejë qytetarit, qytetari fillon t’i shërbejë pushtetit që i jep atë që i takon.
Në thelb, liria nuk është vetëm mungesa e prangave. Është aftësia për ta mos e konsideruar dhuratë atë që është e drejtë. Njeriu i lirë nuk falënderon për çdo të drejtë që i njihet. Ai kërkon që ajo të respektohet. Kjo është ndarja mes qytetarit dhe klientit, mes dinjitetit dhe varësisë.
Dhe ndoshta këtu qëndron mësimi më i thellë i Stokholmit: pengu më i rrezikshëm nuk është ai që nuk mund të largohet nga qelia. Është ai që mund të dalë prej saj, por vazhdon ta shohë çelësin në dorën e atij që e mbajti brenda.
Sepse liria e vërtetë fillon atëherë kur nuk ke më nevojë ta duash dorën që të heq prangat.

No comments:

Post a Comment