Nga Leonard Veizi
Në psikanalizë ekziston
një mekanizëm i njohur si zhvendosja. Kur një e vërtetë është shumë e rëndë për
t'u përballuar, mendja nuk e zhduk. E zhvendos. E çon ankthin, konfliktin apo
agresivitetin drejt një objekti tjetër, më të largët, më të sigurt për t'u
urryer dhe përfolur.
Kur këtë nocion e përdorim
për të lexuar sjelljen e një shoqërie, nuk kemi të bëjmë me një diagnozë, por
me një metaforë të dobishme. Dhe Shqipëria sot ofron plot raste për ta provuar.
Ne nuk e zhdukim
skandalin. E zhvendosim.
Ish-vila e Enver Hoxhës u
përfshi nga flakët gjatë një proteste opozitare. Sipas raportimeve, drejt
godinës u hodhën dhjetëra molotovë ndërsa brenda ndodheshin artistë dhe
pjesëtarë të stafit. Brenda pak orësh, vendi u nda sërish në dy llogore
historike: njëra pa një relike të diktaturës që duhej goditur, tjetra një akt
vandalizmi. Vila u kthye në skenë dhe armik popullor.
Sepse një armik i vdekur
është gjithmonë më i sigurt se një problem i gjallë.
Në një skenë tjetër, shumë
më afër, zhvendosja bëhet edhe më e dukshme. Në qendër të debatit publik kanë
qenë komunikimet mes ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, dhe
biznesmenit Ergys Agasi. Sipas raportimeve mbi hetimin, bëhet fjalë për qindra
komunikime dhe dyshime për përcjellje të informacionit të klasifikuar; ndaj saj
është caktuar masa e arrestit në shtëpi, ndërsa çështja mbetet objekt hetimi.
Në këtë histori janë
shfaqur edhe diskutime politike për "fikjen e radarëve". Këtu duhet
dallimi thelbësor mes faktit të hetuar, pretendimit politik dhe verdiktit
përfundimtar.
Dhe çfarë bën publiku? Në
vend që të merret me thelbin - çfarë informacioni doli nga një institucion
shtetëror dhe a u cenua siguria - merret me pjesën rozë: kush me kë foli, kush
kujt i shkroi.
Sekreti shtetëror kthehet
në telenovelë.
Pastaj, në ekran del një
tjetër. Në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit 2026, mediat raportuan
publikimin e videove intime ku pretendohet se shfaqet kompozitori Adrian Hila.
Policia ka nisur hetime për publikimin dhe shpërndarjen e tyre.
Dhe tema ndryshon: nga
informacioni i klasifikuar te dhoma e gjumit. Nga siguria kombëtare te trupi i
tjetrit.
Një video intime nuk
kërkon analizë. Kërkon një klikim. Dhe këtu publiku nuk është më vetëm
konsumator, bëhet pjesë e prodhimit: njëri shpërndan, tjetri komenton, i treti
dënon moralisht.
Gustave Le Bon, te
"Psikologjia e turmës", shkruante për impulsivitetin dhe
sugjestionueshmërinë e turmës. Shumë teza të tij sot nuk merren si shkencë e
përfunduar, por ideja se turma reagon më shumë ndaj emocionit dhe imazhit sesa
ndaj arsyetimit të ftohtë, mbetet e dobishme për të kuptuar spektaklin e
rrjeteve sociale.
Dhe ndërkohë, tema
kryesore largohet ngadalë nga tavolina. Nuk censurohet. Nuk ndalohet. Thjesht
zhvendoset.
Kjo është ndoshta forma më
moderne e harresës: jo të të detyrojnë të mos mendosh, por të të japin aq shumë
gjëra për të parë, sa të mos kesh më kohë të mendosh.

No comments:
Post a Comment