Nga Leonard
Veizi
Tek ngjitesha
shkallëve të Memorialit të Linkolnit e pashë sërish. I gjatë, i bardhë, thuajse
i tretur në diellin e fortë të Uashingtonit qëndronte atje si një vijë që lidh
qiellin me tokën. Rreth meje, turistë nga e gjithë bota pozonin te “Reflecting
Pool” apo Pishina Pasqyruese. Ndoshta askush nuk e vërente me aq imtësi, por
unë nuk i hiqja sytë nga një detaj: në
rreth një të tretën e lartësisë, guri i bardhë errësohej papritur. Askush nuk
bënte hije në atë lartësi. Ajo është si një plagë. Gjurma e një vendi që u nda
më dysh dhe gjeti forcën të bashkohej sërish. Në atë çast kuptova se nuk po
shikoja thjesht një monument, por historinë e Amerikës të gdhendur në gur. Dhe
kjo histori, zyrtarisht, u hap për publikun pikërisht më 9 tetor 1888...
...Në dukje, një
lajm administrativ. Në të vërtetë, fundi i një odiseje 40-vjeçare.
Monumenti ishte
ngritur për të nderuar Xhorxh Uashingtonin, komandantin e Ushtrisë Kontinentale
gjatë Revolucionit dhe presidentin e parë të Shteteve të Bashkuara, por ideja
lindi vetëm pas vdekjes së tij në 1799. Republika e re kishte nevojë për një
simbol fizik.
Për këtë, në 1833
u krijua Shoqëria Kombëtare e Monumentit të Uashingtonit dhe arkitekti Robert
Mills projektoi një obelisk gjigant. Guri i themelit u vendos me ceremoni
madhështore më 4 korrik 1848.
Atëherë filloi
drama.
Monumenti i
ndërprerë
Punimet vazhduan
deri në 1854, kur gjithçka u ndal. Fondet u shteruan. Pastaj shoqëria ra nën
kontrollin e Partisë “Know-Nothing Party”, një lëvizje politike nativiste dhe
anti-emigrante, çka solli humbjen e besimit dhe të donatorëve.
Më pas erdhi Lufta
Civile Amerikane.
Ndërtimi mbeti i
pezulluar nga 1854 deri në 1877. Për më shumë se dy dekada, mbi kryeqytet
qëndronte një trung i papërfunduar prej 46 metrash, një obelisk pa majë.
Uashingtonasit e quanin "fabrika e gurit". Ishte metafora më e
përsosur e një vendi të ndarë.
Vetëm pas luftës,
kur vendi po përpiqej të rindërtohej, në 1876 Kongresi Amerikan mori përsipër
projektin. Punimet rifilluan në 1877 dhe struktura prej guri u përfundua më 6
dhjetor 1884. Dedikimi zyrtar u bë më 21 shkurt 1885, një ditë para ditëlindjes
së Uashingtonit, dhe më në fund, më 9 tetor 1888, dyert u hapën për publikun.
Vonesa ishte për shkak të ashensorit me avull dhe punimeve të brendshme.
169 metrat që e
bënë botën të shikojë lart
Në përfundim,
monumenti ishte një mrekulli: i veshur me mermer, granit dhe gneis blu me
lartësi rreth 169 metra.
Kur u përfundua në
1884, ia mori rekordin Katedrales së Këlnit në Gjermani dhe ishte struktura më
e lartë në botë. E mbajti deri në 1889, kur në Paris u ngrit Kulla Eiffel. Sot
mbetet ende obelisku më i lartë në botë dhe struktura më e lartë prej guri.
Ajo vija që shihja
nga shkallët e Memorialit të Linkolnit është pikërisht kufiri i asaj ndarje -
aty ku mermeri i vjetër takon mermerin e ri.
Një aks
simbolik
Vendndodhja nuk
është rastësore. Ai qëndron në “National Mall” apo Shëtitoren Kombëtare, në
aksin monumental që lidh Kapitolin - selinë e ligjit - me Memorialin e
Linkolnit - simbolin e ruajtjes së bashkimit. Në mes, Pishina Pasqyruese
reflekton të dyja.
Nëse Uashingtoni
përfaqëson lindjen e republikës, Linkolni përfaqëson shpëtimin e saj. Dhe
obelisku në mes është qepja që i mban bashkë.
Tërmeti si prova
e fundit
Më 23 gusht 2011,
një tërmet me magnitudë 5.8 goditi Virxhinian dhe u ndje fuqishëm në Uashington.
Mermeri u ça në mbi 150 vende. Monumenti u mbyll për gati tre vjet dhe u rihap
më 12 maj 2014, pas një restaurimi prej 15 milionë dollarësh.
Pra, ky obelisk ka
vdekur dhe është ringjallur dy herë: një herë nga politika, një herë nga
natyra. Ndoshta kjo është arsyeja pse, kur e sheh nga afër, nuk të duket
thjesht një gur. Të duket si një premtim që Amerika i bëri vetes - dhe e
mbajti, edhe pse me 40 vjet vonesë.

No comments:
Post a Comment