Thursday, June 4, 2026

Në Ditën e Mjedisit bota ndalet, por njeriu nuk ndalet kurrë së bëri pis

  

Nga Leonard Veizi
 
Me 5 qershor, bota, - të paktën kështu thuhet, - ndalet për të reflektuar mbi mjedisin. Në fakt njeriu që jeton mbi këtë botë, nuk ka ndër mend të ndalet. Dha vazhon ta bëjë pis atë...
 
...Është koha e teatrit vjetor. Qeveri, organizata, aktivistë, shkolla, universitete dhe media, të gjithë si me komandë, veshin maskën e "të gjelbrës" dhe fillojnë të recitojnë skriptet e gatshme për pyjet, lumenjtë, detet, ajrin dhe klimën. Publikohen raporte alarmante që na tronditin për 24 orë, mbahen konferenca sterile ku vetëm kondicionerët punojnë, dhe vjen momenti kulmor: teatri i mbjelljes së pemëve. Disa pemë të vetme, të dobëta, si kjo që shihet në imazh, mbillet nën dritat e studiove të televizioneve, me njerëz të veshur me bluza 'eco-friendly' që mbajnë etiketa çmimesh, gati për të postuar një selfie 'të pastër'. Ndërkohë, të tjerët rrinë në radhë për të blerë "ekologji limited edition" në stendat e konsumit, sepse, na besoni, asgjë nuk e tregon dashurinë për mjedisin më mirë se sa blerja e një tjetër gadget-i 'të gjelbër' të paketuar me plastikë.
Bota ndalet. Por ne që jetojmë mbi këtë botë, nuk ndalemi. Jo tani.
Ne, me një babëzi që nuk njeh kufij, vazhdojmë të presim pyje për të ndërtuar rrugë që na çojnë drejt pyjeve të tjera, vetëm për t'i prerë edhe ato. Vazhdon plastika, me një rrjedhshmëri të tmerrshme, të mbushë lumenjtë që derdhen në dete, duke u kthyer në një pjesë të pandashme të ekosistemit tonë detar. Vazhdon betoni të pushtojë çdo hapësirë ku dikur këndonin zogjtë, duke e kthyer qytetin në një burg të ftohtë. Vazhdon konsumimi i pangopur, si një vrimë e zezë që gllabëron çdo burim, sikur planeti të ishte një depo pa fund dhe jo një organizëm i gjallë me kufij që po e shkatërrojmë çdo ditë e më shumë.
Dita Botërore e Mjedisit lindi në vitin 1972, pas Konferencës së Stokholmit, si një thirrje globale për ndërgjegjësim dhe veprim. Kanë kaluar pesëdhjetë e katër vjet. Pesëdhjetë e katër vjet fjalime, deklarata, samite dhe premtime. Dhe megjithatë, ne krenohemi me faktin se gjithçka po shkon më keq.
Çdo raport i ri është më alarmues se ai i mëparshmi. Çdo rekord temperature zgjat vetëm derisa të thyhet nga rekordi tjetër, me një rregullsi të tmerrshme. Çdo verë bëhet më e nxehtë, çdo thatësirë më e gjatë, çdo përmbytje më shkatërruese. Dhe ne, si spektorë të rëndomtë, thjesht shikojmë dhe presim 5 qershorin tjetër.
Natyra nuk flet. Nuk mban konferenca shtypi. Nuk shkruan raporte. Ajo thjesht përgjigjet.
Kur ne presim pyjet, ajo përgjigjet me rrëshqitje dherash. Kur helmojmë lumenjtë, ajo përgjigjet me mungesë uji të pijshëm. Kur ngrohim atmosferën, ajo përgjigjet me stuhi, përmbytje dhe temperatura që dikur i konsideronim të pamundura. Dhe ne, me një injorancë të pafundme, vazhdojmë të habitemi nga këto përgjigje.
Në vitin 2025 fokusi ishte ndotja nga plastika. Në vitin 2026 vëmendja është te ndryshimet klimatike. Çdo vit ndryshon tema, por problemi mbetet i njëjtë: njeriu vazhdon të sillet sikur është pronari i planetit, jo banori i tij, duke harruar se ne nuk jemi asgjë tjetër veçse banorë të përkohshëm.
Paradoksi është se ne flasim për shpëtimin e Tokës, ndërsa në fakt Toka nuk ka nevojë të shpëtohet. Ajo ka mbijetuar akullnaja, vullkane gjigante, zhdukje masive speciesh dhe përplasje asteroidësh. Ne jemi ata që kemi nevojë të shpëtojmë. Planeti do të vazhdojë të rrotullohet edhe pa ne. Pyetja nuk është nëse do të mbijetojë Toka. Pyetja është nëse do të mbijetojë qytetërimi ynë në formën që njohim sot.
Ndoshta gabimi më i madh është se e kemi kthyer mjedisin në një çështje kalendarike. Një ditë në vit kujtojmë natyrën dhe 364 ditë të tjera kujtojmë fitimin. Ndërkohë natyra nuk punon me kalendarin tonë. Ajo nuk pret deri më 5 qershor për të na kujtuar se kemi shkuar shumë larg. Ajo na kujton çdo ditë.
Me ajrin që thithim.
Me ujin që pimë.
Me tokën që na ushqen.
Dhe me heshtjen e pyjeve që po pakësohen.
Prandaj, ndoshta mesazhi i vërtetë i Ditës Botërore të Mjedisit nuk është të mbjellim një pemë apo të postojmë një fotografi me ngjyrë të gjelbër. Mesazhi është më i thjeshtë dhe më i vështirë njëkohësisht: të kuptojmë se nuk jetojmë mbi natyrën. Jetojmë brenda saj. Dhe çdo luftë që bëjmë kundër saj, herët a vonë, përfundon si një luftë kundër vetvetes.