Më 14 qershor 1899 lindi Jasunari Kavabata, njeriu që e
ktheu heshtjen në letërsi dhe trishtimin në art. Ai ishte shkrimtari i parë
japonez që u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi, por madhështia e tij nuk
qëndronte te çmimet. Ajo fshihej te aftësia për të kapur të pathënën, atë që
mbetet pezull mes dy fjalëve, mes dy shikimeve, mes jetës dhe humbjes...
...Në Shqipëri, Kavabata u njoh fillimisht përmes përkthimeve elitare të periudhës së pas-komunizmit dhe fundit të shekullit XX, kur lexuesi shqiptar, i etur për letërsinë e madhe botërore, zbuloi te ai një botë krejtësisht ndryshe nga realizmi tradicional. Përmes shqipërimit mjeshtëror të kryeveprave të tij, ai nuk erdhi thjesht si një autor ekzotik nga Lindja e Largët, por si një zë universal që fliste me gjuhën e shpirtit, duke u kthyer shpejt në një kult për shkrimtarët dhe lexuesit melankolikë shqiptarë. "Krilla njëmijëkrahëshe", një ndër kryeveprat e shkrimtarit është përkthyer në gjuhën shqipe nga Lili Bare dhe po ashtu edhe “Bukuroshet e fjetura”, një nga novelat më provokuese të tij. Ndërsa “Gjemimi i malit” është sjellë në gjuhën shqipe nga Nasi Lera.
Kavabata shkroi për vetminë, dashurinë e pamundur, kujtesën dhe kalimin e kohës. Në veprat e tij, si Vendi i Dëborës, Mijëra Vinça dhe Bukuroshet e Fjetura, nuk gjejmë heronj që sfidojnë botën me zhurmë apo aksion, por njerëz që përpiqen të kuptojnë plagët e shpirtit në vetmi.
Ai shkruante me finesën e një piktori oriental, duke lënë më shumë hapësirë për sugjerimin sesa për shpjegimin. Tekstet e tij funksionojnë si një pikturë me bojë kineze (Sumi-e), ku hapësirat e lëna bosh në letër kanë po aq rëndësi sa edhe vijat e hedhura me penel.
"Bukuria nuk është triumf, por një vetëtimë e shkurtër që zhduket sapo përpiqesh ta kapësh."
Jetesa mes kujtimit dhe harresës
Jetim që në fëmijëri – duke humbur prindërit, motrën dhe gjyshërit para se të bëhej adoleshent – Kavabata e njohu herët ndjenjën e braktisjes dhe humbjes. Kjo fëmijëri e shënjuar nga vdekja u bë filli i padukshëm që thuri tërë krijimtarinë e tij.
Ndoshta për këtë arsye personazhet e tij ecin gjithmonë në kufirin e brishtë mes kujtimit dhe harresës. Ata janë udhëtarë të përhershëm në kërkim të një reje nostalgjike, ku sensualiteti gërshetohet me vetëdijen e ftohtë se çdo gjë e bukur është e dënuar të zbehet.
Kur mori Çmimin Nobel në vitin 1968, në fjalimin e tij të famshëm "Unë, nga Japonia e Bukur", ai foli gjerësisht për traditën shpirtërore të vendit të tij, për budizmin Zen dhe për bukurinë që lind nga thjeshtësia absolute e natyrës. Ai u shpjegoi perëndimorëve se për japonezët, zbrazëtia nuk është mungesë, por plotësi shpirtërore.
Katër vjet më vonë, në vitin 1972, jeta e tij mori fund në rrethana që ende mbeten të mbuluara nga misteri i një vetëvrasjeje të mundshme me gaz, pa lënë asnjë letër shpjeguese. Një ikje e heshtur, pikërisht ashtu siç jetoi dhe shkroi.
Sot, veprat e tij vazhdojnë të jetojnë si petale qershie që bien ngadalë mbi faqet e letërsisë botërore. Jasunari Kavabata mbetet shkrimtari që na mësoi se nganjëherë zhurma më e madhe e njeriut është heshtja e tij, dhe se në fund të fundit, arti më i lartë është ai që guxon të prekë të padukshmen.

No comments:
Post a Comment