Monday, May 4, 2026

Kujtesa, mes kultit të dëshmorëve dhe etikës së sakrificës

 


Nga Leonard Veizi

5 Maji në Shqipëri është një provë se si një shoqëri zgjedh të kujtojë, të interpretojë dhe, shpesh, të instrumentalizojë të kaluarën e vet… 
 
…U vendos si Dita e Dëshmorëve pas rënies së Qemal Stafës, - një prej drejtuesve me te rëndësishëm të Partisë Komuniste, - në përplasje me forcat fashiste italiane në vitin 1942, një çast që regjimi i mëvonshëm komunist e shndërroi në simbol themelor të mitologjisë së tij politike. Kjo ditë u shndërrua për gjysmë shekulli në shtyllën kurrizore të asaj mitologjie që nuk kërkonte thjesht nderimin e të rënëve, por legjitimimin e të gjallëve në pushtet.
Sot, pyetja që na përndjek nuk ka të bëjë më me origjinë e kësaj dite, por me substancën e saj: Çfarë bëjmë ne me dëshmorët tanë kur dritat e kamerave fiken dhe kurorat e luleve nisin të thahen?
 
Kujtesa selektive
Një komb ka nevojë jetike për dëshmorë, por jo si dekor ceremonial për protokollin e radhës. Problemi ynë rrënjësor është kujtesa me përzgjedhje. Për dekada, ne kemi operuar me një "hierarki sakrifice", ku dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore u ngritën në piedestale të paprekshme, ndërsa mijëra të sakrifikuar të tjerë – para dhe pas asaj lufte – u dënuan me harresë ose u anashkaluan. Dhe më shumë vlerë mori një viktimë lufte, se sa një hero i vërtetë.
Kur një shoqëri nderon vetëm "dëshmorët e vet" dhe hesht për "të tjerët", ajo nuk po nderon lirinë për të cilën ata u sakrifikuan; ajo po instrumentalizon vdekjen për qëllime ideologjike. Dhe këtu kujtesa selektive pushon së qeni histori dhe kthehet në propagandë të pastër.
 
Përtej shifrave
Ne kemi humbur kohë të gjatë duke debatuar për numrat, listat dhe parcelat e varrezave të dëshmorëve. Por çështja e shifrave sot është dytësore. Prandaj ne duhet të pyesim: A kemi arritur të ndërtojmë një etikë kolektive nga ky gjak i derdhur? Sepse kjo ka më shumë rëndësi sot se sa të merremi me mbledhje e zbritje shifrash a lojë numrash.
Dëshmorët nuk i duhen kombit për të ushqyer nostalgji sterile apo për të mbajtur gjallë llogoret e vjetra ideologjike. Ata na duhen si një pasqyrë morale për të pyetur veten: Çfarë vlen të mbrohet sot me të njëjtin idealizëm? A është atdheu që kemi sot, ai për të cilin ata ranë?
 
Çlirimi i heronjve
Brezi i ri i Shqipërisë nuk ka nevojë për mite të ngrira në mermer apo figura të dehumanizuara nga retorika partiake. Ata kanë nevojë për të vërteta të plota. Dëshmorët duhen rikthyer në dimensionin e tyre njerëzor – me ëndrrat, dyshimet dhe bindjet e tyre të mishëruara. Vetëm kur i shohim ata si njerëz që zgjodhën të bënin diçka të jashtëzakonshme, dhe jo si monumente të ftohta, ata mund të shërbejnë si udhërrëfyes realë.
5 Maji duhet të pushojë së qeni një ditë ndarjeje në "tanët" dhe "tuajt". Një komb piqet kur mëson t'i kujtojë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin e kësaj toke, pa i ndarë në parcela politike. Madhështia e një dëshmori nuk matet me përkatësinë e tij në një krah të historisë, por me peshën e sakrificës që i la trashëgimi një populli që ende po mëson si të jetë i lirë. 

Sunday, May 3, 2026

Mjeshtëria e humbjes që i dha Ernest Heminguejit një çmim të madh


 

Nga Leonard Veizi
 
Kur Ernest Hemingueji mori Çmimin Pulitzer Prize për novelën “Plaku dhe Deti”, në dukje u konsiderua thjesht si lajm kulture. Por në thelb, ishte një shuplakë morale që sot tingëllon më fort se kurrë. Sepse romani i tij nuk ishte një histori suksesi, por historia e një humbjeje dinjitoze, atë që shoqëria jonë e ka zhdukur tashmë nga fjalori...
 
Më 4 maj 1953, bota e letrave nuk kremtoi fitoren e një çmimi dhënë për një libër, por aktin e një rezistence morale. Sepse Ernest Hemingueji pranoi Çmimin Pulitzer për “Plaku dhe Deti”, pasi skaliti në ndërgjegjen kolektive testamentin e tij mbi madhështinë. Ishte një vepër e shkruar me atë thjeshtësi kirurgjikale që vetëm dëshpërimi dhe mjeshtëria mund ta prodhonin: fjali të shkurtra si goditje çekiç, një horizont i pafund blu dhe një plak që refuzoi të bëhej pre e rrethanave.
 
Beteja
Historia e Santiagos, peshkatarit kuban që sfidon fatin pas 84 ditësh shterpësi, nuk është një kronikë peshkimi; është një liturgji mbi përballjen. Ai nuk kërkonte lavdi. Ai kërkonte të mos dorëzohej. Ndaj lufton për të ruajtur një marrëveshje të heshtur me veten. Lufta e tij me peshkun gjigant është pasqyra e çdo lufte njerëzore, ku kundërshtari është po aq fisnik sa vetë njeriu. Por këtu Hemingueji thyen rregullat e tregut të fitores: Santiago kthehet në breg me një skelet. Për botën e sotme, të obsesionuar pas “rezultatit”, ky do të konsiderohej dështim. Për Heminguejin, ky ishte triumfi absolut.
 
Manifesti
Në një kohë si kjo e jona, ku suksesi matet me shkëlqimin e jashtëm dhe trofetë e dukshëm, mesazhi i Santiagos godet si një dallgë e ftohtë. Ai mishëron atë që ne e kemi holluar me retorikë boshe: dinjitetin në disfatë. Në plan editorial, kjo vepër qëndron si një kundërtezë ndaj mentalitetit të “fitores me çdo kusht”. Santiago na kujton se njeriu nuk është projektuar për rehatinë e portit, por për egërsinë e rrymave.
Ne jetojmë në një realitet ku rezultati ka vrarë procesin. Ku dukja ka zëvendësuar përmbajtjen. Ku “fituesit” janë shpesh ata që dinë të shfaqen, jo ata që dinë të përballen. Politika shet triumfe të menjëhershme; ekonomia shpërblen rrugët e shkurtra; shoqëria glorifikon suksesin pa histori.
Askush nuk flet për detin. Të gjithë duan peshkun.
 
Konkluzioni
“Plaku dhe Deti” nuk është një libër për peshkimin. Është një manual për dinjitetin në një botë që e ka bërë kompromisin normë. Është një kujtesë se madhështia nuk matet me atë që ekspozon, por me atë që përballon.
“Pulitzer”-i i vitit 1953 nuk ishte thjesht një mirënjohje për stilin, por afirmimi i një etike. Ai çmim sanksionoi idenë se madhështia e një qenieje njerëzore nuk matet me atë që sjell në breg, por me mënyrën se si pranon të luftojë kur fati i është kthyer kundër.
“Plaku dhe Deti” na shërben si një busull morale. Në një botë që kërkon fitore pa sakrificë, Hemingueji na kujton se pasuria e vërtetë është ajo që mbetet brenda nesh pasi “peshkaqenët” e jetës kanë ngrënë gjithçka tjetër: papërkulshmëria.

Saturday, May 2, 2026

Franz Nopça, aristokrati që e bëri Shqipërinë subjekt historie

 
 

Nga Leonard Veizi
 
Ai i dha Shqipërisë një vend të ri në hartën e dijes evropiane, duke e trajtuar për herë të parë si subjekt historik dhe jo si periferi ekzotike. Ai dokumentoi me saktësi shkencore Kanunin, strukturat fisnore dhe jetën shoqërore shqiptare. Përmes studimeve të tij, ai e futi Shqipërinë në diskursin modern antropologjik dhe historik të Evropës. Në këtë mënyrë, ai kontribuoi në njohjen ndërkombëtare të identitetit dhe kompleksitetit kulturor shqiptar...
 
...Më 3 maj 1877, në një kështjellë të Transilvanisë, lindi një figurë që do të dilte përtej kufijve të kohës së vet: baroni Franz Nopça, albanolog hungarez, aristokrat i rrallë i dijes dhe i aventurës shkencore.
Ai nuk ishte thjesht bir i një familjeje fisnike, i destinuar për një jetë të paracaktuar nga tradita dhe hierarkia. Nopça përfaqësonte një devijim të pazakontë nga ky model: një mendje që refuzonte kufijtë e ngushtë të akademisë klasike dhe që kërkonte territore ku dija nuk ishte ende e sistemuar. Që në rini, kur bashkëmoshatarët e tij qarkullonin brenda ritualeve të aristokracisë, ai u tërhoq nga hapësira të tjera: nga malet e egra të Ballkanit, nga gjuhët e panjohura, nga popujt që Evropa shpesh i reduktonte në periferi etnografike.
Shqipëria u bë qendra e këtij tërheqimi të pashpjegueshëm dhe njëkohësisht obsesioni i tij shkencor. Ai nuk e pa si një hapësirë ekzotike për t’u përshkruar nga jashtë, por si një laborator të gjallë historik dhe antropologjik. U fut në të me një seriozitet të rrallë për kohën: mësoi gjuhën shqipe, studioi strukturat fisnore, analizoi Kanunin, dhe u përpoq të deshifronte mekanizmat e brendshëm të një shoqërie që Evropa shpesh e shihte përmes filtrit të paragjykimit orientalizues.
Në shënimet dhe studimet e tij, Shqipëria nuk shfaqet si periferi gjeografike, por si sistem shoqëror me logjikë të brendshme të qartë. Nuk është thjesht folklor apo kuriozitet etnografik, por një formë organizimi social që meriton analizë shkencore. Në këtë kuptim, Nopça ishte ndër të parët që u përpoq ta zhvendoste vështrimin nga përshkrimi i jashtëm drejt interpretimit të brendshëm, duke e bërë Shqipërinë subjekt të historisë dhe jo objekt të saj.
Por portreti i tij nuk mund të kufizohet vetëm në laboratorin e dijes. Ai është po aq dramatik sa edhe shkencor. Një aristokrat i lindur në një botë të stabilizuar, ai zgjodhi një ekzistencë në kufijtë e pasigurisë: ekspedita të rrezikshme në terrene malore, kontakte të drejtpërdrejta me realitete të ashpra shoqërore, dhe një izolim gjithnjë e më të thellë intelektual mes botës së origjinës dhe asaj që kishte zgjedhur të studionte.
Kjo përplasje mes dy botëve e bëri figurën e tij komplekse: njëkohësisht shkencëtar rigoroz dhe aventurier i vetmuar, aristokrat i lindur dhe i huaj i përhershëm në hapësirat që eksploronte. Në këtë tension të vazhdueshëm u formua edhe trashëgimia e tij intelektuale, e cila e tejkalon thjesht albanologjinë dhe prek themelet e mënyrës se si Evropa e shekullit XIX filloi të lexonte vetveten përmes “tjetrit”.
Në fund, Franz Nopça mbetet një figurë e dyfishtë dhe paradoksale: njeriu i shkencës dhe njeriu i kufijve, aristokrati dhe i përjashtuari, studiuesi që u përpoq të kuptonte një vend që shumë të tjerë e kishin thjesht përshkruar. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron madhështia e tij: në përpjekjen për ta kthyer Shqipërinë nga një objekt vëzhgimi në një subjekt të plotë historie dhe kuptimi.

Makiaveli dhe anatomia e pushtetit pa iluzione


Nga Leonard Veizi

Nikolo Makiaveli nuk ishte një demon, megjithëse historia shpesh e ka pikturuar me brirë. Ai ishte, mbi të gjitha, një njeri i zhgënjyer nga dobësia e shtetit të tij. Termi “makiavel” përdoret shpesh me ngarkesë negative, pa u marrë parasysh se vetë autori nga i cili buron kishte meritën e rrallë për të kuptuar dhe përshkruar, me një qartësi të pazakontë, mekanizmat e pushtetit ashtu siç janë në të vërtetë, dhe jo siç do të duhej të ishin…

...I lindur në 1469, në një Firence që digjej nga ambiciet e Mediçive dhe predikimet e Savonarolës, Makiaveli e pa politikën jo si një teologji, por si fizikë të forcave të vërteta. Ky kontrast është thelbi i Makiavelit.
 
Vëzhguesi
Për të, virtyti nuk ishte mirësia kristiane, por aftësia e udhëheqësit për të dominuar fatin.
Njeriu që deshifroi kodet e tiranisë ishte, në shpirt, një republikan i bindur. Ai i dha “Princit” mjetet e pushtetit, ndoshta me shpresën e fshehtë se populli, duke lexuar manualin, do të kuptonte mashtrimin.
Vdekja e tij në 1527, i varfër dhe i lënë pas dore, është dëshmia finale e asaj që ai predikoi: në lojën e pushtetit, mirënjohja është një monedhë që nuk ekziston.
 
Makiavelizmi si mit dhe realitet shqiptar
– “Shpif-shpif, se diçka do të mbetet”, ka thënë gjakatari Makiavel.
Në fakt, kjo batutë është e huazuar nga drama “Natë me hënë”, shkruar nga Edmond Budina, bazuar mbi novelën e Ismail Kadaresë me të njëjtin titull. Në skenë, këtë sentencë e thotë personazhi Lad Kroi, që ishte mbrojtësi i Marjanës.
Të mos zgjatemi më tej me dramën e viteve ’90.
Në kulturën tonë politike, emri i Makiavelit ka hyrë shpesh përmes dyerve të gabuara. Si në rastin e mësipërm, ku fraza mbi shpifjen u përdor si një lloj “manuali mbijetese” nën diktaturë, ku morali ishte vetëm një dekor për thonjtë e shtetit.
– “Shpif-shpif, se diçka do të mbetet”, ka thënë gjakatari Makiavel...
Por, a është ky Makiaveli i vërtetë?
Rikthimi i tij në vitet ’90, pas një heshtjeje të gjatë që nga përkthimi i parë i Ali Hashorvës në vitet ’40 të shekullit XX, nuk ishte thjesht një ngjarje bibliografike. Ishte një përplasje me realitetin. Për një shoqëri që po dilte nga një idealizëm i dhunshëm kolektivist, Makiaveli ishte “shuplaka” e nevojshme e racionalitetit.
 
Pushteti si teknikë, jo si teologji
Ajo që Makiaveli bëri ishte sekularizimi i pushtetit. Ai e hoqi kurorën nga qielli dhe e uli në tokë, mes baltës dhe gjakut. Ndonëse kurrë nuk e shkroi fjalë për fjalë “qëllimi justifikon mjetin”, ai argumentoi se stabiliteti i shtetit është vlera supreme. Pa shtet nuk ka moral, nuk ka art, nuk ka jetë. Siç thekson ai, inteligjenca e një lideri matet me njerëzit që mban pranë.
 
Pse na duhet Makiaveli sot?
Në epokën e "hi-tech"-ut, të mbushur me “politika të pastra” në dukje dhe populizëm digjital, Makiaveli na kujton se naiviteti në politikë është krim. Ai nuk na mëson të jemi të këqij; ai na mëson si të mos mposhtemi nga ata që janë të tillë. Në këtë mënyrë Makiaveli mbetet “mjeku” që na jep diagnozën e hidhur pa na premtuar shërimin me lutje. Ai na thotë se liria nuk është një dhuratë, por një rezultat i ekuilibrit të forcave. Anatomia e tij e pushtetit është një thirrje për zgjim: të shohësh botën ashtu siç është, është hapi i parë për ta bërë atë ashtu siç e dëshirojmë.
 
Faktologji
Kontributi i Ali Hashorvës mbetet pionier, duke i dhënë shqipes termat e parë të mendimit politik modern. Pas vitit 1990, puna e Qemal Velisë e plotësoi këtë mozaik, duke e bërë Makiavelin të aksesueshëm për një brez që kishte uri për të kuptuar mekanizmat e lirisë dhe autokracisë.
Përveç “Princit”, vlen të theksohet se te “Ligjërata mbi dekadën e parë të Tit Livit” ai shfaqet si një nga mbrojtësit më të fortë të lirive republikane, duke dëshmuar se nuk ishte një adhurues i tiranisë, por një njeri që e njihte atë deri në palcë për ta kontrolluar.