Wednesday, April 29, 2026

Kur Vatikani “zbulon” Danten: nga përndjekja te lavdia zyrtare



Nga Leonad Veizi
 
Ai shkroi për ferrin. Nuk e shpiku. Thjesht i e zbërtheu. Por kjo u cilësua blasfem. Jo sepse guxoi të përshkruante errësirën, por sepse i dha asaj formë, emra dhe fytyra. Në vargjet e tij, ferri nuk ishte më një abstraksion teologjik, por një hartë e gjallë e mëkateve njerëzore, ku pushteti, lakmia dhe hipokrizia merrnin dënimin e tyre të përjetshëm. Në ferrin e tij nuk digjeshin vetëm mëkatarët anonimë, por edhe figura të njohura, madje edhe njerëz të Kishës. Kjo ishte blasfemia e vërtetë: jo përshkrimi i ndëshkimit hyjnor, por guximi për ta lidhur atë me realitetin konkret. Në atë epokë kur fjala kontrollohej dhe besimi diktohej, Dante e përdori poezinë si një gjyq i hapur. Dhe për këtë, u dënua me mërgim. Sepse ferri i Dantes nuk ishte vetëm një vend. Ishte një pasqyrë. Dhe kushdo që guxonte të shihte brenda saj, rrezikonte të njihte veten...
 
...Viti 1921 u shpall “viti i Dantes”. Europa ende po dilte nga hijet e Luftës së Parë Botërore, ndërsa Italia kërkonte të rigjente një identitet kulturor të qëndrueshëm në mes të trazirave politike. Në këtë klimë, 600-vjetori i vdekjes së Dante Aligerit – më 14 shtator 1321 – u kthye në një moment reflektimi jo vetëm letrar, por edhe moral e institucional. Dhe ndër institucionet që nuk mund të mungonin ishte vetë Vatikani.
Papa Benedikti XV vendosi të botonte një enciklikë kushtuar poetit, një akt që, përtej ceremonisë, kishte peshë simbolike të veçantë. Sepse Dante nuk ishte vetëm autori i “Komedisë Hyjnore”; ai ishte një nga kritikët më të ashpër të Kishës së kohës së tij. Në vargjet e tij, ai nuk ngurroi të denonconte korrupsionin papal, të sulmonte ndërhyrjen e Kishës në pushtetin laik dhe të kërkonte një ndarje të qartë mes autoritetit shpirtëror dhe atij politik.
Për këtë arsye, Dante u përndoq, u përjashtua dhe u la në mërgim – një fat që e shoqëroi deri në vdekje. Kisha, për shekuj, e mbajti një distancë të ftohtë ndaj tij, shpesh duke preferuar heshtjen përballë një figure që nuk i bindej autoritetit të saj.
Por historia ka një mënyrë të veçantë për të kthyer rolet. Në vitin 1921, e njëjta Kishë që dikur e kishte parë me dyshim, tani e ngrinte Danten në piedestal. Në enciklikën e tij, Papa Benedikti XV e përshkroi poetin si një figurë të pakrahasueshme në historinë e njerëzimit, duke deklaruar se bota rrallë kishte njohur një madhështi të tillë dhe se trashëgimia e tij ishte një pasuri universale, përtej kufijve të Italisë.
Ky ndryshim nuk ishte vetëm një akt rehabilitimi kulturor; ishte edhe një reflektim i kohëve të reja. Pas shekujsh konfliktesh mes mendimit të lirë dhe autoritetit fetar, Vatikani po përpiqej të afrohej me figurat që dikur i kishte refuzuar. Në një farë mënyre, enciklika ishte një pranim i heshtur se kritikat e Dantes nuk mund të fshiheshin më – përkundrazi, ato duhej të përthitheshin si pjesë e trashëgimisë së përbashkët.
Por pyetja mbetet: a ishte ky një akt i sinqertë vlerësimi, apo një përpjekje për të përvetësuar një figurë që historia e kishte vendosur tashmë përtej çdo institucioni?
Sepse Dante, në thelb, nuk i përkiste as Kishës, as shtetit. Ai i përkiste letërsisë, mendimit kritik dhe asaj tradite që sfidon pushtetin – çfarëdo forme që ai merr. Dhe ndoshta kjo është ironia më e madhe e vitit 1921: që një poet i përndjekur nga autoriteti, u kthye, pas gjashtë shekujsh, në një simbol që vetë autoriteti kërkonte ta përqafonte.
Në fund, siç sugjeronte edhe vetë Papa në fjalët e tij, studimi i Dantes nuk është vetëm një ushtrim kulturor, por një rrugë drejt së vërtetës. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e tij – në aftësinë për të mbetur aktual, sfidues dhe i papërshtatshëm për çdo pushtet që kërkon ta kufizojë.

No comments:

Post a Comment