E kush nuk i mban
mend personazhet e interpretuara prej tij. Në tërësinë e roleve që ka lënë në
pelikulë ai ka interpretuar burra të ashpër, me mustaqe e mjekër të zezë, që
dinin ta luanin mirë koburen. Por mund të ta merrnin shpirtin dhe me armë të
tjera rrethanore.
-Mazllëm
Bylyku, fiu-fiu.. Jeni në vete mo ju mbylltë. Po ai është frikacak. Mirë e ke,
po pati frikë ka dhe kobure.
Mjafton të kujtosh
batutat e spikatura, dhe e kupton menjëherë për kë bëhet fjala.
-Po qenke tuaf a
derbardhë. Mos u frikëso se asgjë s’do të ndodhë. Shko e merr një paketë cigare
te zhaqeta ime.
Bëhet fjalë për
aktorin e njohur korçar Jani Riza. Dhe roli i tij i parë në kinema do të ishte
ai i Dalip Kamberit në filmin “Vitet e
para”. Por spikati në rolin e Shabanit tek filmi “Streha e Re”.
-A e di që më
pëlqen muhabeti me ju. Po njerëz me shkollë bre, ka ç'të mësojë njeriu. Do vras
një ditë nja 2-3 lepuj e do t'ia shtrojmë, tym ta dalë.
Por do të
shkëlqente me rolin e Xhezos tek filmi “Përballimi”, që shiste grurë në tregun
e zi dhe shkëmbente mall me mall në raste të veçanta.
-Epo, ai që
s’ia ka bërë ‘shkrap’ fare me detyrimet t’i vërë gishtin kokës vëllezër. Të
gjithë piqemi me dhjamin tonë. Sivjet jemi ca si keq se misrin e dongdisi
bryma. Lëmsh kjo punë more djalë.
-Nuk është
lëmsh more shokë jo, por po na e bëjnë lëmsh kulakët dhe pasanikët që përhapin
parulla si kjo që the zotrote.
-Allahu na
rojtë. Që e prishi ca bryma e prishi. Po në qoftë llaf pe kulaku unë s’e zë më
në gojë. I kam sahanët e ndarë me ta.
Por po aq rol i fortë
që të mbetet në kujtesë është dhe ajo e Lame Kurrizit tek filmi “Asgjë nuk
harrohet”.
-Ti e di vetë,
që në tetor të ‘43-shit kur erdhe në shtëpi e më gjete të sëmurë, e më
këshillove pastaj që të hiqja dorë nga Balli. Ti m’i hape sytë. Ua kam
thënë të gjithëve, e kam dhe në
biografi. Por që atë ditë ama bëra çmos për Lëvizjen. Ja kështu o shoku Fane,
sikur të më lëshoje ti një vërtetim. Asgjë më tepër. Vetëm aq sa më takon. Dy
gisht kartë.
Jani kishte një
trup të bëshëm, zë të ashpër e vështrim të thellë. Por kritika është shprehur
se kishte dhe një të vetëndjerë të thellë të rolit. Por edhe pse të jepte
përshtypjen e një njeriu të rreptë e që nuk dinte të falte kollaj, miqtë e tij
thonë se në jetën e përditshme ai ishte i butë e miqësor.
Në jetëshkrimin e
tij zyrtar thuhet se Jani Riza lindi në 17 janar të vitit 1941, në fshatin
Bulgarec të rrethit të Korçës. Në vitin 1964 mbaroi shkollën e lartë
“Aleksandër Moisiu” për aktor dhe fill më pas u emërua në teatrin “Andon Zako
Çajupi” të Korçës. Ka interpretuar në skenën e këtij teatri mbi 40 role,
kryesore dhe të dyta, duke u bërë një nga aktorët më të spikatur të trupës.
Por Jani Riza
ishte një aktor mjaft i suksesshëm dhe në kinematografi. Në pelikulën e filmit
me portretin e tij të retushuar sipas personazheve kanë mbetur të paktën 15
role.
Por një rol të
këndshëm e gazmor, ndoshta nga të rrallët larg natyrës së tij ai e interpretoi
dhe në filmin “Rrethimi i Vogël”.
-Ej doktori i
dhive! Ku e ke mendjen? E paske humbur fare... Ik o mbushu, ti kryetar?! Pa
hajde këtu të të puth. S’kisha puthur ndonjë kryetar. Mos u gëzo byrazer! Ta
pimë me dhimbje se po na ndahet edhe një shok. Prandaj rraheni, shajeni, asgjë
mos i lini pa i thënë. Se nga nesër Gonia do të bëhet shoku Agron. Po unë të
bluaj o i zi, të shtyp me makinë po e harrove shoqërinë e vjetër.
Ndërkohë që një
interpretim i arritur është dhe ai i partizanit të çartur Mete Jazo tek filmi
“Ata ishin katër”.
-Ta marrë
djalli. Dhe e gjitha kjo përse. Për një këngë. Kënga nuk është detyrë
luftarake. Detyra luftarake është atje në front. Prandaj unë them që të gjithë
të shkojmë atje, në pozicion me shokët.
Ndërsa tek filmi
“Mëngjese Lufte”, edhe pse do të luante një rol të vogël, si ishte fort
mbresëlënës, ku në dyshe me aktorin tjetër të talentuar Minella Borova luajnë
rolet e oficerëve gjermanë që mbeten pa rroba duke u larë në liqen.
Tek “Gunat mbi
tela”, ai do të luante rolin e një fshatari lab me gunë mbi supe e me një hu në
dorë që shihte si armikun më të madh jo ushtarët italianë por një prozhektor të
fuqishëm që ndriçonte vendin ku kalonin luftëtarët shqiptarë. Ndaj shkoi ‘të
vriste’ të parin atë:
-Ptu, racë e
mallkuar! Ku të ka vajtur mendja? Na i vrave djemtë që të vraftë rrufeja!
Lugat, ma more shpirtin. Por unë do të të shuaj me gjithë ç'ke...
Por kryeroli i tij
do të ishte ai Bunac Saliut në filmin televiziv “Agimet e stinës së madhe”. Për
këtë rol thuhet se ishte figura tek e cila pati një mishërim aktorial të
nivelit të lartë. Pikërisht ky rol i dha dhe medaljonin në Festivalin V të
Filmit Shqiptar.
-A s’më thua si
po të venë punët? Porropia po të merr, i kam dëgjuar të gjitha. Prit një ditë
kur ata komunistët e tu të të vënë dhe prangat. Latif Bora është një leckë që
nuk u duhet më. Përse luftove? Çfarë fitove? Latif Bora të parin e vendit e bën
Bunat Saliu. E di unë ku të rreh çekani ty. Dhe e ke hak. Ata të kanë hedhur
poshtë.
Jani Riza në të
gjallë të tij ishte vlerësuar dhe me titullin “Artist i merituar”. Ndërsa pas
vdekjes, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Korçës ka akorduar një çmim me
emrin “Jani Riza”.
Aktori i njohur
ndërroi jetë në 24 tetor 1988. Ishte një aksident automobilistik fatal. Dhe ai
ishte në moshën 47 vjeç.
Por megjithëse ka
35 vite që është larguar nga jeta e të gjallëve, batutat e roleve të
interpretuara prej tij vazhdojnë të kujtohen:
-Urdhëroni një
nga këto të hazërtat shoku Miti se Neziri mban duhan për arinj!
No comments:
Post a Comment