Nga Leonard Veizi
Nikolo Makiaveli nuk ishte një demon, megjithëse historia shpesh e ka
pikturuar me brirë. Ai ishte, mbi të gjitha, një njeri i zhgënjyer nga dobësia
e shtetit të tij. Termi “makiavel” përdoret shpesh me ngarkesë negative, pa u
marrë parasysh se vetë autori nga i cili buron kishte meritën e rrallë për të
kuptuar dhe përshkruar, me një qartësi të pazakontë, mekanizmat e pushtetit
ashtu siç janë në të vërtetë, dhe jo siç do të duhej të ishin…
...I lindur në 1469, në një Firence që digjej nga ambiciet e Mediçive dhe predikimet e Savonarolës, Makiaveli e pa politikën jo si një teologji, por si fizikë të forcave të vërteta. Ky kontrast është thelbi i Makiavelit.
Për të, virtyti nuk ishte mirësia kristiane, por aftësia e udhëheqësit për të dominuar fatin.
Njeriu që deshifroi kodet e tiranisë ishte, në shpirt, një republikan i bindur. Ai i dha “Princit” mjetet e pushtetit, ndoshta me shpresën e fshehtë se populli, duke lexuar manualin, do të kuptonte mashtrimin.
Vdekja e tij në 1527, i varfër dhe i lënë pas dore, është dëshmia finale e asaj që ai predikoi: në lojën e pushtetit, mirënjohja është një monedhë që nuk ekziston.
– “Shpif-shpif, se diçka do të mbetet”, ka thënë gjakatari Makiavel.
Në fakt, kjo batutë është e huazuar nga drama “Natë me hënë”, shkruar nga Edmond Budina, bazuar mbi novelën e Ismail Kadaresë me të njëjtin titull. Në skenë, këtë sentencë e thotë personazhi Lad Kroi, që ishte mbrojtësi i Marjanës.
Të mos zgjatemi më tej me dramën e viteve ’90.
– “Shpif-shpif, se diçka do të mbetet”, ka thënë gjakatari Makiavel...
Por, a është ky Makiaveli i vërtetë?
Rikthimi i tij në vitet ’90, pas një heshtjeje të gjatë që nga përkthimi i parë i Ali Hashorvës në vitet ’40 të shekullit XX, nuk ishte thjesht një ngjarje bibliografike. Ishte një përplasje me realitetin. Për një shoqëri që po dilte nga një idealizëm i dhunshëm kolektivist, Makiaveli ishte “shuplaka” e nevojshme e racionalitetit.
Ajo që Makiaveli bëri ishte sekularizimi i pushtetit. Ai e hoqi kurorën nga qielli dhe e uli në tokë, mes baltës dhe gjakut. Ndonëse kurrë nuk e shkroi fjalë për fjalë “qëllimi justifikon mjetin”, ai argumentoi se stabiliteti i shtetit është vlera supreme. Pa shtet nuk ka moral, nuk ka art, nuk ka jetë. Siç thekson ai, inteligjenca e një lideri matet me njerëzit që mban pranë.
Në epokën e "hi-tech"-ut, të mbushur me “politika të pastra” në dukje dhe populizëm digjital, Makiaveli na kujton se naiviteti në politikë është krim. Ai nuk na mëson të jemi të këqij; ai na mëson si të mos mposhtemi nga ata që janë të tillë. Në këtë mënyrë Makiaveli mbetet “mjeku” që na jep diagnozën e hidhur pa na premtuar shërimin me lutje. Ai na thotë se liria nuk është një dhuratë, por një rezultat i ekuilibrit të forcave. Anatomia e tij e pushtetit është një thirrje për zgjim: të shohësh botën ashtu siç është, është hapi i parë për ta bërë atë ashtu siç e dëshirojmë.
Kontributi i Ali Hashorvës mbetet pionier, duke i dhënë shqipes termat e parë të mendimit politik modern. Pas vitit 1990, puna e Qemal Velisë e plotësoi këtë mozaik, duke e bërë Makiavelin të aksesueshëm për një brez që kishte uri për të kuptuar mekanizmat e lirisë dhe autokracisë.
Përveç “Princit”, vlen të theksohet se te “Ligjërata mbi dekadën e parë të Tit Livit” ai shfaqet si një nga mbrojtësit më të fortë të lirive republikane, duke dëshmuar se nuk ishte një adhurues i tiranisë, por një njeri që e njihte atë deri në palcë për ta kontrolluar.

No comments:
Post a Comment