Nga Leonard Veizi
“Burgu është për burra.”
Kjo është një shprehje e vjetër shqiptare, që përsëritet
ndër breza me një lloj krenarie primitive, sikur qelia të ishte provë force dhe
jo kufiri më i errët i dështimit njerëzor. Përtej ironisë së saj të rëndë, kjo
frazë ka mbetur e ngulitur në psikologjinë kolektive si një kod i pashkruar
burrërie. Dhe statistikat tregojnë se ajo nuk jeton vetëm në folklor, por edhe
në realitet…
…Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, Shqipëria
renditet ndër 10 vendet europiane me numrin më të lartë të të burgosurve në
raport me popullsinë: 182 të burgosur për çdo 100 mijë banorë, shumë mbi
mesataren e Bashkimit Europian prej 113. Në rajon, vetëm Mali i Zi dhe Serbia
shfaqin tregues më të lartë.
Por përtej statistikës, problemi është kulturor.
Në memorien historike shqiptare, burgu ka pasur dikur një
dimension tjetër. Gjatë diktaturës komuniste, qelia ishte shpesh vendi i
martirizimit politik dhe intelektual. Shkrimtarë, poetë, klerikë apo
kundërshtarë të regjimit hynin në burg jo si kriminelë, por si njerëz që
paguanin çmimin e bindjeve të tyre. Në atë kohë, vuajtja lidhej me idealin dhe
rezistencën.
Mirëpo tranzicioni shqiptar deformoi këtë perceptim.
Heroizmi i qëndresës u përzie gradualisht me kultin banal të kriminalitetit.
Sot, për shumë njerëz të rritur mes varfërisë urbane, dhunës sociale dhe
mungesës së perspektivës, “të kesh bërë burg” nuk shihet më si njollë, por si
kredencial force. Në disa lagje, qelia është kthyer në një lloj diplome të
errët prestigji.
Kur një shoqëri e romantizon burgun si “provë burrërie”,
ajo humbet aftësinë për të edukuar përgjegjësinë qytetare. Në vend që ligji të
shihet si kontratë sociale, ai perceptohet si kufi që “trimat” duhet ta
sfidojnë. Në një vend ku besimi te drejtësia mbetet i lëkundur, shkelja e
ligjit shpesh admirohet më shumë sesa respektimi i tij.
Kjo shpjegon edhe paradoksin shqiptar: ndoshta nuk jemi
domosdoshmërisht më kriminalë se Europa, por jemi më pak të aftë të
parandalojmë krimin, të rehabilitojmë individin dhe të ndërtojmë mekanizma
socialë që e mbajnë njeriun larg qelisë.
Edhe statistika gjinore flet shumë. Shqipëria ka
përqindjen më të ulët të grave të burgosura në Europë: vetëm 1.4% e totalit të
të burgosurve janë gra, ndërsa mesatarja europiane është 5.5%. Krimi dhe
ndëshkimi, në Shqipëri, mbeten pothuajse ekskluzivisht territore mashkullore.
Kjo lidhet jo vetëm me natyrën më pak të dhunshme të
grave, por edhe me modelin tradicional të shoqërisë shqiptare, ku burri rritet
shpesh me idenë se agresiviteti, përplasja dhe sfida ndaj autoritetit janë
pjesë e identitetit të tij. Në këtë kuptim, burgu vazhdon të perceptohet si një
arenë ku testohet forca fizike dhe rezistenca ndaj vuajtjes - dy elemente që
keqkuptohen si sinonime të burrërisë.
Edhe kinematografia shqiptare e ka pasqyruar këtë raport
kompleks me burgun.
Te filmi “Rrethimi i Vogël” i regjisorit Saimir Kumbaro,
personazhi i shokut Kopi raportonte me solemnitet biografinë e dikujt që kishte
dalë nga burgu:
- “Shoku kryetar, e ndjej për detyrë t’ju them se personi
që sapo doli ka qenë në burg.”
- “E di, për rrahje.”
- “Rrahja është shprehje e kriminalitetit, shoku Agron.”
Në pak fjali përmblidhet e gjithë logjika e sistemit:
burgu nuk ishte vetëm dënim, por damkë e përjetshme sociale. Një hije që të
ndiqte gjithë jetën.
Ndërsa Braushi te “Dora e Ngrohtë” e regjisorit Kujtim
Çashku, përfaqëson figurën e njeriut që e ka bërë burgun habitat të vetin.
- “Po si ta lë të qetë? Unë atë e njoh para teje. Kemi
qenë shokë burgu bashkë.”
Me bluzën e marinarit, syzet e errëta dhe krenarinë e
rrugës, ai dukej si prototipi i individit që jashtë qelisë ndihej i humbur,
ndërsa brenda saj fiton status. Ai papritur kthehej në “Mësju Braush” ndërsa
kolegu i tij i qelisë merrte një dekorate me të lartë kur e kërcënonte: Po unë
të thyej dhëmbët mor “Profesor”
Kjo nuk është më tragjedi personale. Është paralajmërim
social. Njeriu që nuk kërkon më lirinë, por rehatinë brenda kodit të burgut,
është produkti më i rrezikshëm i një kulture që ngatërron rebelimin me
karakterin.
Në fund, miti duhet rrëzuar.
Burgu nuk është shkollë burrërie. Nuk është medalje
force. Nuk është biografi për t’u ekspozuar me krenari.
Të futesh në burg do të thotë t’ia dorëzosh jetën tënde
kontrollit të tjetrit deri në detajin më intim. Do të thotë të humbasësh
autonominë, dinjitetin dhe lirinë - elementët themelorë që ndërtojnë
personalitetin e një njeriu të fortë.
Disa psikologë thonë se në burg përfundojnë shpesh ata që
nuk kanë arritur të ndërtojnë mekanizmat e vetëkontrollit, vetëvlerësimit dhe
respektit për veten. Dhe ndoshta aty qëndron e vërteta që shoqëria shqiptare
ende heziton ta pranojë: burrëria nuk provohet duke hyrë në burg, por duke
ditur të mos përfundosh kurrë aty.

No comments:
Post a Comment