Wednesday, July 31, 2024

El Sid, heroi legjendë që dhe i vdekur luftoi kundër pushtuesve të Spanjës

 



Nga Leonard Veizi
 
Kalorësi El Sid kishte vdekur gjatë natës, por ai u pa të nesërmen të dilte nga dyert e kështjellës i hipur mbi një kalë të bardhë. Përballë ndodhej e rreshtuar ushtria maure e gatshme të hidhej mbi muret e kështjellës. Kalorësi hijerëndë kishte vendosur në kokë përkrenaren e metalit, në gjoks kishte mbërthyer parzmoren e luftës kurse në dorë shtrëngonte ushtën me flamurin e kryqtarit. Dhe i priu ushtrisë së tij drejt kampit armik të vendosur në front. Por pakkush e dinte se mbi kalin që vraponte trokth në buzë të detit, ndodhej veç trupi i pajetë i heroit legjendar. Dhe kjo ishte porosia e tij e fundit. Të udhëhiqte qoftë dhe i vdekur, sulmin e madh. Sepse vetëm kështu kundërshtarët do ta ndjenin epërsinë mbrojtësve të kështjellës do ta ndjenin epërsinë mbrojtësve të kështjellës. Maurë me veshje e pelerina të zeza që prisnin plot ankth lajmin për vdekjen e tij, pasi kishin mësuar se ai ishte plagosur rëndë nga një shigjetë, lanë frontin në panik....
 
...Ai quhej Rodrigo Díaz de Vivar por ishte i njohur më mirë si El Sid, që nga arabishtja spanjolle do të thoshte “zot”. Ishte një kalorës dhe udhëheqës ushtarak spanjoll nga shekulli i 11-të. Ai lindi rreth vitit 1043 në një familje fisnike dhe shërbeu si komandant nën mbretin Sanço II dhe më vonë nën mbretin Alfonso VI dhe León-it të Kastiljes. Kur Sanço arriti të ulet në fronin Kastilian më 1065, ai emëroi 22-vjeçarin Rodrigo si flamurtarin e tij, ose komandantin e trupave mbretërore.
Për shkak të aftësive të tij ushtarake dhe strategjike, El Sid fitoi reputacionin e një kalorësi të madh dhe një heroi legjendar.
El Sid u bë një figurë e rëndësishme gjatë “Reconquista”-s, periudha kur mbretëritë krishtere të Spanjës po luftonin për të rimarrë territoret e pushtuara nga myslimanët.
Në korrik 1074, ai u martua me Himena-n, që ishte vajza e kontit të Oviedos dhe mbesa e mbretit. Kështu ai u bë aleat nga martesa me dinastinë e lashtë mbretërore të Leonit. Dihet shumë pak për gruan e tij Himena. Çifti kishte një djalë dhe dy vajza. Djali, Diego Rodríguez, u vra në betejë kundër pushtuesve myslimanë.
Në vitin 1094, El Sid mori qytetin e Valencias dhe qeverisi aty deri në vdekjen e tij në vitin 1099. El Sid u bë një figurë simbolike e trimërisë, besnikërisë dhe nderit në kulturën spanjolle.
 
Historia dhe legjenda
Në enciklopedinë “Britannica” thuhet se biografia e Sidit ka paraqitur probleme të veçanta për historianin, sepse ai u ngrit shpejt në statusin e heroit kombëtar të Kastiljes dhe lindi një biografi komplekse heroike e tij, në të cilën legjenda luajti një rol dominues; legjenda u zmadhua nga ndikimi i poemës epike të shekullit të 12-të të Kastiljes, “El canto de mio Cid” apo e ardhur në shqip si "Kënga e Sid" dhe më vonë nga tragjedia “Le Cid” e shkruar nga Pier Kornei, e interpretuar për herë të parë në 1637. Për informacion të mëtejshëm autentik historianët kanë mundur të mbështeten kryesisht në disa dokumente bashkëkohore, në “Historia Roderici” që është një kronikë latine e besueshme, private e shekullit të XII, ku flet për jetën e Sidit, si dhe në një rrëfim të detajuar të dëshmitarit okular të pushtimit të Valencias nga historiani arab Ibn ʿAlqāmah.
 
Filmi “El Cid”
“El Cid” është një nga filmat epope të trësmetur nga televizioni Shtetëror Shqiptar i viteve ’80 të shekullit të kaluar.
Filmi epik "El Cid" është një bashkëprodhim amerikano-italian dhe u publikua në vitin 1961. Përmbajtja e filmit ka të bëjë me një dramë historike që tregon historinë e heroit spanjoll të shekullit të XI. Filmi mban si regjisor Antoni Man, skenari u shkrua nga Fredrik M. Frank, Filip Jordan dhe Ben Barzman dhe u prodhuar nga Samuel Bronstin. Ky film, i cili ka në role kryesore Çarlton Heston si El Sid dhe Sofia Loren si Himena, gruaja e tij e dashur, ofron një interpretim të gjerë dhe dramatik të jetës së heroit legjendar.
“El Cid” prej 184 minutash u shfaq premierë 6 dhjetor 1961 në Teatrin Metropole në Londër dhe u publikua më 14 dhjetor në Shtetet e Bashkuara.
Filmi ndjek jetën dhe veprat heroike të El Sidit që nga shërbimi i tij si kalorës i besuar deri te pushtimi i Valencias. Ai paraqet konflikte të ndryshme, duke përfshirë betejat kundër pushtuesve myslimanë dhe sfidat politike brenda mbretërisë spanjolle. Përmes përshkrimeve të tilla si betejat epike dhe skenat emocionuese të dashurisë dhe tradhtisë, filmi synon të sjellë në jetë legjendën e El Sidit.
Një nga elementët më të rëndësishëm të filmit është lidhja e El Sidit me Himenën. Pavarësisht konflikteve të tyre fillestare dhe betejave të shumta që duhet të përballojnë, dashuria dhe besnikëria e tyre mbeten të pathyeshme, duke simbolizuar ndershmërinë dhe forcën morale që përfaqëson El Sidi.
Edhe pse i njohur për taktikat e tij të ashpra në fushën e betejës, El Sid përshkruhet si një njeri që vlerëson paqen dhe pragmatizmin mbi dhunën gjatë një kohe kur Spanja është e ndarë midis fraksioneve ndërluftuese të të krishterëve dhe myslimanët.
 
Ngjarja
Heroi spanjoll Rodrigo Diaz de Vivar kapërcen një hakmarrje familjare dhe një intrigë gjyqësore për të mbrojtur Spanjën e krishterë kundër maurëve.
Spanja e shekullit të njëmbëdhjetë është e ndarë në mbretëri të krishtera dhe fortesa maure. I riu Rodrigo Diaz de Bivar, i mbiquajtur "El Cid" nga ndjekësit e tij, zotohet të shohë vendin e tij në paqe, të lirë nga pushtuesit. Tepër i guximshëm dhe i shkathët, kalorësi fisnik urren gjakderdhjen dhe përballet me akuza për tradhti në gjykatë për mëshirën e treguar ndaj disa emirëve. Akuzuesi i tij, Gormaz, babai i të fejuarës së tij, Himena, vdes në duelin me El Sidin. Komploti i rrëfyer i hakmarrjes së Himenës dështon dhe Rodrigos i jepet dora. Martesa nuk realizohet dhe ajo hyn në një manastir. Me vdekjen e Ferdinandit mbretëria e tij ndahet mes tre fëmijëve të tij. Sanço sfidon vendimin dhe burgos Alfonson, i cili lirohet nga El Cid. Komandanti afrikan i luftës, Ben Yussuf përfiton nga sherri duke vrarë Sançon. Alfonso tani pretendon gjithashtu fronn e të vëllait dhe detyron El Sid-in të mërgojë. Himena e kupton fisnikërinë e të shoqit dhe bashkohet me të, por kthehet në manastir me dy vajzat e tyre, kur ai shkon në betejë kundër Ben Jusufit. Vitet kalojnë, El Sid bëhet një luftëtar i nderuar, por refuzon të ndihmojë Alfonson, duke preferuar strategjinë e tij. Ai rrethon Valencia-n, duke katapultuar ushqimin në garnizonin e saj të uritur. Kur Valencianët vrasin sundimtarin e tyre të lig, Al Kadir, ata ia ofrojnë kurorën El Cidit. Ai ia dërgon Alfonsit, i cili nxiton, i kënaqur histerikisht, në anën e tij. Por El Sid ka marrë një plagë pasi është goditur nga një shigjetë. I ndjekur nga Himena, ai fsheh plagën nga njerëzit e tij dhe përgatit një sulm përfundimtar për të përzënë maurët nga Spanja.
 
Kritika
"El Cid" pati një nga 7–9 milion dollarë për prodhimin e tij dhe arkëtoi të paktën 26.6 milion dollarë. Filmi u prit me vlerësime të përziera nga kritikët, por fitoi një vend të veçantë në kinematografinë historike për shkak të përmasave të tij epike dhe interpretimeve të fuqishme. Çarlton Heston mori lavdërime për performancën e tij si El Sid, duke sjellë një kombinim të forcës dhe ndjeshmërisë në rolin e tij. Filmi gjithashtu u vlerësua për skenografitë e tij madhështore dhe kostumet autentike, të cilat ndihmuan në krijimin e një atmosfere të besueshme historike.
Pavarësisht kritikave për lirinë artistike që mori në paraqitjen e disa ngjarjeve historike, "El Cid" mbetet një nga filmat më të njohur dhe më të dashur të zhanrit historik, duke ndihmuar në ruajtjen e legjendës së El Sidit për brezat e ardhshëm.
 
Seriali
Përveç disa dokumentarëve “The legend of El Cid” është dhe një serial televiziv dramë aksion historik spanjoll i vitit 2020 rreth Rodrigo Díaz de Vivar "El Cid", kalorësi dhe kryekomandant kastilian i shekullit të XI. Krijuar nga Hose Velasko dhe Luiz Arranz për “Amazon Prime Video”, në serial luan Hajme Lorente së bashku me Hose Luis García Pérez, Elia Galera, Karlos Bardem, Alisia Sanz dhe Hajme Olías. Sezoni i parë me 5 episode u publikua në “Prime Video” më 18 dhjetor 2020, dhe sezoni i dytë me 5 episode u publikua më 15 korrik 2021.

 

 


No comments:

Post a Comment