Thursday, August 1, 2024

Covidi na qenka si ujku, por çakalli e bëka kërdinë!


Nga 
Leonard Veizi
 
Gogoli Covid doli përsëri në skenë dhe u shtrua në spital.
Njerëzit e thjeshtë kur u informuan se tek infektivi ishin shtruar 15 apo 20 raste me një nga nënfishat e Covidit, gati u futën në panik, sepse menduan më së shumti efektin "pandemi" dhe vetë izolimin. Kampi tjetër, që nuk i trembet virusit, madje e cilëson atë si qesharak, nisi të vërtiste sërish idenë se Covidi ende nuk ka mbaruar punë nga planet e bëra këtu e pesë vite më parë, ndaj ai do të na rrijë për një kohë të gjatë mbi kokë, fiks si shpata e Demokleut.
Me sa duket në këtë botë nuk paska rehat vërtet.
Jemi në ditët e pushimeve masive të verës, por gjumë dreke nuk mund të bësh. Mjafton të shohësh lajmet e të ndjekësh faqet në internet dhe gjaku të shkon në fund të këmbëve e të bëhen pushimet zeherr. Kryefjala, që herë zbehet e herë starton fort me shenjën e kuqe të emergjencës, është: Covid 19.
E ç'na u bë bela. Si nuk u zhduk xhanëm? Se janë pesë vjet në mes, luftë e shamata përditë me të.
Mirëpo një fjalë e urtë thotë: Të gjithë thërrasin "ujku, ujku", po në fakt çakalli bën kërdinë.
Çfarë dua të them me këtë?
Ja të mundohemi ta sqarojmë se nuk është dhe aq e vështirë besoj.
Nëse në të vërtetë 15 apo 20 veta janë shtruar në pavijonin e infektivit, kjo është një shifër e papërfillshme para qindra e mijëra të sëmurëve të tjerë që zvarriten korridoreve të Qendrës Spitalore me probleme kardiake, me probleme tumorale, me probleme të hemodializës... e nuk po vazhdojmë më tej se radha nuk mbaron.
Mirëpo për çështjet kanceroze nuk është bërë ndonjëherë ndonjë mbyllje edhe pse shifrat janë alarmante aq sa të bëjnë pesimist e të duket sikur gjatë gjithë kohës ecën mbi një fushë të minuar ku nga çasti në çast mund të të ndodhë gjëma.
As për goditjet kardiake, të cilat në ditë të nxehta e rrisin riskun e tyre, nuk është se vihet alarmi i kuq aq sa të na detyrojnë të qëndrojmë brenda, me ajër të kondicionuar e gradacion të ulët, ku të na jepet përshtypja se ka filluar bora e duhet me u mbulu me batanije.
Në qendër të alarmit mbetet dhe mbetet vetëm Covidi.
Ndaj kjo na jep të drejtën të kthehemi pas, atëherë kur nisi kjo çështje e pambaruar, e t'u hedhim një sy teorive konspirative që si rrallëherë morën përparësi të pazakontë.
 
Virus origjinal apo i modifikuar
Meqë përmendëm Covid-19 dhe modifikimin gjenetik në të njëjtën fjali, të gjithë entuziastët e teorive të konspiracionit ndjehen si fëmijë në një dyqan karamelesh. Dikush mund të pyesë, a është ky virus një "Frankenstein" laboratorik apo thjesht një "blockbuster" tjetër që Netflix harroi të na paralajmëronte?
Në një analizë të hollësishme dhe të paanshme të kësaj teme të ndjeshme, është e rëndësishme të shqyrtohen të gjitha perspektivat dhe teoritë e ndryshme. Megjithëse nuk ka prova të forta që Covid-19 është prodhuar qëllimisht ose përdorur si armë biologjike, disa teori konspirative ende qarkullojnë në media dhe rrjetet sociale. Është e rëndësishme të vlerësohet me kujdes evidenca e disponueshme nga burimet e besueshme shkencore dhe mjekësore.
E, e, po ky pyet njerëzia për burime të besueshme?! Sepse i pëlqen më së shumti të besojë të pabesueshmen.
Por a ka filluar ky virus nga një shërbim super sekret qeveritar që deshi t'i hakmerret me gjithë njerëzimin? Apo ndoshta u krijua nga një grup shkencëtarësh të çmendur që deshën të shohin se çfarë ndodh kur luan me ADN-në e një lakuriqi nate? Nuk mund të harrojmë as teoritë që fajësojnë 5G, sepse pse jo, sinjalet e telefonit celular janë të fuqishme mjaftueshëm për të transformuar një virus minor në një pandemi globale.
Analogjia i takon dhe rastit të më shumë se 100 viteve më parë kur shpërtheu virusi “H1N1” i ashtuquajtur “gripi spanjoll”. Asokohe sapo u vunë në përdorim masivisht valët elektromagnetike, apo valët e radios me frekuencë 30 hertz deri 300 gigahertz. Ndaj konspiracionistët e kohës ia vunë fajin këtij zhvillimi teknologjik, që shkaktoi viktima të panumërta, sepse sipas tyre trupi i njeriut ishte i pastërvitur të përballonte një sasi të tillë goditjesh elektromagnetike.
Megjithatë shumica prej nesh do të pyesnin veten nëse këto teori janë më shumë një përpjekje për të shpjeguar të pashpjegueshmen me anë të një tregimi të frikshëm, sesa një përpjekje serioze për të gjetur të vërtetën. Me të vërtetë, ndonjëherë teoritë e konspiracionit duken si ato episode misterioze të "The X-Files" që nuk kanë fund dhe të bëjnë të shohësh çdo gjë me një sy dyshues.
 
Dyshime shkencëtarësh dhe imagjinatë publiku
Nga njëra anë kemi shkencëtarët, me laboratorët e tyre sterile dhe pyetjet e kujdesshme, të cilët analizojnë të dhënat dhe na thonë që Covid-19 është me shumë gjasë një virus natyror. Por nga ana tjetër kemi internetin, ku çdo përdorues i thjeshtë mendon se ka zbuluar të vërtetën e fshehur pas një kliku. Ato që ne i cilësojmë si studime serioze madje të besueshme në fakt tregojnë se COVID-19 është një virus i ri që ka origjinën në natyrë dhe është përhapur tek njerëzit. Nuk ka prova të besueshme që sugjeron se virusi është modifikuar gjenetikisht ose që është krijuar në laborator. Megjithatë, teoritë e konspiracionit vazhdojnë të qarkullojnë dhe krijojnë paqartësi dhe frikë në mes të publikut.
Në fund të ditës, të vërtetat shkencore shpesh janë më të mërzitshme se sa narrativat e krijuara nga imagjinata jonë. Një qasje e sheshtë dhe e balancuar është e rëndësishme për të kuptuar burimet e vërteta të këtij virusi dhe për të trajtuar në mënyrë efikase pandeminë globale. Duke u përmbajtur nga spekulimet dhe duke u përqendruar në faktet e dukshme, ne mund të ndihmojmë në ndërtimin e një përgjigjeje të informuar dhe të koordinuar ndaj sfidave të COVID-19.
A është Covid-19 një virus i modifikuar gjenetikisht? Shkenca thotë "jo". Por kjo nuk do të ndalë kurrë dikë të krijojë teorinë e radhës, me aq bindje saqë ne ndonjëherë harrojmë se jemi duke folur për një virus, dhe jo për një trillim shkencor fantastik të radhës. Në këtë pikë një rol fort të rëndësishëm luan dhe kinematografia. E sa filma me viruse të çmendur e pandemi janë realizuar. Në fillim duken utopi e pastaj bëhen realitet.
Kujt t’i besosh?
Me pak fjalë, ndërsa ne presim me padurim përgjigjet e shkencës, le të mbajmë mend që jo çdo gjë që shkëlqen është ar, dhe jo çdo teori e konspiracionit është e vërtetë.
Apo ndoshta është?
Vetëm koha do të tregojë. Deri atëherë, shijoni një tjetër episod të teorisë suaj të preferuar konspirative!


No comments:

Post a Comment