Friday, August 2, 2024

“Njeriu që qesh”, tragjedia njerëzore e një fisniku që e kthyen në gaztori cirku


Nga Leonard Veizi
 
Ai mbante një dramë të madhe brenda qenies së tij, por fytyra e tij dinte vetëm të qeshte. Dhe njerëzit qeshnin me të. Ky ishte një paradoks i madh, i pamëshirshëm, sepse në këtë mënyrë të panatyrshme atij i duhet të mbijetonte çdo ditë të jetës. Dhe s’kishe miq të tjerë veç një filozofi të përçartur, një vajze të re që ai vetë e kishte shpëtuar nga kthetrat e vdekjes dhe të një ujku. Ndaj dashuria e jetës së tij u bë kjo vajzë e verbër që nuk i shihte dot plagët e fytyrës, por që kishte arritur të depërtonte deri në thellësi të shpirtit të tij...
 
...Romani “L'Homme qui Rit” i Viktor Hygoit apo i ardhur në shqip si "Njeriu që qesh" është nga veprat më të mëdha të letërsisë franceze. Është romani që përshkruan jetën e një djali të ri, fytyra e të cilit është përçudnuar për t’u kthyer në një buzëqeshje të përhershme.
I botuar në vitin 1869, ky roman ofron një pasqyrë të fuqishme të shoqërisë dhe hipokrizisë së saj, duke ndërthurur elementë të tragjedisë dhe groteskes në një narrativë të thellë dhe të ndërlikuar.
 
Ngjarja
Në Anglinë e fundit të shekullit të 17-të, një djalë i pastrehë i quajtur Guimplein shpëton një vajzë të mitur gjatë një stuhie dëbore, nëna e saj kishte ngrirë deri në vdekje. Ata takojnë një shitës shëtitës karnavalesh që e quan veten Ursus dhe ujkun e tij të përkëdhelur, Homo. Goja e Guimplein është gjymtuar në një buzëqeshje të përhershme; Ursus fillimisht tmerrohet, më pas i vjen keq dhe ai i pranon ata. 15 vjet më vonë, Guimplein është rritur në një djalë të ri të fortë, tërheqës përveç pamjes së tij të shtrembëruar. Vajza, që tani quhet Dea, është e verbër dhe është rritur në një grua të re të bukur dhe të pafajshme. Duke prekur fytyrën e tij, Dea arrin në përfundimin se Gwynplaine është përjetësisht e lumtur. Ata bien në dashuri. Ursus dhe fëmijët e tij zëvendësues fitojnë një jetë të varfër në panairet e Anglisë jugore. Gwynplaine e mban të fshehur gjysmën e poshtme të fytyrës. Në çdo qytet, Guimplein jep një shfaqje skenike në të cilën turmat provokohen për të qeshur kur Guimplein zbulon fytyrën e tij groteske. Por Guimplen është djali i rëmbyer i një fisniku... Kur historia zbulohet Guimplein emërohet  si Lord Fermain Klançarlie, Markezi i Korleones dhe lejohet të ulet në Dhomën e Lordëve. Por Guimplein heq dorë nga gjithçka dhe udhëton për të gjetur Ursus dhe Dea. Pas shumë përpjekjesh i gjen në një anie që është gati për lundrim. Dea kalon në ekstazë, por papritur vdes për shkak të komplikimeve të shkaktuara në zemër. Ursusit i bie të fikët. Guimpleni, ndërsa flet me Dea-n e vdekur hidhet në det. Kur Ursus përmendet, ai gjen ujkun e tij Homon duke ulëritur.
 
Konteksti
Nëpërmjet romanit “Njeriu që qesh", Viktor Hygo synoi të portretizonte çështje sociale dhe politike të kësaj periudhe historike në Britaninë e Madhe, duke u fokusuar veçanërisht te problemet e pabarazisë korrupsionin e kohës dhe padrejtësisë së shoqërisë. Hygo përdor personazhin kryesor, Guimplen, për të ekspozuar mizoritë e aristokracisë dhe për të kritikuar mënyrën se si shoqëria trajton ata që janë ndryshe.
Guimpleni, i rrëmbyer që në fëmijëri, nga një bandë kriminelësh, i përçudnuar në fytyrë me qëllim që t'i jepej një pamje qesharake për t'u përdorur si atraksion cirku e për t'u shfaqur si "njeriu që qesh" në panaire dhe shfaqje të ndryshme. Rrëfimi na e paraqet atë që si i rritur merr të drejtën në dorë dhe lufton kundër aristokracisë korruptuar dhe padrejtësisë që e ka goditur si fëmijë. Guimplen, përfaqëson viktimën e pafajshme të një shoqërie të prishur.
 
Simbolizmi
Kritika në kohë ka shkruar se: Stili i Hygo-së tek "Njeriu që Qesh" është i pasur me përshkrime të detajuara dhe një prozë melodramatike që krijon një atmosferë të tensionuar dhe dramatike. Hygo përdor simbole të shumta për të theksuar temat e tij. Buzëqeshja e përhershme e Guimplenit është një metaforë për maskën që shoqëria i imponon individëve, duke i detyruar ata të fshehin dhimbjet e tyre pas një fasade të lumturisë së rreme.
 
***
Romani është një dhe i vetëm, por mbështetur mbi të, ekranizimet dhe versionet kinematografike janë të shumta. Dhe realizimi më i vjetër është ai i vitit 1909.
 
1909:
“Njeriu që qesh” ka një version filmik qysh në vitin 1909, i realizuar në Francë nga kompania e filmit “Pathé” dhe prodhuar nga Albert Kapellani. Nuk besohet se ka mbijetuar asnjë kopje e këtij filmi.
 
1921
“Das grinsende Gesicht”  apo “Fytyra e buzëqeshur” është një prodhim i vitit 1921, një film austriak pa zë i prodhuar nga “Olympic Films”, me regji nga Julius Hercka, me Franc Hubling në rolin kryesor si Guimpleni. Ky film me buxhet të ulët është besnik ndaj romanit, por thjeshton dhe kondenson komplotin.
 
1928
Filmi "The Man Who Laughs" i prodhuar në vitin 1928 me regji nga Paul Leni është një adaptim i romanit të Hygoit. Ky film i epokës së artë të kinemasë është i njohur për performancën e jashtëzakonshme të Konrad Vait si Guimpleni. Veidt arrin të sjellë në ekran tragjedinë dhe dhimbjen e karakterit të tij, duke përdorur një makiazh impresionues për të përçudnuar fytyrën e tij. Ky version filmik ishte një përshtatje e romanit origjinal, duke u fokusuar më shumë në aspektet gotike dhe vizuale të tregimit sesa te elementet sociale dhe politike. Filmi ruan atmosferën e zymtë dhe temat e fuqishme të romanit, duke mbetur besnik ndaj mesazhit kritik të Hygoit ndaj shoqërisë.
 
1957
Një version tjetër filmik i romanit u realizua në vitin 1957, i regjistruar nga regjisori Roxher Leinhard. Ky adaptim ishte më i besuar ndaj romanit origjinal, duke ruajtur më shumë elementet sociale dhe politike të tregimit. Megjithatë, edhe ky film u kritikua për të mos qenë në gjendje t'i redukonte të gjitha problematikat komplekse të librit në një version filmik të kufizuar.
 
1966
“Njeriu që qesh”  por që në gjuhën italiane njihet si: “L'uomo che ride” është një film dramatik historik italian i vitit 1966 i bazuar në romanin e vitit 1869 me të njëjtin emër nga Viktor Hugo. Regjia i atribuohet Serxho Korbuçit Në këtë version, personazhi i Guimplenit i interpretuar nga Zhan Sorel është riemërtuar Anxhelo. Ndërsa Dea interpretohet nga Ilaria Okini. Gjithsesi ky version nuk i qëndron besnik rmanit të Hygoit.
 
1971
“The Man Who Laughs”, është një prodhim i vitit 1971 i cili është shfaqur nga Televizionit Shqiptar. Është një serial me tre episode, me regji të Zhan Kershbun, ku interpretojne Delfine Dezju në rolin e Déas, Filip Bukle në rolin e Guimplenit dhe Zavier Depra në rolin e Ursus.
 
 2012
“The Man Who Laughs është një bashkë prodhim Francë - Çeki, i vitit 2012. Ky adaptimi riktheu romanin në ekranin e madh me një interpretim modern. Regjisori Zhan-Pier Améris solli një interpretim të freskët dhe emocionues të historisë, duke ruajtur thelbin e tragjedisë njerëzore dhe të kritikës sociale të romanit. Në këtë film interpretojnë Zherar Dëpartië,  Mark Andre Gronda dhe Emanuel Senji.
 
 Epilogu
"Njeriu që Qesh" mbetet një vepër e rëndësishme e letërsisë botërore që sfidon lexuesit të reflektojnë mbi padrejtësitë dhe hipokrizitë e shoqërisë njerëzore. Me stilin e tij të pasur dhe tematikën e fuqishme, Viktor Hygo ka krijuar një histori të paharrueshme që rezonon me lexuesit edhe sot. Edhe pse adaptimi i saj në film ka pasur vështirësi, ky tregim mbetet një nga shembujt më të mirë të angazhimit politik dhe social të letërsisë romantike. Adaptimet kinematografike të kësaj vepre vazhdojnë të mbajnë gjallë mesazhin e saj të fuqishëm, duke i sjellë në jetë personazhet dhe dramat e tyre për një audiencë të re.


No comments:

Post a Comment