Friday, July 26, 2024

Alen Delon, idhulli i vajzave të Parisit… dhe Tiranës


Nga 
Leonard Veizi
  
Në kinematë e Tiranës u zu radhë e gjatë dhe njerëzit ishin gati të riheshin me grushte në mungesë të një bilete për të parë shfaqen e radhës. Vajzat edhe pse nuk ziheshin në radhë ishin po aq të etura të shihnin në aksion, aktorin fama e të cilit mezi e kishte çarë barrierën  e kufirit shqiptar që mbrohej me klon, pastor gjerman dhe mitraloza-roje. Në rrjetin e kinemave të kryeqytetit sapo ishte hedhur “Dy njerëz të një qyteti” dhe fjala që një film i jashtëzakonshëm, me makina, motorë e pantallona kauboj, ku luante i famshmi Alen Delon, – më shumë se sa i mirënjohuri Zhan Gaben, – ishte përhapur si me magji. Filmi, i cili i përket një produksioni të përbashkët franko-italian prodhim i vitit 1973, kishte si regjisor korsikanin Hoze Xhovani dhe titulli i tij origjinal ishte “Deux hommes dans la ville”…
 
…Alen Deloni e kishte marrë famën e tij si yll kinemaje që mes viteve ’60-’70 të shekullit të kaluar. Megjithatë në Tiranë ai do të vinte dukshëm në fillim të viteve 80. Ishte koha kur filmat modernë shfaqeshin me pikatore në kinematë shqiptare dhe nuk dihej si i shpëtonin censurës ata filma që gati cilësoheshin herezi, kur tematika trajtonte jetën e “shthurur” në kapitalizëm, si në rastin e personazhit Xhino Strablixhi, një ish i burgosur që kishte grabitur një bankë, i cili edhe pse cilësohej si i rehabilituar, sërish vrau një oficer policie dhe për këtë u dënua me vdekje. Sekuencat e fundit të filmit “Dy njerëz të një qyteti” janë kur Xhino Strablixhit i luajtur nga Alen Delon, pi me eks një gotë konjak e thith dy-tri herë një cigare që ia vendosin mes buzëve, ndërsa jakën e këmishës ia presin me gërshërë për t’i liruar qafën. Trupi i vendoset në gijotinë dhe menjëherë thika e rëndë dhe e mprehur mirë bie mbi të…
 
***
I lindur më 8 nëntor 1935 në periferi të Parisit, në Francë, ai tanimë është 86 vjeç. Njihet si një aktor, regjisor filmi, producent, skenarist, por dhe këngëtar e biznesmen.
Por ai ishte po aq një seks simbol, dhe në Tiranë e viteve ’80. Emri i tij përdorej për të përkufizuar një mashkull seksi apo për ta ironizuar çdo mashkull që krekosej për t’u dukur seksi. Emri i tij ishte po aq i lakuar sa dhe i Brixhitë Bardosë si aktore femër. Dhe po ashtu Bardo përdorej si emër sa për të ironizuar femrat që çoç u dukej vetja, po aq dhe për të vlerësuar bukurinë femërore.
Alen Delon ka luajtur në të paktën 80 filma, por lista zgjatet nëse do të futeshin në të dhe rolet e luajtura në teatër si dhe ato të programeve televizive. Mori famë si një nga aktorët më të shquar të Evropës dhe seksi simbolet e ekranit nga vitet 1960 dhe 1970. E megjithatë, ai nuk arriti të kapte audiencën amerikane edhe pse luajti disa filma në anglisht.
Alain Delon, u cilësua si aktor i gjithanshëm, i cili luajti në filma të zhanreve të ndryshme, në teatër, punoi në televizion, duke treguar shkathtësi e tij dhe një talent të madh.
Në vitin 1985, ai fitoi çmimin César për aktorin më të mirë për interpretimin e tij në “Notre histoire” (1984). Në vitin 1991, ai mori Legjionin e Nderit të Francës. Në Festivalin e 45-të Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, ai fitoi Ariun e Artë të Nderit. Në Festivalin e Filmit në Kanë 2019, ai mori Palmën e Artë të Nderit.
 
***
Delon pati një fëmijëri të paqëndrueshme dhe ishte një student rebel. Pas një praktike të shkurtër në një dyqan me produkte mishi, ai u rekrutua si marinar dhe në vitin 1953 u dërgua në Indokinë. Pas largimit nga ushtria në vitin 1955, ai punoi në punë të gjithanshme. Gjatë kësaj kohe u miqësua me disa aktorë filmi, të cilët i shoqëroi në festivalin e  Kanës të vitit 1957, ku tërhoqi vëmendjen e një zbuluesi talentesh për producentin amerikan David O. Selznick. Pas një testi në ekran, iu ofrua një kontratë nëse mësonte të fliste anglisht, por regjisori francez Yves Allégret e bindi që në vend të kësaj të ndiqte një karrierë në Francë.
Paraqitja e parë në film e Delon ishte si një gangster i ri në “Quand la femme s’en mêle të Allégret” i vitit 1957. Ai pati rolin e parë kryesor në romancën “Christine” në vitin 1958, përballë Romy Schneider. Delon shpejt fitoi vëmendjen ndërkombëtare. Arriti vlerësimin e kritikëve për role në filma si “Purple noon” prodhuar më 1960, “Rocco and His Brothers” më 1960, “L’Eclisse” më 1962, “Leopardi” më 1963, ‘Le Samouraï” më 1967), “La Piscine’ më 1969, “Le Cercle Rouge” më 1970, “Un flic” më 1972) dhe “Monsieur Klein’ më 1976.
Ndonëse më i njohur në Francë për filmat gangsterësh si “Le Samouraï” më 1967; dhe “Le Clan des Siciliens” më 1969, Delon u shfaq në një larmi të madhe.
Gjatë karrierës së tij, Delon punoi me shumë regjisorë të njohur. Si këngëtar, Deloni regjistroi duetin popullor “Paroles, paroles” (1973) me Dalidën.
Filmi i parë me Alain Delon doli në vitin 1957, dhe e fundit në vitin 2012.
Ai mori nënshtetësinë zvicerane në vitin 1999.
 
Jeta personale
Shumë gra dhe katër fëmijë
Më 20 mars 1959, Delon u fejua me aktoren Romi Shnaider, të cilën e takoi kur bashkë-luajtën në filmin “Christine” në vitin 1958. Gjatë lidhjes së tyre, ai pati një lidhje me aktoren, këngëtaren dhe modelen gjermane Niko. Në vitin 1962, Niko lindi një djalë, Ari, por Delon nuk ia njohu kurrë atësinë; Ari u rrit kryesisht nga prindërit e Delon.
Në dhjetor 1963, Shnaider dhe Delon vendosën të prishin fejesën. Pas vdekjes së saj në 1982, ai rrëfeu se Romi Shnaider ishte dashuria e jetës së tij.
Më 13 gusht 1964, Delon u martua me Natali Bartélémi. Djali i tyre, Antoni Delon, lindi në shtator. Në fundvitin 1967, Delon kërkoi divorcn. Çifti u nda më 14 shkurt 1969.
Në mesin e viteve 1960, Deloni pati një lidhje të shkurtër me Dalidën; të dy kishin qenë miq që nga takimi i parë në Paris në 1955, ku ata ishin fqinjë te një ndërtesë në Champs-Élysées.
Në vitin 1968, gjatë xhirimeve të filmit “Jeff”, Delon u takua me aktoren franceze Mireil Dark me të cilën filloi një lidhje që zgjati deri në vitin 1982.
Më vonë, ai pati një lidhje të shkurtër me aktoren Anne Parillaud, më pas me Catherine Bleynie, ish-bashkëshorten e Didier Pironit.
Në vitin 1987, Delon takoi modelen holandeze Rosalie van Breemen në xhirimet e videoklipit për këngën e tij “Comme au cinéma” dhe filloi një lidhje. Ata kishin dy fëmijë: Anjushka Delon dhe Alen-Fabien Delon. Marrëdhënia përfundoi në 2001.
Në shtator 2019, Ari (Christian Aaron Boulogne) paditi Alain Delon për njohjen e atësisë. Alen Delon jeton mes Gjenevës në Zvicër dhe Francës. 

No comments:

Post a Comment