Wednesday, June 2, 2021

Tushemishti, fshati pa lopë e gomarë, por me taverna e bujtina


Nga Leonard Veizi
 
Në dimër dhe në verë Tushemishti ka turistë. Në ditë të zakonshme apo në fund të javës, fshati është gjithmonë në një gjallëri të vazhdueshme. Vijnë e ikin makina me familjarë, dhe autobusë turistësh.
 
Ishte proverbiale shprehja e teto Ollgës së Stefanit, që la rehatinë e shtëpisë ndërtuar në lagjen karakteristike të Korçës, për të shkuar e për të banuar në një fshat edhe pse në qendër të tij:
-Kanë shitur gomarët, kanë blerë biçikleta e kush e di ç’u duket vetja...
 
...Një film i Kinostudios Shqipëria e Re, prodhim i vitit 1976 pati një jehonë të menjëhershme kur u shfaq në kinema e në televizor më pas. Qoftë dhe në mënyrë propagandistike ai ka paraqitur një fshat me emrin Marenë, 54 kilometra larg nga Korça, që duhej kthyer në një model të fshatit socialist shqiptar.
Pra, fshat me jetë qyteti.
Sepse shenja e barazisë duhej vënë gjithkund.
-E ç'më kapardisesh kështu moj e uruar. Po qytetin fshati e ka pjellë... – do t’i thoshte xha Bakoja, Ollgës së Stefanit, e cila për shkak të miqve të pabesë që e lanë gruan plakë të merrte rrugën e fshatit, donte t’u shiste maranakëve 1000 lekë çiftin e çentrove të thurura me grep.
Ishte mjeshtre Ollga, donte të shiste edhe mend edhe xhepin ta kishte plot.
Sot në Marenën e skenaristit Ruzhdi Pulaha, por dhe të regjisorit Piro Milkani, nuk gjen më asnjë biçikletë për be. Makina “Mercedes Benz” e fuoristrada 4x4 sa të duash. Pra u deshën dhe ca vite të tjera që Marena-Tushemisht të kthehej tërësisht në një vend turizmi e shërbimesh, pa lopë e gomarë por me taverna e bujtina.
-Mos ia vini re shoku Salë, unë erdha të punoj këtu dhe as që më ka shkuar në mendje të largohem, por edhe mamaja nuk e kishte aty, - do ta justifikonte Meli si vajzë të ëmën, Ollgën, përpara sekretarit të partisë së kooperativës.
Ky ishte modeli i kohës. Sidomos kur të transferonin me punë nga një qytet model në një fshat të largët.
Sot kohët kanë ndryshuar. Njerëzit po shkulen nga Tirana për të gjetur një dhomë në Tushemishtin-Marenë, sepse janë të bindur që pikërisht aty, ku edhe nëpër muret e avllive janë të shkruara batutat e filmit, mund të kalojnë ca ditë të paqta, larg zhurmës dhe smogut industrial.
Por ka edhe më, pse po aq shumë të tjerë kanë munduar të ndërtojnë nga një vilë, pasi në Tushemisht, edhe klima është e mirë, edhe ushqimi është bio, edhe liqenin e ke fare pranë, po ashtu edhe pikën turistike të Drilonit që e quajnë dhe Volorekë, por dhe Pogradecin e ke vetëm disa kilometra larg, aq sa nuk ia vlen të nxjerrësh makinën nga garazhdi, por të shkosh në këmbë duke bërë dhe shëtitjen buzë liqenit që të sjell aq freski.
-Zonjë, - do t’i drejtohej Ollgës gjithë reverancë Sotir Bakërxhiu, që pretendonte se ishte mësuesi më simpatik i zonës, - ditët edhe mund t’i vrisni njëfarësoj  kështu, por netët... për nder ua qaj hallin. Dhe ku ja u gjetën...
-E mor bir, po ne jemi dhe me biografi të mirë, - do të ngrinte supet Ollga.
Edhe po të mos ishte Teto Ollga, Meli, Koçi, Tirka, e të tjerë si këta, Tushemishti, fshati ku është realizuar një pjesë e mirë e filmit legjendë “Zonja nga qyteti” por dhe e pasardhësit të tij “Shoqja nga fshati”, sërish ishte një fshat shumë interesant.
Filmi në të vërtetë sa i dha një emër të ri Tushemishtit dhe ngriti në një shkallë më të lartë të gjithë aktorët që luajtën në të, duke filluar nga Violeta Manushi, e për të kaluar me radhë: Stavri Shkurti, Vasillaq Vangjeli, Piro Kita, Raimonda Bulku, Pandi Raidhi, Valentina Caci, Sotiraq Bratko, etj.
 

***
Fshati Tushemisht, i cili është pjesë e komunës Buçimas, ndodhet shumë pranë kufirit me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Dhe vetëm 2 kilometra nga pika doganore e Tushemishtit ngrihet manastiri i Shën Naumit, gjithashtu në tokë shqiptare, por që prej vitesh administrohet nga shteti fqinj.
Fare pranë Tushemishtit ndodhet dhe pika turistike e Volorekës, apo siç emërtohet ndryshe Parku Kombëtar i Drilonit. Pra mundësitë që të shëtisësh e të mos qëndrosh më kot në një tavolinë kafeneje, janë të mëdha në këtë zonë turistike.
Që të shkosh në Tushemisht, nga Tirana janë 129 kilometra, e cila sipas google maps të kushton 2 orë e 34 minuta. Ndërkohë që deri në qendër të Pogradecit janë 124 kilometra të cilat me një shpejtësi mesatare të përllogaritur nga kompjuteri bëjnë 2 orë e 21 minuta rrugëtim në timon. Sipas kësaj llogarie nga qendra e Pogradecit deri në qendër të Tushemishtit, duke marrë rrugën “Dëshmorët e Pojskës”, janë në dispozicion 5.9 kilometra të cilat bëhen me makinë për rreth 13 minuta.
Dhe ja ku mbërrite.
Me të paktën 100 shtëpi e më shumë se 500 banorë, fshati Tushemisht është ndërtuar në një lartësi prej 695 metrash nga niveli i detit, po aq sa është edhe Liqeni i Ohrit. Natyra është piktoreske. Njerëzit janë të qetë e mikpritësa. Ndërsa qenësia e fshatit pranë liqenit e bën gjithçka të jetueshme mirë.
Kushdo që ka shkuar për herë të parë në Tushemisht, gjithmonë ka pasur interes të shohë shtëpinë ku jetonte teto Ollga me Melin e Shpresën, oazin me ujë të kthjellët para shtëpisë, kanalin ku Malo u zhyt bashkë me letrat që kish në çantën e postës dhe Vatrën e Kulturës me shkallët e thepisura, ku bëheshin provat e estradës amatore dhe jepeshin koncerte për fshatarët e lodhur nga punët e bujqësisë.
Sapo mbërrin në qendrën e fshatit prej vitesh tanimë, do të ndeshesh me Ollgën në bronz, një shtatore e Violeta Manushit, nën petkun e një prej roleve më interesant të saj. Dhe nuk besoj që ka ndonjë shqiptar apo turist të huaj, që nuk e ka bërë një fotografi pranë saj.
Ndërsa Vatra e Kulturës në fakt është kisha e Shën Pandelimonit. Revolucioni kulturor kinez i pasqyruar dhe në Shqipëri, qoftë dhe me tjetërsimin e kulteve fetare ose në vatra kulture ose në depo drithi. Por kjo fushatë ishte jetëshkurtër dhe për hir të Zotit përfundoi shpejt, e kultet fetare rimorën sërish funksionet e tyre.
Në territorin e kësaj kishe ende gjenden dy lapidarë, njëri prej të cilëve na kujton Luftën e Dytë Botërore, ku shkruhet “Lavdi dëshmorit Todi K. Lushka, 1920–1944”. Në lapidarin tjetër, po në të njëjtin territor shkruhet ky përkushtim: “25 maj 1928. Në kujtim të patriotit mësues Dhimitër Misha vrarë për shkronjat shqipe nga shovinistët serb”. Për nder të tij edhe shkolla fillore e Tushemishtit mban emrin “At Dhimitër Misha”.
Dhe në Tushemisht historia mbetet e respektuar. Në një tjetër shtëpi, pak më larg se qendra e fshatit, në mur ka mbetur i njëjti pllakat i vendosur që ndoshta 50 apo 60 vite më parë, ku shkruhet: “Bazë ilegale gjatë LANÇ - Naum Vani Mitllari”. Padyshim, kjo është dhe një pikë kyçe e kulturës së këtyre njerëzve. Një tjetër vlerë. Sepse ka ndodhur, që këto pllakate të jenë thyer, dëmtuar dhe zhdukur. Por në Tushemisht asgjë e së kaluarës nuk është zhbërë.
 

***
Në dimër dhe në verë Tushemishti ka turistë. Në ditë të zakonshme apo në fund të javës, fshati është gjithmonë në një gjallëri të vazhdueshme. Vijnë e ikin makina me familjarë, dhe autobusë turistësh që në guidën e tyre e kanë dhe qëndrimin disa orësh në këtë pikë turistike.
Nëpër çdo portë para oborrit, do të gjesh mallra vendase të cilësisë së parë, për shitje. Gjen trahana, petka, rosnica, oshafe nga të gjitha llojet e frutave dhe uthull molle. Por gjen dhe verë të bërë vetë. Sepse e gjithë zona e Pogradecit, e ka në kulturën e saj të hershme prodhimin e verës për nevojat e familjes dhe tepricat dalin në shitje.
Ndërkohë nëpër rrugica gjen dhe gjithfarë orendish të vogla e bizhuteri dhe suvenire, ku shumica e të cilave kanë të stampuar foto me personazhe nga të filmit “Zonja nga qyteti”. Dhe nuk mund të ikësh nga Tushemishti pa marrë një suvenir të tillë, dhe pa ngarkuar bagazhin e makinës me “mallra vendi”.
Por nga Tushemishti nuk mund të ikësh pa provuar specialitetin ose një peshk koran, nga më të rrallët në Evropë, ose një lakror në saç.
Në një vështrim të parë, në Tushemisht do të ndeshesh me shtëpitë karakteristike, të ndërtuara me gur, me rrugët dhe rrugicat e shtruara me kalldrëm, ku vështirë se mund të prekësh ndokund baltë.
Fshati duket i rimodeluar dhe vazhdon të ketë kërkesa për ndërtime të reja vilash të cilat më shumë se sa për jetesë të përditshme, përdoren për në fundjavë dhe sidomos për ditët e nxehta të verës, ku netëve nuk duhet të përdorësh kondicionerin që të zbusësh vapën, por të duhet të flesh me një batanie që të mos mërdhish nga freskia.
Padyshim, po aq pikë atraktive Tushemishti mbetet dhe në ditët kur zona mbulohet nga dëbora. Dhe nuk të ngroh kondicioneri, por një vatër ku zjarri kërcen mbi me kërcunjtë të trashë është melhem për të ftohtin e mesnatës.
Në këtë mënyrë, Tushemishti, mbetet një nga pikat më atraktive të turizmit shqiptar, i gatshëm të presë shumë herë më tepër turistë se sa mund të mbajnë në të vërtetë. Por kjo nuk do të thotë se gjithçka është ndalur këtu. Puna për rregullimin e mëtejshëm të fshatit model vazhdon.
Por në Tushemisht veç shtëpive karakteristike janë bërë dhe ndërtime të reja me arkitekturë moderne të cilat ofrojnë më shumë komoditet si në restorant ashtu edhe në dhoma. Gjithsesi ai që shkon në Tushemisht, shkon për të gjetur Tushemishtin. Po ashtu si ai që shkon në Voskopojë për të gjetur Voskopojën. Sa për ndërtime moderne me ashensorë e tualete luksi, fort mirë mund të stacionohesh në qytetin e Pogradecit ku gjen gjithfarë mundësish.
Të gjithë ata që shkojnë në Tushemisht kanë si qëllim të vetmen gjë, të gjejnë aty atë që nuk e gjejnë dot në Pogradec.


No comments:

Post a Comment