Nga Leonard Veizi
Një malësor qëllon në ajër
me pushkë e pastaj thërret me pëllëmbën pas veshit:
— O heeej... Ndizni dritat e Partisë, o heeej!
Pas thirrjes, dikush në
errësirë preku çelësin. Dritat e varura ngado u ndezën njëherazi, duke krijuar
atmosferën e një feste. Dhe kësaj feste nuk kishte si t'i mungonte kënga që
nisi vrullshëm:
“Enver Hoxha tungjatjeta / sa këto male e sa këto shkrepa...”
Është një fragment nga
filmi artistik “Lumë drite”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”,
kushtuar elektrifikimit të Shqipërisë.
Në ekran, dritat nuk ishin thjesht llamba që u ndezën, por dëshmi e një fitoreje politike, si
përgjigje ndaj errësirës së të kaluarës dhe si simbol i një vendi që, sipas
propagandës së kohës, po marshonte drejt komunizmit.
Më 25 tetor 1970, kjo
fushatë u shpall zyrtarisht e mbyllur. Shqipëria deklaroi përfundimin e
elektrifikimit të plotë të 2.547 fshatrave. Vetëm tre vjet më parë, në 1967,
ishte elektrifikuar rreth 29 për qind e tyre. Brenda një kohe relativisht të
shkurtër, rrjeti ishte shtrirë deri në skajet më të largëta të vendit. Ishte
një arritje e madhe infrastrukturore, që ndryshoi jetën e mijëra familjeve. Por
në Shqipërinë e atyre viteve, edhe drita duhej të kishte një autor politik.
Lenini, Enver Hoxha dhe
formula e komunizmit
Në vitin 1970, Shqipëria
përfitonte ende nga ndihma kineze, e cila kishte marrë rëndësi parësore pas
prishjes me Bashkimin Sovjetik. Pajisje, materiale dhe makineri ndihmuan
projektet industriale dhe energjetike. Pas shifrave të elektrifikimit fshihej
një punë kolosale organizative: mijëra shtylla, kilometra linja dhe instalime
në zona të thella malore.
Enver Hoxha mbështetej në
një formulë të njohur të Leninit: socializëm plus elektrifikim baras me
komunizëm. Për udhëheqjen shqiptare, përfundimi i elektrifikimit të
fshatrave ishte hapi vendimtar drejt realizimit të kësaj teze.
Por historia nuk e ndoqi
ekuacionin e ideologjisë. Shqipëria u elektrifikua, ndërsa komunizmi nuk solli
shoqërinë e begatë dhe të barabartë që premtonte propaganda. Drita hyri në
shtëpi, por bashkë me të nuk hynë automatikisht mirëqenia, liria dhe mundësia
për një jetë më të mirë.
Ironia është se një vend
që e kishte çuar energjinë elektrike në çdo fshat, do të vazhdonte të përballej
me kufizime të rënda ekonomike. Elektrifikimi ishte kusht i domosdoshëm për
zhvillimin, por jo zëvendësues i tij.
Edhe kinemaja ndezi
dritat
Kinostudioja “Shqipëria e
Re” e kuptoi shpejt se një ngjarje e tillë nuk duhej të mbetej vetëm në
kronikat e lajmeve. Ajo duhej të hynte edhe në imagjinatën kolektive, përmes
filmit.
"Lumë drite",
prodhim i vitit 1975, me regji të
Ismail Zhabjakut dhe skenar të Agim Cergës, i përket pikërisht kësaj periudhe
kur kinemaja pasqyronte transformimet e jetës në fshat. Edhe pse subjekti
përqendrohet te një mësues dhe një nxënës që ka braktisur shkollën, titulli dhe
atmosfera e veprës lidhen natyrshëm me simbolikën e dritës.
Kinemaja nuk u mjaftua me
një film. Ndërtimi i hidrocentraleve, shfrytëzimi i lumenjve dhe transformimi i
peizazhit u kthyen në tema të ekranit. Filma si “Yje mbi Drin” dhe “Shirat
e vjeshtës” pasqyrojnë përpjekjen për të heroizuar punën në veprat e mëdha
energjetike, përfshirë hidrocentralet e Fierzës dhe Komanit.
Kështu, industria e filmit
ndihmoi në krijimin e një kujtese kolektive, ku puna e rëndë, kantieret,
brigadat dhe makineritë shfaqeshin si pjesë e një marshimi të pandalshëm drejt
së ardhmes. Ishte një realitet i filtruar nga këndvështrimi i kohës: kamera
regjistronte arritjen, por rrallë ndalej te kostoja njerëzore, kufizimet apo
kontradiktat e sistemit.
Drita ishte e popullit,
merita e Partisë
Përfundimi i
elektrifikimit të plotë, më 25 tetor 1970, mbetet një arritje konkrete e
Shqipërisë. Pas saj qëndronin specialistët, elektricistët, inxhinierët dhe
punëtorët që ngritën shtyllat e shtrinë kabllot, shpesh në kushte të vështira.
Qëndronin edhe familjet që prisnin të shihnin, për herë të parë, llambën të
ndizte dhomën pa vajgurin e zakonshëm.
Por pushteti e kishte gati
interpretimin e vet. Në komunikatën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës,
përfundimi u shpall si fitore e vijës së Partisë dhe e udhëheqjes së Enver
Hoxhës. Vetë shtypi i kohës e quante dritën elektrike edhe “dritë të Partisë”.
Sot, pas më shumë se
gjysmë shekulli, mund ta lexojmë këtë histori pa rënë as në glorifikimin e
dikurshëm, as në mohimin e një arritjeje reale. Elektrifikimi ndryshoi jetën e
fshatit shqiptar. Propaganda, nga ana tjetër, u përpoq ta bindte popullin se bashkë
me dritën elektrike kishte mbërritur edhe lumturia e premtuar.
Dhe ndoshta këtu qëndron
kuptimi më i saktë i asaj thirrjeje kinematografike:
— Ndizni dritat e Partisë, o heeej!
Dritat u ndezën. Por
historia tregoi se një vend mund të ndriçohet nga llambat elektrike pa u
çliruar nga errësira e një sistemi që pretendonte monopolin e gjithçkaje.

No comments:
Post a Comment