E ç’mu kujtua zbori. Madje ditët e ushtrisë në fakt. Shoh këto
foto dhe s’e marr vesh pse më mungon kapela model kineze me yll në ballë. M’u
ngjallën ditët e marshimeve. Kundërgazin
në një anë e në tjetrën bukë, ujë dhe fishekë për pushkën model 56 sovjetike. Në
xhepin e djathtë mbaja lugën me bisht të shkurtër se mos ma vidhnin.
Mirëpo duken të largëta ditët e shërbimit të detyrueshëm në
mbrojtje të atdheut. Iku koha e gavetës. Edhe ditët e zisë kur futeshe në dyqanin
e mishit e gjeje kasapin brenda. Sot kohët kanë ndryshuar rëndshëm, futesh në
supermarkatën trikatëshe për të blerë sallam dhe del nga ana tjetër hipur mbi
një xhip që çmimin e shitjes e ka 45 mijë euro me doganë të paguar.
Por s’e di pse prapë më duket vetja si ushtar. Shkolla ka ca
ditë që ka filluar dhe mua më duket sikur më kanë thirrur sërish në Garnizon, për
të më caktuar detyrën luftarake. Komandant kompanie këtë herë kam çunin i cili “më
urdhëron”:
- Plako ma mbaj pak çantën se është e rëndë!
- Si urdhëron!
Në supin e majtë ku mbaja kundërgazin hedh çantën e djalit, që
kur e peshova më doli 12 kile e rëndë. Të keqen e kundërgazit, që bashkë me 20
fishekë dhe një konservë peshku që e mbaja fshehur vinte a s’vinte 2 kg. Po nuk
mbaron me kaq. Komandant batalioni kam vajzën.
- Mbaje edhe këtë çantën timen se nuk e ngre dot!
U bënë dy.
- Si urdhëron!
Nga krahu i pushkës hedh çantën tjetër. 16 kg e rëndë. Pu,
pu, pu. Të keqen e pushkës. Mund t’i shtosh edhe një kallashnikov e përsëri
mbetesh rehat.
-Me çfarë e ke mbushur moj vajzë me bomba?
Epo më është bërë ferrë koha e ushtrisë, me të do ta lidh çdo
gjë.
- Po çfarë bombash o ba.... Librat janë.
- Mos ke futur dhe atletet brenda, se si shumë rënduaka?
- Nuk kam fizkulturë sot.
Nis marshimi. Destinacioni: në shkollë, e ku tjetër. Terreni është
i vështirë, më keq se te Mali me Gropa. Vërtet nuk ka shteg dhish, por në
trotuar bëhen punime dhe në buzë të rrugës janë vënë pengesa. Makina që të vjen
përballë mund të të ngrejë zgupthi. Torturë e vërtetë për të mbajtur ekuilibrin
tim dhe atë të fëmijëve. Ku ma gjen t’i ngjitesh monopatit.
Më vjen të shaj rëndshëm ndonjë institucion të shtetit. Nuk
di ku të shfryhem. Ta filloja me Kryeministrinë, a me Ministrinë e Arsimit, a
Bashkinë... E mbush gojën por s’më mbushet mendja për asnjë. Jo, mor jo, ç’faj
më kanë ata. Bëj një xhiro me mendjen time dhe në fund ndalem te botuesit e
shtypshkronjat: Sikur t’i bëni ca më të lehtë këta librat a të keqen. Na doli
fryma. Se ja, ka qëlluar që jam mbi 100 kile dhe nuk ankohem nga kolona vertebrale,
po ndonjë tjetër që është sa gjysma ime dhe e ka kapur spondeliatroza, si i bëhet?
- Kjo punë ka vetëm një zgjidhje, - më thotë një prind te
hyrja e shkollës, që duart i ka në xhepat e pantallonave dhe në buzë mban një
cigare të pandezur. - Fëmijët t’i mbajnë vetë çantat e tyre. Se kur është vetëm
një i bëhet dermani, ja dhe ti që ke dy... po unë me tre, ç’të bëj, ngritje
peshash.
- Ke të drejtë byrazer.
Këto foto i kanë shkrepur fëmijët e mi si për të më treguar
gjithë humor se babi është ngarkuar si kalë race, ku në fakt nënteksti interpretohet
ndryshe, fiks ashtu siç thonë tironsit e vjetër, i ngarkuar si “gamor”.
Nje refleksion i goditur! Ky eshte nje problem shume i mprehte per te gjithe nxenesit dhe prinderit e tyre, sidomos ata te arsimit 9 vjecar! Per hir te fitimeve te medha, qe nxjerrin botuesit dhe Ministria e Arsimit, po luhet me standadet e cilesise se librave. Kjo eshte e palejueshme. Megjithate, nuk dihet nese ky problem do te zgjidhet ndonjehere. Urime Nardi!
ReplyDeleteFaleminderit Mik
ReplyDelete