Pavlina Evro |
Ish-rekordmenia
shqiptare e garave të mesme, rrëfen për trofetë në manifestimet e mëdha
botërore të atletikës. Fitorja spektakolare në Francë dhe pritja popullore në
Korçë. Rekordet
e reja me ekipet e Greqisë
nga Leonard
Veizi
Në vrapimin energjik e marramendës, me një dihatje të shpejtë, munduese
e padyshim në stres të lartë se kush do ta prekte më shpejt shiritin e finishit...
ajo arriti të dilte e para. Pas kësaj veshët i oshtinin nga shpërthimet
frenetike “Albania Albania”. Nuk ishte pista e “Skënderbeut” në juglindje të vendit dhe as ajo e “Qemal
Stafës” në kryeqendër, por i një stadiumi olimpik në Nicë të quajtur
“Sharl-Erman”. Dhe ndoshta pa e kuptuar as vetë se nga ai çast ishte kthyer në
një legjendë, 19-vjeçarja nga Korça do t’i jepte Shqipërisë të parën medalje
ari në atletikë, pikërisht 30 vjet më parë në një qytet francez, pagëzuar me
emrin e lashtë grek të Nikeas...
...Ajo buzëqesh kur e pyes nëse do të kishte dëshirë të garonte në
një sprint prej 100 metrash. Por qesh edhe më fort kur pyetjes time se me çfarë
merret aktualisht mbajtësja e titullit “Mjeshtër i madh i punës” i përgjigjet
shkurt: e papunë. Paradoks?! Fare... Në Shqipëri ndodh rëndom kështu. E
megjithatë, Pavlina Evro, kjo rekordmene shqiptare e vrapimeve në distanca të
mesme i përgjigjet pyetjeve të gazetës “Shekulli”.
Zakonisht
atletët e fillojnë stërvitjen intensive që në fëmijëri. Kur do ta ndienit veten
se ishit e aftë për t’u bërë një garuese?
Në vitin e largët 1976, kur unë isha ende fëmijë, filloi rrugëtimi
i jetës sportive në garat e mesme dhe të gjata në ekipin e atletikes “Skënderbeu”
të Korçës. Natyrisht, nuk fillohet që në hapat e para me stërvitje intensive,
por me një punë sistematike shkencore e bashkëkohore sipas moshës dhe shkallët
e rezultateve ngjiten një nga një.
Jeni
atlete e garave të mesme 800 dhe 1500 metra. Do të dëshironit të ishin dhe
sprintere e 100-metërshit?
Realisht, unë jam dhe 100-metriste, akoma me saktë; 200-metriste.
Brenda garës në çdo finale të 800, 1500, 3000 metrave ku unë merrja pjesë më
kanë shoqëruar dy gjëra: sprinti i fuqishëm në 150-200 metrat e fundit dhe thirrjet
e publikut.
Cilët
janë qenë instruktorët që ju bënë të arrinit rezultate të larta?
Në fakt, janë bashkautorët. Atletika është vërtet sport individual
por kërkon punë në grup, me një staf, që nis nga profesori i fizkulturës në
shkollë, që më zgjodhi si talent, e deri tek Mjeshtri i Madh, njeriu-shkollë,
Pirro Kasati. Po në këtë grup futet dhe punëtori
i stadiumit, laborantja e spitalit, mjeku i zemrës, mjeku i klubit, shefi i kuzhinës,
gjithë vajzat e ekipit etj. Rezultati 4’06”41 nuk ishte i imi, ishte edhe i
tyre, ishte dhe i ish-kryetarit të BFSSH-së, në atë kohë z.Mehdi Bushati, dhe
pa dyshim i familjes sime, i të gjithë atyre që besuan dhe besojnë sot tek
Pavlina.
Pavlina Evro me trofeun në Nice të Francës, 1984 |
Cilat
ishin arritjet e njëpasnjëshme që ju dhanë trofetë?
Trofetë janë shumë: nga ajo gara e vitit 1976 midis shkollave (e
para) e deri tek gara në vitin 1996. Nga viti 1981 e në vazhdim jam fituese e
vendeve të para në të gjitha aktivitetet kombëtare (kupa, kampionate, spartakiada)
ballkaniada, lojëra mesdhetare, kampionate evropiane dhe aktivitete të tjera ndërkombëtare.
Nga shumë e shumë medalje, gjithsesi, do të veçoja emocionet e veçanta në
thyerjen e rekordeve kombëtare në garat e 800, 1500 dhe 3000 metra. Në
kampionatin ballkanik të krosit në vitin 1981 ku ne fituam medalje argjendi
(isha vetëm 16 vjeç) në 1983-in në kampionatin evropian në Vjenë nënkampione me
medalje argjendi për të reja, fituese e medaljes së artë në mitingun “Grand
Prix” në Nice të Francës në 1984, fituese e medaljes së bronzit në Oslo më 1985-ën
dhe në Athinë në mitingun “Grand Prix” më 1987-ën, fituese e medaljes të artë në
3000m. Të gjitha kujtime të bukura. Edhe në lojërat e Mesdheut në Siri më 1987-ën
ku isha fituese e medaljes së bronzit e shumë të tjera.
Në
mitingun ndërkombëtar të atletikës në Nicë, Francë në vitin 1984, ju zutë
vendin e parë. Fillimisht si u përgatitët për të qenë pjesëmarrëse në një takim
të tillë?
Si u përgatitem...?! Me një punë shkencore të udhëhequr nga i
madhi dhe i paharruari Pirro Kasati. Punonim ditë për ditë, pak e nga pak, duke
mohuar nga vetja çdo privilegj të moshës. Mjafton t’u them se arritëm deri në 3
seanca stërvitore në ditë. Nica, dhe jo vetëm, por çdo medalje dhe rezultat u arritën
me shumë përkushtim dhe dashuri.
Si u
prit nga shteti i kohës fakti që ju sollët një medalje në Shqipëri?
Shteti i kohës na priti me dashuri, mirënjohje dhe respekt të
madh, me më të mirën e mundshme për kohën, sistemin dhe ligjet në fuqi. U nderova
me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar Sporti”, u dekorova me medaljet “Naim Frashëri”
klasi i tretë e i dytë, u trajtova me një Vendim të veçantë të Këshillit të
Ministrave për trajtim special financiar dhe ushqimor. M’u dha edhe një hyrje
apartamenti në Korçë. Por të gjitha shkuan… Në kujtesën time, besoj dhe në atë
të njerëzve, mbeten të pashlyera pritjet e popullit, sidomos të atij korçar, që
nga Rinasi e deri në Korçë me buqeta lulesh e me duartrokitje.
Në
vitin 1986 morët pjesë edhe në mitingun e Oslos ku patët rezultat të lartë. Si
e kujtoni këtë rast?
Do ta filloja nga Nica. Stadiumi ishte në këmbë dhe thirrjet nuk
kishin fund “Albania-Albania”. Flamuri, ngjitja në vendin e parë, shpallja
qytetare nderi e Nicës, janë kujtime të bukura. E çfarë t’u them: emocione të
papërshkueshme. Nga Oslo më kanë mbetur në kujtesën time katër çaste; ovacionet
e stadiumit mbas rrëzimit tim të qëllimshëm dhe vazhdimit të garës, pa dyshim
thirrjet e publikut “Albania Albania”, ndarja e vendit të tretë me vendin e dytë
me foto-finish dhe hyrja në aerodromin e Oslos, ku në tabelën elektrike
shkruhej: Wellcom Pavlina Evro.
Vazhdoni
të jeni kampione në ndonjë disiplinë apo rekordet tuaja janë thyer tanimë?
Pa diskutim, lajtmotivi i jetës ky është… për rekorde të reja.
Gjithsesi, u mbajtën gjatë, 32 vjet, dhe uroj me gjithë zemër që Luiza Gega të
thyejë rekorde dhe të fitojë sa më shumë medalje në aktivitete prestigjioze dhe
pse jo në Olimpiada, atje ku dikur nuk mundeshim të merrnim pjesë ne.
Gara e 1500m fillimi dhe finishi ne sadiumin Olimpik Athine |
Medaljet
e nderit
Pavlina Evros i janë dhënë dhe shumë tituj, medalje dhe stimuj
materialë e moralë, në vitet e regjimit komunist dhe sot në demokraci. “Mbas
viteve ‘90 kam marrë: medaljen e artë “Nderi i sportit Shqiptar”, “Qytetare
nderi e Qarkut të Korçës”, “Qytetare Nderi e Korçës”, “Mjeshtre e Madhe e Punës”... etj. Por
fatkeqësisht, ky “Mjeshtër i Madh i Punës” ka tre vjet që po pret një vend
pune… që do të thotë se ende jam e papunë”
Rekordmene
me klubet greke
Pavlina Evro thotë se, për sa kohë qëndroi në Greqi, në të gjitha
aktivitetet e zhvilluara, ishte fituese e vendit të parë në kampionate e kupa.
Me klubin e “Iraklisit” ka fituar vendin e tretë në Kampionatin Evropian të
klubeve. Ajo thotë për “Shekullin”: “Kam dhe sot akoma mos gabohem rekordin e
5000 metrave për gjithë Greqinë e Veriut… Kam punuar dhe si pedagoge, mësuese,
trajnere në disa klube. Kam punuar edhe në klubin kampion të Greqisë Panelinios,
që është një shkollë më vete gjithsesi…” Duke folur për ndryshimet mes klubeve sportive
shqiptare dhe atyre greke nga ana profesionale, Pavlina Evro thotë se: “Klubet greke
me klubet shqiptare kanë një ndryshim të madh. Sistemi ynë sportiv ngeli pas
dhe nuk u përshtat me sistemin e ri. Madje, nuk është përshtatur as sot e kësaj
dite. Politikën greke në sport e bënë dhe e bëjnë personalitete, idhuj, yje
emra të mëdhenj të sportit. Nga lart-poshtë sistemin e zinxhirit sportiv e udhëhoqën
njerëz që e duan sportin, që dhembin për të... ndërsa ne e prishëm sistemin
zinxhir dhe nuk bëmë ligje të mira që të na përshtatnin me marrëdhëniet e reja.
Politikëbërësit tanë, deri tani të paktën, e kanë përdorur sportin si plaçkë
lufte, nuk ka motiv, nuk ka motivim...”
Shpirti
i garës
“Nëse do të bëjmë një krahasim të sportistit të sotëm dhe
sportistit të atëhershëm, do të doja të nxirrja në pah disa veçori: Unë mendoj
se në atë kohë një sportist aktiv kishte shpirtin e garës. Pavarësisht
konkurrencës me kolegët brenda ose jashtë vendit, pavarësisht nëse ishte një
garë lokale, apo kombëtare, shpirti i garës nuk mungonte. Përgatitja fizike dhe
psikologjike shtrihej për një kohë të gjatë përpara se të dilje në pistën e
vrapimit. Kjo e bënte më të motivuar sportistin e atëhershëm. Sot, më duket se
kalkulohet më shumë se sa duhet” thotë Pavlina Evro, rekordmenia shqiptare në
atletikë.
Sporti
në ditët e sotme
Pavlina Evro thotë se ka një ëndërr: që ta shikojë sportin shqiptar
sa më lart. Dëshiron të japë ndihmësen e vet, aty ku mund të jetë më e
frytshme… “Para dy vjetësh, më saktë me 22 Prill 2012, u mblodhëm të gjithë
ish-kampionët e rekordmenet si: Isa Tare, Ajet Toska, Anila Mekshi, Donika
Hanxhara, Remzi Lahaj, Skënder Ruci, Sotir Qiriaqi, Vlashian Kasati etj…dhe
kemi zhvilluar një aktivitet si asnjëherë në qytetin e Korçës. Garuan 600 fëmijë
të shkollave nëntëvjeçare të ndarë në 6 kategori për të rikthyer traditën korçare
dhe për të ngritur atë fidanishte që ka qenë dikur. Por që kjo fidanishte të
jepi frytet e saj, me qëllim që Shqipëria të eci me kohën dhe në fushën e sportit,
nuk është vetëm në dëshirën e mirë të sportisteve, por duhet ndihma nga më lart,
ndihmë e cila fatkeqësisht nuk na është dhënë deri më sot...” Në vazhdim ajo
shprehet se e ka pasion sportin, në mënyrë të veçantë për atletikën. “Unë nuk
kam zgjedhur thjesht soditësen e sportit, tani që nuk jam si të thuash
sportiste e garave ose siç quhet sportiste aktive në pistë. Unë kam zgjedhur të
jem sërish në pistë në një pozicion tjetër. Të bëj gjithçka që të ecin të
rinjtë dhe të jem mbështetëse e atyre që kanë shumë nevojë për të ngjitur
shkallët e karrierës në sport”, thotë Evro. Ndërkohë, duke iu referuar të
rinjve, ajo shprehet se pikërisht të rinjtë duhet të jenë më afër sportit, “të
jenë jo thjesht ndjekës të ndeshjeve nga lotaritë sportive, jo thjesht në
shkallët e stadiumeve, por të merren drejtpërdrejtë me aktivitete sportive,
duke e bërë jetën me të gjallë në të gjitha drejtimet. Prandaj unë them: sporti
të bën të bukur, të zbut, të zbukuron shpirtin, të kthjellon mendjen.
Presidenti Obama në strategjinë e vet ka shtuar vëmendjen në sport, për të
pakësuar shpenzimet në shëndetësi. Duke zbutur shpirtin, ne ulim edhe dorën që
ngrihet kundra gruas, kundra nënës, kundra fëmijës. Ne kthjellojmë mendjen dhe
shmangim anomalitë”.
Pavlina Evro |
Detaje nga Intervista
Rekordi
“Me një staf të plotë, me një punë shkencore dhe plot pasion,
finalizuam kohën rekord edhe sot 4’06. 41, rezultat që renditet nga vendi i 10
deri tek i 18-i në botë, për të gjitha kohërat në 1500 m për femra. Në jetë
asgjë nuk është e rastësishme. Nuk ishte ambicie e moshës, ishte një dashuri,
një sakrifikim i rinisë sime për të arritur atje lart, te podiumi, te medaljet
arta në Nicë, Athinë, Oslo dhe tek valëvitja e flamurit shqiptar në evenimentet
botërore, në një kohë kur Shqipëria ishte e izoluar nga bota perëndimore”
Ambiciet
“Jeta ime sportive mbas viteve ‘90-të është një tablo
shumëngjyrëshe; sportiste për të mbajtur vendin e parë, trajnere me të njëjtën
ambicie, pedagoge në akademitë sportive, studime pasuniversitare për të
plotësuar dijet e mia në fushën e sportit dhe shkencës…”
Origjina
Pavlina Evro u lind më 20 shkurt 1965 në qytetin e Korçës në një familje autoktone e intelektuale nga prindër artistë. Thotë: “Babai ishte piktor. Familja ime ishte e madhe, me shumë fëmijë; pesë motra e dy vëllezër. Në qytetin e Korçës u rrita dhe u formova si sportiste dhe si njeri”.
“Jam e martuar me një njeri që në jetën time ka pasur dhe ka vlera të veçanta. Me Sadushin kemi dhe dy fëmijë të mrekullueshëm: djali është 21 vjeç dhe është student në vitin e tretë, ndërsa vajza 16-vjeçare është në vitin e parë gjimnaz. Jam krenare për familjen time”.
No comments:
Post a Comment