INTERVISTA I
Akademiku Farudin Hoxha, parashtron rrezikun që mund të vijë nga amortizimi i ujëmbledhësve
Akademiku Farudin Hoxha, parashtron rrezikun që mund të vijë nga amortizimi i ujëmbledhësve
Shqipëria, si i ndërtoi 650 diga
nga Leonard VEIZI
Nuk e ka në plan të pushojë pa e vrarë mendjen, të ndjekë
me fanatizëm edicionet e lajmeve në televizor dhe as të shohë me ankth ndeshjet
e “Champion League”. E megjithatë, koha nuk i jep as mundësinë të bëjë shëtitje
rreth liqenit artificial e të mendojë qoftë dhe për një çast të vetëm, se për
një digë si ajo që është ndërtuar në kodrat e kryeqytetit për mbledhjen e ujit,
ai ka punuar për ta lartuar atje, në Fierzë, Koman apo gjetkë. Por dhe nëse
gjen kohën për t’u qetësuar e për të mbledhur veten pak, atij sërish i duhet të
jetë atje, në tavolinën e tij të punës, ku projektet që zëvendësojnë njëra
tjetrën e presin vazhdimisht. Ndaj ai, është gjithmonë në lëvizje të pandërprerë,
për të ideuar ndërtimin e një digë të re, apo për të bërë oponencën e një
punimi të me të njëjtat vlera. Dhe digat, vazhdojnë të jenë në projektet letër,
që ndonjë ditë më pas të ngrihen atje, në shtratin e një lumi të rrëmbyer...
...Tanimë kohët kanë ndryshuar. Thuhet se ishin më të
sigurta dhe se shteti kujdesej më shumë për to. Por jo të gjitha digat e ndërtuara
në Shqipëri tashmë e kanë këtë siguri. Vitet kanë kaluar dhe parametrat e tyre
nuk mund të jenë ato të viteve të para pas ndërtimit. Dhe këtu nuk flitet vetëm
për digat e hidrocentraleve, por dhe për ato të liqeneve apo rezervuarëve që përdoren
për vaditjen e tokave, apo si burim për ujë të pijshëm. Tanimë një pjesë prej
tyre janë në fazën e amortizimit dhe, më mos qoftë e thënë, nëse ndonjëra prej
tyre shembët a çahet, pasojat do të jenë katastrofike. Kjo sidomos kur bëhet
fjalë për 306 digat më të mëdha të vendit. Ky rrezik evident, i lançuar ndonjëherë
edhe nga ndonjë gazetë a televizion, duket se nuk është marrë fort seriozisht
nga strukturat përkatëse që duhet të përgjigjen për to. Profesor Farudin Hoxha,
i njohur më së shumti si një prej heronjve të ndërtimit të hidrocentraleve, gjatë
një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf” rrëfen për rrezikun që ka sot
vendi ynë, nga mosmirëmbajtja e digave ujëmbledhëse:
Cila është gjendja aktuale e digave të ndërtuara në vendin tonë?
“Me ujin dhe me zjarrin mos luaj”, thotë populli ynë. Pikërisht
këtë intervistë dëshiroj ta zgjeroj për veprat dhe objektet që trajtojnë ujin,
për të cilat po nuk u kujdesem me maksimumin e përkushtimit e të dijeve bashkëkohore,
ato kthehen në një “cunam” të papërmbajtshëm që merr dhe shkatërron çdo gjë që
gjen përpara. Lidhur me këtë temë, meqenëse m’u drejtuat, më lejoni edhe mua të
them në mënyrë mjaft të përmbledhur disa nga mendimet e mija.
Ku do të ndalemi më konkretisht?
Po e fillojmë me problemet e ujit. Në rruzullin tokësor rezervat
e ujit të ëmbël po bëhen nga dita në ditë më të pamjaftueshme për plotësimin e
nevojave të përdoruesve. Shkaqe të kësaj dukurie tashmë janë të njohura dhe e kanë
burimin kryesor në zhvillimet demografike dhe veprimtarinë e gjithanshme jetësore
të shoqërisë njerëzore. Është rritur mjaft norma e konsumit të ujit dhe e qëllimeve
për të cilat përdoret, është rritur mjaft numri i konsumatorëve dhe i nevojave të
tyre gjithnjë në rritje, është rritur me ritme shumë të shpejta numri i popullsisë
së globit dhe përqendrimi i saj në metropole dhe qytete, në kërkim të një jetë më
të mirë, por që bie ndesh me shpërndarjen e burimeve ujore, është rritur
ndjeshëm ndotja e mjedisit si rrjedhojë e veprimtarisë intensive ekonomike të
njeriut në kërkim të standardeve jetësore më të larta etj. Në këto kushte uji
mbetet për njerëzimin një pasuri me rëndësi strategjike, vlera e të cilit vjen çdo
ditë duk e u rritur. Ai është i pazëvendësueshëm. Pa të nuk ka jetë.
Cili është konsumi i ujit në ditët e sotme, kur tashmë është i njohur fakti
i krizës së burimeve ujore?
Gjatë periudhës 50-vjeçare, nga viti 1950 deri në vitin
2000, popullsia e globit është rritur 2,5 herë kurse konsumi i ujit është
rritur 4 herë, në një kohë kur burimet ujore, nga pikëpamja sasiore, mbeten po
ato. Në vitin 2025 popullsia e globit me ritmet e sotme të shtesës do të shkojë
në rreth 11 miliardë banorë. Këta dy tregues, duke pasur parasysh zhvillimet në
botë, paralajmërojnë një përkeqësim të mëtejshëm të situatës, por njëkohësisht shtrojnë
domosdoshmërinë e ruajtjes dhe përdorimit me shumë kujdes të rezervave të ujit të
ëmbël, Ndoshta në një të ardhme shumë të afërt, do të lindi nevoja për burime të
tjera ujore, të cilat gjithsesi për t’u sjellë në gjendje të përdorshme do të kërkojnë
shpenzime të konsiderueshme.
Po Shqipëria në çfarë kushtesh ndodhet?
Uji, si një nga elementet thelbësore të mjedisit, është
bërë objekt studimi e trajtimi i shumë institucioneve në nivel kombëtar dhe
ndërkombëtar, për të cilin janë zhvilluar shume aktivitete dhe janë hartuar një
sërë dokumentesh për mbrojtjen e tij. Dukuria e pamjaftueshmërisë së burimeve
ujore në vendin tonë ndonëse në stadin e sotëm të shoqërisë shqiptare nuk vërehet
dukshëm, është prezent. Kjo vërehet si në rrjedhjet ujore sipërfaqësore ashtu
dhe në ujërat nëntokësore, të cilat krahas ndotjes intensive, i nënshtrohen
edhe shfrytëzimit të tyre pa kriter. Në burimet ujore të vëna në shfrytëzim dhe
në sistemet e ujësjellsave që furnizojnë popullatën me ujë vërehet një administrim
i keq si nga furnizuesit ashtu edhe nga përdoruesit.
A kanë filluar mungesat e burimeve ujore?
Shqipërisë nuk i mungojnë rezervat e ujit, të këtij
elementi jetësor, me vlera të gjithanshme e të pazëvendësueshme dhe për
zhvillimin e qëndrueshëm ekonomiko-shoqëror të saj. Vendi ynë renditet ndër vendet
me ujëshmëri të bollshme. Në territorin e Shqipërisë bien mesatarisht 1460 m/m reshje
atmosferike në vit. Rrjeti hidrografik lumor derdh në det mesatarisht rreth 42 miliard
m3 ujë në vit, ose rreth 12.000 m3 në vit për banor. Disa
prej lumenjve kryesorë të vendit, si Drini dhe Vjosa, pellgu ujëmbledhës të tyre
e shtrijnë edhe në territorin e shteteve fqinje, çka bën që të rritet ndjeshëm
rrjedhja ujore e tyre.
Po shfrytëzimi në çfarë kushtesh është?
Anë negative e këtyre rrjedhjeve mbetet jouniformitet i
theksuar i tyre në kohë dhe në hapësirën e vendit tonë. Shfrytëzimi i burimeve
ujore në kushte natyrore, pa ndërhyrjen e njeriut, karakterizohet nga një
shkallë e ulët e përdorimit të tyre dhe shoqërohet me mospërputhje të theksuara
në kohë dhe në sasi midis nevojave të konsumatorëve dhe atyre që ofron natyra. Për
zbutjen e këtyre mospërputhjeve, që çojnë njëherësh edhe në rritjen e shkallës
së shfrytëzimit të rezervave ujore, del nevoja e ndërtimit të digave, të cilat
në varësi të lartësisë dhe kushteve të terrenit krijojnë ujëmbledhës me vëllime
të ndryshme uji. Janë pikërisht këta ujëmbledhës, që në sajë të kapacitetit të
tyre bëjnë të mundur rishpërndarjen e rrjedhjes natyrale. Ata grumbullojnë ujin
në periudhën e lagur me reshje atmosferike të bollshme dhe e lëshojnë atë në
periudhën e thatë, në përputhje me nevojat e përdoruesve të ndryshëm të tij.
A ka në Shqipëri diga të përmasave të mëdha?
Sigurisht që janë ndërtuar dhe ka të tilla. Është një trashëgimi
që brezat e sotëm gëzojnë nga brezat paraardhës. Në Shqipëri janë ndërtuar
rreth 650 diga, 306 nga të cilat plotësojnë kushtet e vëna nga Komisioni Ndërkombëtar
i Digave të Mëdha, ICOLD, për t'u quajtur diga të mëdha. Midis 82 vende anëtare
të ICOLD-it, ku vendi ynë aderon që nga viti 1964, Shqipëria zë vendin e parë për
diga të mëdha për çdo banorë dhe vendin e 18 për numrin e përgjithshëm të digave
të mëdha. Për çdo 10.000 banorë vendi ynë ka afërsisht një digë të madhe. Diga e
Fierzës është midis 150 digave me të larta të botës. Ajo, së bashku me digën e
hidrocentralit të Komanit ka hyrë në botimet e specializuara të ICOLD-it.
Cili është kapaciteti ujëmbledhës i tyre?
Kapaciteti i ujë mbledhësave i krijuar nga këto diga arrin
në 4’6 miliard m3 ujë ose rreth 12% të rrjedhjes së përgjithshme
natyrale që lumenjtë tanë derdhin në det, në vitin mesatar. Sipërfaqja e
përgjithshme e pasqyrës së ujit të krijuar nga të gjithë ujë mbledhësit tanë arrin
në 226 km2. Sa renditëm më lart tregon për një shkallë të kënaqshme të
mundësive që krijohen për ujë dhe rregullim relativisht mirë të rrjedhjes natyrale
të lumenjve tanë, meritë kjo e digave të ndërtuara dhe e ujëmbledhësve të krijuar
prej tyre.
(Vijon)
Ujëmbledhësit, ja dobitë nga ndërtimi i digave
Akademik Farudin Hoxha thotë se ndërtimi i digave ujëmbledhëse
ka mundësuar që:
- Të prodhohen 5,34 miliardë KVV orë energji elektrike
mesatarisht në vit
- Të vihen nën ujë ose të ujiten, se bashku edhe me burime
të tjera ujore, rreth 400.000 ha tokë
bujqësore ose 57% e tokës se punueshme e cila deri ne
vitin 1990 ka qenë rreth 700.000 ha
- Të zvogëlohen ndjeshëm përmbytjet e tokave dhe të
qendrave të banuara nga vërshimet e lumenjve në kohë dimri
- Të krijohen kushte të favorshme për kultivimin e
peshkut jomigrues
- Të mundësohet transporti i pjesshëm lumor
- Të ndikohet në përmirësimin e mikroklimës së zonave
pranë ujëmbledhësave.
- Të krijohen kushte për shtrirjen në thellësitë
territorit të aktivitetit turistik dhe rekreativ
- Të krijohen kushte për sigurimin e ujit të pijshëm dhe
atij komunal.
- Të ndikohet në zvogëlimin e erozionit nga rrjedhjet e
ujërave sipërfaqësorë.
AKTUALITETI/ Çfarë po ndodh me 650 digat e ndërtuara në gjithë Shqipërinë
Nga viti 1957 kur daton dhe ngritja e digës së parë ne
vend, e deri në vitin 1990, kujdesi për to ka qenë maksimal. Por pas viteve ‘90
problemet janë shfaqur dukshëm. Mendohej vetëm për shfrytëzimin e tyre dhe për
mirëmbajtjen shumë më pak, ose aspak fare. Duke iu referuar kësaj gjendje,
akademik Farudin Hoxha, thotë për “Telegraf”:
“Bërja e burimeve ujore të komandueshme, përmirëson mjaft
ndikimin e tyre në mjedisin natyral të vendit tonë. Nga studimet e kryera për shfrytëzimin
kompleks dhe optimal të të gjithë lumenjve të Shqipërisë, parashikohet të ndërtohen
edhe shumë diga të tjera të mëdha, të cilat do të bëjnë të mundur komandimin
pothuajse të plotë të rrjedhjes së lumenjve tanë. Kjo do të çojë në rritjen e ndjeshme
të mundësive të përmendura më sipër, madje disa prej tyre do të shumëfishohen. Siç
mund të kuptohet lehtë nga sa thamë më sipër digat dhe ujëmbledhësit e krijuar prej
tyre janë një pasuri kombëtare me vlera të mëdha, të jashtëzakonshme për
zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të vendit. Prezenca e digave dhe e ujëmbledhësve
të krijuar prej tyre, aktualisht në shfrytëzim në vendin tonë, nuk është e
rastësishme. Ato janë produkt i investimeve kolosale monetare, njerëzore e
intelektuale, të brezave paraardhës të popullit tonë që sot me modesti thonë “kemi
bërë detyrën”. Arritjet në këtë fushë janë vërtet të konsiderueshme. Por. Që këto
të jenë të qëndrueshme, në shërbim të ekonomisë e zhvillimit të vendit, lind domosdoshmërisht
nevoja për një mirëmbajtje të vazhdueshme e të kujdesshme të veprave. Kërkesa për
të mirëmbajtur e mbrojtur digat dhe ujëmbledhësat dhe për t’i vlerësuar ato si “objekte
të rëndësisë së veçantë” - lind jo vetëm për shkak të vlerave të mëdha ekonomike
që ato kanë në vetvete por mbi të gjitha nga fakti se, në rrethana të caktuara,
në një moment të caktuar, ato nga një burim të mirash të mëdha materiale, kthehen
në burim fatkeqësish, me pasoja të rënda ekonomike e mbi të gjitha njerëzore. Kjo
ndodh kur një digë çahet ose prishet. Falë punës së mirë projektuese e ndërtuese
por dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme të tyre, në vendin tonë, që nga viti 1957,
kur u ndërtua diga e parë, e deri më sot, nuk ka pasur katastrofa me pasoja të rënda.
Ka pasur vetëm dëmtime të pjesshme digash, të cilat janë riparuar në kohë. Kjo
është pozitive dhe inkurajuese por nuk është e mjaftueshme dhe gjithçka. Me
keqardhje digat dhe ujëmbledhësit e tyre, nga viti 1990 e këtej, tranzicionin e
shoqërisë tonë e kanë përjetuar me shumë probleme të mëdha për qenien e tyre”.
Kujdesi
Digat, në mëshirën e fatit
“Pavarësisht nga shkaqet objektive apo subjektive,
kujdesi për to ka qenë shumë i vogël, për të mos thënë që në disa raste është
shkuar deri në braktisjen e tyre. Diga të caktuar në periudha të caktuara janë lënë
në mëshirë të fatit të njerëzve, të pakualifikuar për shfrytëzimin e tyre. Në to,
për arsye absurde, me dashje, janë shpërthyer edhe ngarkesa eksplozivi. Një pjesë
e Digave tashmë i janë nënshtruar procesit të vjetërimit. Ky fakt kërkon nga shfrytëzuesit
të forcojnë kërkesat për mirëmbajtje cilësore të digave, për të garantuar sigurinë
dhe jetëgjatësinë e tyre. Mosvlerësim i drejt i të mirave që ato japin dhe i
pasojave të rënda dhe shkatërruese që digat dhe ujëmbledhësit shkaktojnë kur prishen.
Mungesa e specialistëve të kualifikuar dhe të profilit në shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen
e tyre, bën që prishja e një dige dhe pasojat që vijnë prej saj, të mbeten një rrezik
real potencial shumë i madh. Mosha relativisht e madhe e digave dhe kujdesi i
pakët për to, ka bërë që një pjesë e elementëve përbërës të tyre, të kenë
humbur vetitë e nevojshme, që garantojnë funksionimin normal dhe qëndrueshmërinë
e tyre. Kjo vihet re në bllokimin e sistemit të drenazheve, të pajisjeve hidromekanike
të portave, saracineskave, e pajisjeve të tjera. Të gjitha këto krijojnë
premisa për ndodhi të rrezikshme në këto vepra”, thotë akademik Farudin Hoxha
gjatë intervistës për gazetën “Telegraf”.
INTERVISTA II
Akademiku Farudin Hoxha: Ndërtimet pa leje poshtë digave, ja ku rrezikohen jetët njerëzore
Akademiku Farudin Hoxha: Ndërtimet pa leje poshtë digave, ja ku rrezikohen jetët njerëzore
Leonard VEIZI
(vijon nga numri i kaluar)
Një pjesë e mirë e jetës së tij ai e ka kaluar në
kantieret e ndërtimit të digave të mëdha. Ndaj dhe sot, e ndjen krejt organike
të shqetësohet për administrimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Dhe duket se ky
shqetësim vjen pikërisht në çastin e duhur. Atëherë kur nuk ka ndodhur asgjë.
Megjithatë, këmbanat e alarmit tashmë kanë rënë. Por, për fatin tonë të mirë,
jemi ende në kohën kur gjithçka mund të mbahet nën kontroll, nëse ndërhyet atje
ku duhet dhe ashtu siç duhet. Sepse, nëse katastrofa ndodh, humbasin jetë
njerëzish dhe shkatërrohen të mirat materiale, çdo gjë tjetër do të ishte i
kotë.
Ato nuk janë pak por 650 diga në të gjithë Shqipërinë nga
të cilat 306 prej tyre njihen si diga të mëdha. Por duket se e keqja nuk është
vetëm tek administrimi dhe mirëmbajtja e tyre, por dhe tek ndërtimet e pakontrolluara
që shumë shtetas shqiptarë, kanë bërë në rrethinat e tyre. Në këto kushte edhe
rreziku bëhet më i madh. Të gjitha këto si dhe masat që duhet të merren për të
pasur nën kontroll situatën, flet ekskluzivisht për “Telegraf” njeriu i hekurt
i ndërtimit të digave, akademiku Farudin Hoxha:
Cili është niveli i mirëmbajtjes së digave vitet e fundit?
Me keqardhje digat dhe ujëmbledhësit e tyre, nga viti
1990 e këtej, tranzicionin e shoqërisë tonë e kanë përjetuar me shumë probleme
të mëdha për qenien e tyre. Pavarësisht nga shkaqet objektive apo subjektive,
kujdesi për to ka qenë shumë i vogël, për të mos thënë që në disa raste është
shkuar deri në braktisjen e tyre. Diga të caktuar në periudha të caktuara janë
lënë në mëshirë të fatit të njerëzve, të pakualifikuar për shfrytëzimin e tyre.
Në to, për arsye absurde, me dashje, janë shpërthyer edhe ngarkesa eksplozivi.
Një pjesë e Digave tashmë i janë nënshtruar procesit të vjetërimit. Ky fakt
kërkon nga shfrytëzuesit të forcojnë kërkesat për mirëmbajtje cilësore të
digave, për të garantuar sigurinë dhe jetëgjatësinë e tyre. Mosvlerësim i drejt
i të mirave që ato japin dhe i pasojave të rënda dhe shkatërruese që digat dhe
ujëmbledhësit shkaktojnë kur prishen.
Ku qëndron defekti më i madh në administrimin e digave?
Mungesa e specialistëve të kualifikuar dhe të profilit në
shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e tyre, bën që prishja e një dige dhe pasojat që
vijnë prej saj, të mbeten një rrezik real potencial shumë i madh. Mosha
relativisht e madhe e digave dhe kujdesi i pakët për to, ka bërë që një pjesë e
elementëve përbërës të tyre, të kenë humbur vetitë e nevojshme, që garantojnë
funksionimin normal dhe qëndrueshmërinë e tyre. Kjo vihet re në bllokimin e
sistemit të drenazheve, të pajisjeve hidromekanike të portave, saracineskave, e
pajisjeve të tjera. Të gjitha këto krijojnë premisa për ndodhi të rrezikshme në
këto vepra.
Ku është më alarmante kjo gjendje?
Gjendjen e sigurisë se digave veçanërisht në sektorin e
bujqësisë e rëndoi edhe më shumë kalimi i tyre në nën administrimin dhe
shfrytëzimin e shoqatave të Përdorimit të Ujit, të cilat jo vetëm që kanë
qenë fare të papërgatitura për këtë
detyrë, por nuk kanë treguar as më të voglin interes për mirëmbajtjen e tyre.
Me përjashtime shumë të rralla, shoqata dhe organizatat që sot merren me
përdorimin e ujit, nuk kanë mjetet dhe mekanizmat e domosdoshëm për të
shfrytëzuar e mirëmbajtur objekte të tilla. Digat dhe rezervuarët teknikisht
duhet të menaxhohen nga specialiste që përgatitjen e duhur, ndërsa organizatat
e mësipërme të jenë blerës të ujit.
A ka diga që tanimë kanë dalë jashtë funksionit?
Shumë diga të bujqësisë, me rezervuarët që kanë krijuar
kanë humbur aftësinë ujitëse të tyre për shkak të mbushjes së rezervuarëve me
sedimente të ngurta. Në të tilla raste, një dëmtim apo prishje eventuale e
digës, do të shkaktonte përmbytje me pasoja të rënda për njerëzit dhe të mirat
materiale sepse rrjedha ujore mund të kalojë dhe mbi digë, veçanërisht kur ka
reshje të mëdha. Për digat që kanë humbur aftësinë ujitëse për shkakun që thamë
më sipër duhet domosdoshmërisht të bëhen studimet dhe projektet përkatëse për
abandonimin e tyre. Studimi dhe projektimi për abandonimin e digave është një
proces teknik i vështirë, sepse lidhet me shumë faktorë që duhet të merren
parasysh. Mendoj se ka ardhur koha që atyre me akte dhe vendime ligjore t'u
ndryshohet qëllimi fillestar i destinuar, duke i konsideruar vepra jo ujitëse,
por me funksione të tjera.
Po digat e hidrocentraleve të mëdhenj, sa të sigurta janë?
Digat e HEC-ve dhe veçanërisht ato të kaskadës se lumit
Drin janë ndërtuar me teknologjinë e kohës
dhe paraqiten mjaft më të sigurta. Kujdesi për to ka qenë më i madh. Megjithatë
në këto vepra ka probleme të cilat cenojnë sigurinë e tyre, veçanërisht në
veprat anekse, siç janë shkarkuesit e prurjeve të mëdha dhe gërryerjet ne anën
e poshtme të tyre.
Sa kanë ndikuar lëvizjet demografikë që kanë bërë ndërtime në afërsi të
digave?
Problem i madh që duhet pasur parasysh me prioritet
absolut, të cilit po me prioritet absolut duhet t'i jepet zgjidhje është
ngritja e qendrave të reja të banimit në luginat poshtë digave. Kjo lëvizje e
pakontrolluar e popullsisë, për të cilin sipas nesh përgjegjësi mban pushteti
qendror e sidomos ai lokal, ka bërë që këta njerëz, të cilët kanë ardhur dhe janë
vendosur në këto vende për një jetë më të mirë t'i ekspozohen një rreziku të
madh, duke u vendosur me banim ne hapësirat nën digat ekzistuese.
Janë bërë studime në këtë drejtim?
Në kohën kur këto diga janë projektuar, nuk është marrë
parasysh prania e qendrave të banuara sepse ato nuk ekzistonin dhe nuk
parashikoheshin të ndërtoheshin. Këto raste duhet të shihen nga shfrytëzuesit e
digave dhe pushteti lokal një për një, dhe të jepet zgjidhja e duhur për
parandalimin e katastrofave të mundshme, mbi të gjitha të atyre njerëzore. Për
shkaqet e përmendura më lartë lidhur me rreziqet që paraqet qëndrueshmëria e
këtyre digave duhet që me akte ligjore të posaçme të rishihet klasa e veprës
dhe e si dhe të parashikohen punimet shtesë që duhen kryer për rritjen e
sigurisë së tyre.
Cili është roli i pushtetit lokal në këto raste?
Pushteti lokal, nëpërmjet strukturave të tij jo vetëm që
duhet të ushtrojë kontrolle periodike për të parë në vend zbatimin e
ligjshmërisë për mënyrën e shfrytëzimit të këtyre veprave dhe mirëmbajtjen e tyre, por mbi të gjitha për gjendjen fizike
të tyre dhe sa të sigurta janë, sepse ato mbartin rrezik potencial të
përhershëm për katastrofa njerëzore dhe ekonomike. Këto duhet të jenë gjithnjë
nën kontroll dhe në vëzhgim të përhershëm ashtu siç veprohet në çdo vend të
botës që ka vepra të tilla, aq më shumë tani që akte terroriste mbajnë nën
kërcënim mjaft vende të globit. Në këtë proces nuk mund të jenë indiferent dhe
publiku u gjerë, deri tek qytetari i thjeshtë. Ata kanë gjithashtu mënyrat dhe
rrugët për të kontribuar në ruajtjen e kësaj pasurie dhe për mënjanimin e
katastrofave të ndryshme.
A njihen shumë raste të katastrofave të kësaj natyre në botë?
Prishjet e digave dhe pasojat katastrofike të ndodhura në
vende të ndryshme të botës nuk janë të pakta. Analiza e shkaqeve dhe nxjerrja e
mësimeve për t’i mënjanuar ato duhet të jenë objekt i punës së specialistëve të
kësaj fushe dhe veçanërisht i atyre që merren me administrimin dhe shfrytëzimin
e tyre.
Mendoni se duke përmendur fakte të tilla ngjallet më shumë panik?
Përmendja e katastrofave nuk synon ngjalljen e panikut,
por shikimin e realitetit në sy, me qëllim që të ndërgjegjësohemi të gjithë për
vlerat e mëdha që kemi në përdorim dhe për pasojat e rënda që mund të
shkaktojmë. Të gjithë, brenda kuadrit ligjor, jemi detyruar të punojmë dhe të
kontribuojmë në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin optimal të kësaj
pasurie.
KATASTROFAT
Si janë përmbytur Italia e Franca
Duket e pabesueshme por është e vërtetë. Shpërthim të
digave ujëmbledhëse ka pasur dhe në vendet e zhvilluara Evropiane madje dhe në
Amerikë. Duke iu referuar rasteve të tilla akademik Farudin Hoxha thotë: “Nuk
duhet harruar se katastrofa me pasoja shumë të rënda ekonomike, dhe veçanërisht
njerëzore, nuk kanë kursyer as vendet më të zhvilluara si SHBA, France, Itali,
Spanjë etj., ku kultura e studimit, projektim-it, ndërtimit dhe veçanërisht e
shfrytëzimit dhe e mirëmbajtjes së digave, është në një nivel shumë më të
lartë, të pakrahasueshëm me atë në vendin tonë. Në kushtet e realitetit
shqiptar, nga ana e institucioneve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në
projektimin, ndërtimin, ndërtimin administrimin dhe shfrytëzimin e kontrollin e
digave/dambav, duhet të kenë një përgjegjshmëri të lartë në punë. Byrotë e
projektimit dhe ndërmarrjet e ndërtimit duhet të përdorin teknika dhe
teknologji bashkëkohore. Administruesit dhe shfrytëzuesit e këtyre veprave
duhet të rrisin nivelin cilësor të specialistëve dhe të ngrenë kulturën e
shfrytëzimit e të mirëmbajtjes së tyre si dhe të jenë korrekt në zbatimin e
rregullave e udhëzimeve përkatëse që ka legjislacioni në vendin tonë. Organet e
kontrollit duhet të ushtrojnë kontroll cilësor, të bëjnë punën sensibilizuese,
por mbi të gjitha të kërkojnë zbatimin me rigorozitet të ligjit Për administrimin dhe shfrytëzimin e këtyre
veprave, njerëzit duhet të zgjidhen. Ata duhet të jenë specialistë të profilit,
nga më të mirët që ka vendi. Këto vepra nuk janë për t’i gjetur punë njeriut,
por për t’i gjetur njeriun punës”.
EPILOGU
Të ndryshohet legjislacioni në fushën e administrimit të digave
“Në këtë intervistë u përpoqëm të vëmë në dukje disa nga
çështjet më të mprehta që janë sot në fushën e ujërave të ëmbla dhe trajtimin e
tyre me rezervuarët që krijohen nga ndërtimi i digave, vlera e tyre dhe rreziqet
që paraqesin. Është shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur që në një
intervistë si kjo të trajtohen dhe të shterohen të gjitha problemet që
shqetësojnë. Në përmbyllje të kësaj interviste do të dëshiroja të theksoja se
mbështetur në përvojën e grumbulluar në këto 15-20 vitet e fundit ndoshta është
e nevojshme të analizohet puna e kryer si dhe legjislacioni e ndërtimi
institucional në këtë fushë me synimin që të eliminohen ato të meta të cilat
nuk janë të pakta dhe që sot pengojnë për të bërë vepra plotësisht të sigurta
dhe shumë më të dobishme. Kjo është një nga temat më të rrahura e më të diskutuara në forume e
kongrese ndërkombëtare e Botërore. Është e domosdoshme që legjislacioni në
fushën e administrimit të shfrytëzimit dhe të mirëmbajtjes së digave, jo vetëm
të përputhet me atë të rezervave ujore, por kërkesat ndaj shfrytëzuesve
administratorëve dhe përdoruesve të tyre si dhe përgjegjësit e detyrimit që ata
duhet të kenë duhet të të bëhen shumë më të mëdha dhe mjaft më të rrepta”,
thotë akademik Farudin Hoxha gjatë intervistës për gazetën “Telegraf”.
INTERVISTA III
Farudin Hoxha rrëfen për ndërtimin e veprave të mëdha hidro-energjitike. “Ato i ndërtuan njerëzit heroik jo Partia e Punës”
Farudin Hoxha rrëfen për ndërtimin e veprave të mëdha hidro-energjitike. “Ato i ndërtuan njerëzit heroik jo Partia e Punës”
Ju rrëfej sekretet e ndërtimit të Fierzës dhe Komanit
Leonard VEIZI
Një pjesë e mirë e jetës së tij ai e ka kaluar në
kantieret e ndërtimit të digave të mëdha. Ndaj dhe sot, e ndjen krejt organike
të shqetësohet për administrimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Akademik Farudin
Hoxha, në këtë intervistë për gazetën “Telegraf” rrëfen për sekretet e
ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës, vepra më e madhe hidroenergjetike në
vend, që dikur mbante emrin “Drita e Partisë”.
Pse propaganda ndaj veprave të mëdha si Fierza dhe Komani, ishin të
ndaluara gjatë regjimit komunist?
Për shumë arsye. Por historia duhet shkruar ashtu siç ka
ndodhur. Duhet shkruar me të gjitha detajet, hollësitë. Puna për ndërtimin e
veprave të tilla ka qenë në kushte të vështira, shumë të vështira. Ato vepra
nuk i ka ndërtuar as partia as ideologjia, por populli i mrekullueshëm
shqiptar, teknikët dhe inxhinierët tanë të talentuar. Populli ynë nga Vermoshi
në Konispol ka dhënë djersën dhe gjakun e tij në këto vepra… Po, po gjakun. Por
për efekte sigurie (gjoja), për të mos nxjerrë sekretin në rast sulmi, që të
mos dihej asgjë për çka ndërtohej në Shqipëri nuk shkruhej asgjë për këto
vepra.
Çfarë doni të thoni me “punë në kushte të vështira”?
Dua të them shumë gjëra. Punohej ditën dhe natën. Punohej
në dimër, në verë, në, vjeshtë apo pranverë. Aty ishte një qytet i ri me jetë
24 -orëshe. Pra punohej në dimër në temperature minus 20 gradë, por punohej në
verë edhe kur të binte dielli si saç mbi kokë. Mbi ne, gjithë kohën ishte vetëm
një copë qiell. Asgjë tjetër. Male, shkurre, dhe një copë qiell. Këto ishin ato
që na rrethonin.
Sa vjet punë është bërë për të realizuar një vepër të tillë si Fierza?
Rreth 7 vjet punë. Por flitet për punë titanike. Flitet
për punë që sot askush se imagjinon. Flitet për punë dhe vetëm punë që sot kur
e mendoj s’mund ta besoj. Shtatë vjet sa 70 vjet punë.
Po sot a mund të ndërtohet një vepër me përmasa të tilla?
Jo. Nuk bëhet. Në asnjë mënyrë. Askush nuk mund të punojë
në ato kushte. Asnjë s’mund të bëjë sakrifica të tilla. Sot do punohet në
kushte shumë më të mira, në kushte luksi e me ushqim të bollshëm. Kapanone, apo
mjete shumë moderne, por sërishmi në ato vende dhe me ato kushte kurrë sot
s’mund të ndërtohet një vepër e tillë. Kjo e padiskutueshme. Ata njerëz ishin
heronj. Nuk e di se çfarë i shtynte të punonin ashtu, frika, ndërgjegjja,
dëshira për të jetuar, mos njohja e realitetit jashtë? Nuk e di, nuk e di. Ajo
që di të them se sot vepër si Fierza s’mund të bëhet dot kurrë sot në Shqipëri.
Sot, jo vetëm që nuk shkon njeri të punojë, por s’mund të ndërtohet një qytezë
e tillë me disiplinë si ajo. Ishte një trysni ideologjike që të bënte t’i
përkushtoheshe punës. Në atë kohë Fierza ishte 10 mijë banorë. Një qytet i
ngritur enkas për ndërtimin e hidrocentralit. Ka qenë një organizim i madh dhe
u bë një punë e përkryer.
Po teknologjia me të cilën u vu në punë hidrocentralit, a
ishte një teknologjinë e kohës?
Po! Fierza është ndërtuar në atë kohë me teknologjinë e
kohës. Teknologjinë më moderne të asaj kohe. Kjo është e sigurt. Edhe sot
përdoret kjo teknologji, por me disa ndryshime të vogla dhe me mjete të tjera
më moderne.
Nga janë marrë materialet në atë kohë?
Makinat 60 tonësh u blenë në Angli. Fierza ka histori të
mëdha. Shumë të mëdha. Në fillim ndërtimi nisi me makina 4 tonësh kineze. Ishin
makina Zis (ripotabla) që sa binte mbi karroceri dheu, apo gurët ato
shqyheshin. Turbinat janë franceze. Transformatorët janë Jugosllavë. Pra u
morën turbinat e prodhimit të fundit francez nga më të kërkuarat në treg në
botë.
A është dënuar ndonjë inxhinier i Fierzës, për “sabotim”
apo “punë armiqësore”?
Jo, nuk është dënuar asnjë.
Si ishte ndërtuar kjo qytezë?
Fierza ka qenë zonë kufitare dhe ka qenë ngjitur me
Tropojën. Ka pasur male rreth e qark, kodra dhe një pëllëmbë qiell. Fierza në
atë kohë kishte spital, shkollë të mesme, dhe shumë dyqane, klube. Jeta ishte
gjithë gjallëri. Njerëzit kanë qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Ishte një
qytet i izoluar por plot jetë dhe dashuri. Në Fierzë u ngritën pallatet pesë
katëshe për strehimin e punëtorëve.
Ky ishte dallimi kryesor?
Po, dallimi thelbësor. Njerëzit e donin shumë njeri-
tjetrin. Ishin si vëllezër. Ishin si një familje. Edhe copën e bukës e ndanin
në mes. Ishin njerëz të dashur, punëtor, të respektueshëm, të dëgjueshëm. Sot
pak njerëz të tillë gjen. i gjendeshin njeri-tjetrit në situate të vështira. Ka
pasur një gjallëri të madhe Fierza në ndërtimin e saj. Dita ishte ditë, por
nata ishte më shumë se dita. Kishe kënaqësi të rrije.
Në Fierzë punohej me plane apo..?
Po! Pa diskutim me plane dhe plane shumë rigoroze.
Atëherë ishte e vështirë të realizohej plani. Vetëm diga e Fierzës ka 8 milion
metër kub zhavorr, hekur, beton etj. Njerëzit që e kanë përjetuar Fierzën është
zor ta përjetojnë më. Po të ngresh kokën të shikosh digën e Fierzës të bie
kapelja nga koka.
Ka qëlluar që të ta shikojë ndonjë i huaj këtë digë gjigande?
Fierza është vizituar nga shumë turistë italianë e
francezë, por vetëm me kërkesën e tyre.
Po Enver Hoxha e ka vizituar ndonjëherë Fierzën?
Jo nuk e ka vizituar asnjëherë. Por ka qenë Mehmet Shehu.
Nexhmija vizitoi Komanin.
Si punohej nga inxhinierët dhe teknikët në Fierzë?
Në kohën që shkova unë në Fierzë doli që kuadrot të
shkonin në bazë, ku projektuesit etj do të shkonin edhe në hidrocentral.
Atëherë ka qenë një libër shumë i trashë për udhëzimet e projektit të Fierzës.
Pra libër udhëzues i posaçëm. Aty ishte gjithçka e detajuar për mënyrën e
ndërtimit dhe masat e sigurimit teknik. Nuk mund të hidhej beton pa firmën e
projektuesve. Nuk mund të vihej asnjë skarë hekuri pa firmën e projektuesit.
Pra çdo punë që bëhej me firmën e projektuesit. Kaq përgjegjësi të madhe kishte
kjo punë. Fierza prandaj qëndron sot në këmbë. Po të ishte bërë ndryshe me
ndërmarrjet e sotme nuk do të kishte qëndruar. Atëherë ka pasur një disiplinë
të hekurt që shumë zor se mund të vihet sot. Lidhja e hekurit dhe derdhja e
betonit bëhej në kushtet e sigurisë dhe përgjegjësisë maksimale. Nuk lejohej as
lëvizja më e vogël. Ndërsa sot…
Po sot një shtet në Ballkan a mund ta bëjë një vepër të tillë?
Sigurisht që mund ta bëjnë. Por jo si atëherë. Në atë
kohë me një vinç mbaheshin dy ndërmarrje. Dhe e bënim me kontratë 15 ditë njëri
dhe 15 ditë tjetri. Pra mund të ndërtohet por vetëm me mjetet e sotme.
A kanë humbur jetën në këtë vepër kaq gjigande?
Sigurisht. E them me keqardhje të madhe. Mua shumë herë
më kanë thirrur në KQ dhe shumë herë në Organizatën Bazë të Partisë për
punimet. Nuk ka hidrocentral në Shqipëri të mos ketë marrë me vete 50 të
vdekur. Sot shumë prej tyre nuk u dihet as varri.
Puna e Fierzës u bë shkak që ju emëruan ministër?
Jam bërë ministër rreth viteve ‘80. Dhe nuk e di edhe sot
arsyen që unë u vura ministër.
Çfarë pozicioni ka pasur Petrit Radovicka në Fierzë?
Petriti ka qenë pedagog në universitet dhe ishte
kryeinxhinier i kaskadës së Drinit. Petriti ka pasur një shoqëri dhe simpati të
madhe me Mehmetin. Ishin dy shokë. Petriti ka qenë partizan me të. Mehmeti
besonte vetëm fjalën e Petritit, pasi Petriti ishte i aftë, punëtor, besnik,
inteligjent. Të tjerët as që i vinte në kandar as ministrat dhe asnjë tjetër.
Si ishin marrdhëniet e punonjësve në Fierzë me pijet alkoolike?
Kishte dy vjet e gjysmë që kishte filluar Fierza dhe puna
ishte shumë e vështirë. Pikërisht në këtë kohë u ndalua një herë me vendim të
qeverisë rakia dhe konjaku. Ne punonim në temperaturën -20 gradë Brenda në
tunele, në inerte, në fabrikat e betonit. Ishte një punë rraskapitëse. Alkooli
ishte i domosdoshëm. Por më vonë u lejua, apo u bë sikur u harrua vendimi. Nuk
mund të punohej në atë temperaturë pa pak alkool. Ishte e domosdoshme pija.
Atëherë s’kishte shumë lloj pijesh. Të frekuentuara ishin fërneti, konjaku,
rakia.
Cilat ishin profesionet më të vështira?
Shofer. Fierza është një histori më vete. Nuk kishim
shoferë për makinat 60 tonësh. Kur vinin ato bëhej zhurma sikur me ardhë
kuçedra, ishin 40 makina rresht. Ishin eskavatorët që me kovë mbushnin katër
metër kub. Automjetet e fundit ishin Centaura. Fierza ka qenë e pajisur vetëm
me këto, pastaj u pajisën të tjerët. Vetëm shoferë mund të ishin 200. 200-300
ishin për tu zëvendësuar dhe i bie 400-500 shoferë. Saldatorët ishin të
kategorisë së lartë. Punëtorët që hynin aty ishin me kategori. Prandaj rri në
këmbë ajo vepër.
Çarë ushqimi kishte për punëtorët?
Fasule sa të duash, bukë, çaj. Minimumi Fierza ka pasur
2500 punëtorë. Gjithsej në pikun e saj 10.000 punëtorë. Sa qyteti i Sarandës.
Fluksi më i madh i punëtorëve ishte në verë që rritej edhe më shumë sepse ishte
fluksi më i madh i punës. Nëpër mensat e punëtorëve fasulja ishte natë dhe
ditë. Kishte edhe ushqime të tjera si mish apo supë, makarona. Furnizimi i Fierzës
me ushqime bëhej nga ushtria. Ishte e pamundur të përballohej ajo vepër vetëm
me Bajram Currin.
Sot kjo vepër ka kujdesin e duhur nga ana teknike?
Jo vetëm ajo. Sot në përgjithësi është më shumë t’i
gjejmë punë njerëzve. Nuk tregohet kujdesi i duhur. E di si duhet mirëmbajtur
ajo digë?! Eh! Fierza duhet t’i ketë të gjithë inxhinierë ata që e
shfrytëzojnë. Atëherë ishin të gjithë me kategori; shoferët, drejtuesit,
mekanikët saldatorët etj. Tani i ke të gjithë me shkollë të mesme dhe me shtatë
klasë..
Po riparime a i bëhen rregullisht Fierzës dhe Komanit?
I kanë bërë para një viti pas 30 e më shumë vjetësh. Ka
një rregull siç është bota industriale. Siç i bëjnë makinës riparime çdo 3-6
muaj. Kështu ka qenë edhe për HEC-et. Ka qenë shërbimi i mesëm dhe shërbimi i
plotë. Atëherë kishte SHT-I dhe SHT-2. Sot nuk ka më, me përjashtim makinave që
kontrollohen se janë private. Sot ka një liri më shumë seç duhet. Nga ana
teknike ka mungesa të theksuara. Duhen bërë provat tani që vjen dimri të hapen
dhe të mbyllen portat. Të jenë lyer ato. Të shikohen mekanizmat etj.. Kur është
në shtet ka dobësi të mëdha ruajtja, mirëmbajtja. Rregulloret e dikurshme nuk
ekzistojnë. Privati nuk e merr. Ndaj është gjithnjë ai oreksi i privatizimit.
Pse ishte kjo përgjegjshmëri e punëtorëve në atë kohë?
Ishte edhe rregulli, por edhe frika dhe vetë sistemi
diktatorial. Nga ana tjetër në ndërtim do të punoje se s’bën. Se nuk kishe ku të
shkoje më. Se po të kundërshtoje asaj librezës së punës i vihej një vijë e kuqe
dhe kishe marrë fund. Prandaj ka qenë edhe parulla “Të gatshëm atje ku na
kërkon atdheu”. Atëherë nuk ka qenë ky oreksi për tu pasur. Atëherë nuk mund të
dilje mbi të tjerët. Atëherë nuk mund të mendoje se çfarë mund të bëje. Nuk ka
pasur punë private çdo gjë ka qenë e shtetit.
Kush ka qenë çasti më i vështirë?
Çaste të vështira ka kudo. Por kur punon dhe nxjerr
themelin e këtyre veprave. Këto themele duhen përgatitur mirë. Nuk duhet të
kenë papastërtira. Duke ngritur ujin 160 metra të filtrohet uji. Këto vepra sa
të mira janë aq edhe të rrezikshme janë. Sa janë të këndshme aq edhe të
rrezikshme janë.
Kush ka ardhur në inaugurimin e Fierzës?
Adil Çarçani që ishte kryeministër, pasi Mehmeti ishte
vetëvrarë. Kishte dhe ministra e drejtorë të tjerë. Për Enverin s’bëhej fjalë
sepse ishte i sëmurë. Ramizin nuk e kam parë në këto inaugurime. Por kur isha
ministër marrëdhëniet i kam pasur shumë të mira. Ramizi nuk ka qenë i grushtit
të tavolinës. Me të flisnim lirshëm. S’të bënte gjë të keqe. Mehmeti ishte më i
ashpër, por shumë korrekt, i palodhur, kërkues që i respektonte të aftët.
Në kohën kur ishte ministër, a u bë ndonjë vepër tjetër industriale?
Bëmë Komanin. Aty kam qenë projektues dhe shkoja
vazhdimisht dhe e shikoja. Në atë kohë ka qenë objekti më i madh që ndërtohej.
Po me Fierzën nuk krahasohet asnjë vepër.
Të gjithë këta projekte janë bërë vetëm nga inxhinierët tanë?
Ç’ka qenë pjesë ndërtimore dhe mekanike janë bërë vetëm
nga inxhinierët shqiptarë. Kaskada e Drinit nuk mund ta ketë më shoqen në
Shqipëri. Drini është gjigand dhe i rrallë. Në Drin është bërë punë me gjak. Në
Kaskadën e Drinit ka minimumi 150 të vrarë. Por hidrocentrali nuk është një
godinë. Hidrocentrali ka pjesën ndërtimore, tunele, vende me ujë, etj.. Po të
shkosh në Fierzë vetëm një tunel është sa një pallat pesëkatësh i lartë, dhe i
gjatë 800-900 metra. Ato e çojnë ujin me shpejtësi 30 m në sekondë.
Po Komani në çfarë viti mbaroi?
Inaugurimi u bë në vitin 1982, por si punë mbaroi në
vitin 1984. Dhe mbas këtij nuk është ndërtuar më asnjë vepër. Në atë kohë unë
kam qenë ministër. Përgjegjësia ishte më e madhe sepse isha projektues dhe
përgjigjesha për të gjithë veprën.
Po në këto dy vepra a ka pasur arrestime politike?
Jo s’ka pasur. Ka pasur njerëz që janë sëmurë dhe janë
edhe sot e kësaj dite sëmurë. Nuk ka qenë e lehtë të realizoheshin këto vepra.
E para kanë qenë vështirësitë e natyrës që kanë qenë të mëdha. Komani ka qenë
më i lehtë në punime. Ka qenë klima më e ngrohtë.
Makineritë e rënda kush i solli në Shqipëri?
Në Vaun e Dejës kanë qenë një ekip kinezësh që e morën
përsipër, ku ka qenë viti 1963-1964. Vau i Dejës në atë kohë është filluar me
makina “Zis” që erdhën nga Kina dhe ishin me karroceri metalike. Vau i Dejës ka
pasur volume shumë më të vogla se Fierza, pasi është në fund të Drinit. Më pas
erdhën disa specialistë anglezë të cilët i cilësuan spiunë. Kontrata ishte që
këta për një periudhë të caktuar do të provonin makinat në punë se sa janë rezistentë,
sa e kanë rendimentin dhe sa janë të forta. Ata vetëm në mëngjes donin secili
nga një shishe konjak Skëndërbeu, biftek, vezë etj.. Ata habiteshin me ushqimin
e shqiptarëve. Pastaj më vonë i përzunë ata. Dhe çdo gjë mbeti me forcë
shqiptare.
Po vendet fqinje Maqedonia apo Greqia a kanë hidrocentrale të këtyre
përmasave?
Asnjë nga vendet rrotull nesh nuk ka më shumë se ne
hidrocentrale të këtyre përmasave. Mali i Zi ka disa ndërsa shumë vende të
tjera përdorin TEC-et me qymyr. Por ka shumë ndotje. Ato prodhojnë gaz karbonik
që është i ndaluar. Që të kesh TEC-in duhet të kesh edhe qymyr. Mbeturinat e
TEC-eve duhet vend se ku t’i hedhësh. TEC-et nuk janë ekologjik, por janë
ndotës të mëdhenj. TEC-et duan fuqi të madhe punëtore. HEC-i është i pastër.
Hidrocentrali ka vetëm të vështirë fillimin e ndërtimit të saj, po pastaj ajo
ecën, nuk ke mbeturina, nuk do shumë fuqi punëtore etj..
Arkiva e Institutit
Si u vodhën projektet e mëdha
“Unë isha shefi i grupit të projektimit. Kisha një pjesë
të projektuesve që rrinin në Fierzë. Sepse doli rregullorja që nuk mund të
bëhej gjë pa firmën e projektuesit. Ajo rregullore mund të jetë në arshivën e
ndërtimit. Ka qenë edhe në arshivën e institutit tonë, por në vitin 1991
arshiva u vodh, ku u morën projekte dhe gjëra të tjera. Është shumë e vështirë
të gjesh llogaritjet e këtyre veprave. Mund të gjesh vetëm vizatimet, por
gjithë punën që është bërë nuk mund ta gjesh në asnjë vend. Atëherë ka pas një
rregull se një projekt që mbaronte, futej në disa tuba llamarine dhe çoheshin
në arshivën e shtetit. Ato që ishin në punë e sipër, mbaheshin nëpër institute.
Në vitin 1991 që filloi përmbysja dhe çfarë ka qenë brenda në institute është
zhdukur.
Sekreti shtetëror
Përse nuk më besoi drejtori francez, kur i fola për Fierzën
Duket se dhe specialistët e huajt nuk janë njohur me
punimet që bëheshin në atë kohë në Fierzë. Projektuesi i njohur i
hidrocentraleve, akademik Farudin Hoxha, i pyetur rreth kësaj teme sqaron: “Në
atë kohë të huajt nuk ishin njohur me këtë projekt. Quhej sekret shtetëror. Unë
në kohën që do të bëhej Vau i Dejës kam qenë në Francë. Shkova në Francë në dy
studiot më të mëdha të botës për studimet hidro-energjetike. Shkova në një nga
këto për eksperiencë. Në një çast Drejtori i Energjetikës së Studios më
rezervon një takim. Atë ishte shumë e vështirë ta takoje. Çdo takim ishte i
kronometruar. Pasi më takon më thotë: “Ti vjen nga Shqipëria?” Po, i them unë.
“A keni bërë ju më thotë vepra të mëdha në Shqipëri?” – më pyeti. Kemi bërë, i
përgjigjem unë. “Çfarë madhësie kanë?” Unë e orientoja duke ia shpjeguar.
Komunikoja në frëngjisht. i thashë për lartësinë e digës së Fierzës. Ai thartoi
buzët. “Ti me siguri nuk e di mirë gjuhën frënge që më thua këto shifra. Dua që
të mi shkruash të gjitha këto që më thua” – nuk më besoi ai. Ja shkrova.
Buzëqeshi hidhur. Tundi kokën me mosbesim të theksuar. U detyrua të njoftojë
sekretaren. i tha që të më kërkojë t’i shkruaja edhe njëherë të dhënat e
Fierzës. i shkrova. Duket nga padurimi apo mosbesimi m’u drejtua: “Ti ose se di
mirë gjuhën, ose të kanë kërkuar apo detyruar që tek unë të bësh propagandën e
shtetit”. Unë i shpjegova se e kisha të vështirë që të t’i thosha ndryshe. “Por
ju ftoj që të vini t’i shikoni në Shqipëri. Fierza është një nga veprat më të
mira që ka bota”, i sugjerova në fund.
DETAJE NGA INTERVISTA
Pse ndodhi përmbytjet sot
“Nuk i përmbytën hidrocentralet. Njerëzit i interpretojnë
gabim ngjarjet. Duhet të jemi realist. HEC-et nuk mund ta mbajnë të gjithë këtë
ujë që bie. Në Drin në atë periudhë erdhën 4200 metra kub. Kur vjen periudha me
shumë shira kaskadat nuk kanë ku e çojnë ujin e tepërt dhe e shkarkojnë dhe
bëhen përmbyten. Përmbytja më e madhe është bërë në vitin 1962, ku erdhën 5500
metër kub. Uji i Drinit nuk vjen vetëm nga Shqipëria vjen nga 48 mijë km katror
tokë që rrjedh ujë në territorin shqiptar. Këtu formohen edhe prurjet e mëdha.
Kur shkrin bora është e paevitueshme që do të kesh prurje të mëdha. Kaskada
lehtëson përmbytjet. Merr dhe mban dhe disa mijëra metra kub ujë”.
Çastet e vështira si ministër
“Dy herë në muaj do të raportonim në mbledhjen e
qeverisë. Çdo 2-3 muaj ishte mbledhja e Byrosë Politike. Gjëja më e mirë ishte
se s’kishe nevojë të mbaje dietë që të dobësohej. Në një nga këto mbledhje të
qeverisë apo një paraqitje në Byronë Politike bije në peshë katër kg. E
vërtetë, i kishe të sigurta që bije nga pesha. Ministrat e sotëm janë mbretër
në postet e tyre. Ata kanë në dorë ministrinë që e mbulojnë. Shtojnë organikë.
Zvogëlojnë. Emërojnë. Kanë makina luks. Kanë vetëm lehtësira dhe privilegje.
Atëherë ministër ishte vetëm përgjegjësi. Këto njerëz kanë punuar në mënyrë
heroike me të vërtetë. Atëherë punonte një dhe mbante dy veta”.
Rrugët në krahasim me digat
“Po të marrësh rrugën Durrës-Kukës, është e shkëlqyer, e
ndërtuar shumë mirë, por është një vepër e shtrirë në 200 km. Në ndërtimin e
Fierzës ishte e gjithë puna e grumbulluar, tunelet, vinçat, sallat, makineritë
etj. Në Fierzë nuk shikohet asgjë tjetër, as tunelet, as zhvendosjet, as
makineritë. Shihet vetëm diga, ndërtesa e centralit dhe çdo gjë është në tokë.
Dihet që një metër nën tokë temperatura nuk lëviz, por puna aty ishte qindra
metra nën tokë. Fierza në kohën që është ndërtuar ka qenë në krye të veprave të
Europës. Revista “IGOL” tregon ndërtimin e digave më të larta. Është. Atje
tregohej se Fierza është në krye. Kur ndërtohej Fierza tregohej sa kanë qenë
apo jo 7-8 në të gjithë botën”.
Si cilësohen Fierza apo Komani sot
“Po të prishet Komani, Fierza dhe Vau i Dejës, përmbyset
më shumë se gjysma e Shqipërisë. Këto vepra janë lënë shumë mbas dore. Kaskada
e Drinit jep çdo vit gjysmë milioni dollarë fitim për shtetin. Në rastet kur ka
reshje ajo prodhon maksimumin. Minimumi i saj është 40 vjet që punon, e sa do
të punojnë akoma. Interesi është që të mbahen ato. Që të mirëmbahen ato duhet
të vihen njerëzit e posaçëm që t’i përmbajnë. Këto vepra duan përkushtim e
ndërgjegje. Njerëzit nuk duhen parë nga bindjet politike, por nga aftësitë e të
vihen në shërbim të veprave të mëdha. Prodhimi i energjisë së vendit mbahet nga
këto dhe kur ka thatësirë importohet”.
x
No comments:
Post a Comment