Puna në kinema
dhe teatrin “Skampa”. Si e zëvendësoi Robert Ndrenikën, pasi u refuzua nga
Sigurimi i Shtetit, në rolin e hetuesit tek “Fijet që priten”. “Shpëtimi” i dha
medaljen e më të mirit.
Leonard Veizi
Mbahet
mend për rolet protagoniste e të spikatura fort, apo siç përcaktohej asokohë “hero
pozitiv”. Një herë u fut në lëkurën e Shpëtimit, e më pas luajti si Kujtimi,
Miloja, Gjergji... Ndërsa në sheshin e xhirimit do të përballej me Sandër Prosin,
Demir Hyskjen, Ndrek Lucën...
...Me
mbi 80 role si aktor në teatër e kinema, ai është dhe regjisor i 25 premierave
në teatër dhe estrade, autor komedie, drame i dhjetëra skeçeve. Astrit Çerma
thotë se gjithsesi: “ia ka bërë ‘hallall’ teatrit ‘Skampa’ gjithçka: rolet, regjtë,
shkrimet, sukseset, por edhe dështimet e marrëzitë”. Ndërsa për 8 vitet kur
ishte drejtori i tij, thotë se e mbajti gjalle atë teatër. “Unë e di ç’kam
hequr për 8 vite. Edhe skenograf, dramaturg, balet maestër, punëtor skene, sherrxhi,
llafazan, jam zënë grushte, edhe shtëpinë e braktisa, për atë teatër...
Megjithatë, teatrin ‘Skampa’ e kam dashur dhe e dua”. Kjo është gjithçka mund
të thotë një njeri që ia ka kushtuar jetën teatrit. Për më tej, në një
interviste me plot të papritura, Astrit Çerma rrëfen për “Shekullin”:
Astrit Çerma |
A ishte e
vështirë të bëje art në një vend me kufizime si Shqipëria?
Natyrisht,
që të vlerësosh apo zhvlerësosh artin dhe kulturën e 45 viteve monizëm nuk mund
të mos marrësh parasysh kufizimet e atij pushteti. Por, mbi çfarë konkretisht kanë
rënduar kufizimet? Tani dalin estetë, kritikë, analist, studiues që në shumë
fusha të artit e kulturës i tjerrin dhe ç’tjerrin vitet e pas çlirimit e deri në
demokraci jo vetëm për kufizime por edhe për shkatërrime, sakatime, izolime, ndalime.
Madje sot është bërë “mode” që në biografitë e krijimeve dhe krijuesve të
stampohet vend e pa vend brenda “persekutimit” titulli “i persekutuar” edhe për
të nderuar e respektuar të asaj kohe, qoftë me poste e detyra, qoftë me tituj e
ndere. Çuditërisht askush nuk bën analizë se çfarë arti e kulture profesioniste
trashëgoi vendi ynë nga thellësia e viteve e deri me 1945? E vërteta është: Përjashto
disa individë të shquar, kryesisht në pikturë e muzikë gjithë tjetra ishte një
amatorizëm arkaik. Të gjitha institucionet dhe formacionet profesioniste u
ngritën në vitet 45-85; dhe të gjithë u ngritën mbi bazat institucioneve e
formacioneve të vendeve të lindjes, kryesisht të Bashkimit Sovjetik. Edhe
drejtuesit në drejtim të krijimit e ekzekutimit u arsimuan dhe u përgatitën po
nga Lindja. Ndoshta ky ishte kufizimi i parë. Por edhe kufizim s’mund ta quash
sepse arti i atyre vendeve edhe sot e kësaj dite gëlon dhe vlerësohet. Atëherë?
Me thoshte Kadri Roshi: “Astrit. E kam mësuar motin në oqean unë, e jo si ju në
pellgje e përrenj.” E kishte fjalën tek “oqeani” për kryeveprat botërore që
Teatri Popullor (edhe teatro të tjerë) vunë në skenë gjatë atyre viteve dhe në
“pellgjet e përrenjtë” për ato palo drama që u vunë në skenë sidomos pas viteve
‘74. Këtu po. Le te flasim për kufizimet, madje, për... shabllonizimet. Politika
dhe pushteti ndërhynte dhe impononte me forcë tek teksti por, ishte inkurajues
dhe kërkues për interpretimin. E dinte shume mirë se “pamfletet politike”
thitheshin nga publiku nëpërmjet interpretimit të lart. Unë vetë e kam marr
titullin “Artist i merituar” në 1992, por e them me bindje të plotë se titujt
para ‘90, vërtetë nuk janë dhënë aty ku politikisht, pse jo dhe moralisht, nuk
i kanë shërbyer pushtetit por, kurrë, e theksoi kurrë, nuk janë dhënë vetëm për
vlera politike dhe morale. Më thoni cili nga ata që e ka marr nuk e ka merituar
titullin dhe nderin? Kështu shpjegohet që brenda kufizimeve të kohës u krijuan
vepra me vlera artistike, që sot e kësaj dite janë të pëlqyeshme jo vetëm nga
“nostalgjiket” por edhe nga shumë të rinj. Shpërthyen talente që mbeten e do
mbeten të papërsëritshëm për krijimet e tyre në tërësi e veçanti.
Sa ndërhynte
politika në një film, në skenar, regji e montazh, pasi filmi shikohej nga
Këshilli Artistik?
Deri
në bllokim të filmit. Në teatër deri në ndalim të shfaqjes. Me detaje për
ndërhyrjet në filma s’mund të flas sepse si çdo aktor tjetër në Kinostudio isha
“i jashtëm”. Vinim nga teatrot, xhironim, dublonim e ktheheshim prapë në teatër.
Por as nuk diskutohej që gjatë montimit të filmave “vlonte gërshëra”. Di që
filmi “Thirrja” është shkurtuar thuajse në një të treten e tij. Një nga
skenarët letrar ndër më të bukurit që kam lexuar ka qenë “Ata ishin 4”, mirëpo “u
bënë vërejtjet”, “u futen duart” dhe përfundimi, ai që është... Ç’do gjë
kalonte në sitat ideologjike. Këto sita fillonin nga vetë krijuesi dhe
ekzekutuesi, tek këshilli artistik, kolektivi, drejtoria dhe përfundonin deri në
KQ të Partisë. Ndërsa në teatër, pothuajse të gjitha shfaqjet, rrallë janë
thënë për publikun pas premierës, ku asistonte këshilli artistik, aparatçikët e
partisë së rrethit dhe “kontrolli i klasës punëtore”. Dy-tri ditë, ka pasur
raste edhe me jave, janë rregulluar “gabimet”. Madje për një periudhë mbas shfaqjeve,
aktorët, ashtu siç ishin, me grim e të veshur sipas karaktereve, dilnin në skenë
dhe prisnin “vërejtjet” e publikut. Filloi të mos qëndrojë publiku dhe u hoq
dorë... Pushteti i kohës, natyrisht për qëllimet e tij, investonte jo pak për
artin dhe kulturën. Ai pushtetet e kishte zbërthyer dhe mëshiruar saktë idenë e
tregimit të famshëm të M.Tuenit, për dështimin e pushtimit të vendit me 5000
avionë, 5000 tanke e 5000 ushtarë. Në fund mjaftuan 5 këngëtarë...
Ishte e vështirë
të luaje hetuesin tek “Fije që priten”? Keni pasur një model për t’u
mbështetur?
Ku
kisha kohe unë për “model”. Në këtë film nuk kisha kohë të mësoja tekstin e jo
me të krijoja mbi të. Filmi “Fijet...” kishte mbaruar me kohë, ishte shfaqur
për kolektivin krijues të Kinostudios e për disa institucion përkatëse nga ku
kishte marrë vlerësimet më të mira. Madje për vlerat e tij ishte vendosur të jepej
si “film-premier” me rastin e mbylljes se Festivalit të Parë të Filmit
shqiptar, që do te zhvillohej nga data 2-11 prill. Ishte fundi i muajit mars. Në
teatrin e Elbasanit u vu dhe po jepej me sukses drama e shkruar nga unë “Hakmarrja
e madhe”. Një natë, pas shfaqjes, shoh drejtorin e filmit Josif Kromitha që
kishte ardhur urgjent nga Tirana për të më marrë. Ç'ne?! Siç më thanë, filmin
“Fijet...” me që ishte me temë nga “sigurimi” e kishte parë edhe “Drejtoria e Dytë”,
dhe... urdhër: “Robert Ndrenika në rolin e hetuesit te zëvendësohet sepse ka vëllanë
të arratisur.” Këto lloj urdhrash në atë kohë as mos të shkonte ndërmend t’i
diskutoje. Atëherë stafi i filmit më kërkoi mua për zëvendësimin!!! Dhe duhej
zëvendësuar për një javë për festivalin. Dhe më e bukura: Drejtoria e teatrit për
aq kohë sa ishte reklamuar shfaqja premier nguli këmbë që për pesë ditë të shkoja
e të vija nga Tirana sepse nuk kisha dublant. Për arsye kohe dhe për të më
“orientuar” për rolin më dhanë filmin që ta shoh!!! Ç’të shihja! Ku
“zëvendësohej” Berti? Rrolin, siç i thonë, e kishte “qarë”. Ju pyesni për
modelin e “figurës”. Edhe kostumi që kam veshur i Bertit është. Tre triko vishja
që ta mbushja. “Ti ke prerë dhe ke qepur një kostum të bukur - i thashë
Muharremit (Fejzo), regjisorit të filmit, - por ai fatkeqësisht diku t'u gris. Do
s’do do të vësh një arnë dhe arna jam unë. Të përpiqemi që këtë arnë mos e
dallojnë të tjerët, se ti gjithmonë do ta dish që kostumin e ke me arnë, dhe unë
gjithmonë do di se në këtë kostum jam arnë.”. Mbas tre muajsh rastësisht u
takova me Bertin tek lulishtja para hotel “Dajtit”. U ulem në stol dhe pimë
disa cigare radhazi. Ç”të bënim tjetër???...
Keni pasur rast kur
keni dashur një rol dhe s’ua kanë dhënë, apo keni marrë një rol dhe ua kanë
hequr?
Tani,
disa të vërteta tingëllojnë, si sajime, por... Unë vetëm në 3 filma kam shkuar
me dëshirë “Brazdat”, “Në fillim të verës”, “Ilegalet”. Kam dashur edhe tek
filmi “Tokë e përgjakur” ku do te interpretoja dy role; babanë dhe djalin, por
për arsye se xhirimet e filmit ishin njëkohësisht me “Ilegalet” zgjodha këtë të
dytin. Në të gjithë filmat e tjerë kam shkuar me urdhër. Po, po... urdhër. Tani
ti hyj historive si e qysh s'ka vlerë. “Në Kinostudio nuk kam hyrë duke i
lëpirë këmbët njeriu dhe nuk kam ndërmend të qëndroj duke lëpirë këmbët” - ia
“përplasa” një herë një regjisori që kishte mbaruar jashtë shtetit një kurs dy
vjeçar për... operator. Më shumë në këtë drejtim mund t'ju flas i nderuari
Faruk Basha. Me të dhe Demir Hyskien shpesh “qaja hallet”. Minella Borova
thoshte: “Ore shoku regjisor, ty nuk të lejohet të mendosh si do të dalë filmi.
Ti ke për detyrë të bësh filmin. Pastaj, filmit, po t'i dojë bytha, del mirë, po
të mos i dojë del keq. Është punë e filmit, s’është puna jote.” Natyrisht ishte
shaka e tij, por që kishte diçka të vërtet. Dikush shkroi për mua se pas viteve
‘80 “u zhduka”! Natyrisht nuk kam shkuar nëpër filma megjithëse gjithmonë më
kërkonin. E para që nuk shkoja ishte se më pëlqente më shumë teatri. Ne teatër
unë ç’do natë krijoja, kurse në film më dukej dhe se ç’do gjë ishte e
stamposur. Sandër Prosi thoshte gjithmonë: “Mjeshtëria e aktorit blihet në teatër
dhe shitet në kinematografi”. Siç duket mua nuk më pëlqente “tregtia”. Por
ishin edhe kushtet familjare dhe ekonomike. -E, mo. Edhe këtë nuk ka kandar ta
mbaj byrazer - më thoshte Jani Riza - 110 lekë dietë për një kalë në ditë dhe
13 lekë për një aktor... (Kaq thoshin e kishte dietën ditore kali i bardhë i P.
Dumes). Vetëm 2% të rrogës merrnim dietë, asgjë tjetër.
Është legjendë
roli i Shpëtimit tek “Në fillim të verës”. Si e kujtoni këtë rol?
Propozimi
për mua në rolin e Shpëtimit u bë nga Esat Mysliu që ishte as/regjisor. U bënë
10 kinoprova para meje, fitova unë i 11-ti. Megjithëse (e çuditshme) regjisori
i filmit G.Erebara dhe gjatë xhirimit edhe mbasi mbaroi filmi, ishte pishman që
më zgjodhi mua. Madje edhe në fundin e filmit ku sakrifikohem donte të më ndërronte
me Sandrin. Pothuajse do të bëhej ky ndërrim po të mos ndërhynte fillimisht
Demiri dhe operatori Faruk Basha e me pas, me ta marr vesh, skenaristi i filmit
Peçi Dado. Unë fillimisht, përveç Demirit që e kisha shokun e teatrit, kur u
ndodha befas midis tërë atyre aktoreve të shquar e pata vështirë t'u afrohesha
sepse me dukej sikur nuk “do më qasnin”, por më vonë kur më rrethuan ata njerëz
të mëdhenj, e pata vështirë t’u largohesha sepse nuk “më shtynin”. Nuk ka pasur
për mua as një “çak” xhirimi pa vërejtjet, sugjerimet e përgëzimet e tyre. Nuk
e harroj xhirimin e episodit të fundit. Sipas skenarit teknik kamera fillonte, thuajse
gjithmonë me portretin e Ndrekës. Ai sapo u filmua plani i parë kërceu përpjetë
siç dinte ai të “kërcente”- “Ç’a Zotin, o Gëzim!... Plani duhet me fillu e
duhet mbaru me djalin more, ky është heroi jo unë... Unë jam “hija e tij”... Mbasi
filmi mbaroi, dhe u pa “bruto” doli i domosdoshëm edhe ai portreti kur mbas
arrestimit, xha Jaho dhe shokët largohen dhe unë mbetem. E xhiruam diku në Kinostudio.
A e dini? E kishte marr vesh Sandri edhe erdhi enkas për të më ndihmuar. Më
qëndronte përball dhe përpiqej me të gjitha ndjenjat të ndillte sa me pranë
asaj gjendje që duhej për çastin. Ehhh, ata ishin jo vetëm artist të mëdhenj
por edhe njerëz të mëdhenj... Artiste bujar... Nuk e di por, në atë film sikur
u mblodhën me dorë të gjitha gjërat e bukura. Ne festivalin e parë të filmit
fitoi kupën, ndërsa ne aktorët medaljonet e festivalit që përkonin me çmimet e
para. Çuditërish, vetëm një, dhe ndofta edhe një nga vlerat e pa diskutueshme të
filmit-muzika e Kujtim Laros, as çmim nuk mori dhe as u përmend! Nga film me ka
mbetur edhe emri i dytë: Shpëtim. Shumë kështu më quajnë edhe unë edhe sot e kësaj
dite nuk ua prish. Natyrisht që koha me “hesapet” e veta ndryshon shume vlera; shpesh
i ç’vlerëson, por shpesh edhe i flak tutje sepse për të bëhen të rrezikshme, por..
çuditërisht edhe sot e kësaj dite filmi pëlqehet edhe shihet me nostalgji nga të
gjithë. Natyrisht që ka edhe “analistë” që çoç analizojnë. Shpesh me vjen t'i
kap për veshi e t'u thërras: “Ejjj... Shpëtimi i "fillimit të verës" nuk
është ai "komunisti" që llomotitni ju. Shpëtimi i "fillimit të
verës", është Heroi i Popullit i luftës nacional-çlirimtare, Shyqyri
Alimerko, djali i Vlorës heroike, djali i rrugëve, shesheve dhe i luftës se
saj. Djali që bëri të gjëmonin tre ditë e netë tunelet e ushtrisë pushtuese. Që
varri një gjeneral dhe pushkatoi 3 oficerë e 20 ushtarë armiq. Në se ka
shenjtëri në historinë e atdheut tonë, lufta nac-çlirimtare është brenda
kurorës se saj dhe “komuniste” si Shyqyri Alimerko (Çudi: - Shyqyri me
thërriste edhe nëna e tij...) janë margaritarët e saj...
Po marrdhënia
juaj me regjisorët...?
Regjisori
im i parë ka qenë operatori i kinemasë së Cërrikut, ku jetoja, Dilaver
Beribati. Njeri i dashuruar me profesionin e tij dhe artin skenik. Ne 1962, me
rastin e 50 vjetorit te Pavarësisë me ne nxënësit e shkollës 7 vjeçare vuri
dramën “Abetaria”. Ndoshta këtu filloi rruga ime. Me 1968 fillova Institutin Lartë
të Arteve, dega dramë. Udhëheqësi artistik i kursit ishte i madhi Kujtim
Spahivogli. Pedagogë të mjeshtërisë Bujar Kapexhiu, Vladimir Prifti, Petrit
Llanaj, Bexhet Nelku. Këta ishin “ustallarët”e parë. Në vitin e tretë për arsye
ekonomike vendosa të braktis shkollën për një vit. Me gjithë kundërshtimet e
drejtorit Tefik Çaushi dhe të Kujtimit, ika në mes të shtatorit e fillova punë
në fonderinë e uzinës mekanike të Cërrikut ku kisha punuar më parë por, u
ktheva prapë në dhjetor sepse ata të dy më “gjetën” punë në Tiranë. U emërova në
teatrin e “Të rinjve” që krijoi Kujtim Spahivogli në Institutin e Arteve. Në atë
teatër, që kur e dënuan Kujtimin e shpallen si një nga “levat e luftës se
brezave”, ka bërë pjesë fillimisht edhe Vaçe Zela, ishin Bert Ndrenika, Timo
Flloko, Gëzim Kame, Nand Radi, Bashkim Rada, etj. Spahivogli ishte pra edhe
regjisori im i parë e i rolit te parë në aktivitetin tim si profesionist tek
drama e Kiço Blushit “Midis dy njerëzve”. Ishte një drame tepër e veçante, me
regji tepër moderne, me skenografi po aq moderne nga Ali Oseku e muzikë të
mrekullueshme nga Shpëtim Kushta. Pastaj ne teatrin e Elbasanit kam punuar me
regjisoret Xhelal Bilali e Tomorr Shishani deri sa erdhi Spiro Duni. Spirua
ishte dhe është shtrati i florinjtë për prehjen e shume krijimeve. Ai e ribëri
teatrin “Skampa” në të gjitha dimensionet. Natyrisht na ribëri edhe ne. Kujtimi
i shkollës, Spirua i teatrit, Kristaq Dhamo i filmave. Këta janë më të mirët.
Demir Hyskja dhe Astrit Çerma |
Cila do të ishte
përvoja në teatrin “Skampa”
Atmosfera
në Teatrin “Skampa” ishte e shkëlqyer! Si në të gjithë teatrot edhe tek ne
punohej. Kishte plan që duhej realizuar në numër premierash, shfaqjesh, në të
ardhurat, plan për shfaqje fshati, për koncerte. Kishte disiplinë zyrtare edhe
artistike. Punohej... është e vërtetë se institucionet artistike janë folur e
përfolur për “sherre e grindje”, dhe atje-këtu edhe ka pasur, por e them me
plot gojë që në teatrin tonë kemi pasur një harmonin të plotë. Dhe s'kishte si
të ishte ndryshe. Ishte teatri i qytetit të Elbasanit, qyteti i arsimit, kulturës
dhe artit, rrjedhimisht qyteti i harmonisë dhe mirëkuptimit. Por, edhe nga që
secili aktor/e në një fare mase ishte në vendin e vete brenda karakterit të papërsëritshëm
vetjak. “Artisti i Merituar”, aktori i shquar i humorit elbasanas Hysen Biza
kur “kërciste debati” për vlerat e njërit apo tjetrit e “mbyllte muhabetin” me
dy fjale: “Hof - Të shof”. Teksti dhe nënteksti ishte i qarte: “Hip në skenë, (Hof)
interpretojë atë që “tjerr teorikisht” (Te shof) pastaj të jap ‘karatin' sa e
ke”. Por, ne kishim edhe “Artistin e Popullit” Demirin-strumbullari e harmonisë
në shumë drejtime dhe shumë hallka delikate. Unë këtë taban, të shtruar në
krijim e teatrit profesionist nga regjisori i parë i tij, i madhi Lec Shllaku
gjeta, me të jetova dhe punova dhe me Spiro Dunin dhe atë u mundova të le pas
kur ika me ‘98. Mirëpo... “Qëkur ike o Astrit, kafe-teatri ‘Skampa’ ka mbetur
pa aktorë, pa regjisorë, nuk ka teatër, s’ka estrade, po ama festival
ndërkombëtar ka. Para bashkia për të paguar një trupë profesioniste nuk ka, por
para për të paguar 7 marangozë, 7 fonista, 7 elektricista, 7 kompjuteristë, 7 oksigjenista,
7 roje, ka. Vjet ishte 50 vjetori i teatrit. Nuk u festua. E vetmia përgjigje që
m’u dha (gojarisht- kështu që mund të mohohet) është ajo e drejtorit të qendrës
kulturore, z.Bashkim Paheshti. “Nuk do të bëjmë gjë sepse s'kemi fonde”!
Afër dhe larg Hollivudit
“Kur
largohesh nga vendi yt ke një arsye, një ëndërr, ose një shpresë, por si mund të
quhesh “emigrant” kur shteti ku shkon të fton vete dhe ti po pranon ftesën e
tij? Sa për vështirësitë... eh. Ndërron shtëpinë nga një lagje në tjetrën dhe ke
vështirësi, jo me nga një shtet në tjetrin, apo nga një civilizim në një
tjetër. Vështirësitë ishin e janë të panumërta, sepse shumë mundësi janë të
pamundura për profesionin tim-aktor. E di. Edhe unë kam lexuar e stërlexuar
shumë intervista nga artistë dhe artiste të ardhur nga Shqipëria qe “kanë bërë
namin” këtu në Amerikë. Jo vetëm që e kanë sulmuar Hollivudin por edhe e kanë
pushtuar. Unë për vete, megjithëse jetova një vit vetëm pesë minuta larg
Hollivudit, nuk qullosa gjë. Ndoshta unë kam qëlluar ky që jam: humbameno dhe i
pa talentuar, por siç duket jam dhe budalla që them të vërtetën, sepse si
shtrenjtë shiten gënjeshtrat, në vendin tonë. Nejse... Unë jetoi në një shtet që,
ligjërisht njeriun e respekton si njeri, pastaj të tjerat varen nga karakteri
dhe nga përgatitja e secilit. Ne fund te fundit: Te jetosh në vend te huaj si i
huaj s’është çudi, ama, të jetosh në vendin tënd si i huaj nuk është vështirësi,
është ndyrësi, pavarësisht se ne ç’begati apo në ç’varfëri jeton”, thotë Astrit
Çerma në fund të kësaj interviste.
Botuar në gazetën
SHEKULLI më 09/11/2013
No comments:
Post a Comment