nga Leonard Veizi
Nënë Tereza mbërriti në Shqipëri, aty ku ia kishin ndaluar gjithmonë
vendzbritjen. Rruga ishte e gjatë, kërkesat të shumta, por në fund zyrtarët
komunistë që e kishin parë me syrin e armikes, e lejuan nobelisten shqiptare të
zbriste në aeroportin modest të Rinasit, pikërisht aty ku vite më pas porta hyrëse
nga ajri për në Shqipëri do të merrte emrin e saj...
...Vetëm 12 orë do të duhej që radiogramet shifër të udhëtonin nga
rezidenca shqiptare e Manhatenit, për në selinë e Ministrisë së Jashtme në
Tiranë. Dhe prej andej për në Komitetin Qendror, ku Ramiz Alia në zyrën e
Sekretarit të Parë mendohej se cilat do të ishin hapat e tjera që do të hidhte
për t’i dhënë frymëmarrje vendit të izoluar prej 40 vjetësh diktaturë. Nuk
kishte as dy muaj që nga koha kur 5.600 shqiptarë e kishin braktisur atdheun
socialist, duke kërkuar strehim nëpër ambasadat e huaja të kryeqytetit. E në
këto çaste, vizita e Nënë Terezës dukej se ishte një ogur i mirë.
Ish-ambasadori pranë OKB-së për 5-së vite me radhë, Bashkim Pitarka, gjatë
një interviste për gazetën “Shekulli”, thotë se në fund të fundit vizita e Nënë
Terezës në Shqipëri kishte dhe nxitjen e politikës amerikane.
Në vitin 1986. Por në vitin 1990 duke parë dhe situatën e trazuar në
Shqipëri, kërkova të largohesha nga posti. Në atë kohë unë isha caktuar si
kryenegociator për të vendosur marrëdhëniet diplomatike me Amerikën. Ishte
marsi i vitin 1990. Dy vite më parë, në vitin 1988 kisha paraqitur letrat
kredenciale edhe në Kanada. Pra me Kanadanë ishin vendosur marrëdhëniet
diplomatike. Ndërsa në fillim të muajit maj, u thirra nga Tirana për të pritur e
shoqëruar shefin e OKB-së, Peres De Kuelar, i cili mbërriti në Rinas në 2 maj
1990.
Cilat do ishte lëvizja e radhës
që do linte shijen e ndryshimeve?
Vizita e Nënë Terezës. Ajo ishte shumë kuptimplotë në ato çaste. Mesa mora
vesh më vonë edhe në takimin që patën kokë më kokë, Ramiz Alia-De Kuelar, ky i
fundit e kishte ngritur problemin e Nënë Terezës. De Kuelar, ashtu si shkarazi
ia kish ngritur pyetjen Ramiz Alisë se përse i refuzohej viza Nënë Terezës dhe,
si mik i vendit tonë, këshillonte t'i jepet fund këtij gabimi. Ai i përmendi
Alisë faktin se kjo çështje përdorej si argument i fortë i “kritikëve” të
gjendjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri. Duhet theksuar këtu fakti, se në
përgatitjet për vizitën e De Kuelarit në Tiranë, diplomatët serbe e greke bënë
lobingje edhe me lobet e përfaqësues të shteteve anëtare në OKB e në shtyp, që
të silurohej kjo vizitë, nën pretendimin e shkeljeve të rënda të të drejtave të
njeriut, të të drejtave të minoriteteve, etj. Por është gjithashtu fakt se edhe
brenda sistemit të OKB-së, kryesisht nga Komisioni i të Drejtave të Njeriut të
OKB-së në Gjenevë, iu kërkua Perez De Kuelarit që në axhendën e tij të
bisedimeve me presidentin dhe zyrtarët e tjerë të lartë shqiptarë, të
fokusoheshin çështjet e të drejtave të njeriut. Dhe këtu, siç kuptohet, hynte
si shigjetë mohimi i dhënies së një vize për Nënë Terezën.
Në fakt unë kam qenë negociatori, midis Misionit të Nënë Terezës e Qeverisë
Shqiptare. Në 24 gusht 1990 në përfaqësinë shqiptare, rezidenca të cilës ishte
në Manhaten - Nju Jork, trokiti një zonjushë, e cila kërkoi ambasadorin duke
thënë se ishte kanadeze. Në atë kohë ne nuk prisnim në ambasadë asnjë shtetas
amerikan, meqenëse nuk kishim marrëdhënie diplomatike. Dola dhe e prita. U
prezantua si Zhanette Petrie dhe si kronistja e Nënë Terezës. Ajo më tha: “Zoti
ambasador, mund të ndërhyni që Nënë Tereza të marrë një vizë e të udhëtojë për
në Shqipëri. Ajo insiston të shkojë në Shqipëri, te varri i nënës së saj për të
vënë një tufë me lule. Por mund të kërkojë të hapë dhe misionin e saj në këtë
vend, jo me qëllime fetare, por thjesht humanitare”. Pastaj ajo më tregoi dy
videokaseta të realizuara prej saj nga takimet e shumta të Nënë Terezës nëpër
botë.
Cila do të ishte përgjigja juaj?
I shpjegova kronistes se nuk mund të flisja apriori, sepse kjo ishte një
çështje që vendosej nga instancat e larta të shtetit shqiptar, por se unë do ta
përcillja menjëherë kërkesën e saj në Qendër. Por e sigurova gjithashtu se do
të isha dashamirës ndaj kësaj kërkese, duke i referuar Tiranës zyrtare edhe
mendimin tim personal, sepse unë isha mik në familjen e Nënë Terezës. I
shpjegova Zhanetës se në rininë time njihja Agen, motrën e Nënë Terezës, e cila
më kishte qepur një këmishë dhe më jepte mësime italishteje. Gjatë kësaj kohe
nëna e Ages, nënë Drania, u nda nga jeta dhe unë mora pjesë në varrimin e saj
duke vënë dhe një tufë me lule mbi varr. Madje, atje kam njohur dhe miken e
afërt me familjen Bojaxhiu që ishte Marije Kraja.
Si e priti Zhanet Petri këtë
lajm?
Ajo ishte entuziaste dhe më tha se vetëm dy ditë më pas, në 26 gusht Nënë
Tereza kishte ditëlindjen. Mbushte plot 80-vjeç. Atëherë unë shpreha dëshirën
time që për këtë përvjetor t’i bëja Nënë Terezës një telefonatë personale, jo
si ambasador, por si mik i familjes.
Sapo përcolla Zhenet Petri, i dërgova një telegram me shifër Qendrës ku e
vija në dijeni për gjithçka rreth vizitës së kronistes së Nënë Terezës dhe
kërkesës së kësaj të fundit për të bërë një vizitë në Shqipëri. Madje nuk
harrova të përmend dhe faktin që mes të tjerash Nënë Tereza do të kërkonte dhe
ngritjen e misionit të saj në Shqipëri, si i vetmi vend në botë ku ajo nuk
kishte përfaqësues. Por duke qenë se unë isha dhe analist, dhashë dhe mendimin
tim duke e lidhur gjithçka me zhvillimet e fundit ndërkombëtare. Kështu më
duhej të bëj një analizë logjike se përse Nënë Tereza kërkonte të vinte në
Shqipëri. Por gjithashtu, unë e njoftova qendrën edhe për 80-vjetorin e Nënë
Terezës. Sugjerova që t’i bëhej një telegram si dhe kërkova që nga ana ime t’i
bëj një telefonatë urimi me të drejtën e mikut të familjes. Për të gjitha këto
unë guxoja, duke ditur se si po shkonin punët. Ndërkohë sugjerova që Nënë
Terezës mund t’i jepej një vizë për në Shqipëri gjatë ndonjë udhëtimi të
“rastësishëm” të saj në Itali, ku këtë detyrë ta merrte ambasadori ynë në Romë,
Dashnor Dervishi. Vetëm 12 orë më pas në emër të Ramiz Alisë, erdhi përgjigja.
Në radiogramin shifër që erdhi në emër të Ramiz Alisë, unë njoftohesha se
kërkesa e Nënë Terezës për të vizituar Shqipërinë pranohej dhe se këtë njoftim
duhet t’ia bëja unë. M’u bë gjithashtu e ditur që Nënë Tereza do ta merrte
vizën shqiptare, në Romë, në aeroportin e Fiumiçinos. Ndërkohë m’u bë e ditur
se ishte vendosur që me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes së saj, në emër të
Frontit Demokratik, një telegram urimi do të nënshkruhej nga Nexhmije Hoxha.
Kur e lajmëruat Nënë Terezën për
pranimin e vizitës së saj në Shqipëri?
Ditën e 80-vjetorit të lindjes së saj. E mora në telefon për ta uruar.
Natyrisht doli sekretarja. U prezantova. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Nënë
Terezës, e cila ia ka marrë nga dora sekretares së saj receptorin. Biseda nuk
ishte e gjatë dhe u zhvillua në anglisht. Ajo më tha tekstualisht: “Ambasador,
u bëfsha zog me flatra që të vij aty e të t’i puth duart, sepse me ato duar ke
vënë lule në varrin e nënës time”. Ajo më tha gjithashtu se Zhanet Petri e
kishe informuar mbi gjithë takimin tonë. Në fund më tha këto fjalë shqip “Të
bekoftë perëndia”.
Si do të mbërrinte Nënë Tereza në
Shqipëri?
Unë nuk e ndoqa vizitën e saj. Kur Nënë Tereza mbërriti në Shqipëri, unë
ndjeva një kënaqësi të veçantë që më në fund ishte ndërmarrë një hap i tillë
historik. Nënë Tereza i duhej Shqipërisë dhe frymës së re demokratike që po
trokiste në vendin tonë. Ajo sigurisht nuk fliste për demokracinë, por për
paqen dhe dashurinë njerëzore, të cilat aq bukur ishin mishëruar në shpirtin
zemrën e saj, në Kalkutë dhe në të gjithë botën. Të them të drejtën edhe si
diplomat ndihesha i çliruar, sepse Shqipëria jo rrallë dënohej në rezolutat e
ndryshme që bëheshin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për shkeljen e të
drejtave të njeriut.
Në parantezë, a kishte shumë
debate mbi Shqipërinë kur flitej për liritë e njeriut?
Eh sa herë na duhej ne diplomatëve shqiptarë të kërcenim përpjetë në sallat
e konferencave ndërkombëtare kur Shqipëria kritikohej apo përmendej për
shkeljen e të drejtave themeltarë te njeriut dhe jo rrallëherë mosdhënien e vizës
për hyrjen në Shqipëri të Nënë Terezës, gruas së mençur e të famshme dhe
veprimtares së shquar të paqes e dashurisë njerëzore. Dhe duhet të dimë se mbi
të gjitha, Nënë Tereza ishte ambasadorja më e madhe e kombit shqiptar në botë.
Sepse ajo kudo që shkonte deklaronte: Jam shqiptare. Pra gëzohesha që u
realizua vizita e Nënë Terezës në Shqipëri dhe që diplomatët shqiptarë nuk do
të ishin më i detyruar të punonin për të zhdukur sadopak efektet akuzuese e
propagandistike të moslejimit të së madhes Nënë Tereza në Shqipëri.
Ju ishit ndërmjetësi i vizitës së
saj në Shqipëri. Por a jeni takuar ndonjëherë me të?
Në vitin 1991, kur unë isha kthyer në Atdhe, pas kërkesës time këmbëngulëse,
për arsye familjare që të lija detyrën time si ambasador në OKB, një ditë mora
rrugën dhe shkova te qendra bamirëse e motrave të Nënë Terezës. Rezidenca e saj
ishte vendosur në një lagje të vjetër tiranase dhe në atë kohë Nënë Tereza
ndodhej aty. Fillimisht u vura në pozitë të vështirë dhe u detyrova të mbaj
radhë për t’u takuar me të. Ishin me qindra njerëz, të cilët ishin futur në
radhë për të takuar Nënë Terezën dhe motrat e saj. Kishte që donin ta takonin
për qëllime fetare, por kishte dhe të sëmurë që kërkonin ndihmën dhe bekimin e
saj.
Qëndruat gjatë në radhë?
Mund të kisha qëndruar gjatë. Por për fat një kolegia ime e Ministrisë së
Jashtme, Natasha Haznedari, e cila ishte shoqëruese dhe përkthyese e Nënë
Terezës në vizitat e saj në Shqipëri, më pa dhe më thirri. Ajo më çoi drejt e
brenda në qendër dhe njoftoi për mbërritjen time. Mbas pak Nënë Tereza zbriti
shkallët me shpejtësi dhe e gëzuar që po më shikonte më në fund m’u drejtua me
urimin “Të bekoftë perëndia ambasador Pitarka”. Ajo më mori për dore, më
shoqëroi kudo për të parë dhomat e misionit, si dhe më prezantoi me motrat e
saj duke përdorur lëvdata dhe elozhe për implikimin tim mbi ardhjen e saj për
herë të parë në Shqipëri.
Po roli i amerikanëve cili ishte
lidhur me zhvillimet shqiptare të kësaj kohe?
Ardhja e Nënë Terezës në Shqipëri nuk ishte një vizitë turistike apo për
një shërbesë në varrin e së ëmës, por një provë e fortë në kuadrin e bisedimeve
zyrtare që po zhvilloheshin në atë kohë midis Departamentit të Shtetit dhe mua,
si kryenegociator i palës shqiptare për rivendosjen e marrëdhënieve
diplomatike. Unë thellësisht mendoja se kjo kërkesë, e cila fare mirë mund të
bëhej në Romë apo Paris, ku ambasadat tona merreshin me çështje vizash, ishte
tatim pulsi, pra trokisnin në derën e selisë ku ndodhej bashkëbiseduesi i tyre
për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Të marrit me një çështje të tillë
kaq delikate në kohën e regjimit komunist, kërkonte kujdes e vëmendje të posaçme,
por edhe pak guxim në paraqitjen e çështjeve nga ana ime dhe e kolegeve e mi në
mision. Në ato vite Shqipëria ishte kritikuar shumë për shkeljen e të drejtave
të njeriut dhe nëse nuk do të pranohej kërkesa e Nënë Terezës për të vizituar
varrin e nënës së saj në Shqipëri, kjo do të tregonte se Shqipëria ishte po aq
radikale në qëndrimet e saj sa dhe vite më parë. Ndërkohë isha përzgjedhur unë
për të ndërhyrë, sepse isha dhe kryenegociatori për të vendosur marrëdhëniet e
Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara. Sipas logjikës time, ky ishte një tatim
pulsi, për të nxitur zhvillimet e mëtejshme në Shqipëri. Dhe pas kësaj ishin
amerikanët. Thënë shkurt vizita ishte një akt politik. Në ato çaste më kaloi si
në një film gjithë çështja e refuzimit të një vize apo e kontakteve të
diplomateve tanë me Nënë Terezën, për shkaqet e veprimtarisë dhe qenies së saj
si misionare fetare, se si refuzimi i hyrjes së Nënë Terezës në Shqipëri, qoftë
edhe për një vizitë në varrezat e nënës e familjes së saj, ishte bërë shpesh një
argument i fortë në komisionet e OKB-së mbi të drejtat e njeriut për kritika e
rezoluta të forta kundër vendit tonë. M'u kujtua fakti se ndonjë prej
paraardhësve të mijë ambasadorë pranë OKB në vite të shkuara, u ishte dashur
t’i fshiheshin ose të largoheshin nga sallat e korridoret e selisë së OKB-se
kur aty ishte për vizitë Nobelistja dhe Humanistja e Madhe shqiptare, Nënë
Terezë.
“Disa vite më parë, kronistja Zhanet Petri më njoftoi për zhvillimin e
ceremonisë në Vatikan, ku humanistja shqiptare do të lumturohej nga Papa Gjon
Pali II. Më kërkoi adresën time, ku do të më dërgonte një ftesë zyrtare që të
merrja pjesë në ceremoni. Ajo pati mirësinë të më thoshte: “Ju jeni pjesë e
historisë së Nënë Terezës dhe si një ndër aktorët e vizitës së saj historike në
Shqipëri, por dhe mik i vjetër i familjes së saj, ju takon të jeni atje”, thotë
ambasadori Bashkim Pitarka.
Konkluzioni
Në fund të intervistës së tij ambasadori Bashkim Pitarka thotë: “Nënë
Terezën nuk e solla unë në Shqipëri. As Ramiz Alia, ndonëse ishte aktori
kryesor për zhvillimin e kësaj vizite. Ishte epoka, ajo periudhë historike e
ndryshimeve të mëdha që vinte për Shqipërinë tonë. Ishte roli i madh që luanin
SHBA-të, për t’i sjellë këto ndryshime në Shqipëri. Në këtë kontekst, Nënë
Tereza konsiderohej nga ata si një lajmëtare e lirive, paqes dhe lumturisë në
atdheun e saj. Dua të them se, si për ardhjen në Nënë Terezës në Shqipëri ashtu
dhe për ngritjen e madhështisë së emrit të saj, një meritë të pamohueshme ka jo
vetëm Vatikani, por edhe qeveritë amerikane. Ato kurdoherë e kanë ngritur lart
rolin e saj dhe i kanë nxitur hapur veprimtarinë bamirëse me mesazhin: “Bëni
mirë që të gjeni mirë”. Mendoj se ne shqiptarët kemi shumë arsye t’i falënderojmë
amerikanët. Në çastet më historike të kombit shqiptar pranë na janë gjendur
Presidenti Uillson, apo presidentët Bush, i famshmi Klinton e sot presidenti
Obama”.
Botuar në gazetën SHEKULLI
http://www.shekulli.com.al/3620/
Botuar në gazetën SHEKULLI
http://www.shekulli.com.al/3620/
No comments:
Post a Comment