Shënime udhëtimi
Nga Leonard Veizi
Mund
të nisesh nga Tirana me mendimin e saktësuar: Si të kesh vizituar liqenin dhe
vetë digën e hidrocentralit të Banjës, të bësh një ndalesë kafeje në Gramsh e t’ia
mbash për të parë Kanionin e Holtës. Ky është një rrethqarkullim turistik pa
shumë mund e shpenzime. Dhe këto duhen bërë brenda disa orëve, sepse kthimi për
në Tiranë duhet të ketë kohën e vet...
...Duhet
dikush të të çojë në mendje se jo vetëm nga bregdeti kalohet fundjava, madje jo vetëm në male e
rrëpira të largëta, por edhe më afër qendrës. Ky atraksion i fuqishëm turistik
është dhe Gramshi me rrethinat, të cilat të befasojnë.
Liqenet
jo domosdoshmërish duhet të jenë prej natyre nga ato të tipit: karstik apo
akullnajor. Shpesh po aq të bukura janë të krijuara dhe prej dorës njerëzore.
Dhe ne jemi mësuar me liqenet artificiale, si me atë të Tiranës apo atë të
Farkës, por dhe Liqeni i Gjançit pranë Vithkuqit të Korçës që ka mundësinë të
ngrijë në ditët e ftohta të dëborës për të dhuruar një tjetër spektakël. Në
antipod me to, liqeni i Banjës është gjysmë natyral e gjysmë artificial. E që
ta bëj më të qartë, është fiks si liqeni i Fierzës. Vetëm se ai në Veri ka si
bazë lumin Drin e ky i mesit të Shqipërisë ka Devollin për kumbarë.
Udhëtimi
Hap
googlemaps-in. Rruga e vijëzuar me blu tregon se për 63 kilometra
mbërrin në destinacion. Domethënë punë një orë udhëtim. Një vrap pele, thotë
populli kur flet në zhargon për distanca të shkurtra. Ja, sa kalon Cërrikun.
Ose pa vajtur në Gramsh.
Pas
rreth një ore udhëtimi mes fushave të mbjella e zonave urbane, googlemap-si,
bashkë me një tabelë blu ndanë të rrugës, të tregon rrugën për tek kaskada e
hidrocentralit, por nga pjesa e poshtme e saj.
Kur
vendosa të bëj një vizitë në Hidrocentralin e Banjës, isha i bindur se këtë
herë do të dëgjoja zhurmën shurdhuese të ujit që del me furi nga gryka pasi ka
vënë në punë turbinën. Por jo... Asnjë curril nuk rridhte prej andej. Dhe kjo
nuk ishte hera e parë. Gjithsesi rruga nuk ikën kot.
Në
njëfarë mënyre duket sikur liqeni është projektuar më së shumti si një basen që
përdoret për vaditje, e me këtë rast përdoret dhe si hidrocentral. Tek e fundit
shpejtova të merrja masa, pasi e kam të vështirë t’i përgjigjem ndonjë
komentuesi nëse do të më bëjë një pyetje të thelluar për mungesën e realizimit
të planit me energji elektrike. Sepse ne jemi mësuar tashmë me sloganin që
“energjia është çështje e të gjithëve”. Por meqë liqeni përdoret për bujqësinë,
edhe “bujqësia është çështje e të gjithëve”. Në këtë mënyrë e gjithë kaskada
përdoret o për një qëllim, o për tjetrin. Se për të dyja bashkë bëhet ca si
shumë. Shkurt, çdo çështje e rëndësishme është “çështje e të gjithëve”.
Ti
lëmë paravolitë, e të kthehemi me këmbë në tokë.
Megjithatë
për të marrë një informacion më të detajuar, në mungesë të vëllimit
enciklopedik hap google-n dhe informohem:
Informacioni
“Hidrocentrali
i Banjës, mbi lumin Devoll, pak më shumë se 60 kilometra në juglindje të
Tiranës ka një kapacitet të instaluar prej 73 MegaVat, dhe parashikohet të
prodhojë në vit 174 GigaVat energji, e barabartë me 5 për qind të prodhimit
aktual vendas.
Kompleksi
hidroenergjetik i Banjës, u ndërtua mbi lumin Devoll rreth 25 km larg qytetit
të Elbasanit dhe rreth 15 km larg qytetit të Gramshit, përveç përfitimeve
ekonomike ka avantazhet e tij në ekologji. Në vitin 1990 punimet në
hidrocentralin e Banjës kishin arritur në 50%. Zhvillimet e reja demokratike
bënë që Banja të mbetej peng i ndryshimit të sistemeve. Në vitet e tranzicionit
hidrocentrali i Banjës iu nënshtrua shkatërrimeve duke shtuar këtu edhe
faktorët natyralë. Shumë vite më vonë, Ministria e Ekonomisë, me datën 21
nëntor 2007 është zhvilluar tenderi për shfrytëzimin me koncesion të rezervës
hidrike të lumit Devoll”.
Por
ka edhe një mundësi tjetër në kohët e sotme: Një kompani norvegjeze ka kërkuar
ndërtimin e një impianti fotovoltaik lundrues për prodhimin e energjisë nga
dielli, në liqenin e hidrocentralit të Banjës.
Liqeni
Duket
të kthehesh andej nga erdhe e të marrësh sërish rrugën kryesore. Vetëm për pak
minuta përballesh me një bukuri magjepsëse. Një liqen i madh, i qetë dhe një
urë të gjatë që kalon mbi të. Pak si kalon dhe urën mahnitëse, është menduar
dhe për turistët. Është ndërtuar një pistë ku mund të parkohen makinat, e ku
prej asaj pike dominuese mund të shijosh peizazhin përreth, të bësh foto e
selfie. Thonë se aty-këtu të ofrohen udhëtime me varkë në liqen. Por e vetmja
varkë që ndeshëm ishte ajo e dy peshkatarëve. Gjithsesi oferta mbetet në fuqi.
Por
ka dhe vend për zhgënjim. Në lëndinën përtej pistës, në një mënyrë bastarde e
tepër të shëmtuar ndeshesh me qese të hedhura, kanoçe bosh e letra
mbështjellëse. Por kjo ka të bëjë me kulturën njerëzore, aspak me organizimin.
Ata që kishin qenë përpara nesh në kohë, kishin lënë pas vetes gjithfarë
mbeturinash, edhe pse një kosh mbeturinash - ku mund t’i hidhje pa u lodhur
shumë, - ishte aty pranë.
Dhe
ta lëmë me kaq, që udhëtimi ynë të mos ndotet më shumë.
Në Gramsh
Marrim
rrugën për në qytetin e Gramshit. Në internet informacionet burojnë. Rrethi i
Gramshit ndodhet në Shqipërinë juglindore, rreth 84 km larg Tiranës. Zona shtrihet
midis lumit të Devollit. Gramshi kufizohet nga shtatë rrethe të tjera të cilat
janë: Elbasani, Librazhdi, Pogradeci, Korça, Skrapari, Berati dhe Kuçova.
Relievi në përgjithësi është mjaft i përthyer.
Në
tërësinë e tij Gramshi është një qytet mjaft i pastër, me shumicën e godinave të
trashëguara nga projekti urbanistik i zbatuar para viteve ‘90 të shekullit të
kaluar dhe më pak ndërtime të reja.
Regjimi
komunist e kishte projektuar zonën e Gramshit në funksion industrisë ushtarake.
Në vitin 1962 në bashkëpunim me specialistët kinezë, në zonën e
Çekinit u montua Uzina Mekanike e cila prodhonte pushkë të tipit “Simonov” me
kalibër 7.62 mm. Në vitin 1974 u mundësia dhe prodhimi i automatikut AK-47. Por ishte
dhe Uzina e Prodhimit të Baterive. E nuk po flasim këtu për gjithfarë repartesh
e pika hapje, si dhe bunkerë e tunele betonarmeje.
Ndryshe
nga dje, Gramshi sot njihet si shtëpia e monumenteve të bukura natyrore, ndërsa
veprat e bëra nga njeriu plotësojnë këto pasuri natyrore. HEC-et së bashku me
Gazsjellësin Trans Adriatik janë investime që kanë përmirësuar jetën e
komunitet dhe e kanë bërë të gjithë zonën të aksesueshme për turistët dhe
vizitorët, pasi si pjesë e projektit është ndërtuar jo vetëm një rrugë e re nga
Banja në Gramsh por dhe plot 13 ura.
Kanioni i Holtës
Duhet
të marrësh rrugën e kthimit dhe vetëm për pak kilometra, tabela të orienton për
në vende me destinacion turizmin. Është kanioni i Holtës dhe Shpella e Kabashit.
T’i vizitosh të dyja do duhet më shumë se një ditë kohë. Por mundësitë kaq
janë, sa për t’u njohur me një prej tyre.
Holta
ndodhet në verilindje të Gramshit pranë fshatrave Kabash dhe Bardha. Si ke
kaluar rreth një kilometër në një rrugë krejt të amortizuar papritur ndeshesh
me asfalt dhe mund të udhëtosh lirshëm për në destinacion. Peizazhi është i
rrallë, i egër, por dhe i shkretë. Aty-këtu duket ndonjë shtëpi, por bazamenti
i zbrazët i lumit të krijon idenë se përveç linjave të tensionit të lartë,
askujt nuk i bie në mendje të kalojë nga ajo rrugë. Makina lë rrugën me asfalt
dhe është e detyruar të futet në shtratin e zbrazët të lumit për të shkuar
drejt destinacionit. Por nuk ka asnjë rrezik, sigurisht.
Enciklopedia
thotë se: Kanioni është 3 km i gjatë, 150 m i lartë dhe në disa vende
ngushtohet deri në 10 metra gjerësi, pasi është formuar nga aktiviteti karstik
dhe erozioni i lumit Holta. Në muret e kanionit gjenden disa shpella karstike
të paeksploruara. Koha më e mirë për ta vizituar është nga maji deri në shtator
në varësi të rrjedhës dhe nivelit të lumit.
Vizita
është e shkurtër, sepse për më tej nuk të duhet makina, por duhet të eksplorosh
në këmbë. Lëmë pas malet me shpate të thepisur dhe përmes rrugës në territorin
e zbrazët shpejtojmë për të dalë në kryqëzimin mbi liqenin e Banjës. Aty në të
djathtë merr rrugën për në Tiranë duke e quajtur të mbyllur misionin turistik.
No comments:
Post a Comment