Përparim Zaimi:
UFO-t, artefaktet e reja për praninë e tyre në Tokë
Studiues
i shkencave nautike: “Nga përvoja kam vërejtur se shfaqja e
mesazheve të tjera është bërë në momente dhe kohë të caktuar, pikërisht pak
kohë para zbulimit. Kjo tregon se ky civilizim teknologjik jashtëtokësor, shumë
i avancuar, i ndjek njerëzit e shënuar apo të besuarit e tij.”
Nga Leonard
Veizi
Ekzistojnë
apo jo jashtëtokësorët? Edhe komunitetet e shkencëtarëve janë të ndara në këtë
pikë pa dhënë një përgjigje shteruese.
Disa
vite më parë, si kishte bërë rreth 15 vjet studime dhe kishte botuar dy libra,
gjatë një interviste Përparim Zaimi, një ish-kapiten i lundrimeve detare, u
shpreh qartë e pa ekuivoke jo vetëm për ekzistencën e jashtëtokësorëve, por dhe
për kontaktet e tyre me Tokën, që sot i përket shtetit shqiptar. “Unë nuk kam
dyshime, por kam krijuar bindjen se Shqipëria është vizituar nga civilizime të
tjera teknologjike, shumë më të avancuara nga civilizimi ynë. Madje, në fund të
studimit që kam realizuar, kam arritur në konkluzionin që civilizimi ynë është
mbjellja e atij civilizimi që na ka ardhur nga një planet tjetër. Pra, ne jemi
krijesa të atij Krijuesi”.
Pikë
së dyti, Përparim Zaimi mbron idenë se jashtëtokësorët janë ulur në malin e
Tomorit.
“Kam
gjetur modele anijesh hapësinore të gdhendura në gur. Por dua të them se nuk
kemi të bëjmë me një gur të zakonshëm. Më është krijuar ideja e aliazheve që
janë mjaft të mbrojtura. Këto objekte janë gjendur në vende që vështirë se mund
të gjendeshin edhe po të mobilizoheshin disa ekspedita botërore”, shprehet ai.
Tanimë,
kur ka më shumë se 20 vjet që merret me të njëjtën çështje, Përparim Zaimi e ka
thelluar dijeninë e tij rreth kësaj fushe. “Duket si diçka e pakuptimtë, por
unë si autor kam një fakt që më jep të drejtën të mendoj në këtë mënyrë. Në një
artefakt ku paraqitet kupa qiellore dhe që unë i kam dhënë një interpretim
matematik, kam zbuluar një version të ri të serisë Fibonacci, në mënyrë
simbolike, që është gjuha me të cilën komunikon Krijuesi, ku jepen dy të dhëna
interesante. Në kupën qiellore jepen dy rrathë koncentrikë, me 7 dhe 11 njolla
plastike. Në qoftë se flasim për universin e dukshëm, rezulton që është tri
dimensional, pra ka fillim dhe mbarim. Por përtej këtij universi, kemi universe
të tjera, në këtë kuptim është i pafund”, shprehet Përparim Zaimi, pas një
kontakti për “Fjalën”. Përparim Zaimi, ky
studiues i shkencave nautike, i lashtësisë dhe ufologjisë, tanimë ka në duar një
studim të ri gati për botim, të cilin e titullon: “Qielli i shtatë ose froni i
Zeusit”.
Ku mendoni se është
vendndodhja e mundshme e jashtëtokësorëve?
Në
vazhdim të studimit të mëparshëm origjina e UFO-ve dhe Universi, intuita
shkencore më ngacmoi dhe kujtova se në rastin e dytë të rrethprerjes, ata kanë
lënë edhe një simbol, ose mesazh simbolik. Që të bëhet i dukshëm, simboli ka
nevojë të trajtohet me rreze për një kohë rreth 10-15 ditë. Më në fund simboli
u shfaq, dhe mendova se duhet të jetë lënë morfologjia gjeografike ose imazhi i
galaktikës ku ky ctj (civilizim teknologjik jashtëtokësor ) ka origjinën e tij.
Veprimi i parë që bëra ishte krijimi i një imazhi të gjurmës që kanë lënë, e
cila, sipas hamendësimeve të mia, duhet të jetë një hartë, ose simbol i pamjes
së galaktikës. Nisur nga ky element, u futa në internet dhe fillova të kërkoj
galaktikat e largëta (distant galaxies), duke u nisur edhe nga fakti që të
rrëmbyerit nga alienët kanë deklaruar se ata (alienët) u kanë thënë të
rrëmbyerve se origjina e tyre është një galaktikë e largët. Pra, kjo do të
thotë që nuk është as galaktika spirale e Udhës së Qumështit (Milky Way), ku ne
bëjmë pjesë dhe në të cilën sistemi ynë diellor është i vendosur rreth 28000 ly
(vite dritë) nga qendra e saj, as galaktika spirale e Andromedës, që ndodhet
rreth 2,5 milionë vite dritë larg nga Toka jonë. Më në fund arrita të diktoj
një pamje shumë të ngjashme me gjurmën që është lënë nga ana e tyre. Kjo
galaktikë e ngjashme është pjesë e konstelacionit yjor Eridanus dhe është
emërtuar nga astronomët galaktika NGC 1427 A. Bën pjesë në galaktikat me formë
jo të rregullt (irregular galaxies). Sipas llogaritjeve paraprake të
astronomëve, kjo galaktikë ndodhet 52 mly (mega vite dritë) nga planeti ynë. Bashkë
me trajtën e galaktikës, me kalimin e kohës në atë mesazh simbolik janë shfaqur
edhe njolla (yje) që krijojnë një piktogramë që ka shumë ngjashmëri me
konstelacionin yjor Eridanus. Ky konstelacion ka formën e një lumi ose, më
saktë, të një rrjedhe. Nga përvoja kam vërejtur se shfaqja e mesazheve të tjera
është bërë në momente dhe kohë të caktuar, pikërisht pak kohë para zbulimit. Kjo
tregon se ky civilizim teknologjik jashtëtokësor, shumë i avancuar, i ndjek njerëzit
e shënuar apo të besuarit e tij. Krahu ku është mbështetur kjo galaktikë është
pranë konstelacionit yjor Orion dhe konstelacionit yjor Taurus. Megjithëse kjo galaktikë
bën pjesë në hemisferën jugore të sferës qiellore, duke qenë pranë
konstelacionit yjor Orion, i cili bën pjesë në hemisferën veriore të sferës
qiellore, fluturimi në drejtim të sistemit tonë yjor dhe planetit Tokë, logjikisht
duhet të ndjekë trajektoren që është paraqitur në artefaktin për të cilin kam
folur më parë.
Mbi ç’ të dhëna
e mbështetni studimin tuaj të fundit?
Nga
të dhënat e publikuara nga NASA dhe ESA, galaktika NGC 1427 A, ka këto
karakteristika kryesore: NGC 1427A bën pjesë në grupin e galaktikave “jo të
rregullta “ për sa i përket formës, në konstelacionin yjor Eridanus. Largësia
është vlerësuar duke përdorur funksionin e luminozitetit të një “ globular
cluster”(grumbullimi yjor sferik) dhe rezulton të jetë 31,01 +/_ 0,21 e cila
është rreth 52 mly (mega light years). Pra 52 milionë vite dritë. Është anëtari
i një galaktike jo të rregullt më i ndritshmi i “Grumbullimit yjor Fornax” dhe
është pjesa më e dukshme e galaktikës qendrore të grumbullimit yjor NGC 1399.
Ndërmjet të tjerash për galaktikën NGC1427A, thuhet se nuk do të mbijetojë
shumë gjatë si një galaktikë e paidentifikueshme, e cila kalon nëpërmjet grumbullimit
yjor Fornax, me një shpejtësi afërsisht 600 km/sek ose 400 mil/sec. Grumbullime
yjore të galaktikës, të ngjashme me grumbullimin yjor Fornax, përmbajnë qindra,
bile dhe mijra galaktika individuale... NGC 1427 A shtrihet mbi 20 mijë vite
drite gjatësi dhe është e ngjashme me Renë e Madhe Magelanike. Për të marrë
imazhet e NGC 1427 A u përdor teleskopi i hapësirës Hubble me kamera shumë të
avancuara, në janar 2003. Këto imazhe pastaj u kombinuan nga ekipi i trashëgimisë
Hubble, për të krijuar imazhin me ngjyra. Më 4 mars 2005 u kompletua imazhi i
kësaj galaktike. Vlen për t’u përmendur se për të zbuluar gjurmë të ekzistencës
së një ctj-je dhe vendosjes së kontakteve me këtë civilizim teknologjik u ngrit
dhe funksionoi një projekt mjaft ambicioz i NASA-s, i quajtur Phoenix project,
SETI INSTITUTE. Me këtë projekt u angazhuan shkencëtarë nga më të njohurit në fushën
e astronomisë, astrofizikës, matematikës, të tillë si Carl Sagan, Seth Shostak,
Frank Drake etj. Drake zhvilloi edhe një teori për të gjetur probabilitetin e
jetës inteligjente në galaktikën e Udhës së Qumështit, dhe e paraqiti atë në
formë matematikore, si ekuacion, në vitin 1961. Megjithëse formulimi i tij u
konsiderua i vështirë për t’u vlerësuar, u pranua si një instrument për t’u
marrë në konsideratë për çështjen e jetës inteligjente. 55 vite mbasi Frank
Drake shkroi ekuacionin e tij të parë, ka marrë statusin e formulës më të
famshme në shkencë (mbas asaj të A. Einstein -it. E= mc²). Është gjithashtu një
udhëzues për programet e Institutit SETI. Thuhet se Drake nuk gjeti alien, por
ai gjeti një mënyrë për zbulimin e tyre. Mund të them me siguri që deri tani
nuk ka funksionuar edhe si mënyrë për zbulimin e tyre. Ai e ka aplikuar këtë
ekuacion për Milky Way galaxy, por sikurse do të shikojmë më poshtë kjo
galaktikë ende nuk ka një jetë inteligjente, sikurse galaktika NGC 1427 A.
Sa është
probabiliteti i jetës në miliona planetë të galaktikave?
Me
kufijtë e teknologjisë ekzistuese është tepër e vështirë të kërkosh jetën
inteligjente në distanca të largëta. Përveç ndriçimit të faktorëve të përfshirë
në një kërkim të tillë, ekuacioni Drake-ut është thjesht një mjet efektiv për
të stimuluar kureshtjen intelektuale për universin rreth nesh. Kështu
konsiderohet deri tani. Sipas këtyre shkencëtarëve të fushave të ndryshme, të
cilët kryesisht i referohen astronomit Carl Sagan, ndodhen biliona galaktika
dhe yje në univers dhe mundësia e ekzistencës është gjithmonë potenciale, pra
ne nuk duhet të jemi të vetëm në univers. Në një njoftim të fundit të
institucioneve shkencore (2019) thuhet se në universin e vrojtueshëm ndodhen 2
trilion galaktika. Ata, me gjithë përpjekjet e tyre nuk arritën të vërtetonin,
qoftë edhe ekzistencën e këtij civilizimi teknologjik, por mbetën në kuadrin e
hipotezave. Projekti Phoenix zgjati nga viti 1995 deri në vitin 2004. Projekti
Phoenix vrojtoi rreth 800 yje në një largësi rreth 240 vite dritë, duke mbuluar
më shumë se një miliardë kanale frekuencash. Ky projekt u drejtua nga
radioteleskopët më të mëdhenj që ekzistojnë.
Cili ishte
rezultati i tij?
Nga
të dhënat e publikuara rezulton që nga 11000 orë vrojtim, u vrojtuan yjet e sipërpërmendura
dhe nuk u zbulua asnjë sinjal i jashtëtokësorëve. Kjo tentativë shkencore duhet
përgëzuar, por kaq ishte mundësia me zhvillimin teknologjik që disponojmë
aktualisht. Sikurse do të njihemi edhe në vijim me rezultatet e hulumtimeve të
mia, ishte më se e natyrshme që ky do të ishte rezultati i projektit SETI
Phoenix . Mjetet e përdorura nga ana e tyre, megjithëse konsiderohen nga më
modernet e kohës sonë, janë me teknologji shumë të prapambetur, krahasuar me
atë që kërkohet për të arritur objektivat. Është njëlloj si të duash të
godasësh një objekt që ndodhet në bregun lindor të SHBA-së me armë automatike
tip kallashnikov, aftësia goditëse e të cilit është 800 m, kur qitësi ndodhet
në bregun perëndimor spanjoll, mijëra km larg objektivit.
Ndërkohë ata që
e kundërshtojnë një formë tjetër jete janë të shumtë?
Shkenca
dhe shkencëtarët janë akoma skeptikë, nëse ekzistojnë civilizime të tjera
teknologjike apo jo. Në parim pranohet që nuk jemi të vetëm në univers. Për mua
si studiues kjo çështje është e qartë, e mbyllur, pra ekziston një civilizim
tjetër teknologjik shumë i avancuar. Unë e kam argumentuar dhe quajtur këtë
civilizim teknologjik edhe si krijuesin e civilizimit tonë teknologjik tokësor,
pra si mbjellës të species njerëzore në planetin Tokë. Për origjinën e këtij
civilizimi teknologjik jashtëtokësor dhe formën e universit si një model i
mbyllur kam folur e shkruar në një punim shkencor të veçantë, të cilin e kam
botuar disa muaj më parë në një gazetë shqiptare. Me përafërsi kam përcaktuar
edhe origjinën e këtij civilizimi shumë të avancuar. Problemi se në cilën
galaktikë ndodhen si origjinë, dhe sa larg ndodhen prej nesh, është çështja që
do të shtjelloj në vazhdim. Është një problem që në atë punim jam shprehur se
kjo është detyrë e gjeneratave që do të vijnë pas nesh, por nuk ndodhi kështu.
Në stadin aktual të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, ajo çka do të shtjelloj
tingëllon si fantazi, si utopi, ndoshta dikush mund ta quajë edhe nonsens. Ok.
Këtu qëndron edhe rëndësia e këtij zbulimi që do ta quaja të përmasave të
jashtëzakonshme. Po të nisësh një projekt të mirëfilltë dhe të angazhosh forcat
shkencore më të mira të planetit, ndoshta do të duhen disa shekuj për t’i dhënë
përgjigje kësaj pyetjeje.
NASA thotë se ka
planetë të ngjashëm me Tokën, d.m.th. që mund të ketë jetë...?
Varet
shumë nga shkalla e zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë. Po të bëjmë një
krahasim vulgar, të zakonshëm, as shprehja “të gjesh gjilpërën në kashtë” nuk i
përshtatet si krahasim. Krahasimi më i goditur ndoshta do të ishte “sikur të
kërkosh të gjesh një kokrrizë rëre në thellësitë e oqeaneve të planetit tonë”. Në
kushtet e sotme të zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë duket e pamundur. Edhe
pse shfaqjet e një civilizimi teknologjik jashtëtokësor dhe dëshmitë vizuale
janë me qindra e mijëra në të gjithë botën, prania e tyre është e vështirë të
pranohet dhe besohet. Ditët e fundit ka disa prononcime të institucioneve
shkencore, si dhe të Pentagonit, ku pranohet ekzistenca e tyre. Por unë kam
paraqitur prova, evidencë fizike të pakundërshtueshme për këtë çështje në
këndvështrimin tim, referuar edhe realitetit objektiv dhe ka shumë që e
pranojnë këtë realitet, por ka edhe shumë skeptikë. Ekzistenca e Atlantidës dhe
Perandorisë së Atlantëve që deri dje ishte një legjendë, rezultoi të ishte e
vërtetë, pra një realitet fizik dhe historik.
======================================
Përparim Zaimi në një studim shkencor për UFO-t që kanë zbritur në territorin shqiptar. Tomorri, “vendi i Perëndive” ose mbartësi i realiteteve të përmasave të tjera të universit. Objektet e rralla të gjetura në ekspeditën shkencore. Tre gjurmët e njëjta në tyrben e Tomorrit, tyrben e Krastës, dhe tek Qafa e Nishanit. Harta ku shënohet kontinenti i Atlantidës
nga Leonard Veizi
UFO-t janë zbritur edhe në Shqipëri. Për këtë ai ka bindje të plotë dhe të
patundur. E për t’i shkuar deri në fund këtij “trilli” ka filluar një kërkim
shkencor që prej vitit 1999, ku ka sistemuar dëshmitë e para, për të arritur në
kulmin e punës së tij në vitin 2005 me disa zbulime objektesh shumë të çuditshme.
Që nga ky çast, Përparim Zaimi, dikur një kapiten i lundrimeve detare, ka
krijuar bindjen e thellë se pelegrinazhi i njerëzve në malin e Tomorrit, bëhet
pasi ky vend është eksploruar nga jashtëtokësorët. Duke qenë një njohës i mirë
i astronomisë detare Përparim Zaimi sjell për të gjithë ata që kanë një
kuriozitet të tillë mjaft fakte interesante. Legjenda të cilat në themel kanë
realitetin, që i paraqiten lexuesit në formën e mesazheve të gurkyçit, e që jo
kushdo mund t’i deshifrojë, ashtu sikundër ka arritur autori t’i shpjegojë duke
u bazuar në fakte konkrete dhe studime të hollësishme. Zaimi shprehet se sistemi fetar në tërësi është ndërtuar mbi bazën e
besimit, pra pranimi i asaj që është dëshmuar dhe shkruar në librat e shenjtë
si të vërteta absolute dhe realisht ne mundemi të vërtetojmë disa prej tyre si
pasqyrim fenomenesh që përputhen me ekzistencën e realitetit objektiv. Për më tej, gjatë një interviste për gazetën
“Shekulli” kapiten Zaimi rrëfen përvojën e tij të jashtëzakonshme në zbulimin e
vendqëndrimit të jashtëtokësorëve në atë pjesë të tokës që quhet Shqipëri.
Ju keni dyshime
se UFO-t kanë zbritur edhe në territorin shqiptar?
Unë
nuk kam dyshime por kam krijuar bindjen se Shqipëria është vizituar nga
civilizimet të tjera teknologjike, shumë më të avancuara nga civilizimi ynë.
Madje në fund të studimit që kam realizuar, kam arritur në konkluzionin që
civilizimi ynë është mbjellja e atij civilizimi që na ka ardhur nga një planet
tjetër. Pra në jemi krijesa të atij Krijuesi.
Njeriu i parë në
tokë ka qenë i klonuar?
Nuk
di të them llojin e teknologjisë që kanë përdorur ata në këtë fushë të gjenetikës,
por natyrisht që ka qenë një teknologji shumë-shumë e përparuar. Pra unë kam krijuar
bindjen se ne jemi produkt i tyre.
Mbi çfarë bazash
e mbështesni këtë?
Padyshim
që ka shumë argumente që e mbështesin këtë lloj hipoteze. Unë si referencë kam
marrë evidencat fizike, prova materiale që janë makete apo modele të anijeve hapësinore
të cilat i përkasin një civilizimi tjetër. Këtë unë e mbështes edh enë faktin
që i kam studiuar një pjesë të mirë të dëshmive që janë dhënë rreth UFO-ve të cilët
kanë vizituar planetin tonë. Nga modelet që unë vetë zbulova dhe disponoj,
arrij në konkluzionin që mbi 90% e tyre i takojnë të njëjtit civilizim
teknologjik. Dhe kjo ka shumë rëndësi, pasi dhe modelet janë lënë po nga i
njëjti civilizim që ka vizituar në kohë dhe viziton edhe sot e kësaj dite
planetin tonë.
Çfarë
konkretisht keni gjetur në zonën e Tomorrit ku ju keni bërë kërkimet tuaja?
Kam
gjetur modele anijesh specialet të gdhendura në gur. Por dua të them se nuk kemi
të bëjmë me një gur të zakonshëm. Më është krijuar ideja e aliazheve që janë
mjaft të mbrojtura. Këto objekte janë gjendur në vende që vështirë se mund të gjendeshin
edhe po të mobilizoheshin disa ekspedita botërore. Probabiliteti është shumë i
madh e sipas përllogaritjeve të mija është një në një trilion. Mund të shpenzoheshin
miliona dollarë e sërish këto të mos gjendeshin. Unë këtë zbulim, përveç dëshirës
e pasionit tim për t’u marrë me këtë punë, ia dedikoj asaj që ne e quajmë rastësi.
Por rastësia është indikacion i një krijese tjetër, e Krijuesit, pra i atij që ne
e quajmë Zot. Në fakt Zoti për mua nuk është ai që mendojmë. Kurani dhe Bibla që
unë i kam marrë si referenca janë dy libra të mëdhenj, por që përmbajnë të
vërteta shkencore. Mbi to mund të bëhet dhe zbërthimi i vizitave të jashtëtokësorëve.
Në një nga modelet që kam gjetur është harta e botës. Në këtë hartë jepen të dhëna
dhe mbi ekzistencën e Atlantidës dhe perandorin së Atlantëve.
Nga do t’ia
fillonit punës suaj kërkimore-shkencore?
Në
vitin 2009 ndërmora një pelegrinazh në malin e Tomorrit. Ekziston një legjendë që
Abas Aliu ka ardhur me kalë dhe është vendosur aty. Këtë legjende unë e
studiova dhe e pashë jo si një ngjarje mistike. Kisha dëgjuar për gjurmën e Abas
Aliut dhe këtë herë vendosa ta shikoja e ta fotografoja. Kur u ngjita për në
teqenë ku kryheshin ritet, i kërkova një kushëririt, tim i cili më shoqëronte,
që të më çonte tek gjurma. Mbasi mbaruam ritin në teqenë e Kulmakut, së bashku
me bashkëshorten të cilën e kisha marrë me vete, zbritëm faqen e malit dhe u
ndodhëm pranë tyrbes së ngritur në nderim të shenjës së Abas Aliut. Ishte hera
e parë që e vizitoja atë vend. U futëm në tyrbe. Gjurmës i bëra disa fotografi
nga pozicione të ndryshme. Ndërkohë që fotografoja realizova mendimin që ajo
gjurmë mbarte një histori, një fenomen të veçantë. Vura re që nuk kishte të bënte
fare me gjurmën e këmbës së Abas Aliut apo kalit të tij. I emocionuar dola nga
tyrbja. Pasi u ktheva në shtëpi i hodha fotot në kompjuter dhe fillova t’i
studioj e të bëj deshifrimin e tyre.
Gjurma e Tomorrit
është e vetmja e këtij lloji në Shqipëri?
Në
fakt jo. Një ditë bashkë me djalin tim dhe një ish pedagogun tim Daut Hoxhën
shkuam në Krujë dhe vizituam një vend të shenjtë, tyrben e Krastës. Dauti më
kishte vënë në dijeni se në Krujë ndodhej një gjurmë tjetër me të njëjtin
shenjtor e legjendë. Djali im më ndihmoi të bëja fotografi me cilësi. Me të mbërritur
në shtëpi bëra krahasimet në kompjuter me gjurmën e Tomorrit. Konstatova se
ishin të ngjashme. Ndërkohë një gjurmë e tretë ndodhet në Dosovec të Beratit
tek Qafa e Nishanit, të cilën arrita ta realizoj më 11 qershor 2011 me ndihmën
e avokatit Ilir Malindi. Trekëndëshi që formojnë tre gjurmët më tërhoqi
vëmendjen dhe supozova se në qoftë se në konstelacionin Pegasus do të gjej një
figurë gjeometrike të ngjashme me këtë trekëndësh, atëherë trekëndëshi Tomorr-Krujë-Qafa
e Nishanit është gjurmë, projeksion i trekëndëshit sferik që formohet në
konstelacionin Pegasus dhe autorët e vërtetë të këtyre gjurmëve janë jashtëtokësorët,
pra gjurmët orientuese të një civilizimi tjetër teknologjik.
Ju keni vepruar
vetë apo keni pasur dhe asistencë nga specialistë të huaj të ufologjisë?
Për
gjithçka unë jam konsultuar me informacionin e hapura të NASA-s, të cilat këto
vitet e fundit kanë qënë shumë të zgjeruara. Ndërsa gjatë një qëndrimi në SHBA
në qershorin e vitin 2010, kontaktova me një profesor të universitetit Shtetëror
të Xhorxhias, historian, filozof, ateist e producent dokumentarësh. Dr. Anthony
Clarke Veines, i cili pasi lexoi punimin tim në anglisht mbeti shumë i kënaqur
dhe më propozoi që nëse kërkoja që këtë punim ta ktheja në dokumentar ai do ta
realizonte me kënaqësi.
Shteti shqiptar
ka dosje të veçanta për ufologjinë?
As
që bëhet fjalë. Janë shtete të fuqishme si SHBA, Britania e Rusia që kanë
departamente të veçanta që merren me ufologjinë. Shqipëria nuk ka asnjë dosje
lidhur me këtë çështje.
Mali i gdhendur
mbi një anije hapësinore
Objektet
e rralla të gjetura në rajonin e Tomorrit, tanimë janë në duart e tij. Duke iu
referuar zbërthimit të tyre Përparim Zaimi shpjegon: “Po të shikojmë foton
konstatojmë se ajo përfaqëson një model të një anije fluturuese hapësinore me të
cilën jashtëtokësorët kanë mbërritur në planetin tonë dhe konkretisht janë ulur
në malin e Tomorit në Skrapar. Modeli i zbuluar në vitin 2005, botohet për herë
të parë. Në pjesën e sipërme të këtij modeli të anijes hapësinore është
skalitur në mënyrë mjeshtërore një pamje, që është ajo e malit të Tomorit. Me
ndihmën e instrumenteve zmadhuese vërehen mjaft qartë konturet dhe bimësia e
këtij masivi malor që siç thonë dhe legjendat e vjetra ka parë shumë ngjarje që
kanë ndodhur. Dallohen qartë jo vetëm pjesa e pyllëzuar, por dhe ajo pjesë e
zhveshur nga pyjet, ashtu siç mund të shikojmë dhe sot po ta vështrojmë nga
maja e malit në Çukën e Abas Aliut. Pra pozicioni i paraqitjes së Tomorrit është
një pamje nga sipër e tij. Në qoftë se i referohemi përcaktimit të ufologëve,
forma e diskut është i një tabakaje ose “saucer shape”. Modele të ngjashme për
nga forma janë shikuar e raportuar nga observues të ndryshëm”
Tomorri, vendi
mistik i perëndive
Përparim
Zaimi thotë se punimi i tij nuk bazohet në ndonjë sistem besimi, por të lë të
kuptosh se fenomenet janë argumentuar mbi bazën e një realiteti të studiuar
mirë dhe me kompetencë të plotë profesionale dhe shkencore: “Unë di saktësisht
nga dëshmi të sigurta dhe disa burimesh se pranë malit të Tomorrit, në fshatin
shumë pranë tij, janë vërejtur fenomene dhe ndodhi reale të çuditshme dhe misterioze
deri tani. Që mali i Tomorrit është mali ku qëndrojnë Perënditë, mendoj se nuk
qëndron më në kufijtë e legjendave dhe hipotezave, por fatmirësisht po
konfigurohet si një realitet objektiv. Mali i Tomorit dhe mjedisi përreth është
i njohur për mbajtjen e vlerave ideale, jashtë tokësore, mistike, vendi i
perëndive. Të gjitha këto etiketime dhe vlerësime të bëra në kohë të ndryshme
nuk mund të jenë thjeshtë pjellë e fantazisë popullore, e legjendave e besëtytnive
dhe e riteve dhe traditave që rrjedhin nga mosnjohja e fenomeneve në të kaluarën
historike, ato përmbajnë diçka të vërtetë që lidhet me konstatime dhe vrojtime
në kohë të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë dhe që njerëzit me nivelin e
zhvillimit të shkencës dhe mendimit nuk kanë qenë në gjendje me interpretimet e
tyre të shpalosin realitetin e mirëfilltë që fshihet pas tyre. Por ata i kanë ruajtur
e transmetuar mjaft mirë brez pas brezi”.
Zbuluesi i
UFO-ve “shqiptare”
Studimi
i kryer prej tij, në fushën e ufologjisë, ka kapur një distancë kohore prej të
paktën 15 vitesh, ndër të cilat janë ndërmarrë disa ekspedita. Gjithçka vetëm
për atë që ka ndodhur në territorin shqiptar, këtu e qindra vite më parë. Përparim
Zaimi ka kryer studimet e larta në degën e Navigacionit dhe është diplomuar në
Vlorë si Navigator për Flotën Detare Tregtare. Ka ndjekur studimet për degën
Inxhinieri mekanike. Përfundon studimet në Filozofi. Është njohës i disa
gjuhëve të huaja si Anglisht, Italisht, Rusisht. Është autori i disa studimeve
në fushën e peshkimit si ndërtimi i hartës së parë të relievit nënujor të detit
Adriatik dhe Jon. Gjatë karrierës së tij profesionale ka kryer detyra të larta
në administratën shtetërore për një kohë të gjatë si Kryetar Dege, dhe Drejtor
i Drejtorisë së Peshkimit në Ministrinë e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore.
Drejtori institucionesh administrative, projektues dhe këshilltar i ministrit.
Botuar në
gazetën SHEKULLI dhe...:
No comments:
Post a Comment