Historia e Shqipërisë
nëpërmjet filatelisë. Përjetësimi i krerëve të shtetit në pullat e safat që
udhëtonin nëpër botë
nga Leonard
Veizi
Së fundi ka bërë të mundur të
botojë një studim voluminoz e krejt të përveçëm, nën titullin “Historia e
filatelisë shqiptare – 100 vjet pulla shqiptare 19130-2013. Në 5 maj 2013filatelia
kombëtare shqiptare mbushi 100 vjet, nga dita e krijimit të saj. Thimi Nika,
një studiues e koleksionist fort i pasionuar pas pullave të postës, dhe jo
vetëm, rrëfen për “Shekullin” historikun e udhëtimit shekullor të tyre nga
vendimi i parë i qeverisë së Vlorës deri në emetimet e fundit të saj.
Kur e nisët
rrugën e koleksionimit të pullave?
“Parashuta” që më zbriti në
fushën e bukur të filatelisë ishte im atë. Kur isha 10 vjeç, falë nxitjes së
vazhdueshme të tij, por edhe pasionit e vullnetit tim, organizova në shkollën
“7 Nëntori”, në lagje Mangalem të qytetit të Beratit, ku vijoja mësimet, një
ekspozitë filatelike modeste, me pulla postare nga rreth 100 e ca shtete të
botës. E kujtoj mirë atë ngjarje, pasi, si asnjëherë tjetër, mora shumë
përgëzime nga mësuesit, shokët dhe bashkënxënësit e mi. Të habitur ata më
pyesnin: “ku i ke gjetur gjithë këto pulla?” Dhe unë, jo pa mburrje, u
përgjigjesha: “kam babanë filatelist. Ai më ka ndihmuar për t’i gjetur”.
“100 vjet
shtet”, mund të thuhet se botimi juaj i fundit pasqyron historinë e Shqipërisë
vetëm më anë të pullave?
Pullat janë nishane të shtetit,
ashtu si flamuri kombëtar, stema, monedhat e kartëmonedhat. Në qoftë se bën një
“rrugëtim” të gjatë nga emisioni i parë, më 5 maj 1913 dhe deri te më i fundit
aktualisht, emocionet që përfton janë thuajse të njëjta me ato kur lexon
tekstin e Historisë së Shqipërisë. Pulla janë pasqyrim adekuat i historisë.
Ndryshimi qëndron në faktin se historia nëpërmjet pullave përvijohet përmes
imazheve, kurse nëpërmjet tekstit përmes fjalës së dokumentuar.
Kur daton
pulla e parë kombëtare shqiptare?
Pulla e parë kombëtare shqiptare
daton më 5 maj 2013. 58 Qeveria e Vlorës ndoqi një rrugë praktike e të
përshtatshme, të përligjur për kohën, për prodhimin e pullës së parë kombëtare
me shpenzime fare të vogla. Me anë të një vule dore metalike, të porositur dhe
të ardhur nga Korfuzi, nëpunësit e postës konkretizuan idenë e ministrit Lef
Nosi, vulosën një sasi zarfesh të ngjyrave të ndryshme, që varionin “nga e
bardha në gri dhe nga gria në jeshile.” Pulla vulë kishte formë rrethore.
Diametri i saj ishte 38 mm. Brenda vulës, midis dy rrathëve koncentrikë, u vu
mbishkrimi: “MINISTERIA E POST. TELEG. E TELEFONEVET”. Në mes gjendej shqiponja
dykrenare e vendosur në një shqytë. Në pullën vulë, si shkrimi dhe shqiponja
ishin me ngjyrë të zezë. Secili zarf kushtonte 1 piastër ose 1 grosh (monedhë
osmane), ndonëse në të nuk shkruhej gjë. U prodhuan dhe u vunë në qarkullim
“pliko me vulën e Ministerit” 2.232 copë.
Sa i
përfaqësuar ka qenë në filateli portreti i Ismail Qemalit, si kryeministri i
parë i shtetit shqiptar?
Mund të them se gjatë gjithë
periudhës nga 1913 deri në 28 nëntor 1962 nuk u emetua asnjë pullë me portretin
e I. Qemalit. Viti 1962, viti i 50-vjetorit te shpalljes, u përkujtua me një
emision me tri pulla, në dy versione: të dhëmbëzuara dhe të padhëmbëzuara. Pas
këtij viti, në përvjetorë të tjerë të Pavarësisë, është vënë shpesh portreti i
Ismail Qemalit, herë drejtpërdrejt si foto ose pikturë, herë si vepër arti në
gjini të tjera, kryesisht në skulpturë.
Periudha
6-mujore e princ Vidit, si u pasqyrua në filateli?
Princ Vidi u prit në Durrës më 7
mars 1914 edhe me një eveniment filatelik. Mbi pullat e emisionit të gjashtë të
Qeverisë së Ismail Qemalit u mbishtyp në dy radhë teksti “7 Mars, 1467 RROFTË
MBRETI 1914”, duke përftuar kësisoj një emision të ri pullash. Duket qartë një
përpjekje për të bërë një paralelizëm dhe për të lidhur dy epoka: atë të
Skënderbeut në shek. XV me atë të mbretërimit të Princ Vidit. Nuk munguan edhe
përpjekjet për të nxjerrë një seri pullash me portretin e Princ Vidit. Në
historinë e filatelisë shqiptare ka dhe një fakt tjetër shumë interesant,
ndoshta unikal, lidhur me mbërritjen e princ Vidit në Shqipëri: prodhimi i 50 zarfeve
me seri të plota të emisionit me portretin e Skënderbeut të 1 dhjetorit 1913,
të anuluara “me vulë ari”, një term që ka hyrë në fjalorin e filatelistëve
shqiptarë. Krahas zarfeve, u prodhuan edhe një numër i kufizuar kartëpostaresh.
Këto zarfe dhe kartëpostare mbajnë datën 7 mars 1914. U prodhuan në Shkodër, në
kohën kur drejtor i Postës në këtë qytet ishte Sadik Tirana, për të evokuar
ditën e mbërritjes së princ Vidit. Për të vijuar shërbimin postar, ishte
menduar me kohë për një emision tjetër, për të zëvendësuar atë të 7 marsit
1914. Qysh në muajin shkurt, vetëm pak ditë pasi u vendos që në Shqipëri do të
vinte princ Vidi, u hodh ideja e emetimit të një serie pullash me portretin e
tij. Ky emision u porosit për t’u prodhuar në Vjenë, ku me sa duket u shtyp
falas nga qeveria austriake. Autorë të bocetit të pullave ishin modeluesi
Gurshner dhe gdhendësi i mirënjohur Shirnbok (autor i shumë emisioneve të pullave
austriake). Tipar dallues i emisionit është edhe përcaktimi i vlerave të
pullave në njësi monetare shqiptare: në qindarka dhe në franka. Ky emision,
sigurisht i prodhuar teknikisht me nivelin më të mire se të gjitha pullat e
mëparshme shqiptare, mbeti pa u vënë në qarkullim. Arsyeja ishte e thjeshtë:
pullat (nga vlera 1 qintar dhe deri te 1 frank) mbërritën në Durrës shumë vonë,
vetëm pak kohë para se princ Vidi të largohej përfundimisht nga Shqipëria. Në
këto rrethana ishte pa kuptim vënia në përdorim e tyre.
Po periudha
e mbretërimit të Ahmet Zogut?
Kjo periudhë karakterizohet në
filateli nga një tematikë tejet e kufizuar. Ajo dominohet nga emisione dhe
pulla të shumta me portretin e Ahmet Zogut. Duke filluar nga viti 1925, kur u
prodhuan pullat e para me portretin e Zogut dhe deri në vitin 1939, kur Shqipëria
u pushtua nga Italia fashiste, ka shumë seri pullash që i kushtohen Zogut, të
emetuara sidomos me mbishtypje të ndryshme për raste e ngjarje të caktuara që
lidheshin me të, që nga triumfi i Legalitetit e deri te shpallja e Mbretërisë
dhe Zogut Mbret, nga përvjetori i ditëlindjes së tij e deri te martesa me
hungarezen Geraldinë Aponyi etj.
Çfarë të
reje solli instalimi në Shqipëri i regjimit komunist?
Siç dihet populli shqiptar, në
vitet e Luftës së Dytë Botërore, u rreshtua në anën e koalicionit të madh
antifashist, që rezultoi fitues i kësaj lufte. Pas Çlirimit, si rrjedhojë e
zbatimit me fanatizëm të ideologjisë komuniste, për gati 45 vjet, në Shqipëri u
vendos dhe veproi shteti i diktaturës së proletariatit. Do të duhej të mbyllej
viti 1990 që gjerat të ndryshonin, të vendosej sistemi pluralist dhe t’i çelej
rruga demokracisë dhe lirisë së vërtetë. Historia e Shqipërisë e viteve
1945-1990 ose, si njihet ndryshe, “e periudhës së ndërtimit socialist”,
përshkohet nga një proces thelbësisht kontradiktor në të gjitha fushat e jetës.
Sigurisht ajo karakterizohet edhe nga një varg ngjarjesh të rëndësishme
politike, ekonomike e shoqërore si: miratimi i kushtetutës dhe shpallja e
Republikës Popullore, në vitin 1946, flirtet dhe divorcet e njëpasnjëshme me jugosllavët,
sovjetikët e kinezët, denoncimi dhe dalja nga Traktati i Varshavës, miratimi në
vitin 1976 i Kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë,
rindërtimi i vendit, industrializimi, zhvillimi i kulturës e artit, sportit
etj. Të gjitha këto ngjarje, qofshin politike ose jopolitike, kanë gjetur
pasqyrim të gjerë në filatelinë shqiptare të kësaj periudhe. Madje, në disa
raste, ato kanë ndikuar drejtpërdrejt ose jodrejtpërdrejt edhe në deformimin e
procesit të zhvillimit të filatelisë shqiptare, në injektimin e disa dukurive
negative, të cilat aktualisht, me të drejtë, i gjykojmë nga një këndvështrim
kritik. Për t’i pasqyruar sa më mirë ato, kërkohet që filatelinë, nga njëra
anë, ta shohim të lidhur ngushtësisht me zhvillimin e gjithë shoqërisë për tërë
këtë gjysmëshekulli dhe, nga ana tjetër, të njohim realisht gjendjen dhe ecurinë
e vetë filatelisë shqiptare, vendin dhe rolin e saj në jetën e përgjithshme
kulturore të shoqërisë gjatë kësaj periudhe.
Sa e
përfaqësuar është figura e Enver Hoxhës në pullat shqiptare?
Në qoftë se para vitit 1945, siç e
theksuam edhe më herët, në filatelinë shqiptare mbizotëronte figura e mbretit
Zog, tashmë shfaqet gjithkund portreti i Enver Hoxhës, i cili, për më shumë se
katër dhjetëvjeçarë e gjysmë, dominoi gjithçka në Shqipëri. Duke filluar nga
viti 1947 dhe deri në vitin 1985 janë rreth 20 emisione të veçanta ose jo të veçanta
ku pasqyrohet Enver Hoxha. Në vitin 1949, p.sh., u emetuar seria e parë e
veçantë e pullave për Enver Hoxhën, me 8 vlera të formatit 18,5x23,5 mm, me të
njëjtën pamje, portretin e tij me uniformë ushtarake. Dy vjet më vonë, në vitin
1951, emisioni kushtuar 7-vjetorit të Kongresit të Përmetit, kishte katër vlera
të formatit 30x35 mm, me të njëjtën pamje, portretin e Enver Hoxhës po me
uniformë ushtarake dhe në sfond një grup pjesëmarrësish në kongres; në vitin
1951, emisioni me rastin e 10-vjetorit të Partisë së Punës të Shqipërisë
përbëhej nga katër vlera të formatit 22x30 mm, me figurën e Enver Hoxhës dhe në
sfond shtëpinë ku u formua partia; në vitin 1968, me rastin e 60-vjetorit të
lindjes, ka gjithashtu një emision të posaçëm me 4 vlera dhe një bllok,
praktikë që është përsëritur edhe disa herë të tjera në vitet e mëvonshme, për
t’u mbyllur
me emisionin e 11 prillit 1985,
të përbërë nga një pullë e një bllok në përkujtim të ditës së vdekjes së tij.
Pulla e fundit me portretin e Enver Hoxhës është një nga dy vlerat e serisë së
emetuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, më 16 tetor 1988.
A do të
zhvishej nga politizimi filatelia pas rënies së “perdes së hekurt” edhe në
Shqipëri?
Për vetë mënyrën si funksiononte
sistemi shtetëror totalitar në periudhën e socializmit, emisionet e pullave
vuanin përgjithësisht nga politizimi dhe ideologjizimi i tejskajshëm. Ndryshimi
i sistemit, kalimi nga totalitarizmi i partisë-shtet në demokraci dhe
pluripartitizëm, i çeli “dritën jeshile” mënjanimit të politizimit dhe
ideologjizimit të pullave. Në këtë drejtim arritjet janë vërtetë të mëdha. Por
a mund të thuhet se këto dukuri janë shmangur plotësisht? Jo. Në emisione të
veçanta vihen re recidiva të tyre.
Portreti i
Viktor Emanuelit III në pullat shqiptare
Por si kanë vepruar shtetet
pushtuese me korrespondencën postare gjatë Luftës së Parë dhe asaj të Dytë
Botërore? Thimi Nika shpjegon: “Pushtimi
italian i dha fund monarkisë zogiste. Që nga ajo ditë, gjithçka në Shqipëri
filloi të organizohej sipas ligjeve fashiste dhe masave politike, ekonomike dhe
administrative të ideuara e të fabrikuara në Romë. Dokumentacioni i kohës ka
fiksuar si datë të rifillimit të shërbimit postar, pas pushtimit fashist, 9
prillin 1939. Pas 7 prillit 1939 dhe deri më 8 shtator 1943, kur Italia
fashiste kapitulloi pa kushte, u emetuan rreth 8 emisione (nga të cilët njëri
me pulla italiane të mbishtypura) Në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.
117, datë 25.05.1939, thuhet: “të përfundohet me shpejtësin ma të madhe sëpaku
shtypja e pullave postare ordinere prej 15 e 20 qind dhe ajo ajrore prej 20
qind.” 386 Pulla ajrore 20 qind me portretin e Viktor Emanuelit III, në të
djathtë dhe imazhin e avionit, në të majtë, është e para ku u dukën simbolet
fashiste, shenjat e liktorit. Më 8 shtator 1943, Italia pranoi humbjen dhe nënshkroi
kapitullimin pa kushte. Akti i
kapitullimit
bëri që, menjëherë pas tij, të ndërpriste veprimtarinë e saj edhe posta
ushtarake italiane. Periudha e okupacionit gjerman (shtator 1943-nëntor 1944),
veç të tjerave, karakterizohet dhe nga një censurë postare më e rreptë. Më 17
shtator 1943, p.sh., drejtori i përgjithshëm i PTT-së, Ndoc Naraçi, i drejtohej
me një shkresë “tepër urgjente” Ministrisë së Punëve Botore, për ta vënë në
dijeni se “ka pushue veprimtaria e censurimit të korrespondencës postare e
telegrafike, që deri ditët e fundit kryhej nga ana e organeve ushtarake italiane”.
Emision pullash për Stalinin
dhe Mao Ce Dunin
Reciprocitet
edhe në emisionet e pullave. Në këtë mënyrë drejtuesit e vendeve të ish- kampit
socialist janë fiksuar në pullat shqiptare, ashtu si dhe e kundërta. Duke iu
referuar këtyre fakteve Thimi Nika shpjegon: “Duke shpallur si kredo të të
gjithë jetës në Shqipëri ideologjinë marksiste-leniniste, edhe në filateli zunë
jo pak vend ideatorët e saj, Marksi, Engelsi, Lenini e Stalini. Në nenin 2 të
vendimit nr. 81 të Këshillit të Ministrave, datë 19 mars 1977, thuhej se “në emisionet
e pullave postare mund të trajtohen edhe tema kushtuar ngjarjeve të rëndësishme
politike e shoqërore ndërkombëtare në favor të marksizëm-leninizmit dhe të
diktaturës së proletariatit, si edhe vendeve miq të Shqipërisë”. Në zbatim të
kësaj dispozite janë prodhuar mjaft emisione dhe pulla të shumta me portretet e
tyre. Kështu, p.sh., janë 11 emisione ku pasqyrohet portreti i Marksit, 5
emisione ku del figura e Engelsit, 10 emisione me Leninin dhe 4 me Stalinin.
Pra, këto figura, siç ishin të pranishme vizualisht kudo në mjediset shqiptare,
u hyjnizuan edhe në filatelinë e periudhës 1945-1990. Disa emisione (5
gjithsej) i kushtohen edhe Kinës komuniste dhe udhëheqësit të saj, Mao Ce Dunit.
Janë 7 pulla të koleksionit filatelik shqiptar me portretin e Mao Ce Dunit”.
Berisha në e edicionin e pullave Evropiane
Në
periodizimin që i bëhet filatelisë shqiptare një vend të rëndësishëm zë edhe
periudha pas vitit 1990. Në këtë kohë, siç dihet, në Shqipëri u krye kalimi nga
shteti i diktaturës së proletariatit në demokracinë pluraliste. Në qoftë se
Shqipëria, në vitet 1945-1990, në funksion të marrëdhënieve miqësore me shtete
të tilla si Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik, Kina apo vende të tjera të të
ashtuquajturit “kamp socialist”, emetonte emisione të posaçme për to, siç
emetonin në mënyrë të ndërsjellët edhe ato për Shqipërinë, siç e theksuam në
kreun “Karakteristika të filatelisë shqiptare të pasçlirimit 1945-1990”,
aktualisht tematika shqiptare gjendet e pasqyruar edhe në filatelinë e
organizmave të tilla ndërkombëtare ku ajo është e anëtarësuar, si, p.sh.,
Këshilli i Europës. Zarfi i 1-rë mban datën 06.05.1992. I kushtohet vizitës
zyrtare të presidentit të Shqipërisë në atë periudhë, Sali Berisha në sesionin
e 44-t të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që filloi më 4 maj
1992. Në një të tretën e zarfit është vendosur fotografia e presidentit, duke
folur, më 6 maj 1992, në podiumin e këtij sesioni, kurse në pjesën tjetër është
një pullë franceze me tematikë Këshillin e Evropës, anuluar me vulë të
Strasburgut. Zarfi im mban numrin 33 dhe është pjesë e një tirazhi prej 300
kopjesh.
No comments:
Post a Comment