Tuesday, November 10, 2026

Libri nuk bëhet më i mirë nga zhurma që bëhet rreth tij


Nga Leonard Veizi
 
Marketingu agresiv, promovimet luksoze dhe shitja me çdo kusht nuk janë dëshmi e cilësisë së një libri. Mund ta bësh një libër të dukshëm për disa javë, mund ta vendosësh në qendër të vëmendjes gjatë një panairi, mund të organizosh promovime me sallone të mbushura e duartrokitje të programuara, por asgjë nga këto nuk garanton se vepra do t'i qëndrojë kohës. Një libër mund të shitet shumë dhe të harrohet shpejt. Një tjetër mund të kalojë pothuajse në heshtje dhe të vazhdojë të lexohet edhe pas shumë vitesh.
Personalisht, megjithëse nuk më kanë munguar mundësitë dhe prej më shumë se 35 vitesh jam pjesë e medias, nuk kam parapëlqyer kurrë të bëj marketing agresiv për veten apo për krijimtarinë time. Madje, në njëfarë mënyre, mund të them se jam edhe i pavlerësuar nga çmimet letrare. Por kjo është zgjedhje personale dhe nuk e përmend për ta kthyer në meritë. Fakti që nuk kam kërkuar vëmendje me çdo kusht nuk do të thotë se librat e mi janë domosdoshmërisht të mirë, sipas së njëjtës logjikë. As e kundërta nuk vlen: mungesa e marketingut nuk është provë cilësie, sikurse marketingu i bujshëm nuk është certifikatë talenti.
Në fund, këtë gjykim nuk e jep as autori, as botuesi, as moderatori i një promovimi dhe as ndonjë juri çmimesh. E jep lexuesi. Në gjuhën politike, lexuesi është sovrani. Në gjuhën e marketingut, është konsumatori që shpenzon jo vetëm paratë për të blerë librin, por edhe një pjesë të çmuar të kohës së tij për të hyrë në botën, mendimet dhe fantazitë e autorit. Dhe koha e lexuesit është ndoshta investimi më i rëndësishëm që mund t'i bëhet një libri.
Më bën përshtypje që disa shkrimtarë e kanë kthyer në zakon të presin panairin e librit për të hedhur në treg bateritë e tyre promocionale. Promovime luksoze, prezantime të bujshme, fotografi, intervista, duartrokitje dhe një përpjekje e vazhdueshme për ta bindur publikun se kemi të bëjmë me ngjarjen letrare të vitit. Por letërsia nuk është spektakël televiziv dhe libri nuk është produkt që fiton vlerë vetëm sepse shoqërohet me zhurmë… dhe me verë. Panairi duhet të jetë një festë e librit, jo një garë për të parë se kush ka arritur të ndërtojë spektaklin më të madh rreth kopertinës së vet.
Nuk kam asgjë kundër promovimit — dhe as që marr guximin të kem — madje as kundër marketingut si mjet për ta bërë librin të njohur. Autori ka të drejtë ta prezantojë veprën e tij dhe botuesi ka të drejtë ta shesë. Por ekziston një kufi mes promovimit dhe vetëreklamimit të tepruar, mes prezantimit të një vepre dhe përpjekjes për t'i imponuar publikut rëndësinë e saj.
Përtej kësaj, nuk mund të flas më shumë. Sepse duhet të flasë e zeza mbi të bardhë. Opinionet e hedhura në erë nuk kanë ndonjë vlerë të madhe.
Megjithatë, libri nuk bëhet i mirë nga zhurma që bëhet rreth tij.