Nga Leonard Veizi
Kur dëgjova
paralajmërimin e prerë të kryeministrit Rama se do të nisë sekuestrimi i të
gjitha produkteve të qumështit dhe bulmetit që tregtohen pa faturë, m’u kujtua
Xhezua. Hë ore Xhezua i romanit “Përballimi”, të shkrimtarit Teodor Laço, që
regjisori Viktor Gjika e ktheu në film.
Se në Shqipëri,
vetëm fshatarë si Xhezua shesin qumësht pa faturë, në atë që dikur e quanin
“tregun e zi” dhe sot e quajnë “ekonomi informale”.
Dikur, në kohën e
kooperativave dhe të bujqësisë së “lavdishme socialiste”, fshatarit i merrej
gruri si “tepricë”. Domethënë zyrtarisht thuhej se ai e dorëzonte vetë. Me
dëshirë.
-Ke parë ti që
tani që e dorëzuam bereqetin ndihemi më të lehtësuar, - deklaronte Shemshedini
në mbledhjen informale me shokët e tjerë të fshatit.
Në fakt, fshatari
i shkretë ishte i detyruar të dorëzonte djersën e ballit sipas kuotave të
përcaktuara nga lart – sepse ashtu e donte “plani dyvjeçar që do t’i sillte
begatinë vendit”.
- Hiqeni atë
parrullë! Eh sa punë duhet që të vijë begatia e vendit!, – udhëzonte sekretar
Martini, me një zë të thatë e një çantë komisari hedhur supit.
Nuk kishte rëndësi
nëse fshatarit i mbetej bukë për fëmijët. Llogarinë e bënte ai. Por tepricat
duheshin dorëzuar për “atdheun”. Se, sipas logjikës së partisë, po pate
tepricë, do të thotë se ke zënë rehat. Dhe kush është rehat, vë dhjamë. Dhe
kush vë dhjamë, është kulak.
- A s’të tha
sekretari se kulakët nuk kanë brirë?
-A s’të tha se ka
fshatarë që kanë filluar të vënë dhjamë përditë?
-A nuk je ti një
nga ata fshatarë që ke vënë dhjamë?
Këto i thoshte Nazifi,
i shpallur kulak pa triska, Xhezos, një fshatar i mesëm, që shiste grurin në
tregun e zi te pazari i Korçës me 120… asnjë centim më pak. Ose e ndërronte me
ndonjë palë “çizme të afendikoit”.
Sot, në një tjetër
regjim, po të njëjtit fshatar i vendoset tatim mbi bidonat e qumështit që shet
për të kapur ndonjë lek e për të paguar dritat dhe ujin që ia faturon shteti.
Jo më për kooperativën, por për të mbushur arkën e shtetit.
Sepse, sipas
vendimit të fundit të qeverisë, edhe një grua që zbret nga mali me bidonët e
saj për të shitur qumësht të freskët në qytet, konsiderohet “aktivitet ekonomik
i paregjistruar”.
-Kujt kujton se po
ia shket ti?
Fshatari, që dikur
shpallej kulak pse kishte dy dele më shumë se të tjerët, sot shpallet evazor
fiskal sepse guxon të mos lëshojë kupon tatimor për një bidon qumështi.
Ironikisht, jeta e tij ka ndryshuar shumë pak, nga lufta ndaj “kulakëve” të
djeshëm, te persekutimi i “prodhuesve informalë” të sotëm.
Nëse dje Sekretari
i Partisë të paralajmëronte se “kulakët nuk kanë brirë, por janë më të
rrezikshëm se armiqtë me armë”, sot nuk mungon zëri i zyrtarit modern që thotë:
“Nuk ka zhvillim pa formalizim”.
Por në fakt, të dy
flasin për të njëjtin njeri - fshatarin që zgjohet para agimit për të mjelë
lopën dhe që zbret në qytet me shpresën se do të shesë pak qumësht për të blerë
bukë e sheqer për fëmijët.
Ndërkaq, shteti -
si atëherë, edhe sot - është aty: për të matur, për të regjistruar, për të
numëruar.
Aty ku duhet
ndihmë, ai sjell burokraci. Aty ku duhet mbështetje, vendos një taksë.
Ja kështu, filmi
“Përballimi” i Kinostudios merr kuptim të ri në ditët tona.
Dikur, aty
fshatari përballej me padrejtësinë e kolektivizimit të detyruar.
Sot, përballimi është
tjetër - i heshtur, i zymtë dhe pa kamera.
Sepse dhuna nuk
vishet më me çizme, por me vendime të Këshillit të Ministrave. Dhe të gjithë e
pranojnë si “normalitet fiskal”.
Ndërkohë, për
ministrat dhe burokratët e kafesë në Tiranë, bidoni i qumështit duket si mall
luksi.
Por për fshatarin
që zbret e ngjitet malit çdo mëngjes, ai është mjeti i fundit për të qëndruar
në vendlindje.
Dhe, për çudi,
përsëri ai bëhet armik i klasës - këtë herë, jo për grurin, por për qumështin.
No comments:
Post a Comment