Nga Leonard
Veizi
Fjala e lirë,
padyshim, kushton më shumë se plumbi. E megjithatë, ka njerëz që zgjedhin të
mos heshtin. Nuk bëjnë zhurmë për të rënë në sy, por i japin zë një të vërtete
që shumëkush do të dëshironte të mbetej nën dhe, bashkë me viktimat e saj. Janë
ata që zgjedhin të jetojnë jo për veten, por për të tjerët. Dhe që, për këtë
zgjedhje, shpërblehen me frikë, izolim, kërcënime e një jetë në hije.
Roberto Saviano
nuk është vetëm emri i një gazetari. Është metafora e qëndresës. Është simboli
i njeriut që e mbush një libër me krim, por jetën e tij e sheh si një dënim të
përjetshëm për guximin e treguar.
Më 14 korrik 2025,
drejtësia italiane dha një vendim që tejkaloi emrat e të pandehurve apo numrin
e muajve të dënimit: ajo njohu zyrtarisht, pas 17 vitesh, se kërcënimi ndaj një
gazetari është një akt mafioz – jo thjesht një mendim në nxehje e sipër, jo një
ofendim kalimtar – por një krim kundër lirisë së fjalës. Françesko Bidonjeti,
bosi i Camorra-s, dhe avokati i tij Mikele Santonastaso, u dënuan për
kërcënimet që në vitin 2008 i bënë Roberto Savianos dhe gazetares Rosaria
Kapaçione gjatë procesit “Spartacus”, një nga proceset më të rëndësishme kundër
mafies në Italinë e Jugut.
Për Savianon, ky
nuk ishte thjesht një gjyq. Ishte kronika e një jete të vjedhur. Që prej vitit
2006, kur botoi librin “Gomorra”, ai është detyruar të jetojë nën mbrojtje të
përhershme policore. Jo për shkak të ndonjë krimi që ka bërë vetë, por sepse
tregoi me emër e mbiemër kriminelët që e kishin kthyer Italinë në një hartë të
ndarë mes ligjit dhe heshtjes.
“M’u vodh jeta,”
tha ai pas vendimit. Dhe më tej: “Por unë ëndërroj vetëm një shëtitje, një
udhëtim me motor…” Këto fjalë nuk janë për të krijuar trishtim, por për të
ngritur ndërgjegjen. Sepse vendimi nuk është vetëm për Savianon. Ai është një
dritë jeshile për të gjithë ata që zgjedhin të shkruajnë të vërtetën, edhe kur
ajo vret.
Ky vendim nuk
është ende final juridikisht – çështja mund të përfundojë në Gjykatën e
Kasacionit – por ka një vlerë të pakthyeshme morale. Është një precedent që
thotë se gazetari nuk është një zë i vetëm, i pambrojtur dhe i pashpresë
përballë rrjetave të krimit. Është një mesazh për politikanët që e akuzuan
Savianon për protagonizëm apo fabrikim frike. Është një ftesë për shoqërinë që të
mos rrijë spektatore, por të kuptojë se lufta kundër mafies nuk bëhet vetëm në
sallat e gjyqeve, por edhe në faqet e gazetave dhe në mendjet e lexuesve.
Kur një gazetar
sulmohet për shkak të fjalës së tij, nuk është ai që goditet. Është vetë
publiku që lëndohet. Është shoqëria që verbohet. Dhe është e ardhmja që
errësohet.
Saviano zgjodhi të
mos heshtë. Dhe tanimë, pavarësisht vuajtjes, i dha një fitore të vogël, por të
ndritur, fjalës së lirë. E bëri për vete, por më shumë për ne.
Në fund të fundit,
gazetaria nuk vlen vetëm kur raporton lajmet, por kur i bën ballë frikës. Dhe
kur gazetari vendos të mos bëjë kompromis me të vërtetën,… edhe nëse e paguan
me jetë.
No comments:
Post a Comment