Nga Leonard
Veizi
A po i afrojmë apo
po i largojmë turistët?
Me shumë gjasa, ne
shqiptarët nuk e përballuam dhe as e menaxhuam siç duhet lukuninë e turistëve
të huaj që u derdhën drejt Shqipërisë sapo disa media të mëdha ndërkombëtare
shpallën se në brigjet e Adriatikut ndodhej një vend piktoresk me çmime të
favorshme.
Për peizazhin nuk
gënjeu askush. Por ndoshta harroi të përmendte që pas kodrave me ullinj e
plazheve me rërë të artë, fshiheshin pirgje plehrash që konkurronin në lartësi
me shezlonët.
Turistët erdhën me
entuziazëm, por shumë prej tyre u larguan me një ndjesi zhgënjimi që nuk e lan
as deti.
Kohët e fundit,
Shqipëria ka qenë në qendër të vëmendjes jo për promovime vezulluese, por për
kronika dhune që ngjajnë më shumë me raporte nga ringje boksi sesa me
fletëpalosje turistike.
Në lajme dhe
rrjete sociale shfaqen pa ndërprerje pamje ku vendasit i nisin debatet me
grusht, i vijojnë me bishta çadrash dhe, nëse argumenti logjik dështon,
përfundojnë me armë zjarri. Turizëm “all-inclusive”, që përfshin edhe traumën
si suvenir.
Në fakt, një
turist mund të humbasë ca orë nxirjeje nga dielli, por mund të fitojë më shumë
duke vënë baste për gladiatorët që përplasen çdo ditë në arenën e improvizuar
të plazhit.
A nuk do ishte më
me leverdi të organizonim një kampionat kombëtar “Plazh Fight Club” dhe ta
përfshimë në guidat turistike si atraksion?
Ndërkohë, tregu
shqiptar ofron gjithmonë diçka të re – zakonisht një rritje çmimesh.
Çmimet janë të
kripura, shërbimi pa kripë, dhe fatura shpesh të kujton Parisin – vetëm se
mungon Kulla Eiffel dhe ndonjë kamerier që të sjell ujë pa u thirrur tri herë.
Në rrjetet
sociale, turistët shfaqen të hutuar: “Na thanë Shqipëria është e lirë… po për
kë?”, pyesin teksa numërojnë centët para se të porosisin një birrë që kushton
sa një koktej në Berlin.
Dhe të kemi
parasysh: Shqipëria ende nuk ka përjetuar vërshimin e turistëve me xhepa të
rëndë.
Nuk na kanë
zbarkuar milionerët e rivierës franceze, por kryesisht backpacker-ët me Google
Maps në dorë dhe tenda në çantën pas shpine. Ata që hanë një herë në ditë dhe
flenë në kampingje – jo sepse janë aventurierë, por sepse hotelet me pesë yje u
duken si zyrat e NASA-s: të paarritshme.
Ndërkohë, edhe
personeli që duhet t’i presë, thjesht… nuk ekziston. Ai i trajnuar jo e jo, por
nuk gjen as personel të patrajnuar.
Po shteti?
Ai është aty…
diku.Jo për të vendosur standarde, por për të bërë foto me drone dhe për të
lëshuar slogane. Në vend të strategjive, kemi spote me violina, ndërsa në
realitet pushuesit ballafaqohen me tejmbushje, kaos urbanistik dhe pagesa “cash-only”
që kalojnë nën radarin e tatimorit.
Mediat vendase,
nga ana tjetër, kanë marrë rolin e Public Relations-it zyrtar. Ndërsa dhuna
përhapet si valët e detit, ato vazhdojnë të flasin për “vit rekord turistik”,
një term që duket se matet me numrin e makinave që bllokojnë rrugët, jo me
kënaqësinë e turistëve.
Çdo raport është
një trumbetë suksesi – edhe kur plazhi ngjan me një landfill me shezlonë.
Jemi një vend që
ecim kuturu nëpër ekonomi tregu, e me një shpresë gati fetare për integrimin në
Europë.
Por ndoshta, më
parë duhet të integrojmë veten me veten, me ndonjë standard, ndonjë ndjeshmëri
ndaj tjetrit, dhe ndonjë përpjekje për të kuptuar që turistët nuk janë vetëm
për t’u shtrydhur si limonë në gusht, por për t’i kthyer sërish në maj. Sepse
nëse vazhdojmë kështu, mund të kemi një turizëm “të qëndrueshëm” – në kuptimin
që nuk do lëvizë më askush drejt nesh.
Dhe kur të
kujtojmë vitet kur bregdeti gëlonte nga të huaj, do na mbetet vetëm nostalgjia…
dhe ndonjë bast i humbur në ringun e rërës.
No comments:
Post a Comment