Wednesday, June 15, 2016

Intervistë me kolonel Pëllumb Zaimin: Ushtria shqiptare ‘90 me 100 miliard dollarë asete

Leonard Veizi

I pabesueshëm, në sasi dhe vlerë monetare, arsenali i lëvizshëm i ushtrisë shqiptare deri në vitin 1990. Nëse  shtohen dhe objektet e palëvizshëm e territoret, shifra rritet në mënyrë katastrofike...

...Në sektorin shkencor të Akademisë Ushtarake, ku ai bënte pjesë bashkë me 5 kolegë të tjerë si ekspert i analizave ushtarake, vinin informacione më shumë se kudo tjetër, për shkak të rëndësisë që kishte vetë detyra. Falë punës së gjatë në sektorin prej nga dilnin tezat, ku duhej të mbështetej ushtria në paqe e në rast lufte, ai ka njohuri të gjithanshme. E veç kësaj, pas përvojës në terren si komandant i një batalioni art-mitraljer, vite më vonë do të emërohej edhe në krye të kabinetit të komandës së forcave ajrore. Duke pasur këto detyra, ai është i gatshëm të japi përgjigje edhe atje ku duket se nuk e ka informacionin e duhur. Gjithsesi, koloneli në rezervë Pëllumb Zaimi, thotë se ushtria Shqiptare “notonte” mbi para, përderisa asetet e saj të shitëshme, kapnin një vlerë prej miliarda dollarësh. Të gjitha këto ai i sqaron gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”:

Një nga vendimet e qeverisë në ikje është shkurtimi i pagës për ushqimin e ushtarakëve në detyrë dhe kjo bëhet për shkak të krizës financiare. Si e konsideroni këtë vendim?
Si të gjitha vendimet e tjera kundër ushtarakëve edhe ky është një turp i qeverisë. Ushtarakët shqiptarë duhet të trajtohen më denjësisht, ata që janë në detyrë, ata që kanë dalë në rezerve dhe ata që janë në pension. Para ka mjaftueshëm për të gjithë ushtarakë e ish-ushtarakë, sa për të mos e ndjerë krizën.

Në një krizë globale ku mund të gjenden këto para?
Ato duhet të ishin bërë vit pas viti, që nga çasti që u mor vendimi politik se Shqipëria nuk kishte nevojë për një ushtri aq të madhe sa ishte ajo e viteve ’90. Pra këto para gjendeshin në asetet e ushtrisë. Aty ka pasur shifra kolosale parash, por dhe ka ende. Them ka pasur pasi një pjesë e mirë e tyre tanimë janë zhdukur. Por në qoftë se asetet e ushtrisë do të administroheshin në rregull e sipas ligjit, vetëm 10% e shifrës totale që kapin këto asete do ta rregullonin bilancin e pagave të ushtrisë dhe administratës shtetërore për shumë vite me radhë. Dhe kriza nuk kishte pse të ndihej as sa t’u heqësh ushtarakëve dhe ushqimin.

Të flasim më konkretisht?
Ushtria shqiptare e viteve ‘90 ka pasur një arsenal të jashtëzakonshëm, armësh, municioni, karburanti, ushqime e veshmbathje. Nëse këto do të shiteshin sipas rregullave, buxheti i shtetit do të furnizohej çdo vit me disa qindra milionë dollarë.

Çfarë shifre kapin këto asete?
Ju them pa frikë, duke u bazuar në atë që kanë nxjerre dhe specialistët e fushës, se ushtria shqiptare ka pasur asete që vlenin deri në 100 miliard dollarë, pa përmendur këtu objektet dhe territoret.

A nuk ju duket kjo një shifër shumë e lartë, madje e ekzagjeruar?
Mund të jetë shumë e lartë por është e vërtetë dhe e bazuar mbi fakte konkrete.

Që do të thotë...?
Që do të thotë se vetëm municioni i ushtrisë shqiptare, ai i importuar dhe ai i prodhuar në vend, i sistemuar në disa qindra depo e tunele, kap shifrën e 65 miliard dollarëve. Të mos harrojmë se uzina e Poliçanit prodhonte 48-58 ton municion në 24 orë, fishekë pushke, automatiku, mitralozi të lehtë e të rëndë. Gramshi prodhonte 400-500 automatikë e pushkë automatike në ditë ose 120 mijë në vit me një kosto prej 6000 dollarë për copë. Kostoja ishte e lartë pavarësisht se ato në tregun e zi të viteve të fundit patën një vlerë shitje prej 300 dollarësh. Mjekësi prodhonte më shumë se 6000 ton eksploziv në vit.

Ndërkohë çfarë tjetër mund të shitej nga arsenali i ushtrisë?
Ushtria shqiptare ka pasur 196 avionë MIG dhe helikopterë MI-4, po të shtojmë këtu 12 avionë AN-2, skuadriljet me PO-2 dhe JAK-18, si dhe 4-avionë qeveritarë IL-14 shkojnë 240. Flota ajrore numëron 125 avionë MIG të tipave të ndryshme që varionin nga 15-25 milion dollarë për ekzemplarë. Mesatarja kap vlerën e 4 (katër) miliard dollarëve.

Sa ka qenë forca e ushtrisë tek mjetet e blinduara?
Në ushtri numëroheshin 1200 tanke e transportues të blinduar. Një tank kapte shifrën e 600-800 mijë dollarëve sipas tipave. Mesatarisht kap vlerën 1 (një) miliard dollarë.

Po artileria kundërajrore?
Në artilerinë kundërajrore numëroheshin të paktën 4000 gryka zjarri që përbëheshin nga mortajat 60 mm, tek topat obuz 122 e 150 mm. Ndërkohë në këtë artileri futeshin edhe kanjushat ML-130, 12 dhe 19 grykëshe. Marr parasysh se topat obuz më të thjeshtë, ata 122 kanë pasur në një vlerë prej 70 mijë USD. Në artilerinë kundërajrore futen edhe grupet e raketave SAM-2 tokë-ajër. Ushtria shqiptare dispononte rreth 200 të tilla.

Të vijmë tek Forcat Detare?
Forcat Detare numëronin të paktën 100 copë anije të tipave të ndryshme, nga të cilat 4 nëndetëse, 4 gjuajtës të mëdhenj, 6 gjuajtës të vegjël, 2 dragamina të mëdha, 6 dragamina të vogla, rreth 60 katra silurues, anije ndihmuese etj. Por ka pasur dhe një armatim prej 400-500 copë silura me vlerë rreth 1500 dollarë copa, (700 mijë dollarë) dhe mbi 2000 mina detare me vlerë mbi 1000 dollarë copa (2 milion dollarë). Vlera e një nëndetëseje është shumë e lartë për shkak të teknologjisë që kanë.

Çfarë vlere kishin uzinat ushtarake?
Kishim uzina ushtarake me vlera kolosale si: Uzina e Tankeve dhe e Artilerisë në Tiranë, e baterive në Berat, e armatimit në Gramsh, e municionit në Poliçan, e lëndëve plasëse në Mjekës, (që ishte 100 % me teknologji suedeze), ishin gjithashtu uzina e riparimit të avionëve në Kuçovë, uzina e lokacionit, KRAF-i i Pasha Limanit, për remontin e anijeve mbiujëse dhe nëndetëseve. Këtu nuk po përmend një seri mini-uzinash në të gjithë territorin e republikës ku bëhej remont i pjesshëm i mjeteve luftarake. Këto uzina kishin teknologji moderne, përgjithësisht kineze por dhe franceze e suedeze që ishin fjala e fundit për kohën. Vlera monetarë është vështirë të nxirret pa dokumentet përkatës.

Në çfarë sasie kishte municion?
Mund të bëjmë një llogari duke u bazuar në sasinë e municioneve që kishin të depozituar njësitë e ushtrisë. Por unë nuk kam informacion mbi sasinë që ndodhej në depot e armatës. Megjithatë një batalion kishte rezervë 2-3 mijë ton municione të të gjitha kalibrave, brigada kishte nga 10-15 mijë ton municione rezervë, ndërsa divizione 20-25 mijë ton municione rezervë. Duhet të kemi parasysh se ushtria shqiptare kishte 22 divizione. Çdo divizion kishte 5-7 brigada, pra ishin rreth 130 brigada, këmbësorie, artilerie, sulmuese dhe rezerva të Shtabit të Përgjithshëm. Çdo brigadë kishte 5-7 batalione. Ishin më shumë se 30 regjimente të artilerisë kundërajrore. Çdo regjiment kishte 3 batalione. Përafërsisht ishin 800 batalione me një sasi totale prej 2 milion ton municion të të gjitha kalibrave. Brigadat dhe regjimentet kishin depot e tyre të rezervave me një sasi prej 1.5 milion ton municion dhe gjithashtu 22 divizionet kishin depot e tyre me rreth 500 mijë ton municion. Vetëm me kaq kemi të paktën 4 milion ton municione. Por nuk njohim sasinë e municionit që ishte depozituar në depot e armatës në Qafë Mollë, në Elbasan, në Rrëshen, në Berat. Këtu duhet të kemi parasysh se batalionet art-mitraljer të zonave malore kishin nga 12 mijë mina kundër tank dhe nga 16 mijë mina kundër këmbësorisë. Ato të kufirit bregdetar kishin edhe më shumë.

Sa ka qenë ndihma në vlerë monetare që na ka dhënë Bashkimi Sovjetik dhe Kina?
Natyrisht unë nuk mund të flas dot për gjëra që nuk i di, por mund të jap vetëm një shifër të parë në një dokument sekret. Në atë dokument flitej për një ndihmë prej 17 miliard dollarësh të dhënë nga Kina në vitet 1974-1976, e gjitha në pajisje ushtarake.

Çfarë arsenali ushtarak sillte Kina në Shqipëri për të pasur shifra të tilla marramendëse?
Mund të them se në ndihmat e Kinës për ushtrinë shqiptare fillonin nga thikat speciale që përdoreshin në të gjithë ushtrinë, por sidomos tek repartet e zbulimit, tek dylbitë B-12 që e afronin një objekt deri në 12 herë, e për të shkuar tek tanket, avionët e mjetet e riparimit për nëndetëset e anijet mbiujëse luftarake. Të mos harrojmë se ushtria kishte rreth 15 mijë automjete transporti. Por gjithashtu brigadat e xhenios kishin në inventar disa dhjetëra ura të montueshme të tipit “Ponton” dhe “Beli” ku kalonin jo vetëm trupa këmbësorie e makina, por dhe tanket. Por nga Kina edhen edhe disa spitale fushor me të gjitha pajisjet dhe çadra për fushim ku mund të strehoheshin 300 mijë njerëz. Ndërkohë ushtria u pajis radio-lokator, por dhe radio-pelingator për 7-8 pikat e radio-zbulimit të ushtrisë.

A ka një inventar të plot të këtyre mjeteve?
Para vitit 1992 këto inventarë kanë qenë të plota, por pas vitit 1997 gjithçka është asgjësuar. Kjo kërkon një revizionim të saktë. Nëse ngrihet një grup pune me revizorë e teknicienë dalin përfundimet. Nuk dihet çfarë është bërë e po bëhet me pronat e ushtrisë, që siç e përmenda, ato kapin një shifër prej 100 miliard dollarësh.

Po rezervat e luftës?
Ushtria ka pasur rezerva të mëdha të paprekshme që kodoheshin “101 K”. Në këto rezerva futeshin edhe vlerat monetare në rast lufte që ishin tepër-tepër sekret. Por kishte ushqim, veshmbathje, municion e karburante të projektuara për 5 vite lufte. Në vitin 1997 u shpërdoruar të paktën 50 mijë ton karburant, dhe në atë kohë karburanti kishte një vlerë prej 600 lek për litër. Por me këtë rast u asgjësuan dhe dokumentacionet dhe kështu askush nuk u fajësua për këto vjedhje gjigante që ishin pasuri e ushtrisë dhe e vetë popullit shqiptar. Pronat e ushtrisë janë abuzimi më i madh i qeverive që kanë ardhur në Shqipëri pas vitit 1992.

Ndërtimi i fortifikimeve sa ka kushtuar?
Në Shqipëri u ndërtuan 175 mijë qendra zjarri, ku çdo njëra prej tyre kishte një vlerë prej 7500 lekë të reja, me përjashtim të atyre të mëdha. Por u ndërtuan dhe shumë kilometra tunele nëntokësore bazat e strehimit të avionëve dhe dy kryeveprat arkitektonike që ishin Baza Ajrore e Gjadrit dhe Baza Detare e Porto-Palermos. Gjithashtu janë ndërtuar dhe komandat e batalioneve, brigadave e më tej. Këto objekte janë ndërtuar me punën e oficerëve dhe ushtarëve. Më kujtohet që kur isha oficer i ri, komandanti i batalionit Destan Shira ngriti me ushtarët e oficerët, por duke qenë vet në krye të punëve, komandën e batalionit dhe ndërtesat e kompanive me një hapësirë prej 800 metra katrorë. Gjithçka me forcat e repartit e duke thyer gurë në mal.

Ndërkohë problem i madh ishte strehimi...?
Po u tregoj një detaj. Në fund të vitit ‘92 na vjen një urdhër i ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali, i cili kërkonte të dinte sa sipërfaqe banimi kishte Divizioni i Parë i Tiranës (më i madhi në vend), me qëllim që të strehoheshin ushtarakët të cilët ishin pa shtëpi. Punuam mbi harta dhe në fund dolëm në konkluzionin se Divizioni i Parë kishte hapësira banimi të adoptueshme prej dhomë e kuzhinë, (1+1) sipas standartit të kohës, të paktën 8000 hyrje. Vendi kishte  22 divizione. Po të marrim një mesatare që njësitë e tjera të konvertonin 5-6 mijë hyrje të tilla, pra 1+1, mund të strehoheshin të paktën 120 mijë familje. Por ku janë këto prona tani, po trojet përreth tyre?”.




 ORGANIKA

Ushtria shqiptarë kishte këtë organizim

22 Divizione;
5 Baza furnizimi,
185 brigada të ndryshme;
23 regjimente AKA;
3 brigada xheniere;
1 regjiment ndërlidhje.
1 regj. zbulimit strategjik;
36 batalione zbulimi; etj.

-Efektivi përbëhej nga:
-rreth 16.500 oficerë
-rreth 9.000 nën/oficerë
-rreth 60.000 ushtarë
-rreth 8.000 civilë
-rreth 450.000 rezervistë
-rreth 230.000 Forca Vullnetare

Në arsenalin e ushtrisë kishte:
pistoleta 480.853 copë;
mitraloza të lehtë e të rëndë - 36.052 copë;
GHKT -1370 copë;
mortaja 60 m/m - 7100 copë;
mor.82 m/m - 3712 copë;
mor.120 m/m - 1710 copë ;
mort.160 m/m - 76 copë;
mit. Ka 12. m/m - 1485 copë;
mit. 14.5 m/m 2-4 grykësh - 896 copë;
Topa 75 m/m KT - 6345 copë;
Topa 107 m/m KT - 296 copë;
Topa 85 m/m KT. 970 copë;
Top Obuza 122 m/m 1892 copë;
Topa 100 m/m - 120 copë;
Topa 57 m/m - 120 copë;
Topa 130 m/m - 24 copë;
Artileri Reaktive 72 shtretër lëshimi;
Topa KA. 37 m/m dy grykësh – 1820 copë;
Raketa Tokë-Ajër - 16 shtretër lëshimi;
Topa KA 57-150 m/m - 24 grykësh - 1310 copë;
Topa KA 25 m/m - 2 grykesh në anije - 12 copë
Topa KA 37 m/m në anije 27 copë;
Topa 85 m/m në anije 4 copë;
Topa 23 m/m në avionë - 67 copë;
Topa 30 m/m në avionë - 217 copë; topa 37 m/m në avionë - 26 copë;
Avionë luftarake të tipave të ndryshëm 175 copë;
Helikopter 36 copë;
Makina të ndryshme: vetura, operative, transporti dhe luftarake 14.120 copë;
Diagaçë të ndryshëm -  630 copë;
tanke luftarakë 1060 copë me kulla çeliku special, po kaq dhe topa 85-100 m/m;
transportues të blinduar - 638 copë;
anije luftarake të ndryshme mbi ujëse K/S etj 85 copë; 4 nëndetëse etj;


Botuar në gazetën SHEKULLI në 11 gusht 2013       

No comments:

Post a Comment