Thuhet se rrugët e Tiranës janë kthyer në një ferr
të vërtetë, për këmbësorë, biçiklistë e drejtues automjetesh. Problematika duket
aq e madhe sa çështja është shtruar për zgjidhje në tavolina emisionesh televizive
e në tavolina kafenesh gjithashtu. Por vetëm një vëzhgim në orët e pikut, të
jep dimensionin e vërtetë se ku rreh debati, e me këtë rast të të mbushet dhe
mendja se fjalët nuk dalin kot.
Por e dini me çfarë ndeshesh rëndom në këto rrugë me
trafik të rënduar?
Në qoftë se më së shumti prej jush mendon se janë shoferët
që u bien borive vend e pa vend, duke krijuar ndotjen akustike tej normave të
lejuara, unë ju them se jo. Në rrugët plot makina të kryeqytetit, në kryqëzime
me semaforë tri ngjyrëshe, e vijëzime të dala boje, do ndeshësh më së shumti gra
me celular në timon. Padyshim që është emancipim spektakolar të shkosh në punë
me makinën tënde; ta mbushësh serbatorin dëng me benzinë se e ke portofolin
plot, e të kapësh 80 kilometra në orë për 5 sekonda nga starti. Se nuk kanë
ndodhur këto para viteve ´90. Dy gra shofere kishte gjithë Tirana, njëra i
jepte një ZIS-i me rimorkio, diku andej nga Ndërmarrja Bujqësore “Gjergj
Dimitrov” e një tjetër kishte kapur timonin e taksisë tip “Varshava” prodhim
polak i vitit 1953. Diktatura i dënoi rëndë ca shtresa për 45 vite e mos më tepër.
Grave ua mori shpirtin nëpër aksione e punë vullnetare. Nuk kishin kohë as për
të shkuar te parukerja e as të bënin thonjtë me xhel. Po shyqyr mbërriti
demokracia dhe liria e dëshiruar erdhi me një tufë aksesorësh nga pas. Kaluan
25 vite, u ftilluan. Si hoqën nga përdorimi sapunin e Rrogozhinës, e filluan jetën
e re me një prerje flokësh “alla franceze”, pastaj blenë nga një celular me taç,
dhe në fund nga një makinë. Sipas mundësive: ca “Smart” si kuti shkrepëseje e
ca fuoristrada, me 8 pistona që shpenzojnë 20 litra karburant për 100
kilometra. Kjo është jeta. Këtu u bëmë një me Europën. Se ca aspirata i kemi
plotësuar ne shqiptarët, kot të qahemi.
Por nuk mbaron me kaq. Për më saktë, këtu fillon
dhe problemi.
Me një dorë në timonin e makinës e një tjetër te
celulari, që e mban në vesh kushdo thyen ligjin, në Shqipëri, Europë e Amerikë
po deshe. Se dhe mua më ka rënë rasti të bëj ndonjë budallallëk në rrugë: edhe
me të kuqe kam kaluar e s’ma ka bërë syri “tërrt”, po kur vjen puna për të
folur në celular nuk ma mban fare. Por nga dritaret e makinës, apo kur e marr
rrugën më këmbë, gjatë gjithë kohës shoh gra që flasin në celular kur janë në
timon. Vajza të reja e gra në moshë sa të mbetesh me gojë hapur e të të bjerë
damllaja. Nuk e heqin celularin nga veshi dhe kur janë gati të bëjnë “xing”. Këtu
e them me bindje se ato janë trimëresha të vërteta, si Shota, si Tringa, si... Se
mos keqkuptohemi; nuk është puna se kanë marrë mauserët në dorë, u mjafton
timoni. Apo mbase më duken kaq të forta ngaqë mua vetë më shkojnë shtatë kur më
bie zilja e celularit gjatë rrugës, dhe bëj sikur nuk e dëgjoj. Ndërsa ato o të
keqen instinktet top, yxhym me celularin në kokë e timonin në dorë dhe i bëjnë
zbor makinës e xhirojnë gomat si të jenë në “fushën e Starovës”, e futen në
kthesë pa e vënë këmbën në frena. Nuk i pengojnë as thonjtë e vënë e as
sandalet me taka 10-12 centimetra të larta.
Ta lëmë mënjanë ironinë.
Në Kodin Rrugor, nene të veçanta përcaktojnë qartë
për: rripat e sigurisë, shpejtësinë brenda normave të lejuara, drejtimin e
automjetit nën ndikimin e alkoolit, përdorimin e telefonit celular, e ca të
tjera. Pra, përdorimi i telefonit celular gjatë udhëtimit kur je drejtues
automjeti përbën kundravajtje dhe dënohet.
Dhe le të kthehemi sërish aty ku e lamë...
Por a kanë faj femrat që rrinë gjithë kohës me
celular në vesh?
Jo, them unë. Dhe i kam ca argumente, kur u dal në
mbrojtje. Pra, nuk është tërësisht faji i tyre. Është “hi tech”-u që i ngacmon.
Mesazhe pa fund në “viber” e “what'sapp”. Operatorët celularë po e kanë liruar
dorën sa s’bën: minuta falas e internet pa kufi. Të keqen e “Samsungut S 6” se brenda 10 minutave informohesh. Mirëpo
ndërkohë, duhet t’i japësh dhe makinës. Se dhe gjatë pritjes në semafor për 6-7
sekonda sa të hapet jeshilja, aty në mes të kryqëzimit, e shfrytëzon kohën. E bën
një status bashkë me selfien. “Jam te Bërryli, po shkoj për në punë. Dita është
e papame. Jeta plot shkëlqim. Puc”. Alamet optimizmi. Hapet jeshilja dhe makina
fluturon. Rrugës e poston. Te semafori tjetër dërgon një sms: “A është shefi në
zyrë se jam me vonesë?” Përgjigjen e lexon rrugës: “Mos e rruaj fare, ka shkuar
në kafe”.
Po ka dhe këmbësorë që presin gjithë tension te
vizat e bardha, duke parë sa majtas-djathtas para se të hedhin këmbën nga
trotuari. Mirëpo duhen marrë vesh të rejat e fundit: ca nga bota e ca nga
vendi. Duhet ditur çfarë kanë bërë një natë më parë rivalet. Si kanë qenë të
veshura? Nga cili “pub” i kanë postuar fotot? Po ja që të futet një kalimtar i
pakujdesshëm m’u te hunda e makinës: “Idiot, ku e ke mendjen”. Tjetri mbledh
supet: “Mirë unë, po ti?”. “Ik or debil”. Debati mbyllet, makina ecën me
tërsëllimë. S’ia vlen të humbasë kohë me kalimtarët që hipin në autobusët e linjës
me abone. Është vonë për në punë.
Kjo është panorama e sotme në rrugët e Tiranës.
Lehtësisht e verifikueshme. Mjafton të pish një kafe te një lokal buzë rruge, e
të përqendrohesh. Dhe nuk do relaksohesh, por do të të iki truri nga ajo që do
shohësh.
No comments:
Post a Comment