Monday, June 6, 2016

Beteja e një panairi libri

nga Leonard Veizi

Ndonjëherë nuk ka rëndësi shumë sa të bukura janë stendat ku vendosen librat, sa e madhe është hapësira ku ekspozohen, e sa ndriçim apo dritëhije ka ambienti ku zhvillohet një aktivitet në qendër të të cilit është veç libri. Më së shumti ka vlerë se sa mirëpritet libri pikërisht aty ku shkon, si produkt fizik me vlera specifike. Kjo e fundit ka marrë vlerë në Panairin e Prishtinës, që në qershorin e këtij viti mbahej për të 17-tën herë.
Në mbyllje të Panairit, meqenëse Shoqata e Botuesve, pra organizatorët e tij më vendosën në një panel ku më duhej të flisja diçka, thashë shkurt se: “Panairi i Prishtinës më hoqi shijen e keqe të Panairit të Librit në Tiranë, pjesë e kompeticionit “Tirana Open” i cili u zhvillua rreth një muaj më parë dhe që për të thënë të vërtetën ishte as më shumë e as më pak por: i “vakët”. E ripërsërita këtë shprehje si për të kuptuar edhe një herë, që me sa duket dy kryeqytetet e shqiptarëve rezervojnë të drejtën të kenë nga një panair libri të mirëorganizuar, por duket se çdo tentativë tjetër e futur si pykë në mes, veçse prish balancat e marrëveshjes së lexuesve me një produkt kaq delikat sa ç’është libri fizik. Frikës së botuesve, (që nuk ishin pak por 110 prej tyre), se e njëjta vaktësi që shoqëroi panairin e majit në Tiranë (e theksoj të majit, jo atë tradicional të nëntorit) lexuesi i Prishtinës, dhe jo vetëm, iu përgjigj me shumë ngrohtësi. Rreth 40 mijë vizitorë në një panair 5 ditor nuk janë pak, por ajo që do të shtoja unë ishte se, këta vizitorë ishin njëkohësisht dhe blerës, pasi në një përqindje shumë të lartë ata kanë dalë nga ambientet e Panairit me libra në duar. Pra, përkundër vizitorëve të Tiranës, që janë më të shumtë në numër, por që një pjesë e madhe e tyre e konsiderojnë panairin e Pallatit të Kongreseve si një “trend” për të kaluar nja dy orë larg të zakonshmes, Panairit që u zhvillua në një segment të “Boro e Ramiz” në Prishtinë dukej se i tejkaloi pritshmëritë e të gjithëve.
Si përfundim, Panairi dha edhe çmimet e tij. Dhe për të qenë korrekt deri në fund me këtë aktivitet të rëndësishëm, më duhet që në mënyrë zyrtare të prezantoj në këtë shkrim të shkurtër edhe ata që u nderuan me çmime. Në këtë ceremoni shkrimtari Roland Gjoza u shpall shkrimtari i vitit, kurse çmimi i shkrimtarit të vitit në letërsi të huaj i takoi nobelistit Patrick Modiano. Në këtë edicion u dhanë gjithashtu edhe çmime të tjera. Ai për prozë i takoi Rexhep Murtez Shalës, - çmimi për poezi, Xhevdet Bajrajt, - për kritikë, studime letrare, - eseistikë dhe publicistikë - Blendi Fevziut, kurse çmimin për përkthim letrar e ndanë Jorgji Doksani dhe Anila Xhekaliu. Çmimi për projektin kapital u dha për veprën De Rada, që është mbështetur nga të dyja ministritë e Kulturës, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë. Çmimi për fëmijë iu dha Arif Demollit dhe çmimi për stendën më të vizituar i takoi shtëpisë botuese “Pegi”. Për herë të parë sivjet u dha edhe çmimi për shkrimtarin debutues, që i takoi shkrimtares Geverina Muzhaqi. Juria që i dha këto çmime ishte e përbërë prej Adem Gashit, Elvi Sidherit dhe me kryetare Ilire Zajmin.
Ndërkaq, te librat me të kërkuar ndër autorët shqiptarë rezultuan të ishin: “Ambasadori i Melkizedekut” i Veton Surroit, “Mashtrimi i Madh” i Bardhyl Mahmutit, “Zonja Z” e Albatros Rexhajt, por dhe librat e Blendi Feziut e padyshim të Ismail Kadaresë.
Në panairin e 17-të të Librit në Prishtinë, u shënuan edhe përvjetorë të shumtë në respektim të traditës letrare shqiptare e botërore, si 150 vjetori i lindjes së Zef Skiroit, 100 vjetori i lindjes së Roland Bartit, 100 vjetori i lindjes së Artur Milerit, 100 vjetori i vdekjes së Josif Bagerit, 95 vjetori i lindjes së Mark Krasniqit dhe 20 vjetori i vdekjes së Anton Pashkut.
Ndërkohë një përvjetor shumë i rëndësishëm e sinjifikativ ishte dhe 100 vjetori i lindjes së Dhimitër Shuteriqit. Në aktivitetin e organizuar me këtë rast në qendër të vëmendjes u vu bashkëshortja e tij Myneveri, e cila edhe pse me një moshë të thyer 91-vjeçare, kishte udhëtuar drejt Prishtinës nën shoqërinë dhe të njërës prej vajzave të saj, Zanës. Ajo mbajti një fjalë të shkëlqyer duke dhënë si rezultante se Dhimitër Shuteriqi e filloi krijimtarinë e tij letrare duke botuar një poezi për Kosovën, dhe e mbylli gjithashtu me romanin “Sytë e Simonedës”, ku pjesa më e madhe e veprës flet gjithashtu për Kosovën.
Si përfundim, me duhet sërish të them, se ata që u morën me panairin e 17-të të librit në Prishtinë rezervuan të drejtën të shpreheshin se, në panairin e ardhshëm, do të na befasojnë më një organizim të ri e spektakolar, ku libri do të marri më shumë vlera, ose përndryshe: atë që meriton.

Postuar në ResPublica, 08 Qershor 2015 

No comments:

Post a Comment