Nisur
nga prurja masive e çmimeve këtë fundviti them se vazhdoj të jem pa fat. Në të
vërtetë asnjëherë nuk i kam pasur punët mirë me stimujt. Por s’ma merr mendja të
më ketë rënë mallkimi, për mosmarrje letrash të llustruara e teneqe që
ndriçojnë si flori 24 karatësh. Gjithësesi, në biografinë time “akademike” më
rezulton të kem marrë një fletë-lavdërimi në klasën e 7-të të 8-vjeçares, por
dhe këtë për punë të palodhur në punën prodhuese 15-ditore pas mbarimit të
shkollës. Por dhe kjo e kishte një hile: punova me normë se doja të merrja ca
ditë leje, në fakt.
Gjatë
viteve të shkollës së mesme, në Politeknikum as që u bë fjalë që mund të merrja
ndonjë vlerësim të kësaj kategorie. Madje shpëtova paq në vitin e fundit pa më
thyer një notë në sjellje, se kishte filluar të më merrte ca koka erë. Për më
tej shyqyr që u diplomova. Madje për shyqyr më shumë se kisha numër amze dhe
provime të dhëna një më një. Lehtësim i madh për besë.
Për
shans, apo për jo të tillë, edhe gjatë shërbimit të detyruar ushtarak, - që e bëra
në bazën e Pasha Limanit, atje ku as rusët s'na bënë dot derman, - më dhanë një
fletë-lavdërimi shoqëruar me një nga “Ditarët” e shokut Enver. As kësaj rradhe
nuk bëj shaka jo, ju betohem. U bënë dy deri tani. Por problemi është se nuk ua
kam ditur vlerën dhe nuk i ruajta në dosjen personale, ndaj dhe nuk i vërtetoj
dot. Nejse...
Erdhi
demokracia. Epo shpëtuam nga fletëlavdërimet, mendova. Se i kam pasur bezdi ca
stimuj që duket se bënin dhe klasifikimin “të nënës, e të njerkës”. Ose ndoshta
kam pasur zili që i mernin të tjetër e unë “opingën”. Aso kohe mendova: “Tani
jam i barabartë mes të barabartëve. Unë s’marr e s’marr, por nuk do marrin as
të tjerë”. Po jo ore, ç’është ajo fjalë, nuk bën vaki ndryshe! Fletët e
lavdërimit më shfaqen kudo. Para syve i kam. Në facebook si kurrë ndonjëherë.
Merr certefikata e bëj publike. Në faqen time nuk gjenden të tilla për be. Si
t'ja bëj?
Mirëpo,
unë nuk mbahem dot vetëm me historitë e vjetra. Se një fletë-lavdërimi në 8-vjeçare
e një në ushtri nuk ngrejnë peshë, për më tepër sot që të ngrejnë peshë. Pra duhet
revolucionarizuar jeta me doemos. Prit të bie në sy e të më japin ndonjë
certifikatë. Hiç gjë. Vetëm ato të gjendjes civile kam në menynë personale.
Çmime letërsie… aha s’më ndez fare nga ajo anë. Çmime për gazetarinë. O po hiç
u them, edhe pse 20 e kusur vjet kam shkruar ose kam bërë sikur kam shkruar!
Kur vjen radha te unë certefikatat mbarojnë; o s’ka letër, o prishet printeri.
Të
vetmin trofe, kjo që shihni në foto, e që po e shtrëngoj fort, ma akordoi
Aspasjana Kerxhalli me grupimin RIAS. Për të tjera… nul.
Epo
kur nuk më dha çmim as Aleksandër Çipa, që e kam mik, si zor se u afrohem më trofeve.
Në fakt kot i bie në qafë Çipës se ai jep çmime për gazetarët e ekonomisë e unë
nga ajo anë s’para ia them, madje dhe shumëzimet i bëj me aparatin e celularit.
Por e mora thjesht, sa për shembull.
Megjithatë
unë e kam vendosur, do ta marr një çmim se s’bën. E për këtë do bëj një ofertë
të hapur, jo pas kuintave: më jepni çmimin ta nxjerr në facebook se paratë nuk
do t’i marr, ose të paktën do t’i ndaj me ata që do ta japin…, e sigurt.
*Shkrimtar, gazetar.
**Shtuar nga “Illyria”.
Postuar më 17 dhjetor 2014
No comments:
Post a Comment