Friday, May 29, 2026

Shqipëria, vendi pa ilaçe kanceri, por plot me hormone...

 

Nga Leonard Veizi
 
"Për herë të parë në Shqipëri, terapi hormonale në QSUT."
Luj, more vendit!
Kur dëgjova këtë lajm, u hodha përpjetë nga gëzimi. Se zakonisht në lajme dëgjoj ose për vrasje në mes të ditës, ose për aksidente me vdekje në mes të natës. Por këtë herë ishte ndryshe.
Dëgjoja se qeveria e kishte bërë fora dhe kishte marrë masa duke mbushur farmacitë ding me hormone.
– A e sheh? – i thashë gruas. – Qeveria po punon për ne. Se nuk besojnë këta çapaculët. Më në fund erdhën ilaçet e munguara!
Gruaja më bëri me dorë të ulja entuziazmin.
– Mos e ke marrë jangëllësh zotrote, – ma preu shkurt. – Nuk kanë ardhur kimiot. Janë hormone këto.
– E çfarë? – ia pata unë pa të keq. – Ilaçe janë, mo?
– Shohim lajmet më mirë, që ta marrim vesh.
Dhe vërtet u sqarova.
Sepse na u bë e ditur se bëhej fjalë për transgjinorët. Hormonet na ishin bërë çështje kombëtare. Bëhej fjalë për një urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, i miratuar më 28 prill 2026, që synonte t’i jepte zgjidhje kësaj situate. Me to, sipas debatit të ditës, burrat mund të bëhen gra dhe gratë burra.
– Tobekstakfrullah! – shqeva sytë unë. Dhe ky ishte lajmi i ditës. Ndaj shfryva. – Ore janë të terezi të kokës këta. Njerëzit vuajnë nga kanceri ndërsa qeveritarët tanë vuajnë nga trutë.
– Epo, a nuk duam të hyjmë në Evropë? – tha gruaja me një buzëqeshje të hidhur. – I kemi edhe ca taksirate sipër.
– Sikter me gjithë Evropën! – shpërtheva unë.
Dhe aty më erdhi ndër mend një batutë nga filmi "Nëntori i Dytë" i regjisorit Viktor Gjika.
– Po Evropi, ç'thotë, Ismail bej? – pyet babai plak i Lym Kepit nga ballkoni i shtëpisë, teksa ishte mbledhur me ca patriotë të tjerë, që mbanin qylafë në kokë.
– Po të jemi të bashkuar dhe, në një mendje, do të na njohë, – përgjigjet Ismail Vlora.
– Aha! Se ha atë pykë ajo rospi, jo!
Ja, kjo kishte të bënte me koncentratin e përvojës popullore. Evropa pa pantallona paska qenë edhe para 120 vitesh, por tani duket se ka mbetur pa brekë fare.
Dhe ende nuk e kuptoj se si Evropa, kontinenti që dikur pushtoi gjysmën e botës, eksportoi perandori, ushtri, industri dhe ide, sot duket sikur nuk është më në gjendje të mbrojë as vetë bindjet mbi të cilat ndërtoi qytetërimin e saj.
Dikur i mësonte botës se çfarë ishte shteti, ligji, shkenca dhe qytetaria. Sot duket se kalon ditët duke u grindur me vetveten për pyetje që brezat e mëparshëm do t'i kishin quajtur të vetëkuptueshme.
Por ndoshta problemi është se unë vazhdoj të mendoj si një njeri i thjeshtë. Mbase nuk jam mjaftueshëm modern për të kuptuar se çfarë është emergjente dhe çfarë mund të presë.
Sepse, ndërsa ne debatojmë për hormone, diku një i sëmurë me kancer pyet farmacistin nëse ka ardhur ilaçi që i duhet për të vazhduar kurën. Diku tjetër një familje numëron kursimet e jetës për të blerë jashtë vendit atë që nuk e gjen dot këtu. Diku një nënë, një baba, një bashkëshort apo një fëmijë pret me ankth përgjigjen e radhës së mjekut, duke shpresuar që të paktën trajtimi të mos ndërpritet.
Këto nuk janë debate televizive. Nuk janë tema për studio me drita, analistë dhe duartrokitje. Janë histori njerëzish që maten me ditë, me muaj dhe nganjëherë me orë.
Prandaj më duket i çuditshëm entuziazmi ynë kolektiv. Sillemi si një familje që ka çatinë të rrëzuar, muret të çara dhe fëmijët pa bukë, por që mbledh gjithë lagjen për të diskutuar ngjyrën e perdeve.
Nuk po them se bota nuk ndryshon. Nuk po them se shoqëria nuk ka të drejtë të diskutojë për çdo temë që e konsideron të rëndësishme. Por ekziston një rend natyror i prioriteteve. Dhe në atë rend, e drejta për të jetuar vjen para çdo debati tjetër.
Sepse njeriu që lufton me vdekjen nuk pyet për ideologji. Ai pyet nëse ka ilaçe Nëse ka shpresë. Nëse do të zgjohet përsëri nesër.
 

No comments:

Post a Comment