Nga Leonard Veizi
Në agimin e nxehtë
parizian të 21 gushtit 1911, korridoret e Luvrit u zgjuan me një boshllëk të
frikshëm. Në vendin ku prej vitesh priste vizitorët buzëqeshja e mistershme e
një gruaje të shekullit XVI, u gjend vetëm një kornizë bosh...
...Askush nuk e kuptoi
menjëherë se ajo që mungonte ishte një nga pikturat më të çmuara të botës; në
fillim, Luvri thjesht dukej sikur kishte humbur një prej veprave të tij. Brenda
pak orësh, megjithatë, mungesa e saj do të kthehej në një nga misteret më të
bujshme të shekullit. “Mona Lisa”, vepra e Leonardo da Vinçit, ishte zhdukur pa
gjurmë. Lajmi për vjedhjen e saj përhapi një tronditje të paprecedentë dhe e
shndërroi menjëherë pikturën në një ikonë botërore.
Plani i punëtorit
italian
Autori ishte Vinçenzo
Peruxhia, një italian i thjeshtë, punëtor xhami që kishte punuar në muze. I
bindur se piktura i përkiste atdheut të tij, ai hyri në Luvër i veshur me
uniformën e bardhë të punonjësve, e hoqi tablonë nga muri, e çmontoi nga
korniza mbrojtëse dhe e fshehu nën rrobat e veta. Pa shumë vështirësi, arriti
ta nxirrte jashtë ndërtesës.
Paris në panik
Kur u zbulua mungesa e
veprës, në fillim u mendua se ajo ishte marrë për restaurim. Vetëm pas disa
orësh u pranuar e vërteta: “Mona Lisa” ishte vjedhur. Shtypi shpërtheu me tituj
sensacionalë. Policia dyshoi madje edhe te Pablo Picasso, që përkohësisht u
mbajt i hetuar, por pa prova dhe u shpall i pafajshëm.
Dy vite në fshehtësi
Piktura qëndroi më shumë
se dy vjet në një apartament modest parisien, brenda një kutie druri. Në vitin
1913, Peruggia tentoi ta shiste në Firence, duke u paraqitur si patriot që
donte ta kthente veprën në Itali. Tregtarët e artit dhe drejtori i Galerisë
Uffizi e kuptuan menjëherë se kishin përballë origjinalin dhe njoftuan
autoritetet. Peruggia u arrestua, ndërsa vepra u rikthye në Francë.
Pasojat dhe fama e re
Në Itali, tabloja u
ekspozua përkohësisht dhe u përjetua si “kthim në shtëpi”. Më pas u dorëzua
sërish Luvrit, ku ndodhet edhe sot. Gjykata e dënoi Peruxhian me vetëm një vit
e 15 ditë burg, duke marrë parasysh motivin e tij patriotik. Por pas kësaj aventure,
fama e “Mona Lizës” u rrit në përmasa planetare: mijëra njerëz u dyndën për ta
parë zonjën enigmatike që kishte sfiduar jo vetëm kohën, por edhe ligjin.
Frymëzimi në kinema
Ngjarja e vjedhjes
frymëzoi edhe botën e kinemasë, duke u shndërruar në subjekt filmash dramatikë
e komikë:
-“Nick Winter and the
Theft of the Mona Lisa” (1911) – një komedi e shkurtër franceze, realizuar
menjëherë pas ngjarjes, që tallej me paaftësinë e hetuesve.
-“The Theft of the Mona
Lisa” (1931) – dramë gjermane e Geza fon Bolvari, ku Peruxhia paraqitet si i
dashuruar që përmes vjedhjes kërkon zemrën e një kamarierjeje.
-“The Mona Lisa Has Been
Stolen” (1966) – komedi franceze e Mishel Devij, që e kthen ngjarjen në një
aventurë të shpenguar me magjistarë, kriminelë e policë.
Epilogu
Vjedhja e 1911-s, nga një
akt i një punëtori anonim, u shndërrua në një moment të artit botëror që vulosi
mitin e “Mona Lizës”. Që atëherë, buzëqeshja e saj e padukshme nuk është më
thjesht një portret – por një legjendë.

No comments:
Post a Comment