Nga Leonard Veizi
Ai
përshkroi në mënyrë magjepsëse një botë ëndrrash në të cilën objektet e
zakonshme deformoheshin ose metamorfozoheshin në një mënyrë të çuditshme dhe irracionale.
Ndaj u njoh dhe si piktori më me ndikim për eksplorimet e tij të imazheve të
nënndërgjegjes, duke mbetur njëkohësisht dhe piktor surrealist nga më të
rrallët që nxori bota. Gjatë karrierës së tij përfundoi 1648 piktura, pa
përmendur librat e ilustruar, dizenjimet e skenave dhe kostumeve për teatër,
një numër të madh vizatimesh, duzina skulpturash dhe projekte të tjerë,
përfshirë dhe një film vizatimor për “Disney”...
...Në
Shqipërinë e viteve të komunizmit, informacioni për botën e jashtme ishte shumë
i pakët. Dhe bëhej më si vështirë penetrimi kur flitej për arte moderne që
ishin në kundërshtim me praktikat e realizmit socialist. Informacioni për
pikturën, mund të kishte ndonjë dritare në Akademinë e Arteve, por aspak për
masën. Ndaj një libër kritik si “Labirintet e modernizmit” shkruar nga Alfred
Uçi, mbetej një mundësi për të marrë informacion bashkë me kritikën
socrealiste, që shkonte deri në banalitet. Si pjesë e informacionit ishin dhe
ilustrimi i vëllimit me një seri pikturash të autorëve modernë, të cilat ishin
të stampuara me ngjyra në këtë libër estetike. Nga kjo mund të krijoje një
përfytyrim më të saktë rreth asaj që në Shqipërinë e kohës cilësohej si art
dekadent dhe degjenerues për rininë me moralin e shëndoshë komunist. Dhe kështu
u njoha me Dalinë, për të cilin kisha dëgjuar aty-këtu informacione me kursim.
Labirintet... e Dalisë
Dha
ja çfarë shkruan mes të tjerash profesor Uçi, në librin e tij “Labirintet e
modernizmin – Kritika e estetikës moderniste”: “Figura me e rëndësishme e artit
surrealist deri vitet e para pas Luftës se Dytë Botërore, ka qenë Salvador
Dali. Jeta dhe veprimtaria e Dalisë janë shumë kuptimplote për personalitetin e
degjeneruar të artistit modernist në përgjithësi. Për tablotë e tij Dalia ka
thënë se janë produkt i një realiteti krejt spontan e irracional për të fiksuar
ëndrrat, kllapitë dhe halucinacionet, por, në të vërtetë, tablotë e tij janë të
sajuara, të ndërtuara me kujdes e me vetëdije të plotë, duke kombinuar
artificialisht figurat e sendeve ose të pjesëve te tyre. Piktura e tij është
një shkatërrim i vërtetë i arti”.
Në
definicionin e tij estetisti për më tej Alfred Uçi shkruan: “Pikturat
surrealiste nuk i dhurojnë spektatorit asnjë kënaqësi pozitive estetike; ato
ngjallin vetëm emocione negative, frikë dhe neveri. Në historinë e artit të
shekullit XX surrealizmi mbetet si një simbol i llahtarshëm i degjenerimit të
artit borgjez e revizionist”
Kaq
për sa i përket informacionit të dikurshëm mbi një artist botëror. Ndërsa sot
për Salvador Dalinë gjen informacione pa fund dhe për më tepër në këndvështrime
të tjera.
Fillimet e Dalisë
U
lind më 11 Maj, 1904 në Figueres të Spanjës, pranë kufirit francez në
Katalonia. Për Dalínë thuhet se ishte një fëmijë i parakohshëm dhe inteligjent.
Pas njohjes së talentit të tij të jashtëzakonshëm, prindërit e dërguan në
shkollën e vizatimit në Colegio de Hermanos Maristas dhe në Institutin e
Figueres në Spanjë, në vitin 1916. Nuk ishte një student serioz, preferonte të
ëndërronte dhe u dallua si ekscentrik i klasës, veshur me rroba të çuditshme
dhe flokë të gjatë. Pas vitit të parë në shkollën e artit, zbuloi pikturën
moderne. Vitin pasardhës, i ati organizoi një ekspozitë me punimet e tij në
karbon. Në vitin 1922, Dalí u regjistrua
në Academia de San Fernando në Madrid. Si student arti Dalí përvetësoi një
numër të madh stilesh artistikë dhe shfaqi një strukturë të pazakontë teknike
si piktor. Megjithatë, deri në fund të viteve 1920, dy ngjarje sollën
zhvillimin e stilit të tij të pjekur artistik: zbulimi i shkrimeve të Sigmund
Frojdit mbi rëndësinë erotike të imazheve nënndërgjegjeshëm dhe përkatësia e
tij me surrealistët e Parisit, një grup artistësh dhe shkrimtarësh, me të cilët
u përpoq të vendoste “realitetin më të madh” të nënndërgjegjeshëm njerëzor mbi
arsyen. Për të sjellë imazhe nga nënndërgjegjja e tij, Dalí nisi të nxiste
gjendje haluçinative në vetvete me një proces që ai e përshkroi si “kritikë
paranojake”. Metoda përshkruante një
gjendje mendore të çorientuar qëllimisht që do t'i lejonte një individi të lidhte
gjëra të palidhura, duke krijuar rrugë të reja të mendimit dhe krijimit. Sapo
përvetësoi metodën, stili i tij i pikturës u poq me një shpejtësi të
jashtëzakonshme dhe mes viteve 1929 -1937 prodhoi pikturat që e bënë atë
artistin më të njohur surrealist në botë.
Martesa e Dalisë
Në
gusht 1929, Dali takoi Elena Dmitrievna Diakonova, një emigrante ruse, e cila
ishte 10 vjet më e madhe në moshë. Aso kohe, ajo ishte gruaja e shkrimtarit
surrealist Paul Éluard. Mes Dalisë dhe Diakonovës pati një tërheqje të fortë psikike dhe
fizike, ndaj kjo bëri që Elena të largohej nga Éluard, për t’iu përkushtuar të
dashurit të ri. E njohur gjithashtu si “Gala”, Diakonova u bë muza dhe
frymëzimi i Dalit. Ajo ndihmoi në balancimin – ose mund të thuhet kundërpeshën
– e forcave krijuese në jetën e piktorit. I kushtuar fantazisë së tij të egra,
ai nuk ishte i aftë të kontrollonte paratë apo thjesht që artin e tij ta
kthente në biznes. Kështu që Gala u kujdes për çështjet e tij ligjore dhe
financiare duke negociuar kontrata me tregtarët dhe promovuesit e ekspozitave.
Çifti i martua zyrtarisht në vitin 1934.
Pikëpamjet politike të Dalisë
Pikëpamjet
e tij politike ambivalente gjatë ngritjes së fashizmit i larguan kolegët e tij.
Ndërsa
lufta po afrohej në Evropë, veçanërisht në Spanjë, Dalí u përplas me anëtarët e
lëvizjes Surrealiste. Në një “gjyq” të zhvilluar në vitin 1934, ai u përjashtua
nga grupi. Kishte refuzuar të mbante një qëndrim kundër diktatorit spanjoll
Françisko Franko. Zyrtarisht, Dalí u njoftua se dëbimi i tij ishte për shkak të
"aktivitetit të përsëritur kundër-revolucionar që përfshinte kremtimin e
fashizmit nën Adolf Hitlerin".
Surealizmi i Dalisë
Do
të mbeste si një emblemë sentenca e tij gjatë një replike: "Unë vetë jam
surrealizëm".
I
njohur për personalitetin e tij madhështor ai u njoh gjithashtu për rolin e
provokatorit të djallëzuar, po aq sa edhe për virtuozitetin e tij teknik të
pamohueshëm.
Kritika
është shprehur se pikturat e tij shfaqin një magjepsje për artin klasik dhe të
rilindjes, qartësisht e dukshme përmes stilit të tij hiper-realist dhe
simbolizmit fetar.
Dalí
i portretizoi objektet me detaje të përpikta, pothuajse të dhimbshme realiste
dhe zakonisht i vendoste ato brenda peizazheve të zymta të ndriçuara nga
dielli. Ndoshta më e famshmja nga ato imazhe enigmatike është “The Persistence
of Memory” punuar në vitin 1931, në të cilën orët e thyera pushojnë në një
peizazh të qetë e të frikshëm. Kritika shpjegon se piktura përcjell disa ide
brenda imazhit, kryesisht se koha nuk është e ngurtë dhe gjithçka është e
shkatërrueshme.
Në
fund të viteve 1930, Dalí kaloi në pikturë në një stil më akademik nën ndikimin
e piktorit të Rilindjes Rafael. Më pas, ai kaloi pjesën më të madhe të kohës së
tij duke projektuar skena teatrore, ambiente të brendshme të dyqaneve në modë.
Por ekspozoi gjenialitetin e tij me punime të bujshme në Shtetet e Bashkuara,
ku jetoi nga viti 1940 deri në 1955. Në periudhën nga 1950 - 1970, Dalí
pikturoi shumë vepra me tema fetare, megjithëse vazhdoi të eksploronte tema
erotike, të përfaqësonte kujtimet e fëmijërisë dhe të përdorte tema të
përqendruara te gruaja e tij, Gala.
Fundi i Dalisë
Në
vitin 1980, Dalí u detyrua të tërhiqej nga piktura për shkak të një çrregullimi
që i shkaktoi dridhje të përhershme dhe dobësi në duar. Duke mos qenë më në
gjendje të mbante një penel, ai kishte humbur aftësinë për të shprehur veten
ashtu siç dinte më mirë. Në vitin 1982, bashkëshortja e tij vdiq. Këto dy
ngjarje e çuan në një depresion të thellë. Ai u zhvendos në Pubol, në një
kështjellë që e kishte blerë dhe rimodeluar për bashkëshorten. Në vitin 1984,
Dalí u dogj rëndë në një zjarr. Për shkak të plagëve të marra, ai u kufizua në
karrige me rrota. Më 23 janar 1989, Salvador Dalí, ky gjeni i pikturës
surrealiste, vdiq në qytetin e tij të lindjes nga një sulm në zemër. Ishte në
moshën 84-vjeçare.
No comments:
Post a Comment