Nga
Leonard Veizi
U
njoh si “Fatih”, apo Mehmeti Pushtuesi. Ishte ende i ri kur hyri triumfalisht
në zemrën e Perandorisë Romake të Lindjes: Konstandinopojë. Kjo ngjarje,
padyshim, e ngazëlleu pa masë. I shtyrë nga ambicia dhe lavdia, ai u përgatit
të nisej drejt zemrës së Evropës. Por, përpara se të hapte rrugën e re të
pushtimeve, duhej të shkatërronte një pengesë të vjetër: Krujën, një kala që as
babai i tij, Sulltan Murati II, nuk kishte mundur ta merrte në vitin 1450.
Kështu, në vitin 1466, Mehmeti II ndërmori një tjetër fushatë kundër arbërorëve
dhe u vu në krye të një ushtrie prej gati 100 mijë trupash. Me një ushtri të
tillë, Murati II kishte tentuar më kot rrethimin e parë të Krujës
gjashtëmbëdhjetë vjet më parë. Edhe këtë herë, kala e pathyeshme, e mbrojtur
nga 4,000 luftëtarët e Vrana Kontit dhe Tanush Topisë brenda mureve, si dhe nga
8,000 kalorësit e udhëhequr nga gjeneral Gjergj Kastrioti në terren, nuk ra.
Ndryshe nga Konstandinopoja, Kruja i rezistoi rrethimit shumëmujor dhe mbeti e
papushtuar...
...Gjithsesi ai
ishte Mehmet Pushtuesi. I ri, ambicioz dhe i vendosur të lëvizte gurët e
historisë, ai bëri që në 29 maj të vitit 1453,- pas një rrethimi të gjatë
dhe të ashpër që zgjati 53 ditë, - të ngrihej flamuri i bardhë në
Konstandinopojë. Zemra e Perandorisë Bizantine dhe simboli i krishterimit
lindor ra në duart e ushtrisë osmane. Sipas kronikanëve, ky ishte një çast që
ndau historinë e botës mesjetare nga ajo moderne. Me këtë fitore, Perandoria
Bizantine - trashëgimtarja e drejtpërdrejtë e Perandorisë Romake që nga ndarja
e saj në vitin 395 - mori fund. Kryeqyteti i themeluar nga Kostandini i Madh më
330 pas Krishtit me emrin "Roma e Re", kishte qenë një qendër
politike, kulturore e fetare për Perëndimin dhe Lindjen për gati 1123 vjet.
Agonia
e Bizantit
Në kohën kur
Mehmet II hipi në fronin osman në vitin 1451, Perandoria Bizantine ishte tashmë
në agoninë e saj. Ishte reduktuar në një qytet të rrethuar nga territoret
osmane, ndërkohë që pjesa tjetër e dikurshme e fuqishme e saj – si Azia e
Vogël, Trakia, dhe pjesa më e madhe e Ballkanit – ishin në duart e osmanëve ose
shteteve të tjera ballkanike. Vetëm disa pjesë të Morenës së Peloponezit dhe ishujt
në Egje mbeteshin nën sundimin bizantin.
Mehmed II, një
sundimtar i ri por me një vizion të qartë për të ngritur një perandori të madhe
islame që do të bashkonte Lindjen dhe Perëndimin, e kuptonte se pushtimi i
Konstandinopojës do të kishte vlerë simbolike, strategjike dhe politike. Ai
filloi përgatitjet me kujdes, duke ndërtuar kështjellën e fuqishme Rumeli
Hisari në bregun evropian të Bosforit për të bllokuar ndihmën e jashtme, dhe
duke grumbulluar një ushtri që arrinte deri në 80,000 – 100,000 trupa,
përfshirë edhe njësi elitare jeniçere.
Një nga arritjet
më të mëdha teknologjike të Mehmedit ishte përdorimi i artilerisë së rëndë,
përfshirë topin gjigand të ndërtuar nga mjeshtri hungarez Urban. Kjo armë e
jashtëzakonshme, që kërkonte dhjetëra buaj për ta tërhequr, ishte në gjendje të
çante muret e fuqishme të qytetit që për shekuj kishin rezistuar ndaj sulmeve
të vazhdueshme.
Qëndresa
e fundit
Rrethimi filloi më
6 prill 1453. Muret e Konstandinopojës ishin të famshme për mbrojtjen që kishin
ofruar për shekuj, por në këtë fazë të historisë, qyteti ishte dobësuar shumë.
Kryeqendra mbrohej vetëm nga rreth 7,000 luftëtarë, përfshirë mercenarë të
ardhur nga Europa Perëndimore, si dhe komandantin italian Xhovani Xhiustiniani,
i dërguar nga Gjenova për të ndihmuar mbrojtjen. Muret mbaheshin me vështirësi,
ndërsa topat osmanë vazhdonin të gërryenin strukturën e tyre çdo ditë.
Më 29 maj, Mehmedi
urdhëroi sulmin final. Pas një beteje të ashpër, osmanët arritën të çajnë nëpër
mure, kryesisht pranë Portës së Lartë. Brenda qytetit shpërtheu kaosi, ndërsa
Perandori Konstandin XI Palaiologos, i fundit i perandorëve bizantinë, zgjodhi
të vdiste në luftë sesa të dorëzohej. Legjenda thotë se ai hoqi petkat
perandorake dhe u hodh në betejë si një ushtar i thjeshtë, duke thënë: “Zoti
mos e dhëntë të jetoj si perandor pa perandori”. Trupi i tij u njoh më pas nga
çizmet e kuqe perandorake të qëndisura me shqiponja të zeza dykrerëshe.
Konstandinopoja
kthehet në Stamboll
Pas marrjes së
qytetit, Mehmed II hyri në Konstandinopojë dhe deklaroi se qyteti ishte tashmë
pronë e Perandorisë Osmane. Në një akt simbolik të fuqishëm, ai shkoi në Shën
Sofi – bazilikën madhështore të ndërtuar në shekullin VI nga Justiniani i Madh
– dhe e shndërroi në xhami. Kjo shënoi jo vetëm fundin e Bizantit, por edhe
lindjen e Stambollit si një kryeqytet islamik.
Qyteti nisi të
ndërtohej dhe të ripopullohej. Mehmed II e bëri Stambollin qendrën politike,
kulturore dhe fetare të perandorisë së tij. Ai inkurajoi vendosjen e njerëzve
nga të gjitha pjesët e Perandorisë Osmane – myslimanë, kristianë dhe hebrenj –
për ta kthyer atë në një metropol shumëetnik dhe shumëfetar.
Për më shumë se
400 vjet më pas, Stambolli do të mbetej zemra e Perandorisë Osmane dhe një nga
qytetet më të rëndësishme të botës islame. Ndërkohë, rënia e Konstandinopojës
shënoi fillimin e fundin për shumë realitete: për Perandorinë Bizantine, për
rendin e vjetër mesjetar europian, dhe për mendësinë e epokave të mëparshme.
Rënia e qytetit
pati jehonë të madhe në Europë. Udhëheqësit e krishterë bënë një thirrje të re
për kryqëzata, por realisht nuk ndërmorën ndonjë veprim të madh. Ndërkohë,
shumë dijetarë bizantinë, të përndjekur ose të pasigurt për të ardhmen,
emigruan në Itali, duke sjellë me vete dorëshkrime klasike greke dhe njohuri të
thella që ndihmuan në nxitjen e Rilindjes Europiane.
Rënia e
Konstandinopojës shënon përfundimin e Mesjetës për shumë historianë dhe
fillimin e periudhës moderne. Ajo i dha Perandorisë Osmane një pikëmbështetje
të fortë për të shtrirë ndikimin e saj në Ballkan, Lindjen e Mesme, Afrikën e
Veriut dhe deri në portat e Vjenës.
Epilogu
Një element
interesant dhe shpesh i lënë në hije është prejardhja e perandorit të fundit
bizantin, Konstandinit XI, i cili, sipas shumë burimeve, ishte me origjinë nga
Dragashi, një vendbanim në Dardani – një nga krahinat historike të trevave
shqiptare. Nëse nisemi nga kjo, historia e Perandorisë Romake të Lindjes filloi
me Kostandinin e Madh nga Nishi (në Iliri) dhe përfundoi me një tjetër
Konstandin nga po ato treva – një cikël simbolik për rolin e Ballkanit në
historinë e perandorive të mëdha.
Ngjarja e 29 majit
1453 nuk ishte thjesht një ndryshim i pushtetit – ajo ishte një kthesë
historike që la gjurmë të thella në zhvillimin e qytetërimit perëndimor dhe
atij islamik. Mehmed II, që më pas do të quhej “Fatih” – Pushtuesi – nuk
shkatërroi thjesht një qytet të vjetër, por ndërtoi një qendër të re të botës.
Rënia e Konstandinopojës shënoi fundin e një bote dhe fillimin e një epoke të
re që do të përcaktonte fatet e rajonit për shekujt që do të vinin.

No comments:
Post a Comment