Nga Leonard Veizi
Skandali ishte i madh, sidomos kur mendohej se ngjarja në fjalë kishte
thyer në mënyrë të paimagjinueshme mitin që ishte ngritur për vite me rradhë.
Një avion i vogël prodhim amerikan, tip “Cessena” me një motor, si kishte
fluturuar për milje të tëra në territorin e shtetit më të madh komunist të
kohës, - i cili me një propagandë të vazhdueshme e shurdhuese pretendonte se
kishte një hapësirë ajrore krejtësisht të mbrojtur, - u ul i pashqetësuar në
Sheshin e Kuq. Kundërajrorët e gadishmërisë nuk kishin shtënë as edhe një
predhë të vetme ndaj avionit të paidentifikuar i cili drejtohej gati në ekstazë
nga një adoleshent gjerman, të cilit i ishte mbushur mendja të jepte një mesazh
paqeje kundër Luftës së Ftohtë. Çudia bëhej më e madhe kur mendohej se pesë
vjet më herët, një aeroplan civil nga Koreja e Jugut u qëllua dhe u rrëzua pasi
kishte shkelur hapësirën ajrore sovjetike, duke shkaktuar vdekjen e 269 vetëve.
Pra realisht nuk ishte një territor ku mund të bëjej shaka, për më tepër me një
avion që iu afrua zonës më të mbrojtur të Moskës, Kremlinit...
...Ajo që nisi si një sfidë pothuajse naive e një adoleshenti, shpërtheu me
shpejtësinë e rrufesë në skandalin më të madh të sigurisë të Luftës së Ftohtë.
Matias Rust, një djalë 19-vjeçar nga Gjermania Perëndimore, u kthye brenda pak
orësh nga një pilot amator në aviatorin më të famshëm dhe më të rrezikshëm për
ekuilibrat e një superfuqie bërthamore. Fluturimi i tij prej 750 kilometrash, i
kryer tërësisht i vetëm, u mbyll në mënyrë krejt spektakolare përpara dyerve të
Kremlinit.
Depërtimi
Më 28 maj 1987, Rust ngriti avionin e tij të vogël civil, një "Cezna
172" të modifikuar, nga aeroporti i Helsinkit në Finlandë. Me një guxim që
kufizohej me çmendurinë, ai u drejtua drejt kufirit sovjetik. Ajo që pasoi
ishte një dështim zinxhir i të gjithë makinerisë mbrojtëse të Bashkimit
Sovjetik:
Avioni i Rustit u diktua nga mbrojtja kundërajrore sovjetike (PVO) sapo
kaloi kufirin. Atij iu caktua menjëherë një numër objekti ushtarak, por
sistemet e koordinimit mes reparteve të ndryshme dështuan në mënyrë të
çuditshme.
Të paktën dy avionë gjuajtës sovjetikë "Mig-23" u ngritën në
fluturim dhe iu afruan "Ceznës" së vogël. Pilotët ushtarakë e panë
avionin e Rustit, por duke qenë se ai fluturonte ulët dhe ngadalë, nuk morën
urdhër për të goditur, duke e ngatërruar fillimisht me një avion stërvitor
vendas ose me një mjet të monitorimit të motit.
Për shkak të një aksidenti ajror që kishte ndodhur një ditë më parë në atë
zonë, dhe i kombinuar me ndryshimet e ndërrimeve të rojeve ushtarake, komanda
qendrore mendoi se avioni i Rustit ishte pjesë e operacioneve të shpëtimit ose
thjesht një avion sovjetik pa transponder të ndezur.
Për orë të tëra, ushtria që pretendonte se kontrollonte çdo metër katror të
hapësirës së saj ajrore, mbylli sytë përpara një adoleshenti që navigonte me
një hartë të thjeshtë turistike në dorë.
Ulja në Sheshin e Kuq
Kur "Cezna" u shfaq në qiellin e Moskës, askush nuk mund t’u
besonte syve. Pasi bëri disa xhiro mbi Kremlin për të gjetur një vend të
përshtatshëm, Rust u ul mbi urën "Bolshoj Moskvorecki" dhe e manovroi
avionin e tij derisa ndaloi përfundimisht në Sheshin e Kuq, pranë katedrales së
Shën Vasilit.
Në vend të një sulmi ushtarak, rusët e habitur panë të dilte nga kabina një
djalë me fytyrë fëmije, i cili nisi t'u firmoste autografe dhe t'u shpjegonte
se kishte ardhur në emër të paqes. Por, nëse për qytetarët kjo ishte një çudi,
për Byronë Politike në Kremlin ky ishte një tmerr i vërtetë. Incidenti ekspozoi
një të vërtetë të hidhur: sistemi i tyre i shtrenjtë mbrojtës ishte thjesht një
skenografi prej kartoni.
Lideri sovjetik, Mihail Gorbaçov, e kuptoi menjëherë se ky poshtërim publik
mund të kthehej në një armë politike. Ai e shfrytëzoi skandalin me mjeshtëri
për të spastruar strukturat konservatore ushtarake që pengonin reformat e tij
të "Perestrojkës". Brenda pak ditësh, Ministri i Mbrojtjes, Sergei
Sokolov, dhe kreu i mbrojtjes kundërajrore, Aleksandër Koldunov (një hero i
Luftës së Dytë Botërore), u shkarkuan nga detyra, së bashku me qindra oficerë
të tjerë të lartë.
Fitorja simbolike
Matias Rust u arrestua në vendngjarje nga agjentët e KGB-së. Hetuesia
sovjetike u përpoq dëshpërimisht të gjente një komplot të madh pas këtij
fluturimi, duke ngritur teori se Rust ishte një agjent i shërbimeve sekrete
perëndimore, por e vërteta ishte shumë më e thjeshtë dhe pikërisht për këtë,
shumë më e dhimbshme për regjimin.
Gjyqi ndaj tij nisi në Moskë në shtator të vitit 1987. Rust u akuzua për: Huliganizëm
- pasi ulja e tij rrezikoi jetën e njerëzve në shesh; - Shkelje të ligjeve të
aviacionit ndërkombëtar; Kalim të paligjshëm të kufirit sovjetik.
Gykata u tregua e prerë për të dhënë një mesazh force përpara botës.
Aviatori gjerman u shpall fajtor për të gjitha akuzat dhe u dënua me 4 vjet
heqje lirie në një kamp pune të sigurisë së lartë. Ai u dërgua në burgun
famëkeq të Lefortovos në Moskë, ku u mbajt në kushte izolimi.
Pavarësisht dënimit të rëndë, Rust nuk e vuajti të gjithë dënimin. Pas
nënshkrimit të marrëveshjeve të paqes mes Ronald Reganit dhe Mihail Gorbaçovit,
si një akt vullneti të mirë diplomatik, Rust u fal dhe u liria më 3 gusht 1988,
duke u dëbuar përfundimisht nga Bashkimi Sovjetik pas 432 ditësh në qeli.
Në kuptimin historik, dënimi me burg ishte thjesht një përpjekje e
dëshpëruar e një regjimi në rënie për të shpëtuar fytyrën. Matias Rust e kishte
fituar betejën e tij që në momentin kur rrotat e avionit prekën asfaltin e
Moskës. Ai nuk hodhi asnjë bombë, por bëri diçka që diktaturat nuk ua falin
kurrë qytetarëve të thjeshtë: e ekspozoi superfuqinë përpara syve të mbarë
botës duke e bërë atë të dukej qesharake. Dhe siç e tregoi historia, vetëm
katër vjet pas atij fluturimi, i gjithë Bashkimi Sovjetik do të shpërbëhej,
duke vërtetuar se muri i frikës kishte filluar të çahej pikërisht nga ai avion
i vogël Gjerman.

No comments:
Post a Comment