Nga Leonard Veizi
Tani që dollia u
kthye në art, për shqiptarët s’do ketë më frerë.
– Me fund!
Sepse Këshilli
Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale ka vendosur, me solemnitet dhe
gotën ngritur: Rituali i Dollisë shpallet Pasuri Kombëtare. Zyrtarisht. Po, po!
Një trashëgimi e skalitur në ADN-në tonë, që nuk e lëshojmë nga dora, e as nga
gota.
Do futemi në
Evropë, apo jo?
Do futemi, dhe me
zakonet tona më të domosdoshme.
– Shëndeti i
Safait!
– Shëndet të kesh!
– Të zotit të
kësaj shtëpie, që marton djalin dhe na ka thirrur të gjithëve siç jemi. Miq
kemi qenë brez pas brezi. E forcofshim dhe më tej. Rrofsh e u shtofsh me njerëz
e me mall, e i trashëgofsh!
Lajmi doli nga
dera e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila kësaj here la
“inovacionin” mënjanë dhe u përqendrua te rakia: “Ky ritual përfaqëson një
traditë të lashtë të mikpritjes shqiptare,” thuhej në njoftim.
Sepse dollia nuk
është thjesht një çikë alkool në fillim të darkës, e pak në fund. Jo, është një
rit i pasionuar shoqëror e familjar, një skenografi intime fjalësh të ngrohta,
thirrjesh nga zemra dhe urimesh që kalojnë brez pas brezi.
– Dollibashi,
urdhër!
Fjala merr aromën
e damixhanit dhe rrëshqet në qelqe si tingujt e një violine me ritme popullore.
Dhe gjithmonë dikush komandon:
– Te Ramizi do
veç!
– Të kam gjetur,
Ramiz!
Po kjo nuk është
ndonjë risi moderne. Jo, mor jo. Kujtoni filmin “Malet me blerim mbuluar” të
Dhimitër Anagnostit. Se kinematografia shqiptare i ka kushtuar jo pak episode
këtij zakoni të lashtë shqiptar. Ishte dimri i vitit 1944, partizanët
përplaseshin me gjermanët, por xha Lamja – i patundur – ngrinte dolli siç i ka
hije shqiptarit: mes tymit të barutit, zhurmës së pushkëve dhe shëndeteve për
martesa të lumtura, që lindnin djem, të cilët duhet të rriteshin me dyfek në
krye të djepit.
Dhe djemtë
duheshin martuar si në kohë paqeje, ashtu edhe në luftë. Si Gjinoja te
“Përrallë nga e kaluara”:
– Mirë se erdhët!
– përsëriste Gjinoja 14-vjeç fjalët e babait. Se ai ishte dhëndri dhe duhet të
ngrinte dollinë. – Gëzofshi dhe në shtëpitë tuaja!
– Pije tani!
– Sa të bëhet për
të kënduar kokoshi i Gjinos, këndon ndonjë tjetër më parë! – flisnin pas
krahëve thashethemexhinjtë, pasi ngritën dollinë.
Dhe për ta kuptuar
më mirë këtë art në formën e alkoolit me fjalë, dëgjoni pak nga dollitë e arta të
kohës së socializmit, siç transkriptohen nga filmi “Jeta në duart e tjetrit”:
– Këtë dolli do ta
ngre për shokun Spiro. Me fund!
– Këtë tjetrën për
shokun Thanas, babain e Spiros. Ky shëndet t’i bëhet gjak e dhjamë!
– Ja ta gëzojmë.
Ju paça!
Dhe pas kësaj,
kërciste mishi.
Ah, sikur të ishte
futur edhe mishi i qengjit në Ritualin e Dollisë! Domethënë, të kishte një
klauzolë për “ritualin e ngrënies së mishit”. Atëherë do vinte çdo vinte. Do
kërciste dollia me dhallë – siç thoshte dhe xha Shahini te “Zonja nga qyteti”.
Jo për gjë, por dhe muhabeti merrte tjetër kuptim.
Nejse. Iku e vate
ajo punë. Dollia është e para e tavolinës sigurisht. Të tjerat nënkuptohen.
Dhe ja si e
simbolizonte dollinë Baki Branica te filmi “Dhe vjen një ditë”:
– Në këtë gëzim të
30-vjetorit të ndërmarrjes “Butrinti”, janë ngritur shumë shëndete. Por unë dua
të ngre edhe një: për specialistët! Për intelektualët tanë! Për shokun Llano,
drejtorin e drejtorisë në digaster; për kryeinxhinierin tim të dashur Aleko –
që sa më shumë zihemi, aq më shumë duhemi! Për ata që e kanë merituar me
djersën e ballit të ngrihen në shkallën e kuadrove drejtuese. I paçim me nder,
ballë-lartësitë. Ashtu siç i do Partia! Unë me fund. Ju të tjerët, sipas dëshirës…
Dhe përpara se të
shkojmë te shoku Spiro që ngriti dolli për veten në sy të Anës – që e kishte
gruan e shokut – me fjalët: “Po e pi për cilësitë e mira që kam”, – le të ndalemi te “Dueli i heshtur”, ku
Islam Kallulli deklaron me plot pathos:
– Për shëndetin
tonë, që me aq sakrifica dolëm në botën e lirë!
– Për miqtë tanë
të mëdhenj!
– Për vdekjen e
komunistëve!
Dhe pas tij, Pepin
Dobrusha, që në atë çast s’po nxirrte zorrët nga dallgët e detit, e shoqëron me
një dolli “alla speciale”:
– Për shëndetin
tim dhe për shëndetin e të bukurave sinjorina!
– Bravo Pepin!
Ndërsa daj Zenua
tek “Shi nw plazh” nuk e linte krushkun Milo në prespektivë të çohej nga
trapeza pa pirë dhe një dolli tjetër
-Do pimë edhe nga
një, me eks do ta pimë dhe vëllazërisht
-Vetëm jo me fund
se këtij i bën keq për mëlçinë, – ndërhyri Izmini, që ishte krushka në
prespektivë, rrobaqepse në profesion e pak llafazane si natyrë.
Kështu pra, Dollia
Shqiptare është tani zyrtarisht një vlerë kombëtare. Por populli e ka shpallur
që kur s’mbahet mend. Vetëm se tani është edhe me firmë dhe me vulë – që të mos
na e grabisin ndonjë ditë fqinjët, siç na kanë bërë dhe me gjëra të tjera.
Hajde, ta gëzojmë!
Rituali është yni.
Gotat janë mbushur ding!
– Me fund!
No comments:
Post a Comment