Friday, July 11, 2025

Tmerri i ri në Tiranë… parkimi dysh

 

Nga Leonard Veizi
 
Duhet të jesh polic që të kuptosh çfarë do të thotë një polic. Dhe jo, kjo nuk është si ato barcaletat me policë që dikur na bënin të qeshnim. Kjo është më shumë si një shfaqje absurde teatri, ku polici flet seriozisht dhe publiku s’mundet më të qeshë nga frika se mos merret zvarrë për “shkelje të Kodit Penal”.
Pa të shohim si qëndron çështja?
Po e them troç që në filllim: përse duhet mbajtur në burg një person që ka bërë parkim të dyfishtë?
Që ta mbash në burg do të thotë t’i hapësh një proces gjyqësor, me prokuror, gjyqtar, sekretare gjyqësore, përkthyes (nëse drejtësia shqiptare është në modë ndërkombëtare), dhe në fund një urdhër ekzekutimi. Dhe gjithë kjo procedurë… për një makinë të parkuar dysh?
Para pa fund.
O Zot, na ruaj nga mendja!
Po pse gjithë kjo? Sepse dikush, ndoshta një baba që po nxirrte fëmijën me temperaturë nga makina, për ta çuar tek mjeku, “paska parkuar dysh”. Një tjetër, me një emergjencë të rastësishme, parkon për pak minuta jashtë rregullit, jo nga qejfi, por nga halli. Natyrisht, parkimi dysh nuk është qëllim në vetvete. Dhe në fund të fundit, në një qytet kaotik si Tirana, ku trotuari është i pushtuar nga tavolina kafenesh dhe tenda, kushdo mund të parkojë gabimisht dysh.
Por shteti shqiptar, në vend që të sillet si një administratë racionale – që vendos një gjobë të mirëfilltë (me gjasë më të lartë se rroga minimale) dhe ia kalon të ardhurat buxhetit – vendos të bëhet pronar burgu për çdo makinë që prek vijat e bardha me një rrotë.
Pra: në vend që të nxjerrë para, futet në borxh, sepse të mbash një njeri në burg nuk është më një koncept ndëshkimi, por një projekt shpenzimesh. Duhet bukë, roje, energji, ujë, sistem sigurie dhe një dyshek ortopedik që të ruash të burgosurin me shpinë drejt. Se ndryshe, ke shkelur të drejtat e njeriut dhe të bie mbi kokë Amnesty International.
Ndërkohë, ai person që mbahet me paratë e mia dhe të tuat, jashtë do ta nxirrte vetë bukën e gojës, do të paguante taksa dhe ndoshta do e kuptonte se parkimi dysh nuk është për t’u përsëritur. Por në burg, jo vetëm që nuk reflekton, por na kushton më shumë sesa na solli ndonjëherë.
Por jo. Drejtori i Policisë së Shtetit, z. Ilir Proda, ka vendosur që parkimi dysh është tashmë një kërcënim për rendin publik dhe lirinë qytetare. Në një deklaratë dramatike për mediat, ai na kujton: “Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një shkelje e lehtë, por si një bllokim i kalimit që cenon sigurinë dhe lirinë e qytetarëve…”
Njësoj si të thuash: “Parkimi i dyfishtë është arma e re e terrorit urban.”
S’kemi më frikë nga bombat, nga rrjetet e krimit, nga trafiku i drogës. Frikën na e sjell një Golf 4 ngjyrë qumshti, që ka zënë një gjysmë rruge në Kinostudio.
Pastaj futemi në Kodin Penal, neni 293, ku shkruhet: “Pengimi i qarkullimit të mjeteve… dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”
Tre vjet për një parkim të gabuar?
Në këtë pikë, Shqipëria nuk ka më nevojë për burgje. Mjafton të ngremë pallate me kangjella dhe t’i quajmë “rezidenca penale”. Në vend të administratorit, të ketë roje burgu. Në vend të ashensorit – polici me radio dore.
Në kohën e diktaturës, kishim nene për agjitacion e propagandë, për dëgjim të muzikës së huaj, për një fjalë të gabuar në kafene. Por, me gjithë çmendurinë e atyre kohëve, nuk kishte nen për "parkimin dysh".

No comments:

Post a Comment