Nga Leonard
Veizi
Themelimi i
ushtrisë së shtetit shqiptar daton më 4 dhjetor 1912, vetëm pak ditë pas
shpalljes së pavarësisë kombëtare. Ishte një hap simbolik dhe politikisht i
domosdoshëm, por me kufizime reale për sa i përket kapaciteteve luftarake. Kjo
ushtri, e sapolindur dhe e brishtë, u përball në dekadat në vijim me kriza të
brendshme, sulme të huaja dhe mungesë investimesh të qëndrueshme. Më 7 prill
1939, kur trupat fashiste italiane pushtuan Shqipërinë, ajo pushoi realisht së
ekzistuari si forcë sovrane shtetërore.
Rezistenca që iu
bë pushtimit ishte më shumë një shprehje vullneti qytetar sesa një mobilizim i
organizuar ushtarak. Në disa pika bregdetare dhe qytete, popullata vendase,
bashkë me oficerë të ndershëm dhe patriotë, u përballën me mjetet që kishin në
dispozicion, ndërkohë që një pjesë e mirë e ushtrisë ose u shpërbë, ose iu
bashkua pa kushte forcave pushtuese.
Më 10 korrik 1943,
në kulmin e luftës së Dytë Botërore, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë
Nacionalçlirimtare u krijua nga forcat komuniste shqiptare që po drejtonin
Frontin Nacionalçlirimtar. Në përbërjen e tij hynin disa batalione të
organizuara dhe shumë më tepër çeta partizane që vepronin në zona të ndryshme
të vendit. Ky organizim shënoi një etapë të re në lëvizjen çlirimtare dhe u
konsiderua pas Luftës si data e lindjes së ushtrisë së re popullore.
Pas çlirimit, 10
korriku u kremtua për dekada si dita zyrtare e Ushtrisë Popullore të
Shqipërisë. Përmes paradave ushtarake, demonstrimeve të fuqisë dhe propagandës
së centralizuar, ushtria u paraqit si mburojë e popullit dhe e pushtetit. Deri
më 1974, Forcat e Armatosura shqiptare ishin të pajisura me tanke, artileri të
rëndë, sisteme raketore dhe formacione të fryra numerikisht, të ndërtuara sipas
modelit sovjetik dhe më pas atij kinez.
Pas vitit 1990, me
rënien e sistemit komunist, 10 korriku ra në harresë, ndërsa autoritetet e reja
e rikthyen 4 dhjetorin si datën zyrtare të themelimit të ushtrisë shqiptare, në
përputhje me traditën institucionale të shtetit të vitit 1912.
Megjithatë,
ushtria shqiptare hyri në një periudhë të gjatë rrudhjeje dhe mosinvestimi. Pjesa
më e madhe e mjeteve të mëkanizuara, - që mbetën nga periudha e diktaturës - dolën në ankande dhe u shitën për skrap.
Në kushtet e
tranzicionit të vështirë politik dhe ekonomik, dhe në një botë që dukej më
paqësore, u krijua ideja se nuk kishte më rrezik lufte për Shqipërinë, dhe se
siguria kolektive e NATO-s do ta mbronte vendin nga çdo kërcënim.
Kjo qasje u
përforcua më tej kur Shqipëria u anëtarësua në NATO më 1 prill 2009, duke u
bërë pjesë e një prej aleancave më të fuqishme ushtarake në botë. Shpenzimet
për mbrojtjen u mbajtën në nivele të ulëta dhe ushtria u orientua drejt një
modeli më të vogël, më të specializuar dhe më të ndërveprueshëm me standardet
perëndimore.
Por zhvillimet
gjeopolitike të viteve të fundit e kanë tronditur këtë qetësi iluzore. Lufta në
Ukrainë, krizat në Gaza, Lindjen e Mesme dhe tensionet me Iranin kanë rritur
ndjeshëm shqetësimin për sigurinë globale. Në këtë kontekst, koncepti i “paqes
së përhershme” është venitur dhe po zëvendësohet nga një strategji e
ripërforcimit ushtarak në të gjithë botën perëndimore.
Në këtë frymë, në
Samitin e Hagës të NATO-s - që u mbajt më 24–25 qershor 2025, - udhëheqësit e
32 vendeve anëtare ranë dakord të rrisin shpenzimet për mbrojtje deri në 5% të
PBB-së deri në vitin 2035, përfshirë 3.5% për mbrojtjen bazë dhe 1.5% për
kapacitete sigurie (si infrastrukturë ushtarake, mbrojtje kibernetike, rezerva
strategjike etj.).
Ky objektiv i ri
përbën një sfidë të madhe për vende si Shqipëria, e cila aktualisht shpenzon
rreth 1.7–1.8% të PBB-së për mbrojtjen, përkatësisht 370–400 milionë euro në
vit. Nëse do të përmbushte objektivin e ri prej 5%, Shqipëria do të duhej të
investonte rreth 1.1 miliardë euro në vit në sektorin ushtarak.
Kjo do të ishte
një rritje më shumë se dyfish e buxhetit aktual, një barrë e rëndë për një
ekonomi që përballet me sfida të mëdha sociale, demografike dhe
infrastrukturore.
Në këtë pikë,
Shqipëria ndodhet përballë një dileme strategjike:
ose të përpiqet të
ndjekë ritmin e rritjes ushtarake të vendeve të NATO-s për të ruajtur
seriozitetin në Aleancë,
ose të mbajë një
qëndrim më të kujdesshëm, duke peshuar me realizëm nevojat kombëtare dhe
mundësitë reale ekonomike.
Në çdo rast,
historia e dy datave të ushtrisë shqiptare – 4 dhjetori dhe 10 korriku –
përfaqëson dy vizione të ndryshme për mbrojtjen:
njëra e lidhur me
shtetformimin kombëtar,
tjetra me luftën
partizane dhe trashëgiminë ideologjike të së majtës.
Sot, Shqipëria
ndodhet në një çast ku forcimi i mbrojtjes është më shumë çështje
domosdoshmërie strategjike sesa zgjedhje politike. Nëse historiana ka mësuar diçka, është se paqja nuk është e
përhershme dhe siguria kërkon përgatitje – edhe në kohë kur ajo duket e
padukshme.
No comments:
Post a Comment