Wednesday, July 9, 2025

Uji, biznesi më i madh në Shqipëri

 


 
Nga Leonard Veizi
 
Vera ka shtrënguar fort. Termometri ngjitet çdo ditë mbi 35 gradë. Dhe në këtë vapë përvëluese, etja nuk shuhet as me birra, as me pije të gazuara plot sheqer dhe konservantë. Njeriu kërkon vetëm një gjë: ujë. Thjesht, ujë të pastër. Dhe nuk është rastësi – rreth 60% e trupit të njeriut është i përbërë nga ujë, dhe kjo përqindje është thelbësore për jetën.
Uji është substanca kryesore që ndihmon në ruajtjen e funksioneve biologjike jetike si: transportimi i lëndëve ushqyese dhe oksigjenit në qeliza, rregullimi i temperaturës së trupit, largimi i mbetjeve toksike përmes urinës dhe djersës, dhe mirëmbajtja e funksioneve të trurit. Madje, vetëm truri dhe zemra përmbajnë rreth 73% ujë, ndërsa mushkëritë rreth 83%. Prandaj, mungesa e hidratimit ndikon jo vetëm te energjia fizike, por edhe te përqendrimi, gjendja emocionale dhe shëndeti i përgjithshëm.
Këtë e thotë mjekësia. Por në fund, është vetë nevoja fizike që na thërret – ajo ndjesia e padurueshme e etjes.
Dikur, nëpër qytetet shqiptare kishte çezma publike, ku mund të freskoheshe e të pije ujë pa pagesë. Ishte një e drejtë e qytetarit, një e mirë publike. Sot? Sot çezmat publike janë zhdukur thuajse krejt. Dhe arsyeja është sa praktike, aq edhe e trishtueshme: ujin dikush e ktheu në mall me vlerë tregu. Dikush mori atë që natyra na e ofronte falas dhe e futi në shishe plastike për ta shitur me lekë.
Dhe jo pak lekë.
Sot, uji i ambalazhuar është një nga bizneset më fitimprurëse në Shqipëri. Për këtë nuk ka tavan çmimi. Një shishe 0.5 litra mund të kushtojë nga 50 lekë deri në 150 lekë, në varësi të vendit ku shitet dhe markës. Shpeshherë, çmimet janë më të larta se në vendet e zhvilluara europiane, ku rrogat mesatare janë katër apo pesë herë më të larta se në Shqipëri.
Sipas të dhënave zyrtare, deri një vit më parë Shqipëria prodhonte rreth 170 milionë litra ujë të ambalazhuar në vit. Për vitin 2025, pritet që kjo shifër të kalojë 200 milionë litra, me tendencë rritjeje çdo vit. Kjo do të thotë qindra milionë euro xhiro vjetore, një fitim i madh për pak duar që kontrollojnë tregun.
Hajde biznes, hajde!
Të marrësh ujë nga burimet, ta fusësh në shishe plastike dhe ta shesësh më shtrenjtë se qumështi apo nafta – një fitim thuajse i garantuar. Dhe ndërkohë që flitet për zhvillim të sektorit të ndërtimit apo farmaceutikës, askush nuk përmend “ujitjen” më të mirë: biznesin e ujit, që në heshtje është kthyer në një nga kolonat e ekonomisë private shqiptare.
Ndërsa në vendet e zhvilluara, qytetarët e thjeshtë nuk janë detyruar të blejnë çdo pikë ujë që konsumojnë. Vetëm në Romë ka mbi 1,200 çezma publike, të quajtura “nasoni”, që shpërndajnë falas ujë të freskët dhe të pijshëm. E njëjta gjë ndodh në qytete si Vjena, Parisi, Berlini apo Amsterdami – ku pikat publike për furnizim me ujë janë pjesë e infrastrukturës urbane moderne dhe kulturore.
Në Tiranë? Të gjesh një çezmë publike është një mision pothuajse i pamundur. Dhe ky është tregues jo vetëm i një strategjie tregtare, por edhe i një politike të heshtur për privatizimin e ujit – një të mirë që historikisht ka qenë e përbashkët dhe falas.
Në një vend ku paga minimale është më pak se 40,000 lekë në muaj, blerja e përditshme e ujit të pijshëm është një kosto që shtohet mbi koston e jetesës. Dhe ndërkohë që uji rrjedh pa ndalim nga burimet natyrore, qytetari i zakonshëm mbetet gjithnjë e më i varur nga industria që shet diçka që dikur e kishte falas.
Në fund, uji nuk është luks. Është një produkt jetik. Por në Shqipëri, po shndërrohet me shpejtësi në një nga lukset më të padukshëm të përditshmërisë.

No comments:

Post a Comment