Nga Leonard Veizi
Shqiptarët e duan
horoskopin. E duan aq shumë, sa dikur blije gazetën vetëm për faqen e fundit.
Pjesën tjetër e lije të paprekur, mjafton të mësoje çfarë kishte rezervuar fati
për shenjën tënde.
Gazeta e humbi peshën e
dikurshme, por horoskopi jo. Përkundrazi. Sot e gjen kudo: në rubrikat e
mëngjesit, në emisionet e pasdites, në portale, në TikTok, në biseda kafenesh.
Është bërë ritual modern.
Dikur pyesnim gjyshen,
priftin, hoxhën apo plakun e lagjes se çfarë na priste. Sot pyesim yjet. Dhe
yjet, me sa duket, kanë marrë përsipër të merren me hallet tona të përditshme.
Ne e futëm horoskopin edhe
në muzikë. Në Festivalin e Fundvitit 1991, Irma Libohova këndoi një këngë të
Piro Çakos me tekst të Agim Doçit:
“Horoskopin dëgjojmë,
horoskopin dëgjojmë,
ora tetë pa pesë fatin
tonë kërkojmë…”
Ishte profeci. Horoskopi
doli nga gazeta dhe pushtoi gjithçka.
Më vonë Anila Mimani e çoi
një hap më tej. Horoskopi nuk ishte më parashikim i përgjithshëm, por
këshilltar martese:
“Ma ka thënë dhe
horoskopi, kujdes, burri po ta dredh…
po më iken mendja fare,
nuk e di se si t’ja mbledh”
Nuk na mjafton më të dimë
nëse do kemi ditë të mirë. Duam të dimë edhe a po na tradhton partneri.
Horoskopi u bë konsulent universal: për para, dashuri, punë, shëndet, udhëtime
dhe të ardhmen e fëmijëve.
Këtu fillon komedia.
Horoskopi ka 12 shenja.
Bota ka 8 miliardë njerëz. I bie që çdo shenjë përfaqëson rreth 666,7 milionë
njerëz. Të gjithë këta – fermeri në Bangladesh, biznesmeni në Nju Jork,
pensionistja në Tiranë, studenti në Tokio – do të kenë të njëjtin fat, vetëm
pse kanë lindur në të njëjtin muaj?
“Do keni përmirësim
financiar.” Kush, të 666 milionët bashkë?
“Do keni fat në dashuri.”
Të gjithë në të njëjtën ditë?
“Një person nga e kaluara
do rikthehet.” Cili, dhe në ç’orë?
Kur e vë re këtë,
astrologjia nxjerr formulën e shpëtimit: ashendentin, Hënën, shtëpitë,
retrogradin e Mërkurit. E bën më të ndërlikuar që të duket më bindëse. Por një
formulë e ndërlikuar nuk është domosdoshmërisht e vërtetë.
Truku më i vjetër është
vagullsia. “Do përballeni me një ndryshim.” Po, jeta është ndryshim. “Dikush
pranë jush nuk është i sinqertë.” E mundur. “Do keni një mundësi të re.” Kush
nuk ka?
Pastaj punon kujtesa
selektive. Një parashikim që qëllon mbahet mend, dhjetë që dështojnë harrohen.
Nëse thotë “do merrni një lajm” dhe të telefonon një mik, thua: E tha
horoskopi! Nëse nuk ndodh asgjë, e harron.
Çështja nuk është ta
ndalojmë. Le ta lexojë kush të dojë për qejf. Problemi nis kur zbavitja kthehet
në bindje dhe bindja bëhet udhërrëfim.
Martesën nuk e vendos
Venusi. Punën nuk e vendos Mërkuri. Investimin nuk e vendos Jupiteri. E aq më
pak shëndetin.
Njerëzimi eci përpara
sepse mësoi të dyshojë, të vëzhgojë, të masë dhe të korrigjojë gabimet.
Astrologjia bën të kundërtën: të jep përgjigje aty ku jeta nuk ka përgjigje të
gatshme. Ndoshta prandaj na pëlqen. Jeta është e pasigurt. Horoskopi të jep
iluzionin se dikush e di ç’do ndodhë nesër.
E vërteta është më pak
romantike: asnjë yll nuk e di nëse do fitosh para nesër. Asnjë planet nuk e di
nëse do dashurohesh. Dhe Mërkuri, edhe kur është retrograd, nuk ka asnjë
detyrim kozmik të merret me faturën tënde të dritave. Ndaj pyetja është fare e thjeshtë:
vërtet u besoni broçkullave që shesin astrologët?
Nëse po, bëni një
marrëveshje me ta: mos u kërkoni të parashikojnë të ardhmen. Sepse po ta kishin
këtë aftësi, nuk do shkruanin horoskopin e ditës.
Do ishin duke luajtur në
bursë.

No comments:
Post a Comment