Roland Qafoku me librin e tij të ri
“Ambasadorët amerikanë në Shqipëri", një botim
i prestigjiozes “Onufri”
Leonard Veizi
Nëse
do të mbledhësh në të njëjtën tryezë diplomatë karriere dhe ish të tillë, - që
kanë shërbyer për interesat të ndërsjellat mes dy vendesh për 100 vite me
radhë, - duhet ta bësh në mend fort mirë. Sepse dëshira dhe mundësitë janë dy
gjëra krejt të ndryshme. Por që nëse bashkohen, – për rastësi jo hyjnore, -
krijojnë atë që në gjuhën teknike cilësohet: sinergji. Dhe jo se do të të
mundojë dizenjimi i tryezës, në duhet një klasike me dru arre, moderne prej
xhami, apo akoma më thjeshtë dhe krejt e kohës... virtuale. Kjo mund të të
vendosi në vështirësi të paparë. Dhe nëse me marrëveshje fjalë do të pranojmë
një tryezë të digjitalizuar, po aq nëpër karriget rreth saj do të gjejmë
holograma njerëzish që nuk ekzistojnë më. Sepse në 100 vite jetë diplomatike,
jetojnë dokumentet, shkresat zyrtare e të protokolluara, por më pak gjasa ka që
qenësia prej mish e kockash të udhëtojë në kohë për të ardhur nga viti 1922 në
vitin 2022. Periudha është e gjatë, udhëtimi gjithashtu.
Roland
Qafoku e ka marrë përsipër këtë risk. Diku më parë ai e ka tentuar me sukses të
na sjellë në të njëjtën sofër 33 kryeministra shqiptarë. Të bindur e të urtë, -
e aspak kryeneçë e të sertë, - ata janë ulur përreth saj këmbëkryq, për të na
treguar si e bënë dhe e zhbënë shtetin shqiptar në 100 vite që nga lindja e
tij.
I
disiplinuar, për t’i shkuar gjithçkaje deri në fund, Roland Qafoku ka gërmuar
në gjithfarë skutash arkivale, për të na sjellë këtë herë në një tryezë me
dimensione të tjera, 22 ambasadorët e Amerikës, që fuqia me e madhe e botës i
ka atashuar pranë kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Dhe Qafoku, si gazetar me
eksperiencë e studiues në fushën e historisë, në mënyrë praktike na ka vënë
përpara një fakti të kryer. Tryezën virtuale e ka zëvendësuar me letër të
shtypur dhe në vend të hologramave ka preferuar të printojë fotografi. Gjithçka
e ardhur në formën e një libri klasik, gjë për të cilën e ka dhënë një ndihmë
të çmuar dhe Bujar Hudhri i shtëpisë Botuese “Onufri”.
"Ambasadorët
amerikanë në Shqipëri" është libri më i fundit që studiuesi-gazetar sjell
për publikun. Për atë publik që ende i ka rezistuar hordhisë virtuale e lexon
libra në letër si në kohët e vjetra të Gutenbergut. Dhe autori në fjalë nuk
është se na surprizon këtë herë, sepse e gjithë krijimtaria e tij prej pesë
volumesh deri më tani, merr në trajtesë fakte historike dhe aspak fiksionale.
Qafoku
është futur thellë në jetën e ambasadorëve. Ka mundur të gjejë materiale
“komprometuese” për jetën e tyre, dhe t’ia bëjë të njohur publikut me sqimë. Se
dhe publiku i kultivuar kërkon ushqimin e tij për ca thashetheme më shumë. Janë
22 ambasadorë, disa prej tyre me atributin: “i jashtëzakonshëm e fuqiplotë”. Të
gjithë kanë lënë një gjurmë gjatë misionit të tyre, sepse Shqipëria, vendi i
vogël ku mund të mendohej se vihej për verim, krijonte aq shumë përmbytje, sa
nuk kish kryeplak vendas dhe diplomat të huaj që të mund ta fuste përsëri në
shtrat.
Kemi
qenë ca të çartur, për djall. Dhe vazhdojmë të jemi po të tillë, për dreq.
Qafoku
ka skanuar jetën diplomatike të 22 misionarëve ardhur me ferman të posaçëm nga
Uashington. Sepse Shqipëria edhe pse vend i vogël, mesa duket e kishte një
vlerë të madhe, përderisa Presidentët e Shteteve të Bashkuara kanë dërguar
diplomatë plot finesë e me një karriere të regjur. Përndryshe, çorapi i
koklavitur, që përmendi Edi Rama në fjalën e tij, nuk kish gjasa të shtrihej as
me hekur 212 gradë farhrenheit.
Nga
Maksuell Bllejk që ngriti siparin te Juri Kim ende në detyrë, për herë të
parë ata janë bërë bashkë në të njëjtën “tryezë”, tek një libër i prezantuar në
një sallë me ajër të kondicionuar të hotel “Tirana” e me prezencë shtetare që në
ngjitej ndalej tek kreu i Kuvendit dhe ai i Qeverisë. Dhe nuk do të mungonte
gjithashtu në këtë ceremoni, ambasadorja Juri Kim, të cilën si rrallëherë mund
ta shihnim në dy dimensione, reale teksa mbante një fjalë përshëndetëse - ku
veç kontributit për librin vlerësoi dhe miqësinë me shqiptarët, - po aq dhe virtuale,
si e fundit me fotografi në rreshtin e 22 diplomatëve, por kjo rastësi jo për
nga rëndësia.
Libri
në fjalë merr vlera të veçanta, jo pse ka një parathënie nga Artan Fuga si
Profesor Doktor dhe as pse u përshëndet në mënyrë eksibicioniste nga Edi Rama
si Kryeministër, por sepse ky kontribut biblioteke ka të bëjë më së shumti me
fondin e kujtesës. Dhe ne nuk duhet të harrojmë mbështetjen e Shteteve të
Bashkuara në ekzistencën tonë. Ndaj amerikanët, - që nuk harruan të na
përshëndesnin për hapjen e negociatave me Evropën, - kanë qenë përsëri këtu për
të na ndihmuar e dhënë një dorë në malore pasi janë larguar dy herë: një herë
për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe një herë tjetër për shkak të refuzimit
nga Regjimi Komunist i Enver Hoxhës. Me siguri kjo na bën ne si popull aq
thellësisht proamerikanë, dhe jo vetëm se kemi gjetur veten në tokën
përtej Atlantikut. Dhe po aq shumë duam ta përqafojmë Evropën si Bashkim pas së
cilës jemi shtrënguar me thonj e dhëmbë derisa të na pranojnë në sallonin e
madh e të përbashkët.
No comments:
Post a Comment