Friday, July 22, 2022

Pushimet në Shqipëri, emigrantët shpërthejnë në ankesa dhe diarre


Nga 
Leonard Veizi
 
Emigrantët shqiptarë nëpër botë po mësyjnë Shqipërinë. Refreni i përvitshëm. “Toka e premtuar” nuk qenka andej, qenka këtej. Vijnë të bëjnë pushime në vatrat e tyre, të takojnë të afërmit dhe me shumë gjasa të bëjnë pushime me kosto më të lirë.
Hajde ç'vete, hajde! Janë rritur çmimet dhe këtej, po e keni marrë vesh. Ka vajtur rripi te vrima e fundit.
-Qyqja. Më mirë kishim shku në Bora-Bora.
Një mik i vjetër nga treva e Shqipërisë së Mesme, që ka dhe shumë humor njëkohësisht, duke iu referuar rasteve të tilla më përmend një shprehje popullore kuptimplotë nxjerrë nga thellësia e përvojës: Vijnë knej e gjëmojnë kokrrën e ullinit, e nga ana tjetër u ikën barra e vojit.
-Hë mo, se legjenda urbane janë.
Unë nuk e mbështes fort, duke qenë se gjysma e të afërmve të mi janë shpërndarë sa në Europë e në Amerikë. Më duket dhe në Australi kohët e fundit. Edhe duam t’i takojmë e të çmallemi, por nuk i shikojmë fare me sy. Se sa vijnë, ikin.
Pa, pa, pa, si shkasin ditët. Domosdo. Po ta kesh agjendën e ngjeshur po aq sa të kryeministrit që gdhihet në Bruksel e ngryset në Dyseldorf.
Emigrantët vijnë me plane të mëdha që duan t’i mbarojnë brenda dy javëve. Mbërrijnë me një çantë mbushur me bluza të stampuara për dhurata gjithfarësh e ikin me trasta të ngarkuara ku ngjeshin sa mundin shishet e rakisë, ca gjizë baxhoje, turshi fshati, e ndonjë dorë trahanaje. Me të drejtë. Se andej mbetën me pica e hot-dog në dorë. Nuk u zë dora një lugë.
Po si pak ditë janë o xhan i vëllait: 14 ditë pushim, dy ditë janë rrugë... e ç'të mbetet?!
Koha është e shkurtër por intensive.
Fillimisht duan të bëjnë dhëmbët dhe kanë lënë një takim me stomatologun që nga përtej detit, me qëllim që të mos ketë rrjedhje kohe. Se ankohen që andej nga janë nuk kanë shanse ta takojnë dentistin, se u duhet të marrin kredi në bankë për të përballuar shpenzimet. Mirëpo dentisti i shkretë kërkon një muaj kohë për dhëmbët që janë katandisur... si mos o Zot.
-I paske si shkollë nate. 5-sa duhet hequr, 6-ta duhet mbushur... të duhet dhe një urë që lidh... bregun francez me atë të Britanisë së Madhe. Investim gjigant.
Pastaj duan të bëjnë një kontroll sysh bashkë me syzet në paketë, se padyshim nga këto anë ca gjëra janë më të lira se në perëndim. Prenotim edhe tek okulisti.
Vetëm tek analizat e gjakut nuk kanë besim: I bëjmë andej, se dalin sagllam fare. Na i heq vendi i punës.
Epo shëndenë!
Duan të bëjnë pushime në bregdet, mundësisht në rivierën e Jugut ku të relaksohen që kur të kthehen t’i futen punës vençe. Se duan të shesin dhe pak mend duke i treguar botës se s’ka si Shqipëria. Vend i begatë. Deti kristal. Tarracat plot me mollë e agrume. Kemi dhe një lungomare për syrin e keq.
Dhe së fundi nuk refuzojnë të hanë dreka e darka kudo që i ftojnë, se fisi e farefisi mezi i pret. Dhe kërcet mishi i qengjit me dhjamë në 40 gradë celsius.
Mirëpo problemet nisin që ditën e dytë me shëndetin. Fillimisht problematika nis me pjesën abdominale të trupit. Më pas ngrihet temperatura.
-Mos të ka kap kovidi or çun?
-Jo vëlla, më ka zënë purtha, mbeta në hale. Sa herë që vij ditën e dytë, e shumta të tretën, më trazohet stomaku. Çfarë hani ju o byrazer?
Ama muhabet gjete të bësh. Si o çfarë hamë? Atë që gjejmë. Atë që na jep tregu. Foragjere për shembull. Të paska bërë keq perëndimi amigo. Ta ka dobësu stomakun. Se ne si shqiptarë nuk tutemi nga kaq pak gjë. Jemi mësuar me të keq. Nuk bo burri kështu.
Do thoni ju: gjëra të pakontrolluara. Po si kanë bërë të parët tanë kur nuk ka pasur laboratorë analizash dhe as Check Up. Asgjë s’i ka gjetur. Vërtet mosha mesatare ishte 40 vjeç, por jetonin shëndetshëm dhe ishin të fortë si guri. Merrte tjetri dyfekun e nisej për luftë e s’ia bënte syri tërrt. Sot shqiptarët i zeka barku me një gotë ujë Boville, e ta fluturojnë pushkën në lumë e me vrap zënë ndonjë ferrë... për çlirim. Pastaj nisin e shajnë.
-Nuk bëhet ky vend or jo. Nuk është më për të ardhur më.
-Mos hajde! S’të solli njeri me zor!
Mirëpo viti kalon shpejt. Emigrantët i ke përsëri në traget. Kur vijnë janë të përmalluar, me thënë të drejtën. Se sado mirë që janë andej-përtej, thonë se si vendi yt nuk ka.
-Na prit Shqipëri se po vijmë ne, bijtë e tu!
Pirdhni, pirdhni!
Po të paktën mos u ankoni!

No comments:

Post a Comment