Tuesday, July 19, 2022

Lufta e plazheve në një sezon të vakët veror


Nga Leonard Veizi
 
Nuk më durohet ndaj që në fillim dua të jap përfundimin se: sezoni i plazhit për vitin 2022 është... i vakët. Dhe kësaj nuk i bënte derman as muzika e lartë tallava që dilte nga bokset e mëdhenj, mjet me të cilën pronarët e lokaleve ftonin plazhistët të pinin ndonjë kafe a ndonjë gastare ujë me akull.
Dhe këtu nuk flas me statistika.
Nëse do t’u referoheshim statistikave, padyshim ky sezon është i suksesshëm, sa s'ka ku të vejë më, sepse matematikisht do të kalkulohej sa turistë futen në kufi, sa përfitohet nga tatim taksat, sa gjoba vihen këtej e andej, për automjetet që nuk respektojnë rregullat, por që përmirësojnë performancën e buxhetit... e kështu me radhë. Me të tilla statistika, të vitit 1989, Shqipëria shkoi gjithë gëzim deri në Meksikë dhe mori çmimin për ushqim, në kohën kur s’kishim bukë të hanim. Sepse në statistika thuhej që ne jo vetëm hanim aq shumë sa ishim kthyer në obezë, por ato që na mbeteshin ua jepnim të tjerëve që të mos vinin dëm. Dhe Meksika na akordoi një goxha medalje... bakri besoj.
Kohët rrjedhin, por me sa duket nuk ndryshojnë.
Sot kemi vërtet për të ngrënë më shumë se sa 33 vite më parë, por kur vjen puna për të bërë një palë pushime për të qenë... vështirë.
Ajo që më bën më shumë përshtypje, në fundjavën e gjysmës së dytë të korrikut, kur mendohet se është futur piku i sezonit turistik – është fakti se nga ora 8 e mëngjesit kur mbërrij në plazhin e Golemit nga Tirana, territori duket aq i zbrazët sa fillon dhe beson se ky vit e ka sezonin edhe më të keq se sa në kulmin e pandemisë në vitin 2020.
Çfarë sheh me sy të lirë, pa kalkulime matematikore të nivelit të lartë, të jep një tjetër përshtypje, që është më afër realitetit dhe më larg majës së lapsit që për shkak se shton një zero gabimisht – sepse zeroja nuk ka asnjë vlerë në fakt, - tregon për rritje të papara ekonomike.
Ora 07.00 e mëngjesit më zë në superstradën rrangullinë, ku dhe po të duash, ke frikë të ecësh mbi shpejtësinë e lejuar se mund të dalësh nga rruga e të përfundosh në ndonjë kanal apo në ndonjë livadh, në rastin më të mirë. Trafik ka, por jo dhe aq, duke menduar se në ditë të tilla, kur piku i sezonit bashkohet dhe me një fundjavë pushimi, që të shmangësh trafikun duhet të dalësh nga shtëpia që në 05.30. Gjithsesi ngarkesa vlen deri tek kthesa që të çon tek Gjiri i Lalëzit, sepse aty një pjesë e vozitësve marrin veriun e Durrësit, dhe ata që preferojnë pjesën jugore të plazheve, -  duke futur këtu dhe poshtë Kavajës deri në Vlorë, Dhërmi e Sarandë, - përgjysmohen. Në lokalitetin ku preferoj të pushoj prej vitesh, parkoj lehtësisht dhe përsëri kam një mëdyshje: Një mungesë të tillë njerëzish e makinash nuk e kisha hasur as në fundjavat e dimrit, e jo më në mesin e korrikut.
Nis të besoj se çmimet kanë pësuar një kolpo marramendëse, aq sa i ka frikësuar njerëzit sa ta braktisin edhe këtë plazh, i cili për hir të së vërtetës nuk shquhet për çmime të shtrenjta, as të kripura dhe as të çmendura, siç ndodh andej nga bregdeti i Vlorës apo Himarës.
Në lokalin e zakonshëm, me pamje nga deti sigurisht, kafen e pi me 70 lekë të vjetra. Kjo e zbuti një pjesë të dyshimit, se kriza e çmimeve do të më bënte ta braktisja këtë vend që e dua shumë aq sa kam krijuar dhe rutinën time. Në markatë mund të blesh gjithfarë asortimentesh me 10 apo 20 lek më shtrenjtë se në Tiranë. Por ky ka qenë një trend i zakonshëm për njësitë e plazhit dhe po aq jemi mësuar ta përballojmë. Një tabelë të paralajmëron se një shezlong me dy krevate portativë ka çmimin e 500 lekëve në ditë. Deri një vit më parë, në fundjava, kjo zonë kishte çmimin 400 lekë. Në këtë rast kemi të bëjmë me një rritje prej 20 përqind të çmimit. Sërish e përballueshme, duke pasur parasysh se në vende të tjera do të të duhet të paguash dyfishin e çmimit si edhe parkingun. Por në këtë zonë të Golemit, përveç plazheve publike, ku mund të shtrihesh në çarçafin e marrë nga shtëpia, gjen edhe shezlong me 300 lekë dita. Dhe kjo është një surprizë e vërtetë.
Në restorantin ku drekoj, çmimet janë po aq sa dhe në pranverë kur u bë e dukshme rritja e çmimeve në të gjitha fushat e jetës, por sidomos në atë të hidrokarbureve. Një pjesë e menysë kishte rritje deri në 100 lekë të reja, pjesa tjetër ishte po aq sa ka qenë dhe më parë.
Pra, braktisje plazhi për arsye çmimesh nuk mund të kishte. E megjithatë një ditë meskorriku m’u duk shumë e vakët, duke pasur parasysh se 15 korrik-20 gusht, - pra vetëm 35 ditë, - është dhe kulmi i zbarkimit të turizmit në plazh, që të bën të mos gjesh dot as vend parkimi, as shezlong bosh dhe në restorant do të duhet të mbash radhë derisa dikush të ngrihet nga tavolina që të mund të ulesh ti.
E megjithatë njerzit janë trembur. Nuk mund të shpenzojnë qoftë dhe ca qindarka më shumë. Sepse të ardhmes nuk i dihet asnjëherë.
Pyetësorit, me miq e të njohur, nuk iu përgjigj kush, por si përgjigje mora veç një rrudhje buzësh. Kjo donte të thoshte se pak apo shumë, çmimet janë rritur dhe tek banesat, e nëse doje të bëjë dy javë pushime, do ta rrudhësh në një. Ose në rastin tjetër, sa të shpenzosh para në bregdetin shqiptar, mund të marrësh një paketë turistike “all inclusive” për në plazhet turke të Antalias, dhe je po aty-aty. Por në rastin konkret do shohësh dhe botë me sy. Se portin e Durrësit, atë të Vlorës dhe Sazanin përballë e shohim çdo ditë të vitit.
Fundjava e mesit të korrikut, nuk më la përshtypjen e një sezoni të frekuentuar, përveçse më thelloi bindjen se ne si shqiptarë, herë kryeneçë e herë të pabindur, nuk respektojnë as në këtë rast këshillat mjekësore që tani janë bërë aq bajate ngaqë i dëgjojmë mëngjes, drekë dhe darkë: Pas orës 11.00 deri në orën 17.00 për shkak të rrezeve të fuqishme ultravioletë, të cilat të dëmtojnë lëkurën e jo në pak raste të shkakton dhe kancer, - nuk duhet t’i frekuentosh banjat e diellit. Madje rrezet e forta të diellit dhe rëra e nxehtë bëjnë keq dhe për fertilitetin mashkullor.
Po ku pyesim ne o burrë. Ne s'na ka gjetur gjë nga kolera e malarja, e jo më nga rëra e nxehtë.
Policia patrullon gjatë bregut. Roja bregdetare ka nxjerrë flamurin jeshil mbi kullën e vrojtimit.
Pikërisht mes orës 10.00-11.00 kohë kur njerëzit duhet të largohen nga çadrat, vija bregdetare papritur filloi të popullohej, me njerëz që kërkonin të laheshin në det. E megjithatë, në një kulminacion të tillë, sërish kapaciteti i plazhit ishte në 70-80 përqind të kufijve.
Poshtë hijes së çadrës apo në ajrin e kondicionuar të bar-kafesë, teksa hap celularin për të marrë informacionet e fundit, veç lajmeve për vrasje, plagosje e aksidente, njihem gjerësisht dhe me faturat e makaronave linguini, rizotos me fruta deti e picave me proshutë e sallam, të cilat pushuesit e relievit të Jugut i hedhin në shenjë proteste. Një herë mendova të hidhja dhe unë një faturë, atë të kafes 70-lekëshe, e të bëja thirrje që të pakënaqurit të vinin drejt e në Golem. - Por së fundi ktheva mendje. Duket sikur jemi në një luftë plazhesh. Pastaj secili i di vetë punët e tij. Edhe shpenzimi i parave ka të bëjë me një adrenalinë të brendshme, ndonjëherë të pakuptueshme. Prandaj o vëllezër shqiptarë, prishini paratë tuaja si tua marrë mendja. Por mos na prishni menunë e pushimeve me qaravitjet tuaja. Fundja, po s'të doli të hash një rizoto me fruta deti, futi një pilaf tek tenxherja me presion, dhe të të marrë të keqen me këtë rast edhe linguini me karkaleca e kallamar, që të serviret me aq delikatesë në një pjatë të madhe e të thellë, por që nuk ta mbush dot barkun.


No comments:

Post a Comment