Shënime udhëtimi
Nga Leonard Veizi
-Ajo është një
mrekulli e natyrës. Aty Zoti ka vënë dorë për qëllimet e tij, ndërsa njeriu
vetëm e shfrytëzon. Sepse po vuri dorë ai, me siguri gjithçka shkatërrohet. Dhe
këtë e kemi dhënë me prova konkrete. Ujë dhe oksigjen, po aq sa dhe kur në botë
nuk kishte ardhur konkurrenca e motorëve diezel. Pemë të rrëzuara nga “plakja”
por jo nga prerjet. Dhe asnjë betoniere nuk e ka destinacionin aty rrotull. Veç
kësaj, në tokë e hapësirë gjen zogj të rrallë që herë shtegtojnë e herë ngrenë
foletë apo aty, por dhe kafshë të cilat i ndesh gjithmonë e më rrallë në pyjet
e vendit....
...Guida elektronike
tregon se për të mbërritur në lagunën e Karavastasë, nisur prej Tiranës, do të
të duhet të përshkosh një rrugë prej 98 kilometrash për të paktën 1 orë e 40
minuta. Nëse do të anashkalosh autostradën e Durrësit dhe të marrësh atë të
Elbasanit, guida të paralajmëron se do të bësh vetëm 5 kilometra më shumë dhe
do të vonohesh vetëm 10 minuta për të mbërritur në destinacion, pra 103
kilometra rrugë që përshkohen për rreth 1 orë e 50 minuta.
Hyrja për në park
kryhet nëpërmjet rrugës kryesore që lidh Divjakën me Parkun Kombëtar. Rruga e
ndan pyllin në dy pjesë. Një shëtitore prej druri është ndërtuar me qëllim që
njerëzit që duan të ecin në këmbë të përdorin këtë pedonale dhe jo rrugën ku
kalojnë vazhdimisht makina.
E megjithëse një park
i rrallë ku Bashkia ka marrë masa për të vendosur kudo kosha për mbeturina,
njerëzit nuk janë fort të respektueshëm ndaj gjelbërimit përderisa edhe në një
vend të tillë hedhin pa kujdes mbeturina plastike.
I gjithë pylli dhe
territori i lagunës na kujton se një herë e një kohë ka qenë në pronësi të
zotit Lam. Kjo sa për shaka. Sepse shumëkush e mban mend Vlashin, personazhin e
njohur të filmit “Pylli i lirisë”. Filmi artistik i Kinostudios Shqipëria e Re,
- prodhim i vitit 1976, - është realizuar në territorin e Divjakës dhe Lagunës
së Karavastasë. Ai u mbështet mbi tregimin bazë të Naum Priftit: “Njeriu që
ndiqte kuajt”. Bashkëpunimi i skenaristit Kiço Blushi me regjisorin Gëzim
Erebara, nxori në dritë një prej filmave më të realizuar të Kinostudios, i cili
– pavarësisht propagandës së kohës, - vazhdon të transmetohet në çdo kohë.
Përndryshe quhet dhe
si “Ballkoni i Divjakës”. Ajo është një kullë e cilësuar 360 gradë, pikërisht
prej pamjes së plotë të terrenit që të ofron. Kulla 36 metra e lartë, e cila
tanimë është kthyer një pikë referimi, ndodhet në zemër të parkut. Ajo ka
shkallë prej betoni por nga jashtë është e ndërtuar me dru. Dhe ka një çmim
nëse do të sodisësh prej saj. 100 lekë të reja për person.
13 kate, kulla është
ndërtuar në shërbim të ekipit zjarrfikës, për të vrojtuar qendrat e zjarrit,
por vizitorët e kanë parë si një alternativë më të mirë për të shijuar pamjen e
parkut. Sepse pikërisht përbri saj ndodhet edhe një rajon policie i cili
patrullon gjatë gjithë kohës.
Pikërisht në majë të
saj do të shohësh një pamje vërtet fantastike ku ka një gërshetim të kaltërsisë
së detit me diellin dhe blertësinë e pyllit. Por në anën tjetër do të mund të
shquash edhe ndërtesat e qytetit të Lushnjes.
Të dhënat për Lagunën
e Karavastasë i ndesh në të dhënat enciklopedike të cilat janë bërë të njohura
dhe në faqen zyrtare.
Karavastaja bën pjesë
në parkun kombëtar të Divjakës. Ndodhet në qendër të Ultësirës Perëndimore, 5
km larg qytetit të Divjakës dhe 40 km larg nga qyteti i Lushnjes. Kufizohet nga
lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në lindje, nga kanali i Myzeqesë
dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim. Materialet
enciklopedike thonë se është më e madhja e vendit tonë dhe në gjithë bregdetin
jugor të Adriatikut, me një sipërfaqe 4330 hektarë, gjatësia 10.6 kilometra,
gjerësia 4.3 kilometra dhe thellësia maksimale deri në 1.5 metra.
Ajo njihet si streha
e një numri të madh shpendësh, të rreth 252 llojeve të ndryshme por dhe e 12
lloje gjitarësh dhe 16 lloje zvarranikësh. Dhe këtu nuk po përmendim bimësinë
gjithfarësh.
Kjo zonë konsiderohet
si një zonë me vlera të veçanta për natyrën dhe biodiversitetin. Bota bimore
dhe bota shtazore përbëjnë një pasuri të rrallë jo vetëm për këtë zonë. Nuk
është vetëm Pelikani kaçurel, por dhe çafka e bardhë dhe flamingot që i japin
aq shumë bukuri të gjithë zonës. Por kohët e fundit është shtuar edhe një banor
i ri
Arjani, shoqëruesi
unë, i cili na shëtit me një varkë me motor, - të cilat në fakt janë në pronësi
të Bashkisë së Divjakës, - na tregon për
shpendët e rrallë të lagunës, por dhe kuriozitete të tjera, të cilat ndonjëherë
nuk mund t’i gjesh as në enciklopedi.
Ai drejton vëmendjen
tonë tek një shpend që mezi shquhet mes degëve të pemëve dhe na sqaron: Ai është
skifter, më i shpejti në botë që ka shpejtësinë
maksimale prej 380 kilometrash në orë. Dhe quhet Pelegrin. Ka mbërritur në
luginën e Karavastasë vetëm tre vitet e fundit.
Fotot dhe
videoklipet
Kush nuk do të vinte
në Divjakë, dhe pikërisht në Parkun Karavastasë, që të ketë kujtimet e tij të
stampuara në letër, - dhe jo vetëm në memorie, - të ketë të paktën dhe disa
foto ku në sfond të jetë natyra e jashtëzakonshme. Vendi preferohet shumë nga
këngëtarët për të bërë videoklipet e këngëve të tyre si kopertina për t’u
hedhur në treg, si dhe fotot e dasmave. Çiftet e reja, shëtisin me varkë nëpër
lagunë, por dhe pozojnë nga maja e kullës 360 gradë. Në zonë sheh vazhdimisht
operatorë që ngrenë dronë për të regjistruar pamjet nga lart. Dhe kujtimet janë
vërtet të mrekullueshme.
Parku i Divjakës nuk
është vetëm një pasuri e shqiptarëve. Duke qenë i rrallë, që nga viti 1994 ai
është vënë dhe nën mbrojtjen e Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit. Zona e
Parkut është vlerësuar edhe zonë e rrjetit Emerald sipas Konventës së Bernës,
“Për konservimin e jetës së egër dhe habitateve natyrore të Europës”.
Parku Kombëtar
Divjakë-Karavasta është një ndër zonat më të rëndësishme komplekse për sa i
përket biodiversitetit në Shqipëri. Në brendësi të zonës Divjakë-Karavasta
ndeshen ekosisteme të ndryshme të dallueshme, që mund të klasifikohen në
sisteme tokësore, ujërash të ëmbla dhe ligatinore. Ky park është një nga
destinacionet më të preferuara për argëtim, qetësi dhe pushim gjatë fundjavës
për qindra qytetarë që e frekuentojnë në çdo stinë. Për të parë mrekullitë që
të ofron Laguna e Karavastasë, vijnë vizitorë nga të gjitha qytetet e
Shqipërisë, nga rajoni, por edhe turistë të huaj.
Plazhi
Në mbyllje të një
dite fundjave me diell, edhe një vizitë të shkurtër në Plazhin e Divjakës. Ai
është një prej bukurive natyrore të ruajtura më mirë në Shqipëri. Plazhi i
Divjakës ka një shtrirje prej 15 kilometrash, deti është i cekët dhe rëra e
bardhë, ndërsa është i kufizuar nga një pyll gjigant me pisha. Sipas
statistikave, këtë plazh e vizitojnë të paktën 300-mijë pushues gjatë sezonit
veror.
No comments:
Post a Comment