Monday, May 4, 2026

Kujtesa, mes kultit të dëshmorëve dhe etikës së sakrificës

 


Nga Leonard Veizi

5 Maji në Shqipëri është një provë se si një shoqëri zgjedh të kujtojë, të interpretojë dhe, shpesh, të instrumentalizojë të kaluarën e vet… 
 
…U vendos si Dita e Dëshmorëve pas rënies së Qemal Stafës, - një prej drejtuesve me te rëndësishëm të Partisë Komuniste, - në përplasje me forcat fashiste italiane në vitin 1942, një çast që regjimi i mëvonshëm komunist e shndërroi në simbol themelor të mitologjisë së tij politike. Kjo ditë u shndërrua për gjysmë shekulli në shtyllën kurrizore të asaj mitologjie që nuk kërkonte thjesht nderimin e të rënëve, por legjitimimin e të gjallëve në pushtet.
Sot, pyetja që na përndjek nuk ka të bëjë më me origjinë e kësaj dite, por me substancën e saj: Çfarë bëjmë ne me dëshmorët tanë kur dritat e kamerave fiken dhe kurorat e luleve nisin të thahen?
 
Kujtesa selektive
Një komb ka nevojë jetike për dëshmorë, por jo si dekor ceremonial për protokollin e radhës. Problemi ynë rrënjësor është kujtesa me përzgjedhje. Për dekada, ne kemi operuar me një "hierarki sakrifice", ku dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore u ngritën në piedestale të paprekshme, ndërsa mijëra të sakrifikuar të tjerë – para dhe pas asaj lufte – u dënuan me harresë ose u anashkaluan. Dhe më shumë vlerë mori një viktimë lufte, se sa një hero i vërtetë.
Kur një shoqëri nderon vetëm "dëshmorët e vet" dhe hesht për "të tjerët", ajo nuk po nderon lirinë për të cilën ata u sakrifikuan; ajo po instrumentalizon vdekjen për qëllime ideologjike. Dhe këtu kujtesa selektive pushon së qeni histori dhe kthehet në propagandë të pastër.
 
Përtej shifrave
Ne kemi humbur kohë të gjatë duke debatuar për numrat, listat dhe parcelat e varrezave të dëshmorëve. Por çështja e shifrave sot është dytësore. Prandaj ne duhet të pyesim: A kemi arritur të ndërtojmë një etikë kolektive nga ky gjak i derdhur? Sepse kjo ka më shumë rëndësi sot se sa të merremi me mbledhje e zbritje shifrash a lojë numrash.
Dëshmorët nuk i duhen kombit për të ushqyer nostalgji sterile apo për të mbajtur gjallë llogoret e vjetra ideologjike. Ata na duhen si një pasqyrë morale për të pyetur veten: Çfarë vlen të mbrohet sot me të njëjtin idealizëm? A është atdheu që kemi sot, ai për të cilin ata ranë?
 
Çlirimi i heronjve
Brezi i ri i Shqipërisë nuk ka nevojë për mite të ngrira në mermer apo figura të dehumanizuara nga retorika partiake. Ata kanë nevojë për të vërteta të plota. Dëshmorët duhen rikthyer në dimensionin e tyre njerëzor – me ëndrrat, dyshimet dhe bindjet e tyre të mishëruara. Vetëm kur i shohim ata si njerëz që zgjodhën të bënin diçka të jashtëzakonshme, dhe jo si monumente të ftohta, ata mund të shërbejnë si udhërrëfyes realë.
5 Maji duhet të pushojë së qeni një ditë ndarjeje në "tanët" dhe "tuajt". Një komb piqet kur mëson t'i kujtojë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin e kësaj toke, pa i ndarë në parcela politike. Madhështia e një dëshmori nuk matet me përkatësinë e tij në një krah të historisë, por me peshën e sakrificës që i la trashëgimi një populli që ende po mëson si të jetë i lirë. 

No comments:

Post a Comment